Përgjigjet e sakta të fjalëkryqit
Më poshtë po ju paraqesim fjalëkryqin mësimor të plotësuar. Shpresojmë që kjo ide të jetë një risi në orën tuaj të mësimit dhe të mund ta praktikoni në klasë për të njohur nxënësit krijesat e vogla.
Horizontalisht
1. Kandërr e vogël me ngjyrë të zezë, që rron me shumicë nëpër drurë, në fole të bëra në dhe etj.; mizë dheu, mizë përdhese. (milingon)
4. Emërtim i përgjithshëm për disa lloje kandrrash fluturuese, me katër krahë të mbuluar me luspa të imëta si pluhur, me ngjyra të ndryshme, me feçkë e brirth për të thithur dhe për të ndier, disa prej të cilave dëmtojnë bimët. (Flutur)
5. Kafshë e vogël me trup të butë, pa skelet, të përjargur e zakonisht të mbuluar me një guaskë, në trajtë spiraleje dhe me dy palë brirthë përpara, që jeton në toka me lagështirë dhe ushqehet me bar. (Kermill)
9. Kandërr me krahë të fortë e me brirthë të gjatë, zakonisht me ngjyrë të zezë a të errët të ndritshme, që rron në plehra, në mure etj.; emër i përgjithshëm për disa kandrra të vogla pa krahë dhe që dëmtojnë bimët. (Buburrec)
10. Larva e disa kandrrave, që ka trajtën e një krimbi me disa unaza; larva leshtore e disa fluturave, që dëmton pemët dhe barishtet. (Vemje)
11. Lloj hardhuce, me trup të madh dhe me shpinë të blertë, me pika të bardha dhe të murrme; hardhuca e blertë. (Zhapik)
12. Kafshë e vogël helmuese me ngjyrë të zezë, me këmbë nyja-nyja, me dy përpara dhe me një thumb të përkulshëm nga pas. (Akrep)
13. Zvarranik i vogël, me trup të zgjatur e në ngjyrë të murrme, me katër këmbë të shkurtra dhe me bisht të gjatë. (Hardhuce)
14. Kafshë me trup të vogël e me ngjyra të ndryshme, me katër palë këmbë të holla e të gjata, që rron nëpër vende të errëta (nëpër bodrume, në qoshet e dhomave etj.) ku end rrjeta të dendura prej fijesh të holla. (Merimangë)
Vertikalisht
2. Kafshë e ujërave të ëmbla e të kripura, që e ka trupin të mbuluar me një guaskë të fortë, me dhjetë këmbë të nyjëzuara e me kthetra në majë, të cilat i japin mundësi të ecë në të gjitha drejtimet. (Gaforre)
3. Kafshë e vogël pa skelet, me trup të zgjatur, të rrumbullakët, unazor e të butë, pa këmbë, që zvarritet me gjithë trupin e tij dhe që rron në tokë, në pleh, nën gurë etj. (Krimb)
5. Kandërr me trup të madh e me krahë, zakonisht në ngjyrë si të gjelbër, me këmbë të gjata, që kërcen me shkathtësi dhe fluturon larg dhe që dëmton rëndë të lashtat. Të tillë ka edhe deti. (Karkalec)
6. Trajtë fillestare e kandrave, e krimbave, e bretkosave dhe e disa kafshëve të ujit, që sapo ka dalë nga veza dhe jeton më vete; vemje. (Larvë)
7. Kandërr me ngjyrë të murrme, me kokë të gjerë e të shtypur, me sy të dalë e me krahë të mëdhenj e të tejdukshëm, që lëshon në vapë një zë të zgjatur e gumëzhitës; cinxër. (Gjinkallë)
8. Mizë me krahë, me trup të vogël e të murrmë, të mbuluar me push të verdhë, e cila mbledh nektarin e polenin e luleve dhe bën mjaltin e dyllin. (Bletë)
*Në kllapa përgjigjet e sakta
(Portali Shkollor)
Urimet më të bukura që mund t’i dërgoni njerëzve të dashur për ditëlindje
Nostalgji, loja “Hapa dollapa”, luani me fëmijët tuaj
Lojërat më të bukura të viteve ’90 që mund t’ua tregoni nxënësve apo fëmijëve tuaj