Intervistë

Ambicia, vullneti dhe pasioni për punën bënë që mësuese Ariana të ndjekë ëndrrën e saj edhe në Gjermani

Me ambicien dhe pasionin që e karakterizon, Ariana Gala Rizvanolli, vazhdon ta ushtrojë profesionin e saj edhe në Gjermani, si edukatore në një institucion publik parashkollor. Përgjatë intervistës me të, ajo na rrëfen për këtë përvojë të re, ndërsa na tregon edhe metodat e mësuesve gjermanë.

Pasioni që ka për mësimdhënien ka kaluar përtej vështirësive që sjellë vet emigracioni. Ajo ka realizuar ëndrrën e saj në vazhdim dhe tashmë punon si edukatore në një institucion publik parashkollor në Gjermani. Ju sjellim sot rrëfimin e mësuese Arianës, e cila përpara se të largohej nga Kosova, frymëzonte nxënësit e saj të fillores me aktivitetet që realizonte, e që ne i kemi publikuar herë pas here. Gjatë një interviste që ne kemi realizuar me të, ajo rrëfen për këtë mundësi dhe eksperiencë të re në jetën e saj, teksa na sjell edhe përvojat e mësuesve gjermanë.  



Ariana, sa e lehtë apo e vështirë ishte për ju të punësoheshit si edukatore në kopsht, në ciklin parashkollor në Gjermani? Cilat janë mundësitë që të krijon ai shtet nga ana profesionale, pra konkretisht për ju si mësimdhënëse? 


Mendoj se universi kishte plane për mua dhe më dha mundësinë që të rikthehem përsëri në vendin tim të preferuar të punës. Të them të drejtën ishte shumë e lehtë gjetja e punës në Gjermani. Kur shkova të aplikoj për punësim thash me vete me siguri nuk do të më pranojnë, por ndodhi e kundërta, e fitova menjëherë mundësinë e punës, gjë të cilën në vendin tim e kërkova për plot dy vite me radhë derisa e realizova. Kot nuk thuhet që Gjermania është vend i mundësive. Këtu çdonjërit i jepet e drejta e punës.



Pra, ju tashmë gëzoni një eksperiencë mësimdhënieje si në Kosovë ashtu edhe në Gjermani. A mund të na përmendni disa nga ndryshimet e sistemit të të dy vendeve? Cilat janë prioritetet për nxënësit apo fëmijët atje, ndryshe nga sa ndodhte në mëmëdhe? 


Po ndalem te një specifik që është vërtetë më interesantja. Në Gjermani çdo gjë që mësohet në teori, në të njëjtën kohë edhe praktikohet, në mënyrë që fëmijët ta ndjejnë, përjetojnë gjithçka mësojnë. Për shembull, në qoftë se fëmijët mësojnë për lulet, ata menjëherë dërgohen në kopshte botanike që t’i shohin ato. Domethënë këtu çdo teori shoqërohet me praktikë, kjo do të thotë se gjërat që praktikohen mbesin më gjatë në mendjen e fëmijëve, nuk harrohen lehtë.



Po sfidat? 


Ambicia,vullneti dhe pasioni për punën më bëri të ndjek ëndrrën time edhe në Gjermani. Edhe pse për mua ishte sfiduese gjuha, përkrahja që mora nga drejtoresha e kopshtit dhe koleget, të cilat ishin shumë humane, më ndihmuan sepse siç dihet çdo fillim është i vështirë dhe përkrahja është e domosdoshme. Nga vet drejtoresha e kopshtit mësova shumë sepse punën e bënte me shumë përkushtim e dashuri dhe gjithmonë duke na respektuar e trajtuar të gjithave të barabarta.

Është ndjesi e mirë kur në vendin që punon ndihesh e vlerësuar dhe e pranuar. Kjo madje të bëhet arsye që të punosh edhe më shumë.




Çfarë mund të na rrëfesh për përvojën atje, si funksionon mësimdhënia dhe mësimnxënia? Çfarë ka më tepër rëndësi në momentin që ju futeni si edukatore në klasën apo grupin tuaj të fëmijëve? 


Kopshtet përveç zhvillimit emocional e social, i kushtojnë rëndësi edhe pavarësisë së të vegjëlve. Fëmijët mësohen të bëhen të pavarur dhe fillojnë të krijojnë vetëbesim në mënyrë që të përballen më lehtë me çdo ndryshim në jetën e tyre. 

