
Si Inteligjenca Artificiale ndihmon në mësimin e Gjuhës Shqipe
Në seminarin për mësuesit e diasporës, Anila Berberi prezantoi një orë mësimi inovative: "T si Telefoni, T si Teknologjia". Ajo tregoi si teknologjia mund të shndërrohet në urë kulturore dhe gjuhësore për fëmijët shqiptarë jashtë atdheut.
Në një botë gjithnjë e më të ndërlidhur, ku telefoni është bërë zgjatimi natyral i dorës së fëmijëve dhe teknologjia është gjuha e re e përditshmërisë, mësuesja Anila Berberi sjell një praktikë frymëzuese mbi mënyrën se si këto mjete mund të shndërrohen në ura lidhëse me gjuhën dhe kulturën shqiptare. Në kuadër të Seminarit të 18-të Mbarëkombëtar për Mësuesit e Diasporës dhe Mërgatës, mbajtur në Shkodër, mësuesja e Shkollës Shqipe “Scanderbeg” në Parma prezantoi një orë mësimi që nuk ishte vetëm inovative, por edhe thellësisht njerëzore: “T si Telefoni, T si Teknologjia”.
Me një ndjeshmëri të veçantë pedagogjike dhe me një qasje të guximshme ndaj teknologjisë – pavarësisht sfidave personale me të – znj. Berberi dëshmoi se mësimdhënia në diasporë nuk është vetëm çështje e transmetimit të një gjuhe, por edhe e edukimit të një identiteti. Telefoni, dikur ura e vetme e lidhjes me atdheun, sot është kthyer në një klasë të lëvizshme, në një mjet për krijim dhe përjetim të trashëgimisë.
Ora mësimore e ndërtuar me kujdes në disa faza – nga përvetësimi i shkronjës “T”, te përdorimi i inteligjencës artificiale për krijimin e personazheve digjitalë dhe sfidave javore kulturore – ishte një udhëtim mes traditës dhe teknologjisë, mes librave dhe aplikacioneve, mes të kaluarës që na formëson dhe së ardhmes që po ndërtojmë.
Ky projektim didaktik nuk ishte thjesht një orë mësimi, por një shembull konkret se si gjuha shqipe mund të mësohet dhe dashurohet nga fëmijët e diasporës në mënyrë tërheqëse, përfshirëse dhe moderne. Sepse, siç theksoi vetë mësuesja: “Teknologjia nuk është një rrezik për mësuesin – është një aleat. Dhe ne nuk kemi frikë nga e ardhmja, nëse i mësojmë fëmijët ta krijojnë atë me shqipen në zemër.”
***
T si Telefoni, T si Teknologjia
“T …si Telefoni që dikur na lidhte me shtëpinë. T ….si Teknologjia që sot na sjell shtëpinë në zemrat e nxënësve tanë. Këtu rrethi duket se mbyllet, por historia vazhdon.”
Është kënaqësi e veçantë të ndaj sot me ju një orë mësimi të zhvilluar me fëmijët e klasës fillore të Shkollës Shqipe “Scanderbeg”, në Parma, pikërisht me shkronjën “T” dhe me tekstin “Gjuha Shqipe dhe Kultura Shqiptare”. Nëpërmjet kësaj ore mësimi jam përpjekur që të trajtoj një temë që është më aktuale se kurrë: përdorimin e teknologjisë edhe në mësimdhënie si mjet për të ndihmuar fëmijët të afrohen më shumë dhe më natyrshëm me teknologjinë në kuadër të mësimit të gjuhës shqipe. Këtë temë e kam titulluar: T si Telefoni, T si Teknologjia – dy fjalë që nisin me të njëjtën shkronjë, por që mbartin brenda tyre gjithë sfidën dhe mundësinë e arsimit të kohës sonë. Të them të vërtetën për të realizuar këtë temë nuk ka qenë aq e lehtë për mua, se nuk e ndiej veten një super digjitale apo super teknologjike, më është dashur të studioj që ta kuptoj pak botën e teknologjisë, jam konsultuar me ekspertë të fushës, por mbi të gjitha kam patur ndihmën dhe bashkëpunimin e grupit të të rinjve të shkollës sonë, të cilët më kanë mësuar sa e pafundme dhe e bukur është bota e teknologjisë.
Po pse “T si Telefoni, T si Teknologjia”?
