Letër

Nxënësja Reana Çuko: I dashur "Portali shkollor"...

Reana Çuko, nxënëse e klasës së IV, shkolla "Rreze Drite", Tiranë ka një thirrje e mesazh për të gjithë ne...Ju ftojmë ta lexoni më poshtë në letrën që ajo na ka dërguar.

I dashur "Portali shkollor"! 


Unë jam Reana, një vajzë dhjetëvjeçare në klasën e katërt. Dua të shkruaj për një situatë të cilën do të doja ta ndaja me të tjerë, por edhe duke shpresuar se mund t'i kushtohet më shumë rëndësi në vendin tonë, por edhe në vende të tjera.


Këto vite është vënë edhe më shumë në dukje ndryshimi i klimës dhe ndotja e ajrit dhe e ujit. Jam e sigurt se edhe ju e keni vënë re se shtatori dhe tetori po bëhen shumë më të nxehtë se temperaturat normale të vjeshtës. 


Nëse këto temperatura vazhdojnë mund të krijohen zjarre që mund të shkatërrojnë pyjet dhe habitatet për shumë kafshë dhe gjallesa, si dhe vendbanimet për shumë njerëz. Nxehtësia shkakton edhe thatësi që pakëson sasinë e ujit në lumenj dhe liqene rreth Shqipërisë.


Ngrohja globale është edhe shkaku për shkrirjen e akullnajave në pole. Kjo gjë pakëson vendbanimet për kafshët dhe bën që ato të kenë nevojë të udhëtojnë për të gjetur habitat të ri për të jetuar. 

Kjo shkakton edhe përmbytje në shumicën e qyteteve bregdetare.


Një problem tjetër masiv është ndotja e ujit. Ndotja e ujit ndodh kur njerëzit hedhin plehra në lumenj, liqene dhe oqeane. Këto plehra ngatërrohen dhe mbytin peshq, mund të ngatërrohen për ushqim dhe të helmojnë gjallesa detare dhe mund të çlirojnë gazra helmuese në ujë.


Ndotja e ajrit është një tjetër problem i cili ndodh kur tymi nga makinat, fabrikat avionët etj., çlirohet në ajër duke shkatërruar shtresën e ozonit në atmosferë e cila mbron tokën nga rrezet e dëmshme të diellit. 

Kjo shkakton ngrohjen globale.


Ne mund t'i parandalojmë këto duke mbjellë pemë të cilat pastrojnë ajrin, duke ricikluar që plehrat tona të mos mbërrijnë në oqeane, duke eliminuar sadopak përdorimin e automjeteve, por edhe duke e shpërndarë lajmin dhe duke vënë në dukje këto probleme.


Sadopak ndihmë është e rëndësishme për planetin tonë. Ju lutem botojeni letrën time. 



Me dashuri, 

Reana Çuko, nxënëse e klasës së IV, shkolla "Rreze Drite", Tiranë.


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,970 Lexime
6 muaj më parë