CILËSITË E NJË MËSUESI

Çfarë i bën mësuesit të paharrueshëm?

Ju mund të mos kujtoni të gjithë mësuesit tuaj, por me siguri kujtoni disa prej tyre. Ndaj lind pyetja, cilët elementë e vendosin një mësues përjetësisht në kujtesën tonë?

Ju mund të mos kujtoni të gjithë mësuesit tuaj, por me siguri kujtoni disa prej tyre. Ndaj lind pyetja, cilët elementë e vendosin një mësues përjetësisht në kujtesën tonë? Po ju a keni mësues që i ruani thellë në mendjen dhe zemrën tuaj, edhe pse shumë vite mund të kenë kaluar?


Nxënësit mbajnë mend mësuesit mirëdashës, argëtues, të jashtëzakonshëm, ose pasionantë. Ata mbajnë mend mësuesit që janë kujdesur për ta, që i kanë mbështetur dhe inkurajuar. Nxënësi memorizon ato mësues që krijojnë sfida dhe pëlqejnë mendimin ndryshe. Ata nuk vendosin barriera dhe janë shumë praktikë. 

 

Inkurajimi

Zonja B. ishte mësuesja ime e Letërsisë në shkollë të mesme. Ajo drejtonte një shfaqje shkollore. Nuk kisha menduar kurrë se mund të kisha talent në aktrim, deri ditën kur ajo më angazhoi në këtë shfaqje. Si fillim hezitova, nuk kisha besim në vete, por ajo më bëri të ditur se duhej ta konsideroja këtë si një mundësi. Mblodha të gjitha forcat e mia, kurajon, guximin dhe dola në skenë. Performimi im i pëlqeu të gjithëve. Unë zbulova një pasion timin, për të cilin edhe u diplomova në shkollë të lartë. Një moment mund të ndryshojë rrjedhën e jetës. Falë mësueses, unë jam sot aktore profesioniste. 


Mënyra e të shpjeguarit

Mësuesja J. ishte e apasionuar pas historisë dhe dinte të tregonte historitë mjaft bukur. Për të, historia nuk ishte një listë me data, luftëra dhe gjeneralë. Historia ishte një histori për njerëzit, për besimet e tyre, për mënyrën se si ata jetuan dhe për gjithçka që ndikonte në idetë e tyre.


Lufta Civile Amerikane ishte mësimi të cilin e mbaj mend edhe sot. Ajo solli në jetë personazhe interesante dhe të larmishëm, të cilët, përballë sfidave, duhej të merrnin vendime serioze për të mirën e vendit. Deri në fund të vitit, edhe ata fëmijë që nuk kishin asnjë interes në histori më parë, e mësuan historinë e Luftës Civile Amerikane dhe pasojat e saj.


Qetësia

Zonja C. ishte mësuesja jonë e re. Mësuesit e tjerë zakonisht i bërtisnin një nxënësi sepse ai sillej në mënyrë të papërshtatshme. Herën e parë që nxënësi problematik i tha zonjës C. se ai nuk dëshironte të shkruante një provim matematikor, të gjithë prisnim që mësuesja ta qortonte, t’i bërtiste, të ngrinte zërin.

Përkundrazi, ajo u afrua shumë pranë nxënësit dhe i tha diçka në vesh. Askush nuk e mori vesh se çfarë i tha, por të gjithë kuptuan sjelljen e nxënësit që ndryshoi. Ai uli kokën, ndaloi së foluri dhe mori testin përpara. 

Herën tjetër që nxënësi pati të njejtin shpërthim, mësuesja veproi njëlloj. Nuk u zemërua, nuk bërtiti, nuk pati shpërthime, thjesht qetësi. Tani që jam rritur e kuptoj që kjo mësuese ka vlerësuar dinjitetin e nxënësit. Dhe jo kushdo mund të ketë forcën brenda vetes për të mos u acaruar në momente tilla. 


Të futesh nën lëkurën e tyre

Nxënësit i admirojnë mësuesit që i kuptojnë. Ata mësues që e dinë ngarkesën e tyre edhe në lëndë të tjera, pasi nuk ekziston vetëm lënda e tyre. Këta mësues janë shumë mirëkuptues, tolerantë dhe mendjehapur. 


Të jesh i sjellshëm, të jesh i interesuar, të ndjesh pasion për lëndën tënde dhe të kujdesesh për nxënësit, janë cilësi që çdonjëri prej nesh kërkon tek mësuesi i tij/e saj.




Përktheu Parajsa Shtini

Burimi: Hey Teach!


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

5,241 Lexime
3 vjet më parë