Në historinë e emigracionit, TELEFONI ka qenë mjeti i parë teknologjik që na lidhte me “shtëpinë”. Telefoni ishte më shumë se një instrument i thjeshtë komunikimi: ai u bë e vetmja urë lidhëse mes dy botësh, duke u dhënë mundësi emigrantëve që të mbanin të gjallë lidhjen e tyre me atdheun nëpërmjet zërit të familjarëve. Ndërsa për fëmijët e rritur në familjet e diasporës, TELEFONI u bë instrumenti i parë pedagogjik: Teli i telefonit mbante me vete jo vetëm fjalë, por universe të pafundme kulturore: thekse rajonale, shprehje dialektore, biseda familjare.
Sot, revolucioni digjital, TEKNOLOGJIA e ka transformuar atë tel telefoni në një botë të tërë mundësish komunikuese, në një kërkim të vazhdueshëm lidhjeje me rrënjët tona kulturore dhe gjuhësore. TEKNOLOGJIA na ofron mundësi që më parë nuk do t’i kishim parë as në ëndërr: jo vetëm zërin, por edhe figurën, video, ndërveprime që u japin mundësi fëmijëve të diasporës të mos kufizohen vetëm duke dëgjuar për kulturën e origjinës, por ta përjetojnë atë, ta krijojnë, ta konsiderojnë shok të pandarë të rrugëtimit të tyre të rritjes.
Sot jetojmë në një epokë ku teknologjia është pjesë e jona, na udhëzon, na sfidon. Fëmijët tanë rriten me ekran në dorë, mësojnë të përdorin telefonin para se të kenë mësuar të lexojnë fjalët. Telefoni nuk është më një luks, ai është një dritare drejt botës, një mjet mësimi, eksplorimi, krijimi dhe zhvillimi personal. Prandaj, edhe titulli “T si Telefoni, T si Teknologjia” nuk është rastësi, është një ftesë për të kuptuar se sa shumë ndikim ka teknologjia në përditshmërinë tonë.
Dhe pikërisht këtu lind pyetja që na përket neve, mësuesve:
A jemi të gatshëm ta përqafojmë këtë realitet? A jemi ne duke e parë teknologjinë si aleate apo si kërcënim?
Në këtë kontekst të ri, ne mësuesit duhet të luajmë një rol kyç. Por ne shpesh ndihemi të pasigurt përballë ndryshimeve të shpejta teknologjike. Ka ende perceptime të gabuara se teknologjia do të zëvendësojë figurën e mësuesit, ose që përdorimi i saj kërkon njohuri të thella teknike.
Në fakt, kjo nuk është e vërtetë: teknologjia është një aleate e jona. Teknologjia vjen për të na u bërë mbështetje, për të fuqizuar procesin mësimor, për të na kursyer kohë, për të na ndihmuar të përshtatemi më mirë me ritmet e nxënësve duke nxitur edhe mendimin kritik.
Sado e zhvilluar që të jetë, teknologjia nuk mund të zëvendësojë marrëdhënien njerëzore, aftësinë për të motivuar, dëgjuar, inkurajuar dhe për të drejtuar që vetëm një mësues mund të ofrojë. Edhe pse nuk kemi lindur digjitalë, përvoja e jetës është një avantazh që ne kemi. Dhe nëse fëmijët dinë më shumë se ne nga teknologjia, le ta transformojmë këtë “dobësi” tonën në një forcë bashkëpunimi duke mësuar nga njëri-tjetri.
Të dashur kolegë,
Sidomos në mësimin e gjuhës amtare, teknologjia është një aleat i pazëvendësueshëm. Për fëmijët shqiptarë që rriten në diasporë, gjuha shqipe shpesh është gjuhë e dytë, me të gjitha sfidat që kjo sjell: mungesë praktike, ndikim nga gjuha e mjedisit, humbje e ndjeshmërisë kulturore. Rreziku i asimilimit është gjithmonë prapa derës.
Siç thamë, fëmijët janë përdorues të lindur të teknologjisë. Por shpesh, ky përdorim është i njëanshëm dhe pasiv: kalojnë orë të tëra në rrjetet sociale, luajnë lojëra të gatshme, përdorin aplikacione me përmbajtje të krijuar nga të tjerët. Kjo dukuri është veçanërisht problematike për zhvillimin e identitetit kulturor. Fëmijët e diasporës rrezikojnë të bëhen spektatorë të kulturës sonë dhe jo protagonistë të zhvillimit dhe interpretimit të saj.
