Alkida Mehmeti: Shtatori po afron… dhe emocionet janë po aq të forta sa 22 vite më parë

Shtatori sjell emocionet e fillimit të një viti të ri shkollor. Pas 22 vitesh në arsim, mësuesja Alkida Mehmeti rrëfen emocionet e saj dhe u drejtohet nxënësve e kolegëve me një mesazh për besimin, përkushtimin dhe fuqinë për të ëndërruar.

Nga Alkida Mehmeti – Mësuese


Shtatori po afron dhe regjistrimet thuajse kanë përfunduar. Edhe pak ditë na ndajnë nga tingulli i ziles së parë, nga bankat që do të mbushen me buzëqeshje, emocione dhe ëndrra të reja.


Ka diçka të veçantë te muaji shtator. Është muaji i fillimeve të reja, i klasave që mbushen me zëra fëmijësh, i librave të rinj dhe i ëndrrave që presin të marrin jetë.


Kanë kaluar 22 vjet që kur për herë të parë hyra në një klasë si mësuese. Mund të mendojë dikush se, pas kaq vitesh, emocionet zbehen. Por e vërteta është krejt ndryshe. Çdo vit ato rikthehen edhe më të forta.


Këtë shtator do të përjetoj një emocion të veçantë. Edhe pse kam një rrugëtim të gjatë në arsim, për herë të parë do të jem mësuese kujdestare e një klase të gjashtë. Është një përgjegjësi që e pres me gëzim, respekt dhe besim, sepse çdo klasë është një botë e re, me karaktere, ëndrra dhe sfida të veçanta.


Dua t'u drejtohem kolegëve të mi mësues. Ditët e para të shkollës janë shumë më tepër sesa prezantimi i rregullave apo i programit mësimor. Janë ditët kur ndërtohet besimi, krijohet siguria dhe lind dëshira për të mësuar. Një buzëqeshje, një fjalë e mirë, një përshëndetje e ngrohtë apo një "Mirë se erdhët!" mund të mbetet gjatë në kujtesën e një fëmije.


Nxënësit nuk kanë nevojë vetëm për mësues që dinë të shpjegojnë mësimin. Ata kanë nevojë për mësues që dinë t'i dëgjojnë, t'i kuptojnë, t'i motivojnë dhe t'i bëjnë të besojnë te vetja.


Ndërsa ju, të dashur nxënës, dua t'ju them diçka nga zemra.


Mos kini frikë nga shkolla.


Shkolla nuk është armiku juaj. Nuk është aq e vështirë sa mund ta mendoni. Çdo arritje e madhe fillon me një hap të vogël. Vendosni disa objektiva të thjeshtë, punoni çdo ditë me pak vullnet dhe do të habiteni me rezultatet që mund të arrini.


Mos u krahasoni me të tjerët. Krahasoni veten me atë që ishit dje dhe përpiquni çdo ditë të bëheni më të mirë. Suksesi nuk vjen menjëherë, por ndërtohet me përkushtim, durim dhe besim.


Disa prej jush kanë kaluar një verë plot udhëtime, det dhe aventura. Të tjerë, për arsye familjare, ekonomike apo personale, ndoshta nuk kanë mundur të pushojnë siç do të dëshironin.


Dua t'ju them se pushimet nuk e përcaktojnë suksesin tuaj.


Ajo që përcakton të ardhmen tuaj është zemra, përkushtimi dhe dëshira për të ecur përpara. Mos lejoni që vështirësitë t'ju bindin se nuk mundeni. Shpesh, pikërisht fëmijët që janë përballur me më shumë sfida bëhen njerëzit më të fortë dhe më të suksesshëm.


Në Qendrën Studimore dhe Argëtimi Brida, prej vitesh kam parë nga afër se si fëmijë që në fillim kishin pasiguri, me mbështetjen e duhur, me punë të vazhdueshme dhe besim te vetja, kanë arritur rezultate që as vetë nuk i mendonin të mundura. Nuk ka mrekulli. Ka punë, durim, bashkëpunim, përkushtim dhe dashuri për dijen.


Prandaj, le ta nisim këtë vit shkollor me energji pozitive. Le ta mbushim shkollën me buzëqeshje, respekt dhe bashkëpunim. Le t'u japim fëmijëve jo vetëm njohuri, por edhe besimin se mund të arrijnë çdo ëndërr për të cilën punojnë.


Uroj që ky vit shkollor të jetë një vit plot suksese për çdo nxënës, çdo mësues dhe çdo prind.


Mirë se erdhe, shtator! Mirë se vini, nxënës! Le ta nisim këtë vit shkollor me besim, energji dhe buzëqeshje. Së bashku mund ta bëjmë çdo ditë të vlefshme dhe çdo ëndërr të arritshme.





© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

151 Lexime
1 orë më parë