ANALIZË

Dr. Ermira Ymeraj: Pse maturantët gabojnë në përgjigjet e pyetjeve të testit të MSH?

Ky artikull është vërtetë ajo çka i duhet maturantëve në këtë prag provimesh finale. Nisur nga eksperienca e saj, Dr. Ermira Ymeraj rendit përvoja dhe këshilla të cilat do t’i ndihmojnë maturantët që të mos gabojnë në përgjigjet e pyetjeve të testeve të MSH.

Unë jam mësuese dhe nuk mendoj se i shteroj përgjigjet, lidhur me eksperiencën do ndalem në disa prej tyre. Pyetjet që më shumë nuk zgjidhen nga nxënësit, janë pyetjet me përgjigje të zgjeruar ose të hapura. 


1. Arsyeja e parë i lënë pa përgjigje për mungesë të njohurive, për shkak të leximit të pamjaftueshëm të literaturës së detyruar për MSH. 

Arsyeja e dytë është se nuk kuptojnë atë që ju kërkohet pra qëllimin e pyetjes, ose nuk kuptojnë një ose disa nga fjalët e pyetjes, nuk zotërojnë leksik të mjaftueshëm, ndaj dhe pyetjet ju duken të ngatërrueshme. 

  • Fjalori i panjohur është thelbësor në të kuptuarin e pyetjes. Ngarkesa gjuhësore e pyetjes është çështja më e vështirë për t’u trajtuar gjatë leximit. Qartësisht duke lexuar të kuptuarit matet dhe nxënësit. 
  • Mos leximi i duhur i pyetjes, bën që nxënësit të marrin fjalë kryesore dhe t’i shkruajnë si përgjigje. 
  • Gjatë leximit të pyetjes atë lexojnë atë që dëshirojnë ato, duke mashtruar veten se e dinë, dhe duke i çuar drejt një rezultati të gabuar.  
  • Mos leximi me kujdes nuk i lejon ta përthithin saktësisht kërkesën e pyetjes, nuk nënvizojnë fjalë të rëndësishme gjatë leximit dhe nuk përqendrohen te fjalët udhëzuese si krahasoni, veçoni etj.  

Arsyeja e tretë e kanë kuptuar pyetjen po nuk dinë përgjigjen, mungesa e sigurisë për saktësinë e përgjigjes i lë shumë nxënës të mos iu përgjigjen pyetjeve me përgjigje të zgjeruar. Hezitimi për të hamendësuar.


2. Kur pyetjet kanë dy pjesë pyetjesh në trup të saj, disa i përgjigjen vetëm një pjese sepse nuk e lexojnë me kujdes të gjithë pyetjen, kapërcejnë fjalë në të lexuarin e saj. Pyetjet që kërkojnë dy arsye – kapërcejnë fjalën dy, ose dy shembuj – kapërcejnë përsëri fjalën dy. Pyetjet me 3 pjesë -  si emërto figurën – gjej detajin, dhe shpjegoje –ndodh që: nuk emërtojnë figurën, ose nuk japin detajin dhe shpjegojnë gjë që krijon pasaktësi në zgjidhjen e saj.


3. Arsye pse nuk i zgjidhin është dhe motivimi i vetes – një pjesë e mirë e tyre kanë motivim të dobët për suksesin e tyre, thjesht i nënshtrohen provimit për ta marrë dhe jo për të fituar rezultate të larta, dalja mirë në teste është pak i rëndësishëm për ta. Një pjesë përpiqen, dhe disa përpiqen shumë.


4. Disa nuk përgjigjen sepse nuk duan të mendojnë. - Disa nuk përgjigjen sepse gjatë testit ka mos vëmendje dhe të folurit e ndonjë nxënësi i pengon. - Disa dhe kjo ndodh radhë, nxënësit nuk përgjigjen sepse pyetja në vetvete nuk është interesante, sepse janë pyetje që nuk e bëjnë të mendojnë. - Disa fillojnë përgjigjen e pyetjeve shumëpjesëshe dhe nuk e çojnë deri në fund sepse mërziten. - Disa nuk pëlqejnë fragmentin, ose ai iu duket i çuditshëm.


