“Rrugëtim me zemër” (Historia e një vajze, si shumë prej jush) nga Enkelejda Davidhi

“Rrugëtim me zemër” është shkrimi letrar i Enkelejda Davidhi, me të cilin ajo merr pjesë në konkursin “Antologji kujtimesh”, i mundësuar nga Albas-i.

1983. 

Një vajzë e vogël, me çantën më të madhe se vetja, me një dëshirë akoma edhe më të madhe për të mësuar, shumë herë më e madhe se vetë çanta e saj... Ulet për herë të parë në bankat e shkollës. Nuk qan ditën e parë. E urtë... E bindur... Përpin çdo fjalë të mësueses dhe me durimin që do bëhej virtyti më i çmuar, këmbëngul që çdo gjë ta bëjë saktë. Sapo mëson të lexojë rrjedhshëm të gjitha gërmat, zbulon se libri është miku i saj më i mirë dhe se mësuesja e fillores është personi që adhuron më shumë nga të gjithë. Aq shumë i pëlqen, saqë do të bëhet si ajo. 


***


1995.

 "...ti do t'u japësh njerëzve dashuri." 

Këto ishin fjalët e pastorit të kishës në përfundim të shkollës biblike. Dhe ajo, adoleshentja e ndrojtur, nuk arrinte dot ta kuptonte peshën e kësaj fraze. Si mund të jepte dashuri një person që e mbante kokën zhytur në libra dhe e kishte më të lehtë që të fliste me Balzakun, Cvajgun, Tolstoin e plot të tjerë që nuk ishin më, sesa të shkëmbente dy fjalë ballë për ballë me dikë të gjallë?

E megjithatë, për diçka ishte e sigurtë, do shkollohej me patjetër. Në kohët e turbullta, kur të gjithë ndiqnin tendencën e të bërit të vajzave me zot, vajza donte t'i dilte zot vetes. 


***


2000. 

"Jeta është ajo që ndodh, ndërsa ti je duke bërë plane." 

Kështu ndodhi edhe me vajzën tonë. E sapo diplomuar në përkthim dhe interpretim, e dashuruar me fjalën dhe me të fejuarin e saj, gjendet mes zgjedhjes: të shkaktojë një krisje në marrëdhënie dhe të ndjekë ëndrrat e saj të mëdha për të përkthyer në sallat e konferencave apo të rikthehet në qytetin e vogël dhe të jetojë qetë dhe lumtur me njeriun e zemrës? 

Epo njëri duhet ta sakrifikojë karrierën për hir të marrëdhënies. 

Me një kopje të diplomës dhe listës së notave në dorë, dhe me të fejuarin përdore, vajza trokiti në dyert e zyrës arsimore të qytetit. I thanë që do fillonte të jepte mësim në dy shkolla. Pranoi me kënaqësi. Dy vite sakrificë, punësim edhe në një qendër gjuhësh edhe në shkollë ia kishin hequr disi frikën. Kishte ende shumë për të mësuar. Ai 16 Shtator do shënonte fillimin e rrugëtimit të gjatë të zemrës...

-Zot! Vendos në gojën time fjalë plot hir, fjalë që ndërtojnë e nuk shkatërrojnë!..." - u bë lutja e përditshme e vajzës në nisje të çdo dite.

Diçka nuk shkonte.... Kur je i sapo dalë nga auditorët e fakultetit, ke një bagazh gjuhësor të denjë për salla leksionesh e takime të nivelit të lartë, por si do ta bësh një nxënës të klasës së tretë të kuptojë, dhe mbi të gjitha të dojë gjuhën? 

Studim, durim, këmbëngulje dhe ndjekja e parimit të Ajnshtajnit: "S’mund ta bëj mirë diçka, për sa kohë që mos ta shpjegoj aq qartë sa edhe gjyshja ime ta kuptojë."

...vigani, shkurtabiqi... Simoni thotë... mënyra urdhërore...

Vajza luan lojën e parë me nxënësit në klasë. Të qeshurat e nxënësve pas çdo "djegjeje" në lojë, alarmojnë drejtorin e shkollës, i cili hyn pa trokitur në klasë dhe pasi shikon një pjesë të nxënësve para dërrasës së zezë dhe një pjesë të ulur në banka, por të qeshur, pyet: 

-Ç'bëhet këtu? Pse ka kaq zhurmë?...

-Po mësojmë mënyrën urdhërore dhe si të japim, si të zbatojmë urdhra, dhe si të pranojmë humbjen pa na mbetur qejfi.- i përgjigjet vajza. 

-Pra po bëhet mësim. Mendova se nuk po mbaje dot klasën. Mirë, vazhdoni, por mos e ngrini kaq zërin se shkolla është në mësim.

