Aktivitete për edukimin social dhe emocional në klasë (Në ndihmë të mësuesve të Arsimit Fillor)

Ky material i përgatitur nga Drita Kolndreu u vjen në ndihmë mësuesve të arsimit fillor për të zhvilluar tek nxënësit aftësi sociale e emocionale. Përmes aktiviteteve praktike, fëmijët mësojnë empatinë, kujdesin për mirëqenien, komunikimin dhe zgjidhjen paqësore të konflikteve.

Nga Drita Kolndreu


Shkolla nuk është vetëm një vend ku fëmijët mësojnë dije akademike, por edhe një hapësirë ku ata zhvillojnë aftësitë që u nevojiten për të jetuar me sukses dhe në harmoni me të tjerët. Përveç gjuhës apo shkencave natyrore apo lëndëve të tjera, nxënësit kanë nevojë të mësojnë si të kuptojnë emocionet e tyre dhe të shokëve, si të kujdesen për mirëqenien personale dhe si të zgjidhin konfliktet në mënyrë paqësore.


Në këtë kuptim, aktivitete të tilla që lidhen me empatinë, mirëqenien dhe aftësitë sociale-emocionale janë thelbësore për disa arsye kryesore:


1. Zhvillimi i kompetencave kyçe

  • Ato përforcojnë kompetencën personale (kujdesi për veten, vetëmenaxhimi),
  • kompetencën qytetare (respekti, bashkëpunimi, solidariteti),
  • si dhe kompetencën e komunikimit (shprehja e ndjenjave, dëgjimi aktiv).


2. Parandalimi i bullizmit dhe konflikteve

Fëmijët që mësojnë të kuptojnë emocionet e të tjerëve janë më pak të prirur të përfshihen në sjellje agresive dhe më të gatshëm të kërkojnë zgjidhje paqësore.


3. Mirëqenia dhe shëndeti mendor

Duke folur hapur për ndjenjat dhe zakonet e shëndetshme, nxënësit mësojnë të kujdesen për trupin dhe mendjen e tyre, duke krijuar baza për një jetë më të ekuilibruar.


4. Përgatitja për jetën

Shkolla u mëson fëmijëve njohuri, por është po aq e rëndësishme që t’u japë edhe aftësi për të jetuar në shoqëri: të punojnë në grup, të ndihmojnë, të tregojnë mirëkuptim e solidaritet.


5. Shembull nga praktikat ndërkombëtare

Vendet e zhvilluara, i kushtojnë hapësirë të veçantë edukimit emocional dhe social në shkollë, duke e konsideruar empatinë dhe mirëqenien po aq të rëndësishme sa lëndët tradicionale.

Duke qenë se mësuesit po përgatitin planet e orëve në kujdestari, mendova të ofroj disa shembuj temash të një muaji, që kanë të bëjnë me empatinë dhe mirëqënien në shkollë. Le ta quajmë “Muaji i empatisë dhe mirëqënies në shkollë”.


Kur mund t’i realizojmë

• Ora edukative (30 minuta në javë, për të gjitha klasat).

• Orët e kurrikulës me zgjedhje.


Integrimi ne kompetencat kyçe

• Kompetenca personale → menaxhimi i emocioneve, kujdesi për veten.

• Kompetenca qytetare → respekti, solidariteti, të drejtat e njeriut.

• Kompetenca e komunikimit → shprehja e ndjenjave dhe dëgjimi aktiv.


 Qëllimi:

• Të zhvillojnë aftësinë për të kuptuar dhe ndarë emocionet e tyre dhe të të tjerëve.

• Të ushtrojnë bashkëpunimin, respektin, faljen dhe zgjidhjen paqësore të konflikteve.

• Të reflektojnë për mirëqenien personale (shëndet, emocione, miqësi).

• Të mësojnë strategji të thjeshta për vetë-rregullimin emocional.



Java Tema Aktivitetet praktike
Java 1 Çfarë është empatia? Loja “Si do të ndiheshe ti?” – fëmijët vendosen në situata të ndryshme (p.sh. kur një shok nuk ftohet në lojë). Diskutim i hapur.
Java 2 Emocionet e mia, emocionet e tua “Rrota e emocioneve” – nxënësit vizatojnë ose shkruajnë një emocion dhe e ndajnë me klasën.
Java 3 Mirëqenia personale Mini-workshop mbi gjumin, ushqimin dhe pushimin. Loja “Çanta e shëndetit tim” – secili përmend një zakon të mirë që ka.
Java 4 Zgjidhja e konflikteve me mirëkuptim Lojë me role: dy nxënës zihen për një libër, të tjerët sugjerojnë zgjidhje të drejta. Diskutim mbi faljen.



Metodologjia

• Lojëra me role 

• Rrethi I diskutimit– të gjithë shprehen me radhë.

• Art dhe shprehje krijuese (vizatim, drama, muzikë).

• Ditar reflektimi (p.sh. një herë në muaj, fëmijët shkruajnë “Çfarë gjëje të mirë bëra për dikë këtë javë?”).

Vlerësimi (pa notë): vëzhgim të sjelljes.

Mësuesi evidenton përmirësime në:

  • pjesëmarrje,
  • aftësinë për të dëgjuar,
  • aftësinë për të ndarë e për të ndihmuar shokët.