5. Pyetjet që më shumë nxënësit e kanë problem janë pyetjet për imazhin, ata lexojnë dhe asnjë imazh nuk ju mbetet në mëndje. Ky është tregues se nxënësit nuk përpiqen të hulumtojnë përtej fjalës, veshjen e saj. 


6. Disa pyetje janë të gjata, dhe kjo shumë nga nxënësit i lodh, ndaj në këto pyetje nxënësit e humbasin interesin dhe nuk përgjigjen.


7. Koha – faktor në zgjidhjen e testit është dhe koha, shumë nga nxënësit nuk e administrojnë si duhet kohën, një pjesë e tyre panikohen dhe kjo e rrit shkallën e vet administrimit të gjendjes së tij, që nën pushtetin e ankthit të mbarimit të kohës, gabojnë duke nxituar ose duke mos iu kthyer dhe njëherë pyetjeve. 

  • Disa nga ata humbasin shumë kohë për të formuluar ose shkruar përgjigjet e sakta në pyetje me ndërtim.
  • Disa kalojnë shumë kohë me të lexuarin e fragmentit ose pyetjeve. Ose ka dhe raste kur nxënësi lexon tërë pyetjet e testit dhe fillon e mendon për të gjitha ato njëherësh. 


8. Strategjia që zgjedh nxënësi për zgjidhjen e testit, shpesh ndikon në mosdhënien e përgjigjeve. P.sh. ka raste kur nuk i kupton dhe ai i kapërcen sepse hezitojnë të përgjigjen ose nuk kanë ide për përgjigjen. Nxënësi duhet të planifikojë duke iu përgjigjur pyetjeve që ndihen të sigurt duke siguruar pikë të sigurta më pas merruni me pyetje që janë më të vështira. Këto të fundit i bëjnë të humbin besimin dhe kohën.


9. Mungesa e përgjigjeve të pyetjeve që kërkojnë analizë, është mos qëndrimi kritik ndaj materialit burimor. Nxënësit tanë  e shmangun origjinalitetin në interpretim, drejtohen drejt përmbledhjeve të analizave të bëra dhe nuk kanë lexuar literaturën e detyruar, ky është tregues pse nxënësit nuk e përmbushin qartë kriteret që favorizojnë analizën. Në të shumtën e rasteve nxënësit nuk janë specifikë dhe trillues dhe shpesh në përgjigjet e tyre nuk reflektojnë regjistrin e tyre.


10. Leximi i pamjaftueshëm: Nxënësit janë selektivë në atë që vendosin të lexojnë, për një temë ato mjaftohen me një burim, duke i refuzuar vetes mundësitë e njohjeve relative mbi një temë a libër. Dhe disa nga ata lexojnë vetëm disa ditë para provimit. 


11. Me nxënësit e mirë ndodh që të marrin detajet e gabuara, për shkak të presionit të notës dhe vëmendjes së madhe që ata në provim i kushtojnë notës.   


12. Në shkrimin e esesë, edhe pse duket se nxënësit e kanë kuptuar pyetjen, ata shkruajnë atë që dëshirojnë dhe jo atë për të cilën kërkohet. Nuk i referohen tekstit, te i cili iu kërkohet të mbështeten. Mos planifikimi që në fillim shpesh i  bën nxënësit të humbasin fillin, koherencën dhe rendin, mos ndërtimi i qartë i saj, nëse ti kur shkruan merr parasysh leximin me kujdes të pyetjes, duke planifikuar zgjedhjet dhe përfundimin, si dhe kontrollon drejtshkrimin e gramatikën, rezultatit do jetë ndryshe.



 Në ndihmë të maturantit

1. Testi është procedurë e cila përdoret për matje dhe diagnostifikim me një grup pyetjesh nga një fushë e caktuar e dijes a e punëve praktike, për të provuar shkallën e njohurive të nxënësit. Është procedurë e standardizuar me të cilën cytet një veprimtari e caktuar, pastaj efekti i saj matet dhe vlerësohet në mënyrë që rezultati individual të krahasohet me rezultatet e arritura nga individë të tjerë në kushte të njëjta.

Maturantë:

Planifikoni përgatitjen tuaj: Po qe se dështon në planifikim,  ju keni planifikuar dështimin.

Kini Synime – ato do ju orientojnë drejtimin tuaj.

Kini Qëllime – përcaktoni se çfarë duhet të mësoni, nxisni veten dhe motivoni veten.


