“Performanca”, nga Shpëtime Rrapushi

“Performanca”, është shkrimi letrar i Shpëtime Rrapushi, me të cilin ajo merr pjesë në konkursin “Antologji kujtimesh”, i mundësuar nga Albas-i.

“Performanca”, është shkrimi letrar i Shpëtime Rrapushi, me të cilin ajo merr pjesë në konkursin “Antologji kujtimesh”, i mundësuar nga Albas-i. 



Erërat e kohës përplasen pas viteve tona të mësimdhënies, kohë e cila ndalon, kur nga njëra anë përcjell breza dhe, nga ana tjetër, vijnë nxënës të tjerë. Një eksperiencë e re. Vit pas viti, për të ushqyer talentin e tyre të fshehur, punë që unë e kam bërë për vite me radhë, duke jetuar me frikën e tyre, emocionet e tyre, përqafimet e tyre, me lotët e tyre, duartrokitjet, humbjet dhe çmimet gjithashtu.


Një ndër ndodhitë që më ka lënë një ndjesi dhe emocion, është historia e nxënëses me emrin Izabela.


Ishte ora e 3-të e mësimit para pushimit të gjatë dhe kisha mësim me klasën e 8-të. Hyra në klasë, bëra përshëndetjen (që edhe sot nuk e shmang), mora dhe mungesat. Pashë një nxënëse të re. Iu afrova dhe me buzëqeshje mirëseardhjeje, e pyeta për emrin.


“ Izabela M.”, – u përgjigj”

Një vajzë me flokë të gjatë gështenjë, serioze dhe e qeshur njëkohësisht, e qetë dhe e kulturuar.

–Izabela,–e pyeta, – të pëlqen të këndosh?

–Po, më pëlqen…por nuk di a këndoj mirë, –u përgjigj e skuqur në fytyrë, e ndrojtur.


Ndeza boksin e muzikës dhe vendosa këngën e kënduar nga Elvana, “Ti,Shqipëri, më jep nder”, që ajo vetë e përzgjodhi. Nuk po e besoja, klasa u shndërrua në një skenë madhështore plot me emocione nga zëri i saj mrekullueshëm, që u përhap në grimcat e ajrit në të cilin ne marrim frymë e jetojmë. Kështu edhe kënga, na mbushi shpirtin e mendjen. Kisha shumë vite që nuk e dëgjoja një zë të tillë, kaq magjik dhe të intonuar.


Klasa i dhuroi një duartrokitje me meritë dhe unë një përqafim, si të ishte vajza ime. Zilja ra për të dalë në pushim. Dola dhe unë bashkë me nxënësit për t’i shoqëruar jashtë. Izabelën e ndalova dhe i thashë se pas një jave do të merrnim pjesë në koncertin e zhvilluar nga QKF-ja, me rastin e 7-8 Marsit. 


–Ne do të prezantohemi me një valle dhe një këngë. Këngën do ta këndosh ti. Është një këngë që e kam kompozuar vetë për nënën. Do të bëjmë prova çdo ditë pas mësimit. Si thua? Do t’ia dalim?


–Po, mësuese, patjetër! – tha me një zë të qetë dhe të edukuar.


Provat vazhduan rregullisht dhe mrekullisht mirë. Ajo vinte me shumë dëshirë. Edhe vallja me vajzat po shkonte mrekulli. Por, një ditë para konkursit, teksa isha te klasa ime kujdestare, ishte 5-minutëshi i pushimit dhe po përgatitesha për të bërë diktim me klasën e 6-të, Izabela vjen drejt meje, ngadalë. Donte të më thoshte diçka, por heshti për një kohë të gjatë, dhe kjo heshtje nxiti disa kristale loti të ngrirë në sytë e saj kafe.


–Mësuese…unë…këngën ta këndoj një tjetër, pasi unë nuk mundem, nuk kam dëshirë!– dhe vrapoi përmes korridorit të shkollës, që atë moment m’u duk i errët dhe i pafund. Nuk e kisha ndier asnjëherë atë ndjesi humbjeje, dështimi, aq më tepër që nuk kishim kohë,që ta mësonte një nxënës tjetër. Mendova të mos dorëzohem. “Do të shkoj në shtëpinë e saj.”


Kur shkova, ishte vetëm mami iIzabelës, një grua e qeshur, shtëpiake dhe shumë mikpritëse. Ajo e dinte që Izabela po përgatiste një këngë. Ma tha, pa e pyetur, sepse flisnin sytë e mi, prania ime aty.


–Mësuese, të falënderoj që e ke afruar Izabelën, por nuk e lë i ati të marrë pjesë në aktivitete. Më vjen shumë keq.

Unë iu përgjigja me gjakftohtësi: 

–Izabela ka zë të bukur, ajo ka lindur për skenën, skena është shtëpia e saj. Ajo duhet të këndojë. –Pas një pushimi të shkurtër, vazhdova: –Mirë, por, të paktën, vetëm në këtë koncert, ju lutem, se nuk ka kohë ta mësojë këngën një nxënës tjetër. 


U largova me mendimin që do të prezantohem vetëm me një numër. Të nesërmen, u ngjita prapa kuintave, takova drejtoreshën e QKF-së dhe i thashë se shkolla “Mark Trokthi” do të prezantohet me një numër. Urova vajzat në prapaskenë, u dhashë këshillat e nevojshme dhe zbrita në sallë për të ndjekur koncertin. Isha e shqetësuar, dhe nuk po dëgjoja asnjë numër të shkollave të tjera. Dolën vajzat e mia(kështu u them gjithmonë) mbaruan kërcimin shkëlqyer, dhe më pas del pa prezantim Izabela, e veshur me një fustan ngjyrë pana deri në gju, dhe me flokët e lëshuar me onde, e cila më dërgoi një buzëqeshje autoritare skenike. Sa u lehtësova! Mori shumë duartrokitje! Nxitova ta takoj. Jashtë, bashkë me Izabelën, ishte dhe babai i saj.


Ajo vrapoi drejt meje dhe më dha një përqafim të fortë, sa unë bëra një hap prapa, dhe më pëshpëriti në vesh: “FALEMINDERIT MËSUESE!”



Shpëtime Rrapushi (Selimi)

Shpëtime Rrapushi (Selimi) ka lindur më 7 shtator 1975. Ajo ka mbaruar liceun artistik "Jan Kukuzeli" në Durrës, në vitin 1994. Ka filluar punë në vitin 1996 si mësuese muzike, ndërkohë që ndiqte studimet e larta në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, në Shkodër, në degën gjuhë-letërsi me korrespondencë. Ka punuar për disa kohë në QKF (Qendrën Kulturore të Fëmijëve) gjithashtu dhe në shkollën 9- vjeçare “Mark Trokthi”, ku vazhdon dhe sot të japë me të njëjtin pasion lëndën e gjuhës,muzikën dhe teatrin. Gjatë periudhës së punës në këtë shkollë ka organizuar shumë aktivitete letrare dhe artistike. Bashkë me nxënësit e saj ka marrë pjesë në konkurse dhe janë nderuar me çmime. Ka mbaruar studimet pasuniversitare, masterin profesional në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në Tiranë, me temë: “Reforma në arsimin e mesëm të ulët, çështje të diskutueshme”. Është autore e librit “Tingujt e kohës” dhe ka në dorë shumë dorëshkrime me poezi dhe prozë me tema sociale. 



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,890 Lexime
1 vit më parë