Pikërisht këtu hyn rëndësia e qasjes së re edukative. Këtu hyjmë ne, mësuesit. Gjithmonë e kam pyetur veten se çfarë mund të bëjmë ne për t’i nxitur nxënësit tanë që t’i adresojnë interesat e tyre drejt shqipes e që të komunikojnë në shqip në çdo ditë e tyre?
Si mund t’i ndihmojmë ata ta bëjnë këtë me anë të telefonit. Po pse nëpërmjet telefonit. Pikësëpari sepse është objekti i tyre më i dashur.
- Mundësi dhe fleksibilitet për t’u futur në rrjet. Telefoni eliminon pengesat gjeografike dhe kohore. Mund të përdoret kudo që ndodhemi dhe kurdo që kemi kohë të lirë.
- Ka një shumëllojshmëri formatesh multimediale. Shumëllojshmëri app-esh edukuese edhe të personalizuara sipas niveleve të dijes.
- Platforma social dhe forume të specializuara, ku studentët mund të bashkëpunojmë me studentë nga e gjithë bota, të ndajnë dijet dhe të marrin pjesë në diskutime.
- Kosto të ulta. Shumë informacione edukuese janë falas ose me kosto të ulët.
- Zhvillim i kompetencave digjitale, thelbësore për botën e punës sot
Ne mund t’i udhëzojmë që telefoni të jetë për ta edhe një shkollë e lëvizshme.
Qëllimi i kësaj ore mësimi është pikërisht ky: të gjejmë mënyra të thjeshta didaktike duke u mësuar fëmijëve që të përdorin në mënyrë pozitive teknologjinë, jo vetëm për të kopjuar detyra, por edhe si një mundësi për ta transformuar imagjinatën në krijime konkrete duke rritur ndërveprimin e ndërgjegjshëm me mjetet digjitale.
Pra synojmë që objektivat e një ore mësimi të shkojnë përtej mësimit të një gërme apo të fjalëve të reja dhe përdorimit të tyre. Sepse misioni i mësuesit është jo vetëm të transmetojë dije, por dhe t’i edukojë fëmijët. Dhe ne, mësuesit, kemi fuqinë – dhe përgjegjësinë – ta nxisim këtë ndryshim.
Le të kthehemi tek ora e mësimit:
T si tableti, T si Teksit.
Kjo orë mësimi përfaqëson një shembull konkret se si mund të plotësojnë njëri-tjetrin teksti tradicional dhe instrumentat digjitalë në edukimin e fëmijëve të diasporës.
Mësimi fillon me një bashkëbisedim të thjeshtë duke u përqendruar tek ushtrimi 1, duke i vënë fëmijët në dialog me njëri – tjetrin në kërkim të gërmës “T”, por edhe në kërkim të fjalëve të tjera që fillojnë me “T”.
Ky aktivitet ka një funksion të dyfishtë: nga njëra anë konsolidon njohjen e bashkëtingëllores, por na shërben edhe si një hyrje strategjike në vazhdimin e mësimit. Ndërsa nxënësit propozojnë fjalët e tyre, përpiqemi që të drejtojmë vëmendjen e tyre edhe tek disa terma si telefon, tastierë, tablet, teknologji, tru, kompjuter. Në të vërtetë shkronja “T” na shërben si pretekst për të pasuruar fjalorin e tyre me leksik teknologjik bashkëkohor, duke i përgatitur për diskutimet e mëpasshme në lidhje me përdorimin dhe rëndësinë e teknologjisë.
Pasi përfundon faza e njohjes së fjalëve me shkronjën “T”, ndërmerret një hap tjetër.
Duhet të theksoj që asgjë nuk është rastësi. Kjo ishte një orë mësimi e ideuar me disa faza, që parashikonte impenjimin e fëmijëve jo vetëm në dy orë. Në mësimin e mëparshëm u kishim dhënë atyre një fletë pune me pyetje specifike për të përshkruar një personazh, karakteristikat fizike, personalitetin, vendin ku jetonte, aventurat që mund të bënin bashkë.
Faza e krijimit individual: Nxënësve ju kërkohet që të shprehin idetë e tyre nëpërmjet një vizatimi të një personazhi të fantazisë së tyre. Ky çast ruan pikërisht qasjen tradicionale.
Vizatimi i lirë i propozuar nuk është gjë tjetër veçse vazhdimi i natyrshëm i punës së filluar më parë: nëse më parë fëmijëve u ishte kërkuar që të përshkruanin me fjalë personazhin e tyre, tani duhet të transferonin këtë imagjinatë në një paraqitje të personazhit të imagjinatës së tyre duke i dhënë formë dhe ngjyra dhe më pas në krijimin e një personazhi realist me anë të Inteligjencës Artificiale, konkretisht ChatGPT-së.
