
“Biblioteka e shëndetit tim”, projekti i Mimoza Xhindit, një ndërthurje mes librit dhe mirëqenies personale
Projekti “Biblioteka për Shëndetin dhe Mirëqenien”, i realizuar nga mësuesja Mimoza Xhindi në kuadër të Shkollës së Drejtorëve, përmirësoi bibliotekën e shkollës “Rexhep Kothere”, duke krijuar një ambient më tërheqës dhe duke shtuar libra për edukim dhe shëndet.
Në kuadër të Programit të Trajnimit të Detyrueshëm Përgatitor për Drejtues të IAP, Brezi i VII (tetor 2024 - korrik 2025), u zhvillua dhe u prezantua me sukses projekti final me temë: “Të rrisim dëshirën për librin dhe kujdesin ndaj vetes, përmes ‘Biblioteka e shëndetit tim’”. Ky projekt është konceptuar dhe realizuar nga znj. Mimoza Xhindi, dhe u mbështet profesionalisht nga trajnerja e saj, Prof.as.dr. Joana Lapa.
Ideja e projektit lindi si një domosdoshmëri për të përballuar dy problematika që shfaqeshin dukshëm në shkollën 9-vjeçare “Rexhep Kothere” në Kuman: mungesa e interesit për leximin dhe niveli i ulët i ndërgjegjësimit për shëndetin fizik e mendor. Duke pasur në qendër fëmijën, por duke përfshirë edhe mësuesit, prindërit dhe komunitetin, ky projekt i dha jetë një biblioteke të re në shkollë, të pasuruar me libra për fëmijë, botime shkencore dhe psikologjike, që lidhen me edukimin shëndetësor, stilin e jetesës së shëndetshme, menaxhimin e stresit dhe të ushqyerit të ekuilibruar.


Projekti u prezantua me profesionalizëm dhe transparencë para trajnuesve të Shkollës së Drejtorëve, të cilët, siç pohon vetë autorja e projektit, e ndoqën nga afër, verifikuan çdo hap dhe u shprehën tejet të kënaqur me realizimin e tij, duke u bindur që projekti ishte ndërtuar sipas të gjitha parametrave të kërkuara.
Gjatë zbatimit të projektit, u realizuan një sërë aktivitetesh konkrete dhe me ndikim, si:
- krijimi fizik i bibliotekës në ambientet e shkollës,
- pasurimi i saj me botime nga shtëpi botuese të njohura dhe autorë lokalë,
- stampimi i një vule zyrtare me tematikën e projektit,
- krijimi i fletëpalosjeve dhe broshurave sensibilizuese,
- organizimi i takimeve me përfaqësues të shëndetësisë dhe AKU-së,
- biseda letrare, konkurse për ese dhe poezi, si dhe orë ndërgjegjësuese për stilin e jetesës së shëndetshme.
Gjithashtu, u krijua edhe një libër përshtypjesh, ku pjesëmarrësit dhe vizitorët mund të ndanin mendimet e tyre për impaktin e projektit.
Këto aktivitete nuk mbetën vetëm brenda shkollës. Ato u shtrinë edhe përtej mureve të saj, duke përfshirë drejtorinë e ZVAP Roskovec, përfaqësues të pushtetit vendor, AKU-në, prindër dhe komunitetin lokal, të cilët kontribuan jo vetëm me pjesëmarrje, por edhe me mbështetje konkrete, përfshi dhurimin e librave.
Projekti është shembull i një pune të mirëstrukturuar dhe me ndikim të matshëm, që jo vetëm i përgjigjet nevojave të nxënësve për zhvillim kulturor dhe shëndetësor, por shërben gjithashtu si model për drejtuesit e rinj në sistemin arsimor. Ai përfaqëson më së miri ndërthurjen e vizionit edukativ me angazhimin komunitar, duke treguar se kur ekziston vullneti dhe drejtimi i duhur, çdo shkollë mund të shndërrohet në një hapësirë të gjallë zhvillimi, leximi dhe mirëqenieje.
Në përfundim, projekti “Biblioteka e shëndetit tim” nuk është vetëm një iniciativë që pasuron një institucion shkollor me libra, por është një thirrje e qartë për të ndërgjegjësuar brezat e rinj që leximi dhe kujdesi për veten ecin bashkë dhe janë gurë themeli për një jetë më të mirë, më të shëndetshme dhe më të vetëdijshme.
PROJEKTI
PREZANTIMI I PROJEKTIT
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Teste të integruara për arsimin fillor dhe modele VANAF, viti shkollor 2024-2025
Modele Testesh për Arsimin Fillor për të tria periudhat, viti shkollor 2024-2025
Anglisht dhe gjuhë shqipe, testet e vitit të kaluar