“Të udhëtosh me një mësues” nga Bledar Lipo
“Të udhëtosh me një mësues” është shkrimi letrar i mësuesit Bledar Lipo, me të cilin ai merr pjesë në konkursin “Antologji kujtimesh”, i mundësuar nga Albas.
“Të udhëtosh me një mësues” është shkrimi letrar i mësuesit Bledar Lipo, me të cilin ai merr pjesë në konkursin “Antologji kujtimesh”, i mundësuar nga Albas.
Më kujtohet si sot dita kur nisi ky udhëtim, kur m’u njoftua se do të punoja në një fshat larg dhe se do të jepja mësim jo në profil, por ashtu si të mundja (kjo ashtu si të mundja përkthehej ndryshe, ashtu si t’i tekej drejtorit, në varësi të kontekstit të shkollës, fshatit, të nevojave të stafit në rastin e mirë, por edhe të nevojave të drejtorit). Në këtë rast ishte mirë për drejtorin dhe jo për shkollën. Fjala vjen, drejtori atë vit kandidonte për kryetar komune, s’kishte njësi administrative në atë kohë, dhe drejtorit i duhej të hidhte kandidaturën, se nga ana tjetër kryetarit aktual i duhej të riemërohej në këtë post për një mandat te dytë...I them këto të përgatis lexuesin, se unë vete as që e dija se në fshat ishin përhapur tashmë fjalë që një mësues nga qyteti kishte pranuar ndryshe nga kolegët e vet të shkonte të punonte në një fshat 3 orë larg nga qyteti i vet...madje s’e dija as edhe ku binte ky fshat.
Fshati do lajme, dhe kështu kishin nisur të mblidhnin firma për të çuar tek ZVA në atë kohë, me pretekstin që unë isha një mësues i padenjë dhe se ata i kishin mësuesit e tyre, pra s’kishin nevoje për mësues të rinj. Madje nxënësve u kishin thënë të mos vinin në shkollë të paktën 1 javë.
Drejtorit i kishin thënë jepi klasë cikli të ulët (edhe pse unë isha diplomuar në Tiranë për të punuar në Gjimnaz të paktën sipas diplomës. U kishte shkuar mendja për cikël të ulët, në mënyrë që unë të vija në shkollë patjetër orën e parë, ndërkohë që makina vinte në fshat në orën 9:10’ d.m.th. unë nuk mund të shkoja çdo ditë në qytet, kjo do më detyronte të qëndroja me të fjetur, dhe ata mezi prisnin që të mos rrija me të fjetur, ose të mos gjeja shtëpi me qira.
Ndërsa vetë mësueses që kishte një shtëpi me qira afër shkollës, dhe mësuesit i bëhej mirë të merrte këtë shtëpi me qira, i kishin thënë se nuk e lëshonte me qira.
Kryetarin e komunës e kishin nisur të dërgonte firmat për të mos shkuar unë atje...
Ndërsa unë isha nisur me një fugon dhe dëgjoja një këngë që s’e di kush e këndon, por kishte një tekst...
“O i mjeri Demo...
Demo kishte një kasolle prej kashte
Çfarë binte brenda, dilte jashtë
E shoqja rrinte kapardisur,
Demoja mrrolej i molisur.
Nuk mbaj mend edhe shumë, pasi ka 15 vjet prej atëherë...
Por s’e di pse kisha disa gjëra të përbashkëta me Demon në atë kohë, përtej faktit se nuk isha i martuar si Demoja. Shkoj në fshat dhe ndodhi kështu si e përshkrova, firmat shkuan në qytet, unë gjeta një shtëpi me qira, kur unë flija zgjoheshin minjtë dhe, kur zgjohesha unë, flinin minjtë, sigurisht nuk kisha mace. Klasën të paktën e zgjodha vetë nga ato që më propozoi drejtori, nga klasa e parë deri te e pesta, zgjodha të pestën. Mësuesen e së cilës e hoqën prej pune, me arsyetimin se ishte pa diplomën përkatëse, por, meqenëse kishte mik deputetin e asaj kohe, vijonte të merrte pagën, dhe në janar, semestrin e dytë të asaj kohe, fillon edhe të hidhet në sulm me ç’rast unë nuk e festova dot 7 Marsin e parë si mësues.