2. Rezultatet e të Nxënit – janë produkti i arritjeve tuaja përgjatë tre viteve: Ato lidhen me njësinë mësimore të përcaktuara në programin e MSH. Dhe me kompetencat që keni zhvilluar përgjatë formimit tuaj.

Rezultatet JANË: 

  • të matshme, realiste mbështeten në para njohuritë tuaja,
  • të vëzhguara – sjella që mund të përcillet,
  • në varësi të përmbajtjes mësimore, të mjeteve dhe mënyrës së vlerësimit.

FORMOHEN duke përdorë folje vepruese që masin procesin tuaj të nxënies, veprimet që bën, çfarë duhet të bësh dhe deri në ç’nivel i bën.

           

3. Specifikimi  i një testi: Baza e tij është: Kurrikula dhe  Programi

KA: Përmbajtje, Peshë dhe Nivele


Nivelet % që zë secili nivel. Pikët që ka. Nivelet e arritjeve sipas tabelës së Bluprintit
N1 40% 12 pikë Njohja dhe Kuptimi (N1)
N2 40% 12 pikë Analizë – Zbatim (N2)
N3 20% 6 pikë Reflektim+ Gjykim (N3)

4. Çfarë është një test i mirë? Maturantët shpesh ndeshin në vështirësi në zgjidhjen e tij, po ai duhet të kuptojë se kur një test është i mirë. 

Një test është i mirë kur është: 

  • i përshtatshëm për qëllimin që bëhet,
  • vlerëson një informacion të rëndësishëm,
  • jep informacionin e duhur,
  • është i drejtë dhe jo diskriminues,
  • është i besueshëm dhe i vlefshëm.

Pesha e çdo lënde në testim i përgjigjet një sasie pikësh, dhe pyetjesh sipas niveleve.

Sa nga pikët reflektojnë nivelet ose shkurt (N)? 

Njësitë mësimore  kanë % e tyre – ndryshe është sasia e numrit të orëve të njohurisë që merr.


5. Kompetencat lëndore që ju keni zhvilluar në Gjuhën shqipe janë 5: 

- Të folurit për të komunikuar dhe për të mësuar.

- Të dëgjuarit e teksteve të ndryshme.

- Të shkruarit për qëllime personale dhe funksionale.

- Të lexuarit e teksteve të ndryshme.

- Përvetësimi i rregullave gramatikore, drejtshkrimore dhe të pikësimit.


Kompetencat lëndore që keni zhvilluar në letërsi janë. 

- Analiza dhe interpretimi i teksteve të gjinive dhe të llojeve të ndryshme letrare poetike, tregimtare dhe dramatike.

- Vlerësimi i letërsisë shqipe dhe asaj botërore në periudha të ndryshme letrare dhe historike. 


Pyetjet në test duhet të jenë të qarta dhe të besueshme.


Pjesët Pesha Pikët Pyetje N1 Pyetje N2 Pyetje N3
Gjuhë shqipe 43% 26 10 10 6
Letërsi 43% 26 10 10 6
Ese 14% - 8 3 3 2
Totali 100% 60 23 23 14


Pjesa e parë: Gjuhë shqipe

Teksti joletrar dhe Njohuri për gramatikën


Temat / fusha Pesha Pikët N1 N2 N3
Tekst joletrar 60% 16 6 6 4
Njohuri për gramatikën 40% 10 4 4 2
Totali 100% 26 10 10 6


5. Niveli përcaktohen nga veprimtaritë që do kryejë nxënësi:

Kijeni parasysh se: Aftësitë mbulohen me pyetje.

Njohuritë që zotëroni janë  Aftësitë.

P. sh. Në  një tekst argumentues –  bëhet Pyetja për Aftësinë tuaj, që është njohuria që ju zotëroni – dhe hartohet skema e vlerësimit.

 – pyetjet lidhen në varësi të natyrës së tekstit të dhënë.