Vajza u vu në vështirësi. Mos vallë kishte gabuar? 

Një ditë, për arsye familjare, (tashmë ishte martuar dhe kishte përgjegjësi të reja mbi supe), iu desh të kërkonte leje. Të nesërmen drejtori e thërret në zyrë. Me zemër të dridhur, vajza pret të mësojë se përse e ka thirrur. 

-Dje, hyra në klasën ku kishe ti mësim, për të mos i lënë nxënësit bosh dhe ua kontrollova detyrat e shtëpisë. Bravo! Vetëm një nxënës kishe pa detyra. Vazhdo kështu!

Drithërima kthehet në një britmë të heshtur fitoreje. "Faleminderit"- përgjigjet me një buzëqeshje të matur në fytyrë, por thellë brenda vetes është e kënaqur, që të paktën i ka bërë nxënësit ta duan lëndën.


***


2007. 

Vajza ka kaluar kualifikimin e parë si mësuese dhe punon në shkollën e tretë. Ka kaluar me sukses një maturë dhe pavarësisht vështirësive dhe shpërthimeve të moshës, që duhet të durojë, i do nxënësit, dhe koha që kalon me ta në klasë i duket gjëja më me vlerë. 

Të formosh mendjet e reja dhe t'i bësh të duan veten, librat, shkollën, jetën është synimi më i fisëm dhe arritja më e madhe për vajzën, tani dyfish më e motivuar, pasi është vetë nënë dhe çdo gjë e mat me gjykimin "po sikur të ishte fëmija im?!". Madje me shaka ju thotë nxënësve të klasës në kujdestari: 


-Nga ora tetë pa një çerek deri në dy pa një çerek jeni të mitë. Pas kësaj ore e deri në mëngjesin tjetër jeni të mamave dhe baballarëve tuaj.

-Eja pak në zyrë. - thotë drejtori (i pesti apo i gjashti në këto shtatë vite punë). 

-Shiko se na del një problem me diplomën tënde. Nuk e ke për mësuesi dhe të rrezikohet vendi i punës. 


Efekti i një bombe ndoshta, do kishte qenë më pak i dëmshëm sesa këto fjalë. Për një çift relativisht të ri, me një fëmijë dhe një kredi që i kalonte gjysmat e të ardhurave mujore të një mjeku dhe një mësueseje, humbja e vendit të punës së njërit ishte më keq se të rindërtoje pas shpërthimit të bombës. 


-Zgjidhja? Një master në didaktikë. 

-U pa puna. Do shtyjmë specializimin tim dhe planin për fëmijën nr 2.- thotë bashkëshorti. 


Dhe kështu nisi kalvari i fundjavave në Tiranë, që zgjati plot 2 vite e gjysmë. Të shtunave ajo ikte që pa gdhirë me autobuzët e linjës (pasi i shoqi punonte të shtunave) dhe të dielave shkonin familjarisht në Tiranë dhe i shoqi me fëmijën i shtynin orët në ndonjë kafene apo fast food deri sa ajo të mbaronte mësimin. 

Gjithë ajo sakrificë ia vlejti, pasi askush nuk guxonte më t'i thoshte: “Nuk je për këtë vend pune”, dhe vajza tashmë grua e pjekur, vazhdoi dhe vazhdon të japë dashuri...

Ka mësuar se nuk ka më bukur sesa të jesh pjesë e formimit të dritës së syve të dikujt, që ta kanë besuar ty për një pjesë të ditës; nuk ka më bukur sesa t'i mbrujtkësh brezat me dëshirën për gjuhën tënde, edhe pse përmes asaj të huaj; nuk ka më bukur sesa të edukosh dhe të nxitësh kureshtjen për librin duke ndarë me ta pasionin tënd.

Edhe pse jo çdo ditë është pa brenga e halle, buzëqeshja duhet të jetë shoqëruesja e përhershme sapo kapërcen portat e shkollës...

(Për t'u vazhduar...) 

 



Enkelejda Davidhi


Enkelejda Davidhi ka lindur më 22 maj të vitit 1977. Ajo punon si mësuese e gjuhës angleze në gjimnazin "Arben Broci", Tiranë. Me një përvojë 23 vjeçare në mësimdhënie, 19 vite prej të cilave në gjimnazin "18 Tetori" në Lushnjë. Ka mbaruar UT, FGJH, Dega Gjuhë Angleze në vitin 2000. Në vitin 2010 është diplomuar në Master në Didaktikë Gjuhësh, ShPU. Gjatë viteve ka marrë pjesë aktive në trajnime të ndryshme. Në Prill 2023 është certifikuar si përkthyese zyrtare e MD. 



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

2,498 Lexime
6 muaj më parë