Ardi Stefa: Mos vallë shumë shpejt ChatGPT do imitojë vetveten?
Një reflektim kritik nga Ardi Stefa mbi përdorimin pa kriter të ChatGPT-së, ku nga mjet ndihmës po shndërrohet në zëvendësim të mendimit. Shkrimi ngre alarmin për kopjimin, humbjen e krijimtarisë dhe rrezikun që inteligjenca artificiale të imitojë vetveten përmes njerëzve që heqin dorë nga reflektimi.
Nga Ardi Stefa
Pa diskutim që ChatGPT është padyshim një nga zbulimet më të mëdha të kohës sonë, një makineri e jashtëzakonshme ndihme, nga ku marrim në çast çdo lloj përgjigjeje për pyetjet që mund të kemi në një kohë shumë të shpejtë. Si inteligjencë artificiale e trajnuar paraprakisht, mund të bëjë biseda të natyrshme dhe mund të kuptojë sjelljen njerëzore, kështu që është shumë e lehtë për t’u përdorur. Mund të japë përgjigjen që konsiderohet si më e përshtatshmja për çdo pyetje. Dhe, natyrisht, duke qenë falas mund të përdoret prej gjithkujt…
ChatGPT është, pa dyshim, një nga shpikjet më të jashtëzakonshme të shekullit XXI. Një makineri që flet, argumenton, arsyeton, krijon, ndihmon, përkthen, shkruan, madje frymëzon dhe, në shumë raste, mendon më shpejt se njeriu. Një pasqyrë e përkryer e potencialit njerëzor për ta zmadhuar vetveten përmes teknologjisë. Një mrekulli teknologjike që na jep ndjesinë e zgjuarsisë së pakufizuar. Por ajo që fillimisht ishte mjet, po kthehet dalngadalë në zëvendësim. Dhe si çdo mjet i fuqishëm, rreziku nuk qëndron te makineria, por te mënyra si e përdorim ne.
Çdo ditë, mijëra njerëz i drejtohen ChatGPT-së për këshilla, ide, tekste, opinione, projekte, letra e madje edhe për mendime. Deri këtu gjithçka është mirë. Por problemi qëndron kur ChatGPT përdoret pa kriter. Nxënës që bëjnë ese e projekte të ndryshme; ekspertë të ndryshëm nga të gjitha fushat, madje edhe nga arsimi që japin një situatë dhe e kopjojnë fjalë për fjalë thjesht për të krijuar një emër; kandidatë për kryebashkiakë që kopjojnë fjalë për fjalë dhe paraqesin si të tyret ato ç’ka u jep të gatshme Chat GPT, gazetarë që kopjojnë ChatGPT fjalë për fjalë dhe i paraqesin si shkrime apo ide të tyre, etj, etj...
Ndërkohë përdoruesit ndalojnë së menduari, dhe fillojnë të kopjojnë fjalë për fjalë atë që makina u thotë. Këtu ndodh deformimi: krijimtaria zëvendësohet nga përtacia, mendimi nga mekanika, dhe origjinaliteti nga imitim i ftohtë.
Dhe teksti që është menduar të jetë ndihmë për të zhvilluar mendimin, kthehet në maskë për ta fshehur mungesën e tij.
Rezultati është i frikshëm: në vend që teknologjia të zgjerojë horizontin e dijes, ngushton hapësirën e mendimit njerëzor. Në vend që të frymëzojë, klonon. Në vend që të mësojë, përsërit.
Personalisht nuk jam kundër përdorimit të ChatGPT, por përdorimi pa kriter dhe fjalë për fjalë është problematik. Në këtë pikë, ChatGPT nuk është më një mjet ndihme, është bërë zëdhënës i varfërisë intelektuale.
Një ushqim i shpejtë për ata që s’kanë durim të gatuajnë mendimin vetë.
Tregon varfëri mendimi dhe është krim. Është vjedhje. Mediokritet i ngritur në piedestal. Sepse mjafton një analizë e thjeshtë gjuhësore e ndërtimit të fjalive dhe e kupton fare qartë kopjimin. (Deri më sot nuk do të përdor emra, por nëse nuk do të ketë një mekanizëm rregulllimi nga shtypi, media, portalet dhe nga vetë “ekspertët, që deri para një viti nuk kishin një artikull, ndërsa sot kanë nga dhjetë në ditë” atëherë emrat e kopjuesve duhen bërë publikë.)
Çfarë do të ndodhë më pas kur një njeri e përdor pa kriter?
Mos vallë ChatGPT do imitojë vetveten?
Po, dhe kjo është më e frikshmja: kur IA fillon të ushqehet me vetveten.
Sa kohë njerëzit përdorin ChatGPT si makinë kopjimi, jo si mjet mendimi, ndodh që përmbajtja e krijuar prej tij qarkullon në rrjet; ajo kopjohet, ribotohet, ridel në blogje, portale e faqe “ekspertësh”; më pas, kur modelet e reja trajnohen mbi internetin, ato ekspozohen ndaj vetë teksteve që kanë shkruar më parë; kështu, inteligjenca artificiale fillon të ushqehet me vetveten, duke humbur origjinalitetin, freskinë dhe tensionin krijues që vjen nga mendja njerëzore.
Në atë pikë, ChatGPT nuk do të imitojë njerëzit, por vetveten përmes njerëzve që e imitojnë.
Një pasqyrë që reflekton një pasqyrë, pafundësisht, por gjithnjë më bosh.
Ndaj, përdorimi me kriter nuk është thjesht çështje etike; është çështje kulturore dhe ekzistenciale, është çështje mbijetese për mendimin njerëzor. Nëse njeriu nuk ndërhyn me gjykim, dyshim, ironi, reflektim, çdo gjë do të bëhet diçka e zgjuar në formë, por e zbrazët në përmbajtje.
ChatGPT nuk është kërcënimi, varfëria e mendimit njerëzor është kërcënim. Kur çdo ide tingëllon e mençur, por askush nuk mendon vërtet; teksti është i saktë, por i pajetë dhe fjala ka formë, por jo frymë.
Nëse njeriu ndalon së reflektuari, nëse pushon së dyshuari, nëse dorëzon mendimin tek makineria e kërkimit, atëherë nuk është më inteligjenca artificiale që imiton njeriun, por njeriu që imiton inteligjencën artificiale.
Inteligjenca Artificiale s’mund të mendojë, ajo vetëm “përtyp” mendimet që i japim.
Dhe nëse ushqimi ynë është kopje, nesër do të hajmë vetëm kopje të kopjeve.
Dhe atëherë, po, ChatGPT do të imitojë vetveten, sepse njeriu me përtacinë e vet mendore e la pa model.
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Forbes: "Nuk ka më mësues të rinj, kriza epike që po përballet e gjithë bota në vitin 2024"
Mësimdhënia nuk është "shërbim ndaj klientit"
Shtohen rastet e fëmijëve që mbajnë syze. A ndikon koha para ekranit në dëmtimin e syve?