Rëndësi të veçantë ka loja për zhvillimin e hershëm të fëmijës sepse ajo kontribuon në mirëqenien fizike, sociale dhe emocionale të tij. 

Qysh në kopsht fëmijët përmes lojës e kreativitetit në një moshë shumë të hershme përfshihen dhe bashkëveprojnë me botën përreth tyre. Lojërat u mundësojnë fëmijëve të krijojnë dhe të eksplorojnë gjëra që atyre ju pëlqejnë. Ndryshimi midis Kosovës dhe Gjermanisë është se, këtu kopshtet dhe shkollat kanë popuj të ndryshëm që do të thotë secili fëmijë ka kulturë të ndryshme nga tjetri dhe në një formë kjo është sfiduese, sepse duhet të jesh i informuar mirë për gjërat që na rrethojnë, e sidomos kur bëhet fjalë për botën e fëmijëve, të cilët janë shumë të ndjeshëm.



Pra si do ta cilësoje sistemin e arsimimit atje? 


Sistemi i arsimit këtu në Gjermani është frymëzues. Sistemi i arsimit në Gjermani bënë të mundur që të gjithë fëmijët të marrin një arsim të mirë e dinjitoz. Prandaj, të gjithë kanë të njëjtat kërkesa themelore, për një jetë të suksesshme pune.

Po për pasionin tuaj për mësimdhënien çfarë mund të na thoni më thellësish, a qëndron ai i njëjtë, sikundër jepje mësim përballë nxënësve shqiptarë?

Kënaqësinë më të madhe në këtë jetë përveç familjes ma ka dhënë puna. Puna me fëmijët për mua është diçka shumë e veçantë, e cila përveç përgatitjes profesionale, kërkon shumë përkushtim, durim dhe mbi te gjitha dashuri për ta. Jam përpjekur t’i reflektoj këto në punën që bëj me fëmijët. 



Për të shumtë kuriozët që duan të dinë, a  janë pagesat e mësuesve atje aq të kënaqshme krahasuar me vendet tona? 


Normal që pagesat kanë diferencë të madhe dhe janë të kënaqshme jo vetëm për ne të arsimit. Prandaj edhe të rinjtë po largohet në masë të madhe nga vendlindja, gjë që është shumë e dhimbshme për vendin tonë. Shpresoj që në të ardhmen, edhe në Kosovë e Shqipëri, të ketë zhvillim ekonomik e t’ju mundësohet të gjithëve një vend pune me pagesa meritore.


Ndërkohë, ju përveçse jeni edukatore në një institucion edukimi publik në Gjermani, jeni edhe mamaja e një djali i cili mëson në klasën e tretë. Jeni e kënaqur ju si prind për arsimin e fëmijët tuaj në Gjermani? Po ai është i lumtur?



Shumë pyetje me vend. Brenga ime më e madhe ishte se si do të adaptohet djali im në Gjermani. E  kam paramenduar shumë sfiduese, por fatmirësisht më doli e kundërta. Akili shkon në shkollë me shumë gëzim, gjë që mua më bën të ndjehem rehat në këtë aspekt dhe gjithashtu është një nxënës shembullor.



A do të kishte diçka që do të kthente mbrapsht, në Kosovë? 


Gjithmonë kam menduar që gjërat e mira ndodhin vetëm një herë në jetë. E cilësoja veten shumë me fat, sepse isha pjesë e një kolektivi shumë të mirë në Gjakovë, gjej rastin e përshëndes kolektivin e shkollës “At Gjergj Fishta” Gjakovë! Ditën kur u përshëndeta me kolegët u thash “Shpresoj shumë që në të ardhmen të takohem me njerëz të tillë siç ishit ju”. Dëshira ime është të fitoj eksperiencë sa më të madhe të punës e pse jo Kosova është vendlindja ime, çdo mërgimtar ka mall për vendin e tij. 



Cilat janë mesazhet që doni t’i ndani me kolegët tuaj në viset tona? 


Përvoja e punës që mora nga vendi im më beri të kem sukses në Gjermani; të gjithë mentorëve të mirë që kontribuuan në ngritjen time profesionalë ju jam shumë mirënjohëse, besoj që çdo gjë që praktikohet ka sukses. Prandaj puna e bërë me pasion jep gjithmonë rezultate pozitive dhe asnjëherë mos hiqni dorë nga ëndrrat dhe ambiciet tuaja. 





Intervistoi Nanila Allkja Biçaku 

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,830 Lexime
1 vit më parë