Mësuesja kthehet sërish, dikush tjetër jepte mësim në gjimnaz në profilin tim pa mbaruar ende diplomimin, ndërsa unë u bëra mësues TIK-u, Edukimi Fizik, Karriere, Qytetarie, VJK, dhe lëndët që nuk i dhashë deri në fund të vitit ishin vetëm dy lëndët e profilit tim. Dhashë dhjetë lëndë të tjera përveç tyre dhe cikël të ulët një semestër. Kisha mësuar të gatuaja disa receta dhe të laja enët. Të çaja dru, të cilat i bleva me lekët e mia, ashtu si paguaja qira dhe drita, plus gazin. Komuna kishte një fond rreth 5 mijë lekë të rinj që unë nuk i mora asnjëherë për asnjë muaj. Kisha një tualet jashtë shtëpisë si alla fshatçe me dru dushku, që, nëse shkoje ditën si mësues që ishe do të merrte fshati në lajmet e veta, kjo pasi mes hunjve-karthjeve të dushkut kishte hapësira të konsiderueshme(të zije gojët e fshatit është po aq e vështirë sa të zësh vrimat e gardhit), nëse shkoje natën s’kishte dritë, tualeti nuk ishte as alla-frënga as alla-turka, por në vend të tualetit ishte një tubo e ujërave të zeza, e cila ishte hapur me troko dhe kur shkoje atje, duhej të qëndroje nëse arrije të mbaje ekuilibrin, mbi këtë tubo, për të qëlluar në shenjë...Gjithsesi kur ktheheshe nga pushimet e dhjetorit dikush tjetër nuk e kishte ruajtur këtë ekuilibër kush e di pse e kishte zili këtë halen( kështu e quanin fshatçe tualetin) e mësuesit...dhe nuk e kishte këtë merak për të qëlluar në shenjë... Ashtu si doktor Bardhyli takova një mësues që ishte poet ose kishte pasion për poezi, dhe më jep një libër me poezi, me jep edhe një tubo për sobën, pasi unë nuk kisha.. Ky koleg ishte në një shkollë tjetër dhe s’kishte marrë urdhra për të mos më folur mua, ashtu si këta mësuesit e shkollës ku unë punoja. Kështu herë pas here ky më merrte në shtëpinë e tij duke më dhënë edhe byrek. Aromën e miqësisë së tij e ruaj edhe sot në neuronet e kujtesës. Ishte shtëpia e dytë që nuk mori urdhra prej qoftë largut, pasi një tjetër mësues cikli, që nuk kishte hyrë në punë dhe se unë i kisha “zënë” vendin, me shumë gjasa pasi unë që duhej të punoja në gjimnaz, punoja në cikël, ky i ciklit ishte pa punë, ndërsa ajo që më kishte zënë vendin mua ishte pa shkollën përkatëse, sepse ishte e padiplomuar.
Pra, ky mësuesi i ciklit më mbajti në shtëpi për tri javë dhe unë e ruaj në kujtesë gjyshen e tij, familjarët me të cilët luaja domino çdo të mërkurë, pasi të premten nisesha për në qytet. Pas tri javësh hyra tek ajo shtëpia me qira. Mësueses qe e kishte shtëpinë afër me shkollën i dhanë një tjetër urdhër.
Ditën e parë të shkollës kisha vetëm dy nxënës që nuk e kishin dëgjuar urdhrin e mësueseve dhe të drejtorisë për të mos shkuar një javë në shkollë, dhe kishin ardhur dhe ishin ulur në bankë. Një djalë dhe një vajzë, dhe unë që bëra për herë të parë duart me shkumës duke shpjeguar matematikë në klasën e pestë, sigurisht jashtë profilit, por që e jepja me mish e me shpirt duke u ngjirur nga zëri dhe duke u kallangjosur nga duart me shkumës aq sa edhe sapuni nuk e lante pluhurin e shkumësit, pasi hyn në lojë forca e tensionit sipërfaqësor.
Gjithsesi ajo që më shqetësonte ishte fakti se këta dy nxënës nuk reagonin dhe unë që e shpjegoja përsëri dhe përsëri në mungesë të reagimit të tyre, po ata përsëri nuk flisnin dhe as nuk jepnin shenjë se e kishin kuptuar, por të paktën kishin folur me shokët e tyre dhe ditën tjetër kisha 7 nxënës në klasë, të tretën 13, dhe deri në fund të javës u plotësuan plot 17 nxënës që ishin të regjistruar në klasën e pestë, prej të cilëve ata dy të parët ishin nxënësit me të dobët në klasë dhe unë që shpjegoja matematikë, ndërkohë që nuk dinin akoma shumëzimin....Gjithsesi në klase kisha edhe një pesëshe me nxënës të mirë për të cilët merrte kuptim shpjegimi, lodhja dhe kultivimi i farave të mësuesit, pasi mësuesi me mësimdhënien është si ketri që mbjell fara dhe i harron kudo, dhe një Zot e di se si kjo farë mund të gjejë kushte apo terren të përshtatshëm në pas kohë, duke dhënë fidanë të rinj dhe të shëndetshëm, madje edhe aty ku mësuesi as që kishte shpresuar...
