Gjithëpërfshirja në arsim

A është shoqëria jonë gjithëpërfshirëse? Si mund të jemi një shoqëri e tillë?

Përvoja në klasa gjithëpërfshirëse i ndihmon të gjithë në komunitetin e shkollës të ndërtojnë një shoqëri gjithëpërfshirëse. Kur edukimi gjithëpërfshirës arrin të funksionojë në mënyrën e duhur, ai mund të jetë i dobishëm edhe për nxënësit e tjerë të klasës.

Shoqëria aktive ka të bëjë me veprimtarinë tone të përditshme si: pjesëmarrja në shkollë, në familje etj, pra shoqëri aktive do të thotë se sa angazhohemi me njëri–tjetrin dhe se sa punojmë së bashku për një shoqëri të mire. Që të jemi një shoqëri gjithëpërfshirëse ne duhet të angazhohemi në problemet qe hasen në shkollë apo komunitet. Nuk është e thënë që ne të angazhohemi vetëm për zgjidhjen e problemeve por edhe ne veprimtaritë e ndryshme që organizohen qofshin këto edhe festive. Duke ndërmarr nisma dhe duke ndihmuar në komunitet atëherë ne bëhemi një shoqëri gjithëpërfshirëse. 


Familja me shkollën ndajnë misionin e tyre thelbësor në arsimin dhe edukimin e të rinjve. Partneriteti ose bashkëpunimi duhen të mishërohen sipas principeve themelore të njohura dhe të respektuara nga të gjithë. Krijimi i një shoqërie gjithëpërfshirëse. Përvoja në klasa gjithëpërfshirëse i ndihmon të gjithë në komunitetin e shkollës të ndërtojnë një shoqëri gjithëpërfshirëse. Kur edukimi gjithëpërfshirës arrin të funksionojë në mënyrën e duhur mund të jetë i dobishëm edhe për nxënësit e tjerë të klasës. Për shembull, të gjithë nxënësit mund të përfitojnë nga të paturit dy mësues në klasë madje ata vetë mund të ndihmojnë fëmijët me nevoja specifike. Nxënësit me arritje të ulëta, të cilët nuk janë klasifikuar si nxënës me nevoja specifike, përfitojnë nga këto strategji efektive të mësimdhënies. Ka gjithashtu avantazhe për prindërit. Kur nxënësit me nevoja të veçanta janë integruar në shkollat normale, prindërit e tyre kanë më shumë mundësi të marrin pjesë në shkollë dhe të ndjekin hap pas hapi zhvillimin që kanë fëmijët e tyre, duke i afruar kështu më afër me shkollën si institucion. 


Planifikimi i gjithëpërfshirjes në nivel shkolle


Edhe pse personi i kontaktit më të madh, gjatë gjithë kohës për nxënësit me nevoja specifike, në mjedisin e shkollës, mund të perceptohet mësuesi, si burimi i ndikimit më të madh tek këta fëmijë, vëmendja duhet kushtuar ndaj gjithë procesit të zhvillimit të politikave dhe procedurave të shkollës, për nevoja të veçanta të edukimit e arsimimit. Rezultati është më efektiv kur procesi ndërmerret në bashkëpunim me partnerë të ndryshëm brenda komunitetit shkollor si mësuesit, prindërit dhe nxënësit si dhe agjencitë mbështetëse dhe shërbimet për komunitetin vendor. Për këtë arsye, çdo individ i cili është pjesë e stafit të shkollës, duhet të mendojë me mendje të hapur të japë gjithë idetë dhe qëndrimet e tij, gjatë gjithë kohës, në shqyrtimin dhe sipas rastit nëse është e domosdoshme dhe ndryshimit, të kulturës dhe etikës në të, vlerat, procedurat, stilin e menaxhimit, masat organizative, përmbajtjen e kurrikulës me qëllim krijimin e një klime më të përshtatshme për fëmijët më nevoja specifike në bazë të nevojave që ata kanë. 


Nga përdorimi i instrumenteve të përdorur dhe analiza e të dhënave, në studimin e përshkruar më lart, rezulton se zhvillimi koherent i përfshirjes të të gjithë nxënësve në shkollat normale, përbën një sfidë për shkollën në vetvete. Disa faktorë kontekstualë siç mund të jenë organizimi i klasës, koha, plan-programi, zona gjeografike në të cilën ndodhet shkolla, formimi bazë personal e profesional i mësuesit etj., mund të shkaktojnë vështirësi në mësimdhënie, megjithatë edhe pse ekzistojnë këto vështirësi, duke pasur një bashkëpunim të mirë dhe duke gjetur mënyrën për të menaxhuar situatën mund të arrihen rezultate të mira. Për të arritur këtë ata duhet të menaxhojnë kohën, të kenë një përgatitje të mësimdhënies (plan-program individual), të mësojnë aplikimin e teknikave të reja të mësimdhënies për diferencimin dhe mësimin e individualizuar, të ruajnë një ritëm të përshtatshëm për të mbuluar presionet dhe pritshmëritë që lindin në përgatitjen e nxënësve dhe vigjilencën për të vërejtur çdo detaj të suksesit të tyre në çdo fushë të zhvillimit. Mësuesit, zakonisht, duhet të kenë mbështetje dhe duhet të bashkëpunojnë me specialistë dhe me mësues mbështetës. Por në të njëjtën kohë duhet të jemi të përgatitur se procesi i zhvillimit të politikave dhe ndryshimi që është i nevojshëm për përfshirjen efektive të nxënësve me nevoja specifike në shkolla normale, është kompleks dhe kërkon kohë e mbi gjithçka tjetër, thyerjen e disa pengesave dhjetëra vjeçare të perceptimit të një dukurie të tillë prej masës më të madhe të popullit tonë.



Esmeralda Ismailaj Kajo 

Mësuese e ciklit fillor, shkolla  “Irfan Ngjeqari”, Berat

 

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

685 Lexime
3 muaj më parë