Aspekti më i rëndësishëm i këtij procesi qëndron pikërisht në rolin që merr mësuesi nga ky moment duke u shpjeguar fëmijëve se si mund të ndërveprojnë me inteligjencën artificiale në bazë të nevojave të tyre por edhe duke u vënë në dukje aftësinë e inteligjencës artificiale për t’ju përgjigjur pyetjeve të tyre.
Faza e transformimit teknologjik: Inteligjenca artificiale e transformon vizatimin në një personazh real me përmasa tredimensionale, duke ruajtur karakteristikat kryesore të krijimit origjinal të fëmijës. Ky proces i tregon fëmijës fuqinë e teknologjisë si një instrument për të shtuar krijimtarinë.
Faza e personifikimit të personazhit/protagonistit: Në këtë pikë, fëmijëve u shpjegohet se si mund të dialogojnë me sistemin duke bërë kërkesa specifike për të ndryshuar emrin, pamjen e jashtme, gjendjen emocionale që personazhi i krijuar të reflektojë pikërisht atë që ata vetë kishin imagjinuar. Ky proces synon që nxënësi të mos kufizohet të pranojë në mënyrë pasive rezultatin e një algoritmi, por të udhëheqë ai vetë vizionin e të tij, duke zhvilluar kompetenca komunikimi me sistemet teknologjike, por edhe duke vënë në përdorim fjalorin e tij.
Faza e tregimit të personalizuar: Më pas personazhet e krijuara nga secili fëmijë shndërrohen në protagonistë historish të krijuara nga Inteligjenca Artificiale në bazë të inputeve të dhëna nga vetë ata. Nxënësi i jep elementët tregues të dëshiruar, duke i lejuar IA të hartojë një tregim që të reflektojë si karakteristikat e personazhit ashtu edhe aspiratat krijuese të fëmijës autor.
Por a mund të ndryshojmë historinë? A mund të bëjmë më shumë se një histori?
Sigurisht që po.
Le të rikthehemi tek libri. Duke parë rubrikat e tij kemi menduar të zhvillojmë një: SFIDË JAVORE: ku jemi përpjekur të strukturojmë mësimin e gjuhës shqipe nëpërmjet lojës ndëraktive me IA duke u rikthyer tek heronjtë tanë.
Dhe historia vazhdon: Sapo të ketë krijuar historinë me personazhin e imagjinatës së tij, nxënësi gjendet përpara një sfide tjetër didaktike që vërtitet rreth dy rubrikave pedagogjike: rubrika kohore e mësimit të ditëve të javës, dhe rubrika gramatikore që ka të bëjë me përdorimin e përemrit pyetës “çfarë”. Përdorimi i përemrit pyetës “çfarë” në këtë kontekst e transformon mësimin në një përvojë të re: fëmija mëson që të formulojë pyetje specifike (edhe pse ia drejton një programi të inteligjencës artificiale) që kanë të bëjnë me sjelljen e personazhit të tyre në çdo ditë të javës, duke mësuar dhe zhvilluar kontrollin e strukturës pyetëse dhe aftësitë për të vendosur një raport vetiak me kohën. Sfida javore shndërrohet në një moment përmirësimi gjuhësor ku personazhi i krijuar shërben si katalizator për konsolidimin e bazave gjuhësore, por edhe të njohurive për traditat dhe kulturën shqiptare. Po përse të traditave?
Sepse T ….si Tradita
Sfida javore shndërrohet në një udhëtim zbulimi në shtatë qytete të Shqipërisë, të njohura për traditën dhe kulturën, të zgjedhura nëpërmjet një bashkëbisedimi ndërmjet vetë fëmijëve apo edhe me ndihmën e mësueses. Personazhet e kësaj aventure nuk janë të zakonshëm: ata marrin jetë nga takimi mes krijimtarisë fëmijërore me inteligjencën artificiale: shtatë fëmijë të klasës së gjuhës shqipe i kanë dhënë jetë me fantazinë e tyre 7 personazheve digjitalë, të cilët kanë vizituar 7 qytete të Shqipërisë në secilën prej 7 ditëve të javës.
A mund ta imagjinoni se ku shkuan dhe me çfarë shkuan personazhet tanë në këto qytete dhe cilat janë përshtypjet e tyre?
