Bisedë me Fasliun e Berbatit, personazh në roman

Në vitet 70-të të shekullit të kaluar, shkrimtarët dhe artistët me një vendim të Qeverisë së atëhershme shpërndaheshin në bazë, për të qenë sa më afër “realitetit socialist”

Sapo kishte filluar kolektivizimi i bujqësisë e Dhimitër Xhuvani, atëbotë 32-vjeçar, merr rrugëtimin drejt Veriut, drejt Tropojës, pak të njohur nga krijuesit. E ai “ngulet” në një krahinë të largët, në një fshat rrëzë Shkëlzenit të krahinës së Gashit, në Berbat…

E bash aty zënë fill ngjarjet e romanit “Shtegu i bardhë” i botuar nga shtëpia botuese “Naim Frashëri” në vitin 1976.

Një ditë në bibliotekën publike takojmë pikërisht njërin nga personazhet kryesore reale, që në libër njihet si Martin Bukalla, është Fasli Osmaj.

Fasliu me dashamirësi pranoi të bisedojmë rreth romanit dhe autorit Dhimtër Xhuvani, të cilin e admironte dhe i kishte mbetur peng i jetës që s’ishin takuar herë tjetër.

Si ishte takimi i parë me Dhimitër Xhuvanin?

Ishte vjeshtë e vitit 1970, unë atë kohë isha 25 vjeç dhe shkoja me bagëti të koopetativës bujqësore. Një natë, kur kthehem në shtëpi gjej një mysafir disi të veçantë. Prindërit, babai dhe nëna, më thanë se është një shkrimtar. Mysafiri ka ardhur nga Tirana e do të rrijë nja një javë se do shkruajnë në gazeta për kooperativën, për Berbatin...

Ishte një djalë nja 30 e ca vjeç, i veshur me një xhup, pantallona të trashë dhe çizme, se bënte ftohtë. Kishte edhe një shall që e mbështillte rreth qafës. Menjëherë hyri në muhabet me mua, duke më pyetur për fshatin, kooperativën, bagëtinë. Pas darke më tha se ti qenke personazh interesant për t’u futur në librin tim…

Sa ditë qëndroi në shtëpinë tuaj dhe ç’bënte gjatë ditës Dhimitri?

Zgjohej në mëngjes herët, pinte kafe me babain, të cilat na i bënte gati nëna, qëndronte deri në ora 10:00 duke shkruar në sobën e burrave që ia kishim lëshuar atij. Pasi hante mëngjes, dilte në fshat, vinte tek stanet, apo takonte bashkëfshatarët, të cilët u bënë personazhet e veprës së tij. Ai shpesh i thoshte babait se është gjynah për djalin që nuk ka vazhduar shkollën.

Ai kishte një çantë meshini ku mbante blloqe, fletore, lapsa, stilograf dhe shkruante pothuaj çdo natë deri në orët e vona. Unë ruaj shumë kujtime nga Dhimitri, por dua të rikujtoj njërën prej tyre që ne na bëri përshtypje në ato vite. Nëna ime, ndjesë pastë, ziente kunguj, ishte vjeshtë, e ajo i pastronte me lugë duke iu hequr copave të ziera pjesën e sipërme me fara. Ai i merrte farat, i qëronte dhe i hante e i drejtohej nënës: “Loke, kanë më shumë kalori 4-5 fara se krejt kungulli”. Mbaj mend që në kohën kur ishte aty Dhimitri, unë u rrëzova një ditë pas dhive, shenjën e kam edhe sot (tregon këmbën me shenjën e atëhershme), kur shkova në shtëpi, ai për të më larguar sadopak dhimbjet tha: “Fasli, një fjalë popullore nga anët tuaja, thotë “përpara shëndoshesh se martohesh”, përmbyll rrëfimin me kujtimet e tij Fasliu.

(Nga Gjon Neçaj)

2,411 Lexime
8 vjet më parë