Pyetja Aftësia juaj Niveli
Zbuloni në paragrafin e parë marrëdhënien shkak - pasojë Nxënësi: Dallon në tekst shkakun dhe pasojën Kjo pyetje i përgjigjet N1
Leksiku i përdorur në paragrafin e parë ndërtohet nga.... Nxënësi: Përcakton klasën e fjalëve N1
Veçoni idenë kryesore në paragrafin e dytë. Nxënësi: Zbulon idenë N2


Letërsi



Aspektet e vlerësimit Pesha Pikët-  2 Tekste letrare (Poetik dhe tregimtar) ose Poetik dhe dramatik ose tregimtar dhe dramatik).
Njohja dhe të kuptuarit 40% 10 (5 + 5)
Zbatimi i njohurive dhe analiza 40% 10 (5+ 5)
Gjykimi dhe përgjigjja personale 20% 6 ( 3 + 3)
Totali 100% 26 ( 13 + 13)


Kjo është tabela e specifikimeve. Sipas kompetencave lëndore që zhvillon në letërsi.


Specifikimi Niveli 1 (10 pyetje) Niveli 2 (10 pyetje) Niveli 3 (6 pyetje)
Fabula dhe subjekti 4 4 1
Personazhet 2 4 2
Mjedisi dhe atmosfera 1 1 1
Tematika 1 1 1
Stili - 2 1
Konteksti historik, kulturor, ekonomik dhe politik - 1 1
Lidhja mes tekstit dhe lexuesit - - 2
Reflektim ndaj tekstit - - 2


P.sh. Pyetje të nivelit të 2 – është pyetja:  Tregoni shkakun e konfliktit? 

Pyetje e nivelit 3 - Analizoni se si stili i shkrimtarit ndikon te ju? Kjo është një pyetje që kërkon vargun e ndjesive – cila është ndjesia që ju shkakton.


6. Zgjedhja e Fragmentit: Për tekstin joletrar është zgjedhje e lirë dhe e panjohur për JU. Për tekstin e gjuhës shqipe: Është zgjedhje e lirë e panjohur nga ju dhe e dhënë me gabime, ku ju gjeni përgjigjen e duhur. Për 2 tekstet letrare ato janë zgjedhje fragmentesh të shtrira në veprën e detyruar për t’u lexuar dhe jo fragmente që keni analizuar në shkollë në tekstet tuaja mësimore nga mësuesit tuaj.


7. Pyetjet dhe llojet e tyre: 


60 pyetje në test kërkojnë IDE

Pyetjet me alternativa.  Zakonisht janë të dy niveleve N1 dhe N2. Ka dhe 1 pyetje që mund të jetë dhe për nivelin N3 -  pyetje për stilin p.sh.


Pyetje me alternativa janë homogjene brenda alternativave, kjo do thotë se nxënësi drejtohet te përgjigjja që zbërthen më saktë kontekstin e pyetjes. P. sh.
 5. Ç’të përbashkët ka midis xha Gorio dhe Rastinjakut në raport me dashurinë: 1 pikë
 A) ata janë të dy fajtorë ndaj saj.
 B) ata nuk janë treguar të drejtë me të.
 C) ata nuk e kuptojnë atë.
 D) ata janë të dy të dhënë pas vesit.  


Ajo që ndryshon janë idetë. P.sh. 6. Cila nga alternativat e mëposhtme shpreh më mirë shndërrimin e Rastinjakut në njeri tjetër nga ai që ishte në fillim? 1 pikë
A) Qytetërimi nxit te njerëzit dëshirën për të qenë pjesë e saj.
B) Bota primitive e dëlirë e tërheq qenien.
C) Etja e ngacmon heroin duke e vënë në zgjedhje.
D) Pavarësisht dhimbjes, çdo ditë që kalon e bën të harrojë të shkuarën.

Në pyetje ka shumë rëndësi FOLJA – ajo shpreh – AFTËSINË tuaj


Niveli N1 N1 N2 N2 N3 N3
Arritja Njohja Kuptuarit Zbatim Analizë Gjykim Vlerësim/Të krijuar
Nota Nota: 5 Nota: 6 Nota 7 Nota 8 Nota 9 Nota 10

Kujdes:  PIKËT JANË AFTËSI QË ZOTËRONI JU NXËNËS


Më poshtë po ju paraqes foljet që përdoren në pyetje të cilat dhe njëherë janë veprimet që Ti duhet të bësh ndërsa lexon kërkesën. 


1. Folja: IDENTIFIKOJ -  kupton: - ZBULOJ dhe  - PËRCAKTOJ – këto janë veprimet që do kryejë nxënësi kur përballet me pyetjen Identifiko.