Le të shohim se çfarë përgjigjesh kanë përgatitur fëmijët pasi lundruan në botën e Inteligjencës Artificiale.
- PORTOKALLUSHI: me anije kozmike prej letre zbriti në sheshin Skëndërbe në Tiranë, në qytetin e mamit.
Portokallushi e ndjente zemrën duke i rrahur fort kur mbërritën në Tiranë. Qyteti ishte më i madh se çdo qytet që kishte parë ndonjëherë. Kishte diçka magjike në ajër, ndoshta për shkak të mënyrës si mami e përshkruante, ose për shkak të kujtimeve që ajo ruante aty.
Ndërsa kalonin sheshin Skënderbej, Portokallushi mbeti i shtangur para statujës së heroit kombëtar. “Ai është më i madh se çdo superhero,” tha ai. Vizita në Bunk’Art e bëri të mendojë për historinë dhe sa e rëndësishme është të ruash kujtimet e një kombi. Në mbrëmje, pranë dritës së një llambe në shtëpinë e gjyshes, ai shkroi në ditar:
“Tirana është zemra e mamit tim, por sot ndjeva që mund të bëhet edhe zemra ime.”
2. EMEL: me trenin e reve shkova në Berat, në Qytetin e Dritareve që flasin
Në Berat, ajri dukej më i butë dhe më i qetë. Emel i dashuronte dritaret që shikonin si sy të vegjël nga kodrat. Rrugicat me kalldrëm e bënin të ndjehej sikur ecte nëpër një histori të lashtë.
Në kështjellën mbi qytet, ai pa shtëpitë që jetonin prej shekujsh me njerëzit. “Këtu shtëpitë nuk flenë, ato ëndërrojnë!” i tha mamit me sytë e zgjeruar.
“Në Berat shtëpitë nuk flenë, ato ëndërrojnë. Prandaj ky qytet ka 1 mbi 1 dritare”
3. PETALUSHJA: me qilimin fluturues shikonte nga lart magjinë e KORÇËS, muzikën e Zemrës.
Korça e priti me një erë të freskët, që e bëri të shtrëngonte shallin. Por ngrohtësia e njerëzve dhe zëri i serenatave e shkrinë menjëherë. Ajo ndoqi një burrë të moshuar që këndonte në rrugë me një kitarë të vjetër. U ul pranë tij dhe e dëgjoi pa fjalë.
Mami e çoi te Mësonjëtorja, ku Petalushja mësoi për shkollën e parë shqipe. “Këtu filloi e gjithë gjuha që unë po mësoj,” tha ajo me ndrojtje.
“Korça më dha zërin e saj dhe një tingull që do ta mbaj përherë në zemër. Ndoshta një ditë do të shkruaj një serenatë për këtë qytet.”
4. PATAPA: me biçikletën e gjyshes që asnjëherë nuk e kishte njohur, vizitoi SHKODRËN, zërin e Legjendave
Në Shkodër, qielli ishte i gjerë dhe liqeni shkëlqente si pasqyrë. Kalaja e Rozafës e bëri Patapan të ndjente një përzierje emocionesh: trishtim, kuriozitet dhe një ndjenjë mbrojtjeje ndaj atij vendi të lashtë.
“Rozafa flijoi veten që familja të jetonte. Edhe unë dua të bëhem trim, por në mënyrën time — duke mësuar,” tha ai i menduar.
Vizituan Marubin, një muze me fotografi të vjetra. Ai u frymëzua të bëjë fotografi vetë.
“Shkodra më mahniti me kujtimet që ruhen në gurë, në foto dhe në zemra.”
5. XOXO: me krahët e ëndrrës arriti të ndriçonte deri në PRISHTINË, një tjetër shtëpi
Në Prishtinë, Xoxo ndjeu një ndjesi të njohur. Edhe pse nuk ishte Shqipëri zyrtarisht, gjithçka i dukej e afërt. Fjalët, fytyrat, shikimet. “Këtu, gjuha shqipe është shtëpia,” tha mami me buzëqeshje.
Ata vizituan bibliotekën dhe sheshin e qytetit. Xoxo ndjeu veten si pjesë të një diçkaje më të madhe.
“Në Prishtinë fola, qesha dhe u ndjeva si në shtëpi se kufijtë janë në letra, por zemrat janë të bashkuara”
6. ZEMËRMOLLA: me varkën me vela ylberi lundroi deri në VLORË, atje ku deti takon diellin.
“Çdo qytet është i ndryshëm, por Vlora të jep guxim me histori, të mbush me dritë dhe liri”.
