Puna me shkrim model e një djaloshi gjimnazist!
Njihuni me Adnan Hoxhën, gjimnazistin që e ka kthyer bukurshkrimin në një shenjë dalluese të përkushtimit dhe dashurisë për dijen. Një histori që dëshmon se puna e vazhdueshme, edukimi familjar dhe mbështetja e mësuesve formojnë nxënës me vlera.
Nga Evans Drishti
Me të parë fletoren e tij të detyrave të shtëpisë, mësuesi u mahnit, u befasua, e ndërkohë një ndjesi mallëngjimi e pushtoi të tërin.
Një shkrim i rregullt, i pastër, i qartë, i kuptueshëm, e mbi të gjitha punuar me një shije estetike që të sillte ndër mend punimet plot finesë e delikatesë, bukurshkrimet e realizuara në klasën e parë të fillores.
Mos u çudisni!
Ta besoni se djali në fjalë është një gjimnazist. Adnan Hoxha ka ardhur nga Librazhdi për të vijuar të mesmen pranë Medresesë së Shkodrës.
Teksa bisedon me të dhe përpiqesh ta njohësh më nga afër e kupton qartë natyrën e tij disi të heshtur dhe të ndrojtur, por një botë e nadhe dhe e gjerë fshihet brenda tij. Një djalosh i qetë, i rregullt, fytyrëqeshur me nuanca tërheqëse. Trupmesëm dhe me një qëndrim skrupuloz. Shumë i edukuar dhe i sjellshëm. Fjalët e tij janë të mirëmenduara dhe respektuese.
Ai tregohet plotësisht i përqëndruar në bashkëbisedim me ty, po aq sa edhe gjatë procesit mësimor. Të ndjek me shumë vëmendje dhe përqëndrim. Përpiqet dhe mundohet me mish e me shpirt që të kuptojë gjithçka që shpjegohet e diskutohet në ambientin e klasës dhe më gjerë.
Adnani e do librin, e do mësimin, e do shkollimin, ndaj dhe është aty në fakt i tëri, me gjithë qënien e tij, në mënyrë që mos të humbasë asgjë nga ajo që ofrohet me plot pasion e përkushtim.
Këtë dëshirë dhe kënaqësi e ka pasqyruar më së miri edhe në punët e tij me shkrim. Teksa bisedon me të, ai rrëfehet se është një punë dhe angazhim i nisur që në klasë të parë nën përkujdsjen e veçantë të prindërve të tij, ndaj të cilëve padyshim është shumë mirënjohës. Ndër të tjera ai tregon se ka punuar shumë me punën me shkrim në çdo vit shkollor, në çdo proces mësimor.
Në shkrimin e tij, që për hir të së vërtetës duhet cilësuar “bukurshkrim” i mirëfilltë, vë re qartazi delikatesën, finesën dhe përkujdesjen e tij të veçantë në një shkrim të rregullt dhe të qartë të çdo fjale, e për rrjedhojë të çdo fjalie. Të duket sikur çdo shkronjë paraqitet si një rruazë e punuar me shumë durim dhe pasion, të lidhura dhe të gërshetuara zinxhir duke u punuar me një estetikë që të ngjall një simpati dhe kënaqësi plot shkëlqim e rrezatim.
Përkujdesja e tij në një shkrim plot finesë dhe hijeshi pasqyrohet edhe në mençurinë e tij për t’u treguar i qartë dhe i saktë si në kërkesat e paraqitura ashtu edhe në përgjigjet e dhëna. Kështu ai tregon dhe dëshmon se ruan në mendjen dhe shpirtin e tij kënaqësinë dhe përgjegjësinë e një përgatitjeje sa serioze aq dhe dinjitoze të një nxënësi që dëshiron të rënditet në radhët e elitarëve.
Adnani nuk përton të shkruajë, pasi këtë angazhim e ka kthyer prej vitesh, që në vegjëlinë e tij të hershme në një normë të edukimit dhe zhvillimit të vet. Çdo detyrë e zhvilluar në klasë si detyrë klase dhe në shtëpi si detyrë shtëpie reflekton gjithnjë e më shumë zhvillimin i tij ideor, arsyetimet e tij që kohë pas kohe marrin zgjerime të dukshme duke e aftësuar atë të formulojë mendime më të avancuara që lidhen jo thjesht me aspektet teknike të ofruara në proceset mësimore, por më shumë me qasjet që ka krijuar dhe vijon të ndërtojë duke kaluar nga tema në temë, e nga kapitulli në kapitull.
Puna e vazhdueshme me shkrim e ka bërë atë që jo vetëm të aftësohet në një bukurshkrim të dukshëm dhe joshës, por edhe të zgjerojë vizionin e tij për temat që përvetëson, duke forcuar kështu edhe imagjinatën dhe fuqinë perceptuese në komentet dhe argumentimet e larmishme që sjell për fenomenet e kohës.
Është puna këmbëngulëse nga ana tjetër edhe e mësuesve që janë marrë me të vit pas viti duke ushtruar rregullisht procesin e punës me shkrim si një domosdoshmëri e rritjes, e zhvillimit dhe e integrimit të një fëmije, që tashmë vjen në ciklin AML me një përgatitje të tillë kaq fisnike dhe domethënëse.
Mësuesi i tij i Gjuhës shqipe dhe Letërsisë e ka spikatur që në pikënisje të këtij viti shkollor, duke e mbështetur hap pas hapi dhe duke e motivuar dita – ditës për një integrim me ritme të shpejta drejt angazhimeve kurrikulare dhe ekstrakurrikulare.
Një gjë e tillë ka ndikuar dhe influencuar natyrshëm tepër pozitivisht edhe në forcimin e aftësive të tij, jo vetëm të bukurshkrimit, por edhe të fushave të tjera. Pavarësisht influencës së madhe që ka sot teknologjia me zhvillimet e saj të hovshme në mendjen dhe integrimin e të rinjve, Adnani si një adoleshent ka arritur të ndërtojë një ekuilibër të qëndrueshëm mes punës me shkrim dhe angazhimeve që sjell teknologjia dhe rrjeti social.
Detyra me shkrim e realizuar me përkushtim dhe finesë është qartazi një dëshmi e freskët dhe konkrete se ka të rinj sot që e duan dhe e përqafojnë punën me shkrim, pasi ky nuk është vetëm një angazhim shkollor, por edhe një edukatë e kultivuar mirëfilltazi në familje dhe mësuesit e cilleve të para shkollore.
Adnani sot është një djalosh adoleshent që nuk përçon vetëm freskinë dhe kënaqësinë që i jep mosha, por njëherazi pjekurinë, maturinë dhe intelektin që posedon dhe gëzon një gjimnazist që aspiron për t’u bërë një vlerë qytetare për të shënjuar emrin e tij në një epokë historike e kulturore.
Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Ese për Ismail Qemalin dhe Festat e Nëntorit
Laura Kërtalli, e para maturante që ka shkruar një libër mbi regjimin komunist në Shqipëri
Poezi nga nxënësja Steisi Ndoni, talenti i vogël me ëndrra të mëdha