Ceromonia ndërkombëtare e librit

Shqipëria në Sallonin e Librit në Torino

Përgjatë 5 ditëve të Sallonit të Torinos do të ketë rreth 40 aktivitete, promovime librash të përkthyer në gjuhën italiane, panele diskutimesh mbi letërsinë bashkëkohore me një prani të pasur autorësh e studiuesish shqiptarë e italianë, të magjepsur nga universi i jashtëzakonshëm shqiptar.

U hap në Torino edicioni i 35-të i Sallonit Ndërkombëtar i Librit që do të mbahet deri në 22 maj 2022, ku për herë të parë Shqipëria mban statusin e vendit mik (paese ospite).


Në ceremoninë e hapjes përshëndetën këtë ngjarje, por edhe pjesëmarrjen e Shqipërisë: Gennaro Sangiuliano, Ministër i Kulturës së Italisë; Alberto Cirio, President i Regione Piemonte; Ignazio La Russa, President i Senatit; Stefano Lorusso, kryetari i bashkisë së Torinos; Silvio Viale, President i Shoqatës "Torino, qytet i librit"; Giulio Biino, President i Fondacionit Circolo dei Lettori.


E pranishme në ceremoni, Ministrja e Kulturës Elva Margariti u shpreh: "Ka qenë një pritje e gjatë, një "brengë e bukur" siç thotë shkrimtari ynë i madh Kadare dhe nuk mund të mos pranonim ftesën për të qenë jo thjesht pjesëmarrës, por miq. Ishte një periudhë shumë e shkurtër për t'u përgatitur, por në të njëjtën kohë një mundësi shumë e madhe për ne, për të treguar Shqipërinë letrare. Kam jetuar 16 vjet në Itali dhe e di fare mirë se është dashur shumë punë për të ndryshuar imazhin tonë dhe këtë ftesë e shoh si një stacion të rëndësishëm në rrugëtimin tonë, që finalen e ka me anëtarësimin në familjen e madhe europiane, ku gjeografikisht dhe shpirtërisht gjithnjë kemi qenë pjesë".

Hapja Sallonit Shqiptar


Salloni shqiptar u përurua me një tjetër ceremoni, me pjesëmarrjen e kantautorit Ermal Meta. Përmes një videoje përshëndetëse qe i pranishëm në këtë ngjarje shkrimtari Ismail Kadare.

"E çmoj shumë këtë ngjarje. Më jep një gëzim të madh dhe kjo jo vetëm sepse po dëgjoj lajme të mira për vendin tim. Gëzimi shpërndahet në të gjithë qenien time dhe besoj te secili prej nesh. Kjo ndodh kur popujt jetojnë me interesa të larta për veten e tyre, kur duan të jenë të dobishëm për veten dhe kur kjo ndodh, është i dobishëm edhe për të tjerët. Shqipëria është një nga popujt më të vjetër të Europës dhe shpesh i mohoet kjo e shkuar, çka më mërzit herë pas here sepse është e padrejtë që një populli t’i mohoet e kaluara e tij. Kjo e kaluar nuk vlen për t’u mburrur, por shikon në të ardhmen. Gjithçka e mirë që i vjen sot Shqipërisë i vjen nga ky afrim me Europën, Bashkimin Europian, me shtetet e “vjetra” të shek. XV, kur edhe Shqipëria ka pasur një pozitë të rëndësishme, ku botoheshin paralelisht libra në gjuhën latine dhe shqipe, por kjo harrohet. Ky është një fakt që duhet ta kujtojmë dhe të jemi krenarë, të gëzuar dhe plot shpresë. Kjo është ndjesia ngazëlluese që më ngjall ky lajm i sotëm, që është shumë i bukur", tha Kadare.



Aktiviteti u moderua nga gazetarja e "La Repubblica"-s Sara Chiappori dhe takimi u zhvillua në formën e një dialogu mes Ermal Metës dhe Ministres së Kulturës pëe përvojat personale mes Shqipërisë dhe Italisë.

Salloni shqiptar


Frymëzuar nga "Liza në botën e çudirave", edicioni i këtij viti titullohet "Përmes pasqyrës”; një rrugëtim mes fantastikes dhe reales; nga fëmijëria në botën e të rriturve; nga e shkuara në të ardhmen.

I tillë do të jetë edhe Salloni Shqiptar, i frymëzuar nga një prej veprave të shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare, “Kronikë në gur”, projektuar nga ark Matilda Pando dhe artisti Ergys Krisiko.

Një sallon i konceptuar si një vepër arti, që i fton vizitorët të hyjnë në të dhe të zbulojnë Shqipërinë letrare, e cila gjithëherët ka ofruar një letërsi europiane, me stacionet e veta të ndalimit dhe pengesa, por me një orientim të qartë perëndimor, që vjen që në kohërat e Buzukut e Bogdanit, te autorët e Rilindjes Kombëtare, ata të shek. XX e deri në brezat më të rinj të shkrimtarëve.


Përgjatë 5 ditëve të Sallonit të Torinos do të ketë rreth 40 aktivitete, promovime librash të përkthyer në gjuhën italiane, panele diskutimesh mbi letërsinë bashkëkohore me një prani të pasur autorësh e studiuesish shqiptarë e italianë, të magjepsur nga universi i jashtëzakonshëm shqiptar.


Lista e shkrimtarëve, përkthyesve e studiuesve që do të jenë të pranishëm në Sallonin shqiptar është e gjatë. Do të gjeni mes tyre emra si:

Lea Ypi, Ornela Vorpsi, Bashkim Shehu, Ermal Meta, Matteo Mandala, Lucia Nadin, Virgjil Muçi, Tom Kuka, Ardian Ndreca, Ardian Kuçuku, Darien Levani, Rita Petro, Fatos Kongoli, Ylljet Aliçka, Durim Taçi, Anilda Ibrahimi, Artur Spanjolli, Gëzim Hajdari, Stefan Çapaliku, Mimoza Hysa, Diana Kastrati, Liridon Mulaj, Andreas Dushi, Tobias Xhaxhiu, Denada Ndreca, Christan Elia, Nicola Petrazzi, Fabio Rocchi, Sonila Strakosha etj.


Ngritja e këtij salloni u bë i mundur falë bashkëpunimit të Ministrisë së Kulturës me Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit, Shoqatën e Botuesve Shqiptarë, Regione Puglia, Qendra Shqiptare në Torino, Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë, Universiteti i Tiranës, Ambasada Shqiptare në Romë.


Katra Tafani 

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

591 Lexime
11 muaj më parë