Zhvillimi i orëve

Tema 1 – Çfarë është empatia?


Rezultatet e të nxënit: Nxënësit të kuptojnë se empatia është aftësia për të kuptuar ndjenjat e të tjerëve.

Hapat:


1. Hyrja (5 min)

  • Mësuesi/ja pyet: “Çfarë do të thotë të vendosesh në vendin e tjetrit?”
  • Shkruan fjalën Empati në tabelë.
  • Shpjegon kuptimin e fjalës “empati”

Empati do të thotë të vendosesh në vendin e tjetrit dhe të ndjesh siç ndihet ai.

Është sikur të veshësh “këpucët e shokut” dhe të kuptosh gëzimin ose trishtimin e tij.


2. Aktiviteti kryesor (15 min)

Loja “Si do të ndiheshe ti?”:

  • Mësuesi/ja lexon situata të thjeshta (p.sh. “Një shok nuk ftohet në lojë”, “Dikush bie dhe dëmtohet”).
  • Nxënësit tregojnë me shprehje fytyre ose fjali të shkurtra si do ndiheshin ata.


3. Diskutimi (7 min)

Pyetje udhëzuese: “Si ndiheni kur dikush ju kupton?”

Lidhja me jetën reale: të tregojnë një rast kur dikush i ka kuptuar dhe si janë ndjerë.


4. Mbyllja (3 min)

Nxënësit japin një shembull se si mund të tregojnë empati gjatë ditës (p.sh. të ndihmojnë shokun me çantën).


Tema 2 – Emocionet e mia, emocionet e tua

Rezultatet e të nxënit: Nxënësit të njohin emocionet e tyre dhe të tjerëve.


Hapat:


1. Hyrja (5 min)

  • Mësuesi/ja u tregon fëmijëve disa kartolina me fytyra (gëzim, trishtim, zemërim, frikë, krenari).
  • Pyet: “Çfarë emocioni shihni këtu?”


2. Aktiviteti kryesor (15 min)

Rrota e Emocioneve:

  • Mësuesi/ja ka një rreth të madh të ndarë në ngjyra për secilin emocion.
  • Nxënësit vijnë me radhë dhe vendosin një shenjë (ngjitëse ose emrin e tyre) te emocioni që ndjejnë atë ditë.


3. Diskutimi (7 min)

Mësuesi/ja pyet: “Çfarë ndodhi që ndiheshit kështu?”

Theksohet se çdo emocion është i vlefshëm.


4. Mbyllja (3 min)

Secili thotë një gjë të vogël që mund ta bëjë për të përmirësuar humorin e tij ose të shokut.



Tema 3 – Mirëqenia personale

Rezultatet e të nxënit: Nxënësit të kuptojnë rëndësinë e gjumit, ushqimit, lojës dhe pushimit për mirëqenien.


Hapat

1. Hyrja (5 min)

Pyetje: “Çfarë na ndihmon të ndihemi mirë çdo ditë?”

Mësuesi/ja shkruan në tabelë: Gjumi – Ushqimi – Lëvizja – Pushimi.


2. Aktiviteti kryesor (15 min)

  • Çanta e Shëndetit Tim:Çdo nxënës vizaton një çantë shkolle dhe brenda saj shkruan ose vizaton 3 zakone të shëndetshme që ndjek (p.sh. “pi ujë”, “fle herët”, “luaj futboll”).
  • Nxënësit ndajnë idetë me shokët.


3. Diskutimi (7 min)

Mësuesi/ja i ndihmon të reflektojnë: “Çfarë ndodh kur nuk flejmë mjaftueshëm? Kur hamë shumë ëmbëlsira?”

Shkruajnë në tabelë një “recetë” për mirëqenie (p.sh. 8 orë gjumë, 2 orë lojë, fruta çdo ditë).


4. Mbyllja (3 min)

 Secili zgjedh një zakon që do ta praktikojë më shpesh gjatë javës.

Tema 4 – Zgjidhja e konflikteve me mirëkuptim

Rezultatet e të nxënit: Nxënësit të mësojnë mënyra paqësore për të zgjidhur konfliktet.

Hapat:

1. Hyrja (5 min)

Pyetje: “Çfarë bëni kur ziheni me një shok?”

Mësuesi/ja shpjegon se ka mënyra të ndryshme për të zgjidhur konfliktet, jo vetëm duke u inatosur.


2. Aktiviteti kryesor (15 min)

Lojë me role:

  • Dy nxënës luajnë një skenë (p.sh. të dy duan të përdorin të njëjtin libër).
  • Pjesa tjetër e klasës sugjeron zgjidhje të drejta (ndajmë librin, presim radhën, kërkojmë falje).
  • Çdo herë, mësuesi thekson fjalët magjike: “Më fal”, “Faleminderit”, “Le ta ndajmë”.


3. Diskutimi (7 min)

  • Mësuesi/ja pyet: “Si ndiheni kur dikush ju kërkon falje?”
  • Nxënësit ndajnë përvoja personale.


4. Mbyllja (3 min)

Fëmijët japin një shembull të një konflikti që mund ta zgjidhin ndryshe javën tjetër.




© Portali Shkollor Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

239 Lexime
2 orë më parë