Në fillim të marsit mësuesi e la këtë klasë dhe ditën e 7 marsit nxënësit kalojnë me mësuesen e tyre të parë, një nga nxënësit erdhi me një qese me patatina dhe ma zgjati duke më thënë:“Merr edhe ti disa patatina nga qesja ime, mësues! Djali quhej Niko, ishte si arush aso kohe me flokë të gjatë dhe sy jeshil...ndoshta ishte dhurata e parë dhe më mbresëlënëse e mësuesit në këto 13 vite pune...Më pas erdhi qershori dhe mësuesit e fshatit që do lajme filluan t’i thoshin mësuesit të ri, se kishin dëgjuar se do të lëvizte nga kjo shkollë, dhe meqenëse me larg se andej s’kishte mundësi të shkonte, Zoti deshi që ky të zbriste në një fshat apo dy stacione më poshtë.
Kënaqësia ishte e dykahshme, nuk e di kush kishte më shumë kënaqësi, mësuesit e fshatit, se po ikte një koleg në një fshat tjetër, apo mësuesi që shpëtoi prej tualetit me dushqe dhe karthje, prej thashethemnajave për nuse apo për orët e gjata që rrinte vetëm në shtëpi, netëve të gjata me dëborë të dimrit duke parë miun që i rrëmbente gështenjat, të cilat mësuesi i kish vendosur të thaheshin pranë zjarrit...?!
Ashtu si Teloja në Mollas semestri i dytë erdhi me bereqet, tani fshati donte të më gjente nuse, drejtori mundohej të më gjente një shkollë tjetër që të mbante premtimin elektoral që kishte dhënë gjatë fushatës, ndërsa krye komunari aktual tashmë më kishte mësuesin e vajzës dhe rrinte kokulur për ato 200 firmat që kish mbledhur, mund të postoj një roman me këto që nisa, por meqenëse janë vetëm antologji kujtimesh, kujtoj se me këtë autobus fshati nuk udhëtova më pas vitit të parë, pra në autobusin e pjesës së dytë nuk ka me dele, dhi, miell, trahan, patate, fasule, qepe dhe as perdet nuk mbajnë me erë vezë të skuqur. As Demon nuk e dëgjova më si këngë, pasi fshati i radhës ishte një stacion apo dy më afër, tashmë bashkudhëtarët ishin mësues, pa dele dhe pula, por me ato pjesët e veta që do të flasim më vonë. Udhëtimi tani zgjaste1:30 minuta për 11 vjet. Ose me kilometra, 100 km vajtje-ardhje, ose me lekë transporti sikur ishim mësuar ta masnim ne, pasi na vonoheshin nga ekonomisti/ja e ZVA, ne e masnim me 390 lekë të rinj çdo ditë, ose 7800 lekë të rinj në muaj. Lekë me të cilat ne, mender mësuesit, paguanim faturën e dritave të një muaji.
ll-Dy stacione më poshtë.
