NIKOLA KOPERNIKU

Zbulimet e Nikola Kopernikut (1473-1543)

Teoritë e Kopernikut ishin aq të fuqishme dhe revolucionare, sa shumë akademikë nuk i pranuan, por në fund u kuptua thjeshtësia e zbulimit dhe vepra e tij fitoi vlerësimin e merituar.

Kronologji

• Në vitin 1491 Koperniku fillon studimet në universitetin e Krakovit.

• Në vitet 1510–1514 teksti “Kundërshtime” qarkullon fshehtas mes

shkencëtarëve.

• Në vitin 1543, kur Koperniku ishte në shtratin e vdekjes, botohet vepra e tij e plotë Mbi lëvizjen e trupave qiellorë, por Kisha Katolike e ndalon. Ndalimi hiqet më vonë, në vitin 1835.


 Ideja se planetët mund të rrotullohen rreth Diellit, dhe jo rreth Tokës, pati ndikim te të gjithë, por sfida më e madhe qe për fenë. Sipas saj Toka banohej nga qenie njerëzore, të krijuara sipas shëmbëllimit të Zotit dhe më të përsosurat nga të gjitha e qeniet e tjera, se Toka ishte e vendosur në qendër të gjithësisë dhe rreth saj rrotullohej gjithçka. Një koncept i tillë doli nga Aristoteli; u legjitimua nga Ptolemeu, kurse feja e krishterimi i dha autoritetin. Feja e krishterë e kundërshtoi sistemin e lëvizjes heliocentrike të planetëve edhe tre shekuj pasi ishte publikuar vepra. Ironia ishte se vetë Nikola Koperniku, ishte njeri i kishës.


BESIMTAR

Në të vërtetë, ishte vetë feja që e bëri Kopernikun të dyshonte në modelin e pranuar gjeocentrik të Ptolemeut. Pse Zoti do të krijonte një sistem kaq të komplikuar të kuanteve, të epicikleve dhe ekscentrikëve, me të cilët kishte shpjeguar Ptolemeu lëvizjen e planetëve rreth Tokës, kur do të ishte shumë më e thjeshtë, më logjike dhe më kuptimplote, që të pranohej se të gjithë planetët rrotulloheshin rreth Diellit? Për teorinë e tij Koperniku harxhoi shumë vite, gjatë studimeve në Krakov, më vonë në Itali, vazhdoi në Poloni, ku shërbente si klerik në katedralen e Frauenbergut. Madje, pozicionin e vet në kishë, e përdori për të përsosur vëzhgimet e veta: kulla e katedrales i shërbente si vend ideal nga vëzhgonte yjet në qetësi dhe i vetëm.

Duke vështruar yjet nga kulla e kishës, Koperniku ka shfrytëzuar kishën për kërkimet e veta.



TOKA RROTULLOHET RRETH DIELLIT

Me kalimin e kohës, Koperniku u bind se në qendër të lëvizjes planetare ishte Dielli i palëvizshëm dhe se Toka një herë në vit bënte një rrotullim të plotë rreth tij. Gjatë viteve 1510 dhe 1514 përpiloi veprën Kundërshtime, ku paraqiti parimet themelore të teorisë së vet. Për të qenë i besueshëm, duhet të vërtetonte se edhe Toka rrotullohet rreth boshtit të vet, çdo njëzet e katër orë. Kjo do të sqaronte njëherazi edhe lëvizjen e Diellit dhe yjeve në qiell. Për shkak të pozitës së tij në kishë a për shkak të frikës nga dënimi, apo ndoshta nga ajo që ka qenë shumë kërkues ndaj vetes dhe nuk ka qenë i kënaqur nga qartësia e rezultateve të veta, Koperniku kundërshtoi botimin e Kundërshtimeve, prandaj broshura ka qarkulluar fshehtas vetëm mes miqve të tij.



KUNDËRSHTIMI I KISHËS

Koperniku punoi mbi idetë e veta edhe njëzet vite të tjera. Edhe pse vepra e tij mund të quhej e përfunduar që në vitin 1530, ai vazhdonte t’i refuzonte lutjet e miqve për ta botuar. Fjala për teoritë e Kopernikut tanimë ishte përhapur në gjithë Europën. Madje mendohet se edhe vetë Papa kishte dijeni, por në fillim nuk kishte shprehur ndonjë kundërshtim ndaj idesë së modelit heliocentrik. Dhe prandaj libri i Kopernikut nuk u ndalua, por në vitin 1616, libri i tij u fut në listën e librave të ndaluar, me pretekstin e përmbajtjes “blasfemike”. Ai qëndroi i tillë deri në vitin 1835, shumë kohë pasi sistemi i Kopernikut ishte pranuar thuajse në të gjithë botën.



KRITIKAT

Vepra Mbi rrotullimin e sferave qiellore më në fund u botua në vitin 1543. Por teoritë e Kopernikut ishin aq të fuqishme dhe revolucionare, sa shumë akademikë nuk i pranuan. Kjo ndodhi edhe pse autori dëmtoi thjeshtësinë e idesë së vet të mëparshme, duke u mbështetur te Aristoteli se rrugët e planetëve janë rrathë të përkryer. Sot, kur e dimë se kjo nuk është e saktë, mund ta kuptojmë se pse Koperniku ishte i detyruar të fuste në sistemin e vet epiciklet dhe lëvizjet e tjera komplekse, sepse idetë duhet t’i mbështeste me rezultatet e vrojtimit. Në këtë mënyrë, sistemi i tij u bë njësoj i komplikuar si ai i fillimit, të cilin e kishte kundërshtuar. Vetëm kur Johan Kepleri zbuloi se planetët lëvizin në elipsa dhe jo në rrathë, u kuptua më në fund thjeshtësia e zbulimit të Kopernikut dhe vepra e tij fitoi vlerësimin e merituar.



NJERIU I KUNDËRSHTIMEVE

Kopernikun e rriti daja, Licas, peshkopi i Ermelandit, që kishte mbrojtur doktoraturën në fushën e së drejtës kanonike në Universitetetin e Ferrarës më 1503. Në atë kohë ishte emëruar peshkop i Fraunberit. Gjatë gjithë jetës ka luftuar se si të qetësonte brenda vetes luftën ndërmjet matematikës dhe fesë. Dhe vërtet, duket sikur shkaku kryesor që nuk dëshironte t’i botonte veprat e veta, ishte frika se mos i kundërvihej Biblës.


Materiali është shkëputur nga libri "100 shkencëtarët që ndyshuan botën", i pëkthyer nga Latif Ajrullai

(Portali Shkollor)

11,333 Lexime
5 vjet më parë