Dashuria për leximin

Stolitë e Emmës janë librat

Emma Prifti, është një vajzë 11 vjeçe, që sapo ka filluar klasën e pestë. Emma ka një pasion shumë të madh, leximin. Nuk rri asnjë minutë kot, libri në bankën e saj nuk është thjesht një send, por për Emmën është një stoli e çmuar që e shoqëron në çdo hap, kudo ku ajo shkon.

Emma Prifti, është një vajzë 11 vjeçe, që sapo ka filluar klasën e pestë. Në pamje të parë duket shumë e qetë dhe në bankën ku rri pranë saj gjithmonë ka një libër voluminoz me shumë faqe dhe në gjuhë të huaj. Gjatë orës së mësimit ajo rri e heshtur në bankën e saj dhe e ka kokën gjithmonë të ulur duke bërë diçka. Emma është vajzë shumë e talentuar. Vizatimet e saj janë të pabesueshme për një 11 vjeçare. Gjatë pushimeve verore Emma ka lexuar 10 libra ne shqip dhe në anglisht, të cilët kanë qenë me shumë faqe. Pasioni i saj për librat ka filluar që në moshën 5 vjeçare.


Dita e Emmës


Emma është nxënëse që ka një përgatitje shumë të mirë në të gjitha lëndët. Ajo përpiqet që të mos i shpëtojë asnjë detaj gjatë orës së mësimit. Kur kthehet nga shkolla, ajo pushon pak dhe fillon përgatitjen për ditën e nesërme. Kohën që i mbetet, ajo e kalon duke lexuar. Në fundjavë Emma kalon kohë më shumë me familjen e saj dhe sigurisht edhe me lexim.


Përgjigjet e Emmës


Emma ka një pasion shumë të madh, leximin. Nuk rri asnjë minutë kot, libri në bankën e saj nuk është thjesht një send, por për Emmën është një stoli e çmuar që e shoqëron në çdo hap, kudo ku ajo shkon. Emma është nga ato nxënëse që nëpërmjet librave të shumtë që ka lexuar, të jep përgjigje për çdo pyetje. Ajo është modeste për dijet e saj dhe natyrshëm të përgjigjet gjatë orës së mësimit. Nxënëse si Emma të venë përpara përgjegjësisë, sepse për moshën që ajo ka, leximi e ka bërë të mos nxitohet kur flet. Është e vërtetë që leximi i ka pasuruar botën e brendshme shpirtërore, i ka pasuruar fjalorin dhe mendimet, kur shkruan ajo di si të përshkruajë dhe të krijojë fjali të mbushura me dije. Ajo është si një enciklopedi e gjallë që ka përgjigjen për çdo pyetje. Madje di t’i japë kurajo edhe shokëve dhe shoqeve të klasës kur ata janë në vështirësi. Ajo gjen gjithmonë fjalët e duhura për t’i mbështetur kur ata janë të mërzitur. 

Nxënësit si Emma


Më vjen mirë kur kam përballë nxënëse si Emma që kanë shumë talent dhe mençuri. Këta nxënës duhen motivuar për të ecur përpara në mënyrë që të shprehin potencialin e tyre jashtë klisheve dhe shablloneve. Duhen përkrahur dhe nuk duhen ndrydhur nën tutelë. Këta nxënës janë një mrekulli që ekzistojnë mes nesh. Nxënës si Emma janë një sfidë për mësuesin dhe nuk duhet të ndjehemi keq prej tyre. Duhet gjetur mënyra, që këta nxënës, të përparojnë më shumë në përshtatje me kërkesat dhe pritshmëritë që kanë. Emma është nga ato nxënëse që të bën të mendohesh dhe të reflektosh nëse i kam arritur prtishmëritë e saj në orën e mësimit. Nxënës si Emma të bëjnë të mos ndryshkesh, por të ecësh përpara duke gjetur mënyra dhe metoda të reja në përshtatje me pritshmëritë që këta nxënës kanë. Në të kundërt, nëse mësuesi bën sikur nuk i vë re, atëherë i gjithë potenciali që kanë do të ndrydhej pak nga pak dhe do të mbetej aty në një skutë pa dalë në dritë. Nuk duhet të na vijë keq aspak nga nxënës të tillë të mençur dhe të talentuar. 


Emma dhe pasionet e saj


Kur e pyet Emmën pse është e dhënë kaq shumë pas leximit, ajo na thotë se i pëlqen të futet në botën e personazheve dhe të ndjekë rrjedhën e ngjarjeve. Sa më shumë lexoj, thotë Emma, aq më shumë më zhvillohet imagjinata. Asaj i pëlqen të njihet me të gjithë personazhet e ndryshëm, sepse përfshihet në aventurat e tyre.

Kohën e lirë Emma e kalon duke lexuar ose duke pikturuar. 

I pëlqen të pikturojë personazhe, por ajo ka një ndjesi të veçantë ndaj modelimit të formave duke i kthyer në skulptura plot jetë. Asaj i pëlqen të kalojë kohë edhe me prindërit dhe gjyshërit që i do shumë. Emmës i pëlqejnë shëtitjet me biçikletë bashkë me shoqet e saj. Emmës i pëlqen shumë edhe noti. Por pasion i saj më i madh mbetet libri.

Pse duhen lexuar librat?


Emma kësaj pyetje i përgjigjet me shumë dëshirë, duke na shpjeguar se ata që lexojnë libra, dinë se si ta formulojnë fjalinë, dinë si të përshkruajnë bukur një fenomen, një stinë, një personazh, etj., edhe në detyrat me shkrim kur duhet të analizojnë, leximi të ndihmon thotë ajo që të përdor shprehje dhe fjalë të zgjedhura me kujdes dhe me figura letrare. Emma na thotë, që kënaqësinë që ajo gjen te libri nuk ja japin programet televizive. Asaj më shumë i pëlqen t’i imagjinojë vendet dhe personazhet.


E ardhmja e Emmës


Emma na thotë që kur të rritet mendon të bëhet arkitekte ose interior dizajnë. Ajo e di që për t’ia arritur qëllimit duhet të studiojë shumë dhe të arrijë rezultate të lartë në të gjitha lëndët. 

Si të motivojmë nxënësit që të lexojnë?


Duhet të motivojmë nxënësit që të kthejnë sytë dhe mendjen nga librat, duhet gjetur mënyra që të afrohen sa më shumë me librin, me stolinë e mendjes. Sa më shumë të lexojnë nxënësit tanë libra me vlera, aq më të zotë do të bëhen. Në klasë për t’u ardhur në ndihmë nxënësve që të lexojnë libra, mund të bëhet një grafik me emrat e nxënësve dhe mësuesja, të shtojë një simbol, sa herë që nxënësit lexojnë një libër për një periudhë të caktuar. Në fund të periudhës, mësuesja mbledh numrin e librave të lexuar dhe shpall një fitues duke e stimuluar me një certifikatë, etj. Ka edhe mënyra të tjera motivuese për të afruar nxënësit me librin sidomos në fillore, aty ku merr formë edhe dashuria për librin. Nëpër klasë mund të krijohet një kënd me libra të moshës përkatëse dhe nxënësit të orientohen gjatë kohës së lirë të lexojnë. Mjafton të kemi dëshirën dhe vullnetin e mirë, për t’i bërë gjërat si duhet. Vetëm kështu mund të funksionojë.

Iriana Papamihali

Artiste, mësimdhënëse, autore e teksteve shkollore


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,490 Lexime
2 vjet më parë