Sigurisht në këtë shkollë ku edhe kemi udhëtuar për 11 vjet, nga 3 orë çdo ditë, kemi kaluar një pjesë të kohës apo jetës në autobus, shpesh autobusi ishte si buzistory...Mbaroje me Bashën, filloje me Salën, mbaroje me Erdoganin, filloje me Milanin, mbaroje nga Bideni, filloje nga Binladeni...Këto dhe të tjera rreth vizitës së Erdogan në vendin e shqiponjave që gumëzhijnë si sorra, do t’i ndiqnit në panelin e Buzi-store me analistë amatorë, por të pasionuar pas efekteve anësore të çështjeve qendrore. Kujdes* Lajmet e Buzi-Store jepeshin vetëm njëherë në ditë në orën 06:30 kur edhe nisej buzi, por mos u shqetësoni, pasi jepen çdo dite në të njëjtën orë ritransmetim, me një arkiv transmetimi prej dy dekadash. E shtuna dhe e diela pushim. Gjatë udhëtimit kishte mësues që flinin, disa gërhisnin duke nxjerrë avuj me përmbajtje alkooli, disa me erë qepe, por kishte edhe ndonjë që numëronte shtyllat e ndriçimit rrugës drejt qytetit, vetëm kur e dëgjoje që thoshte 65...Çfarë 65? E pyeti një koleg aty pranë. 65 shtylla paska kjo rruga...A ha, e kuptova ia kthen kolegu duke menduar nëse ishte mirë shoku i vet... Ndonjëherë shoferi këndonte si Xhevair Zeneli, tek filmi "Ne pyjet me borë ka jetë": “Asnjë fjalë s’fola unë dhe më thanë aq shumë, Zambak’ të bardhë do të çelin përherë...” Vetëm se shoferi ynë këndonte: “Ata sytë blu, blu, blu...Tani në vend të asaj shtëpisë ku me duhej të pastroja pikat e qiririt mbi divanet me kokë druri si në komedinë me Jovan Bregun, apo të pastroja dollapin prej dru bredhi origjinal që as miu s’kishte mundësi ta brente, pa le të depërtonte temperatura. Sot mobiliet janë prej entiefi dhe shoferët që transportonin dru thoshin se druri shkon jashtë me kamionë dhe kapen fshatarët që bëjnë dru zjarri me hajvanë...
Nejse tjetër muhabet ky i druve, por udhëtimi i mësuesit apo mësimdhënia kritike duhet të ngrihet edhe në këto nivele me kontekstin lokal, apo kurrikula duhet të vijë në përputhje me nevojat e një komuniteti...Megjithatë do të ndalemi në një tjetër linjë për të shteruar më hollësishëm këtë detaj kaq të rëndësishëm për temën tonë, "Ndërveprimi në shkollë". Në autobus, për t’i rënë shkurt, mbante shpesh erë djersë, herë-herë era alkool, por ajo që të acaronte shqisat ishte era e një brezi të djegur. Në autobus nuk ishin këngët si ajo e Demos, por ti mund të flije të zgjoheshe disa herë dhe përsëri kur hapje sytë ishe dy fshatra larg vendbanimit në qytet.
Nejse, mësuesi në këtë fshatin e ri, i cili ishte dy stacione më poshtë dhe me një kosto transporti prej 8 mije lekë të reja me afërsi, aty përsëri filloi e njëjta melodi sa i përket ngarkesës së orëve sipas drejtorit, mësuesi duhet të merrte orët që linin dy koleget e tjera, njëra prej së cilave i kishte hyrë në sy drejtorit aso kohe për ta marrë nuse për djalin dhe me ç`rast orët e mia duhet t`i merrte ose i takonin asaj, të paktën deri në momentin që ajo refuzoi ose nuk kishte premisa të martohej me djalin e drejtorit...
Nejse si mësues i ri në këtë shkollë marr fillimisht vetëm 12 orë në profil dhe përfundimisht nuk mora ndonjëherë më shumë se kaq orë në këtë shkollë...Orët e tjera ishin Karrierë, Ndryshim klime, Teknologji, gjimnaz, klasa XII, dhe Ekonomi, klasa XII. Po ashtu Qytetari, klasa X, Matematikë, klasa IX , Aftësim teknologji, klasa VI etj...Shkolla ishte SHMB. Drejtori ishte si biçim feudali.“Ata që s`më pëlqejnë mua, unë u vë gishtin”, shprehej herë pas here, duke treguar barkun e pëllëmbës dhe duke ngritur gishtin e mesit.
Të paktën nuk ishte si ata shokët e vet që i merrnin mësuesit për t`u krasitur rrushin, prashitur bahçen apo për të larë tapetet etj... Ky zakonisht merrte nxënësit për të vjelë qershitë. Ishte pak si plak fshati me ca huqe zamani... P.sh., kurrikulën e dollisë unë e mësova me gjithë shtojcën apo anekset e veta, edhe pse nuk isha konsumues alkooli, unë bëja dolli me fanta.