7. KRAFULI: me kalin e bukuroshes së fjetur mbërriti deri në DURRËS, në anfiteatrin e dallgëve të detit.
Durrësi e përqafoi me zhurmën e dallgëve dhe me rërën që i ngjitej në këmbë. Krafuli vrapoi drejt ujit me gëzim dhe filloi të ndërtonte kështjella rëre.
Në mbrëmje, mami e çoi në amfiteatrin antik. “Këtu janë zhvilluar spektakle kur Shqipëria ishte pjesë e Perandorisë Romake!” i tha ajo. Ai e pa vendin si një skenë teatri, dhe imagjinoi veten duke recituar poezi përpara mijëra njerëzve.
“Në Durrës, historia nuk është vetëm në libra, por kudo, edhe në thellësitë e detit”.
Në përfundim të udhëtimeve të tyre individuale, të frymëzuar dhe të shtyrë nga miqësia e vërtetë, fëmijët vendosin me dëshirë që të takohen.
T …..si Teatri
Ata nuk kënaqen me një takim të thjeshtë: si Taulanti dhe Teuta, zgjedhin skenën e një teatri.
Ky moment teatral përfaqëson përmbledhjen e përsosur të sfidës javore, por edhe të orës së mësimit: përvojat individuale transformohen në një rrëfim kolektiv, teknologjia bëhet mjet socializimi, aventurat digjitale gjejnë shprehje në miqësinë reale të fëmijëve. Ku do të takohen përsonazhet tanë? PORTOKALLUSHI ishte ai që u propozoi të bënin këtë udhëtim në qytetet shqiptare, por përjetimet e KRAFULIT i nxitën fëmijët që të bashkoheshin në një planet të rrallë.
T si …Takimi në Planetin e Miqësisë
Udhëtimi përfundon në “Planetin e Miqësisë”, një botë magjike mes realitetit dhe fantazisë, në qendër të së cilës ndodhet një skenë teatri e rrumbullakët ku interpretohet edhe akti i fundit: takimi i personazheve. Ky përqafim simbolik nëpërmjet traditës që i reziston kohës dhe teatrit të jetës, lidh fëmijët e sotëm me historinë e paraardhësve të tyre. Në këtë anfiteatër të fantazisë, teknologjia bëhet regjizore e padukshme e një shfaqjeje ku çdo fëmijë gjen origjinën e vet në zemrën e madhe të traditës shqiptare.
Kur do të zhvillohet teatri?
Sigurisht në Tetor.
T si Tetori, muaji më i dashur i fëmijëve. Ndërkohë gjatë verës skenaret individuale do të shndërrohen në një skenar të vetëm.
Të dashur kolegë,
E ardhmja është në duart tona, në zemrat tona, në mendjen tonë, në vizionin tonë për fëmijët tanë. Dhe detyra jonë nuk është vetëm t’i mësojmë ata, por t’i udhëheqim me zgjuarsi, duke qenë ne vetë shembuj të mësimit të vazhdueshëm dhe të përqafimit të risive.
“Teknologjia nuk është armiku i traditës, as i shkollës, por është mjeti i ri lëvizës i tyre.
Është një mjet ndihme dhe mbështetjeje për mësuesen.
Nuk izolon aspak nxënësin, por përkundrazi e lidh me botën e pafundme të krijimit dhe të komunikimit.”
Ne themi: T si Telefoni, T si Teknologjia… por mbi të gjitha duhet të themi: “T si Truri”, sepse është mendja jonë që na drejton, dhe T si Transformim. Transformim që fillon me ne dhe nga ne. Sfida jonë nuk është ta shmangim teknologjinë, por ta ftojmë atë në klasën tonë, si bashkëpuntore.
Sot jetojmë në epokën e Inteligjencës Artificiale, sa hap e mbyll sytë do të gjendemi në epokën e Super Inteligjencës Artificiale. Le të bëhemi edhe ne Super Mësues! Mjafton një smartfon në xhep.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
"Regjistroni fëmijët në shkolla shqipe, sepse gjuha është atdheu që mbajmë me vete"- nga Esat Braçe
“Me pak fjalë...”, ekspozita grafike e katër mësueseve që inspiroi praktikisht nxënësit e Liceut
Arsyet pse fëmijët duhet të kenë një kafshë shtëpiake