Nxënësi ekselent Krenar Dunga, shembull suksesi dhe angazhimi për të rinjtë

Krenar Dunga, nxënës në gjimnazin “Ibrahim Rugova”, është shembull suksesi dhe angazhimi. Me mesatare 10, role udhëheqëse në Parlamentin e Nxënësve dhe Këshillin Rinor, si dhe pjesëmarrje në Olimpiadë Kombëtare, ai frymëzon të rinjtë të ndjekin dijen dhe pasionin.

Krenar Dunga, nxënës në vitin e parë në gjimnazin “Ibrahim Rugova”, është një nga nxënësit më të spikatur të shkollës dhe të rinisë së Kamzës, duke u dalluar për rezultate të shkëlqyera në mësime, me mesatare 10, si dhe për angazhimin e tij në aktivitete shkencore, letrare dhe rinore.


Krenari mban disa role të rëndësishme në jetën rinore dhe institucionale. Ai është Ministër në Parlamentin e Nxënësve të Shqipërisë dhe njëkohësisht Kryetar i Komisionit të Shkencës, Robotikës dhe Inovacionit, ku kontribuon në promovimin e shkencës, teknologjisë dhe inovacionit tek të rinjtë. Gjithashtu, ai është zv. president i gjimnazit “Ibrahim Rugova” dhe anëtar i Këshillit Rinor Vendor Kamëz.


Për angazhimin dhe përfaqësimin e të rinjve, ai është vlerësuar me titullin “Zëri i Qytetit” nga zv. ministrja e Arsimit, znj. Orjana Osmani. Në fushën akademike, ai është gjithashtu konkurent në Olimpiadën Kombëtare të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, ku ka arritur deri tani në fazën e tretë, ndër nxënësit më të mirë në rang kombëtar.


Krenar Dunga vjen nga një familje e nderuar dhe intelektuale. Dy vite më parë ai humbi nënën e tij, e cila ishte mësuese, ndërsa babai i tij është oficer ushtarak. Pas kësaj humbjeje, familja e tij, katër motrat më të mëdha dhe babai, u bënë mbështetja dhe forca e tij për të vazhduar përpara në rrugën e dijes dhe të suksesit.


Një nga synimet e tij kryesore është të vazhdojë studimet në fushën e mjekësisë për t’u bërë kardiolog, duke dashur të realizojë edhe dëshirën e nënës së tij të ndjerë.


Arritjet, përkushtimi dhe angazhimi i tij e bëjnë Krenar Dungën një nxënës shembull dhe një model pozitiv për të rinjtë, duke treguar se me punë, disiplinë dhe vullnet mund të arrihen rezultate të larta dhe të ndërtohet një e ardhme e suksesshme.




©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë  

319 Lexime
7 orë më parë