Mësuesi dhe drejtuesi duhet që në ndërveprimet me stafin të krijojnë atë klimën ekologjike për të luftuar mjedisin toksik. Ndër gjuhët që duhet të flasë dikush për të gjetur habitat apo klimën në shkollë është dhe “jorruazorja”. Mësimi i të gjitha niveleve të kësaj gjuhe të jep kredite të mjaftueshme, për t’u marrë vesh me guackaxhinjtë, jargavitësit butakë, me merimangat e zeza, me pleshtat kërcimtare, me akrepat helmues, me këpushat gri, me oktapodët e këqij, me domatet e detit, me karavidhet, si dhe me morrat e kuq. Madje edhe me ata që ngjajnë me xhindet që ngjiten në qiell të marrin ndonjë informacion nga engjëjt e qiellit, në shërbim të fallxhorëve në tokë... Ashtu janë edhe këta si “xhindet” masin pulsin e njeriut duke e pyetur vetë, vetë përgjigjen dhe vetë raportojnë. Kreditet e kësaj gjuhe nuk kanë nevojë për dëshmi gjuhe me kredite apo me pikë, por janë të vlefshme për gjatë jetës.
Nëse mësuesit shohin nisur nga optika e tyre, do të kenë në mendje pamjen me ngjyra sikur puna e tyre po shkon vaj. Ndërsa nisur nga këndvështrimi i drejtuesit dhe optika e tij, pamja del disi grixho dhe pa ngjyrime të kthjellëta, kjo sepse ai mendon se ka diçka që duhet përmirësuar në proceset që ndodhin ose duhet të ndodhin në shkollë. Një "diagram Veni" midis këtyre dy optikave do ta përmirësonte ndjeshëm klimën dhe mozaikun e proceseve. Drejtuesi duhet të ulet ndonjëherë edhe "në gjunjë" për të parë se në punën e mësuesit ka ngjyra, ndërsa mësuesit duhet të ngrihen në ambicie dhe të shohin me optikën e drejtuesit, se në punën e tyre si mësues ka diçka që kërkon një diagnozë më të thellë që është akoma grixho, akoma pa ngjyrën e kërkuar, diçka që nuk po shkon sipas qëllimit të kërkuar. Shpesh stafet në këtë aspekt ngjajnë si një shportë me karavidhe, ku i ka këmbët njëri si ka mashat tjetri, ku e ka gojën njëri, tjetri ka brirët, e kështu me radhë... Gjithsesi duhen gjetur ekuilibrat e duhur gjatë ndërveprimeve në shkollë...
Ndërveprime të tjera kemi ato mësues- nxënës, ku secilit nga ne i duhet të hyjë në klasë duke plotësuar dy kritere, me sinqeritet dhe kompetencë; Sinqeritet sepse ndodhet aty për të mirën e nxënësit dhe kompetencë për të ndërvepruar me nxënësit në mënyrë të tillë që secili të pësojë një rezonancë intelektuale gjatë këtij ndërveprimi.
Këto mendime të vinë në kokë teksa je duke pirë një çaj tek baranga prej druri pranë shkollës, dhe ndërkohë një pjesë e stafit luan murlan me letra , ndërsa shitësja e kësaj shitoreje që thur çorape leshi me shtija, pyet mësuesin ndihmës se si e do vezën sot, të skuqur apo të zier. Nga ana tjetër jashtë në oborrin e shkollës ka ardhur një kamion me dru i cili brinjën e kubit me të cilën mat sasinë e druve e ka 60cm x 80cm, domethënë gjithsej në vend të një metro kub dru që shënohej në letra ai ishte duke sjellë vetëm gjysmë metri kub në rastin e mirë kur drutë stivoheshin ashtu si duhej...Ndërkohë në radion e autobusit në kthim dëgjohej kënga e Ҫelentanos "Non so piu cosa fare? Non so piu cosa che? Sembra che sto precipitando! La radio sta annunciando! Che cosa serve ?!
Bledar Lipo
Bledar Lipo ka lindur në 1.05.1984 në Pogradec. Ka kryer studimet pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës (FSHN), Tiranë, ku edhe u diplomua për Biokimi, si mësues i shkollës së mesme për Biologji dhe Kimi. Aktualisht ka një përvojë 13-vjeçare në mësimdhënie, 5 vjet si mësues dhe 8 vjet si drejtues shkolle. Ka shkruar disa artikuj dhe shkrime në ndihmë të kolegëve, punonjësve arsimorë: artikuj që kanë të bëjnë me kualifikimin e mësuesve, zhvillimin profesional, përgatitjen e maturantëve për testimin në lëndën e Biologjisë, kumtesa etj.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
“Karantinë 2020” nga Iriana Papamihali
“Kush do të më brofë në këmbë nesër në mëngjes?” nga Thanas Dushku
“Performanca”, nga Shpëtime Rrapushi