Ardita Brahimi Idrizi: Prindër, mos e matni dashurinë me shpenzimet për fëmijët

Me nisjen e vitit të ri shkollor në Kosovë, Ardita Brahimi Idrizi u drejtohet prindërve me një mesazh shumë të rëndësishëm: mos e matni dashurinë për fëmijët me sa shumë shpenzoni për ta. Më të rëndësishme se çantat e mjetet e shtrenjta janë qetësia, kujdesi, ushqimi, gjumi dhe dëshira për të mësuar.

Të dashura nëna dhe të dashur baballarë,

Në emrin tim si nënë, mësuese, udhëheqëse, pedagoge, psikologe, menaxhere, koordinatore e cilësisë dhe planifikuese, por mbi të gjitha si nënë e fëmijëve të mi, po ju drejtohem me shumë dashuri, mirëkuptim dhe përgjegjësi profesionale.


E di që ky fillimvit ju ka ngarkuar shumë.


Ju ka lodhur fizikisht, psikologjikisht, por edhe financiarisht. Ka ardhur një kohë ku prindi shpesh ndien presion të blejë gjithçka, vetëm që fëmija i tij të mos ndihet “më pak” se të tjerët.


Por ju lutem, mos e matni dashurinë ndaj fëmijës me atë se sa shumë i blini.

Fëmija juaj nuk ka nevojë për çantën më të shtrenjtë.

Ka nevojë për një çantë të lehtë dhe të përshtatshme.

Nuk ka nevojë për dhjetëra mjete që mund të mbeten të papërdorura.

Ka nevojë për mjetet që i duhen për të mësuar.


Sidomos nxënësi i klasës së parë, i cili për herë të parë ulet në bankën shkollore, ka nevojë për siguri, dashuri, përkrahje dhe një fillim të qetë, jo për presion dhe krahasime.

Pastaj fillojnë krahasimet:

“Shiko çantën time!”

“Unë i kam këta lapsa!”

“Unë e kam këtë!”

“Ti nuk e ke!”


Dhe pa e kuptuar, ne të rriturit mund t’i fusim fëmijët në një garë që nuk ka të bëjë fare me arsimin.

Prandaj, prindër të dashur:

Flisni me fëmijët tuaj para se t’u blini gjithçka që kërkojnë.

Mësojini se vlera e tyre nuk matet me çantën, lapsat, rrobat apo mjetet shkollore.

Pyeteni:


“Çfarë të duhet për të mësuar?”

Jo:

“Çfarë kanë blerë fëmijët e tjerë?”

Në këtë fillimvit na duhet të kthehemi te thelbi:

Libri.

Fletorja.

Lapsi.

Goma.

Dija.

Puna.

Disiplina.

Dashuria.


Nëse një mësimdhënës arrin ta shpjegojë mirë librin bazë, ta përdorë fletoren e punës dhe t’i përmbushë rezultatet e të nxënit, kjo është një fitore e madhe.

Nëse arrijmë edhe më shumë, atëherë kemi bërë jackpot! 

Sepse shkolla nuk duhet të jetë vendi ku prindërit garojnë me njëri-tjetrin.

Shkolla duhet të jetë vendi ku fëmijët rriten, mësojnë, edukohen dhe ndërtojnë të ardhmen e tyre.

Dhe kam edhe një lutje tjetër për ju:


Mos e nisni fëmijën në shkollë pa ngrënë e pa pirë.

Para çantës së bukur, sigurojani mëngjesin.

Para lapsave të shtrenjtë, sigurojani ujin.

Para mjeteve të panevojshme, sigurojani gjumin.

Para çdo gjëje tjetër, sigurojani qetësinë, dashurinë dhe sigurinë.


Një fëmijë i uritur, i lodhur apo emocionalisht i ngarkuar e ka shumë më të vështirë të përqendrohet dhe të mësojë.


Prandaj, këtë 1 Shtator, mos u shqetësoni nëse fëmija juaj nuk e ka çantën më të bukur.

Le ta ketë zemrën më të qetë.

Mos u shqetësoni nëse nuk i ka të gjitha mjetet që i ka shoku.

Le ta ketë dëshirën për të mësuar.

Dhe nëse nuk mund t’i blini gjithçka, mos u ndieni keq.

Fëmijës suaj nuk i duhet një prind që shpenzon pa kufi.

I duhet një prind që e dëgjon, e udhëzon, e edukon dhe i qëndron pranë.

Sepse në fund të vitit shkollor nuk do të na pyesë askush:

“Sa ka kushtuar çanta?”


Do të na pyesin:

“Çfarë ka mësuar fëmija?”

“Çfarë njeriu është bërë?”

“A i ka përmbushur kompetencat?”

“A i ka përmbushur ndonjërën prej fushave?”

“ A i ka përmbushur Rezultatet e Fushës?”

“ A i ka përmbushur Rezultatet e Lëndës?”

“ A i ka përmbushur kriteret e suksesit?”


Dhe kjo është ajo për të cilën duhet të punojmë të gjithë:


PRINDËR + NXËNËS + MËSIMDHËNËS + SHKOLLË = FËMIJË MË I SIGURT, MË I EDUKUAR DHE MË I SUKSESSHËM. 



Ju falënderoj për besimin dhe bashkëpunimin.

Me shumë dashuri dhe respekt,

E juaja, Ardita

Nënë, Mësuese, Udhëheqëse, Pedagoge, Psikologe, Menaxhere, Koordinatore e Cilësisë, Planifikuese



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

224 Lexime
1 ditë më parë