Sokol Çunga fiton çmimin letrar "Servantes" për veprën “Medea” në Panairin e Librit në Ulqin

Sokol Çunga nderohet me çmimin letrar “Servantes” për përkthimin e “Medeas” së Euripidit, në edicionin e 25-të të Panairit të Librit në Ulqin. Një vlerësim për përkthimin cilësor, botimet shqip dhe misionin e promovimit të librit, gjuhës e kulturës shqiptare në rajon.


Në edicionin jubilar të 25-të të Panairit të Librit në Ulqin, që ka nisur më 5 gusht dhe do të vazhdojë deri në datën 9, përkthyesi Sokol Çunga u nderua me çmimin letrar “Servantes” për përkthimin e veprës “Medea” të Euripidit, botuar nga Albas.

Juria e vlerësoi këtë përkthim me motivacionin: “Për risjelljen me mjeshtëri përkthimore në gjuhën shqipe të një prej kryeveprave të letërsisë antike, duke ruajtur fuqinë poetike, vlerat estetike dhe thellësinë dramatike të origjinalit.”

Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve u vlerësuan edhe personalitete të tjera të botës së librit. 


Çmimi letrar “Olcinium” iu dha Zhani Cikos, për veprën “Operaime” (Mediaprint), çmimi “Liburnia” shkoi për Bashkim Hoxhën, për romanin“Balada e piratit dhe poetit” (Toena). 

Çmimi “Dega e Ullirit” shkoi për dy autorë: Flori Kasaj, për librin “Ditari i astronautit të vogël” (Dita Books),dhe Gazmend Çitaku, për librin “Aventurat e Dorartit”.


Një çerek shekulli më parë, sjellja e librave shqip në Ulqin nuk ishte proces i thjeshtë.


Librat duhej të kalonin pengesa administrative në kufi, ndërsa në një qytet ku shqipja dëgjohej çdo ditë në rrugë e familje, mungonte ende një hapësirë ku lexuesit të gjenin botime në gjuhën e tyre. Sot, pas 25 vitesh, panorama ka ndryshuar tërësisht. 


Falë punës dhe përkushtimit të vazhdueshëm të organizatorëve, Irena dhe Fatmir Toçi, libri shqip është i pranishëm në jetën kulturore të qytetit.

Panairi i Librit në Ulqin konsiderohet një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore të rajonit, duke mbledhur çdo vit autorë, botues, përkthyes, studiues dhe lexues nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe vende të tjera. 


Misioni i tij mbetet promovimi i librit dhe gjuhës shqipe, nxitja e dialogut kulturor dhe forcimi i lidhjeve mes vendeve të rajonit.


Ky vlerësim për shtëpinë botuese Albas dhe përkthyesin, Sokol Çungën, përfaqëson një dëshmi tjetër të përkushtimit ndaj botimeve cilësore dhe sjelljes së kryeveprave të letërsisë botërore në shqip, duke kontribuar në pasurimin e kulturës së leximit dhe trashëgimisë letrare.


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

132 Lexime
14 orë më parë