2. Folja: ZBULOJ - Ia heq mbulimin - BËJ QË TË DALË NË DRITË diçka e fshehur a e mbuluar. GJEJ NJË TË PANJOHUR, të përcaktoj mirë dhe të bëj të njohur për të tjerët diçka të panjohur, bëj një zbulim. DIKTOJ E KËRKOJ; ARRIJ të marr vesh, arrij të kuptoj diçka që nuk e dija, a që nuk e kisha kuptuar më parë; arrij të përcaktoj qartë diçka, duke u menduar, duke bërë analizë e duke nxjerrë përgjithësime, GJEJ; NXJERR në shesh. I ZBULOJ mendimin. Zbuloj shkakun (gabimet, dobësitë, të metat, anët e dobëta). Zbuloj mundësi të mëdha. Zbuloj rrugë (metoda, mënyra). Zbuloj tiparet e ndryshme të heronjve.

Pyetja – Cili / cila – kupton – Të gjesh, të identifikosh, të dallosh dhe të tregosh.


3. Folja – LIDH - kupton: - Bashkoj me, Mbledh bashkë disa gjëra. I rreshtoj e i thur mirë fjalët, i shpreh qartë e rrjedhshëm mendimet; e hartoj bukur diçka, duke i arsyetuar gjërat mirë e qartë. Vë në marrëdhënie dy vetë ose dy palë, i vë në marrëdhënie të ngushta e të drejtpërdrejta, i bashkoj; Veprimet i lidh me shkaqe (me ndikime) të ndryshme.


4. Folja: ZBATO - 1. E VË NË JETË, E PËRMBUSH, E NDJEK dhe e vë në jetë ashtu si duhet, nuk e shkel. 2. E KRYEJ një punë duke ndjekur një grafik, PËRDOR, EKZEKUTON.


5. Folja: ANALIZOJ – kupton:- ZBËRTHEJ DIÇKA DHE - SHQYRTOJ DIÇKA veprimet që kryen nxënësi (analizo përfundimet).


6. Folja: SHPJEGOJ – kupton:-E BËJ MË TË LEHTË NJË FJALI SQAROJ- GJEJ shkakun - SHTJELLOJ.


7. Folja: PËRSHKRUAJ - kupton: - TIPARET – VEÇORITË e një dukurie – RRETHANAT ku ndodh – TREGON ME HOLLËSI.


8. Folja: INTERPRETO - kupton: SHJEGOJ (shkoqit diçka) – PARAQIT E SQARO (si e mendon) – INTERPRETO FAKTET.


9. KOMENTOKUPTON: 1. SHPJEGO E VLERËSO një të dhënë, JEP MENDIME, për një veprim, për një vendim. SHPJEGO DHE ZBËRTHE një shkrim a një tekst, që të kuptohet më mirë përmbajtja e tij; PAJIS ME SHËNIME SHPJEGUESE një shkrim a një tekst. 


10. Folja: ARGUMENTO – kupton: PARAQIT argumente për një çështje, VËRTETO me argumente, SILL PROVA. ARGUMENTO NJË TEZË. ARGUMENTOJE TEORIKISHT. ARGUMENTOJE ME FAKTE. ARGUMENTOJE NË MËNYRË BINDËSE.


11. Folja: PARAQIT: - kupton:  DËSHMON ose e jap si provë, PARASHTRON një mendim, SHPREH një ndjenjë dhe i tregon qëndrimin tënd, IU BËN TË NJOHUR të dhënat për një vepër, TREGON me pak fjalë ose hollësisht, BËN TË NJOHUR DIKË ME TË DHËNAT, BËN NJË PROPOZIM.


12. Folja: VLERËSO –kupton: CAKTOJ vlerën e asaj që lexon. JAP MENDIM për dikë a për diçka; PËRCAKTO rëndësinë, dobinë ose vlerën shoqërore të dikujt a të diçkaje; I jep dikujt atë që meriton; ÇMON. VLERËSON një veprim (një vepër). Vlerëson gjendjen. Vlerëson punën. Vlerëson njeriun. NJIH cilësitë e mira të dikujt a të diçkaje, e pranon se ka rëndësi, vlerë. ZGJEDH.


Shembuj pyetjesh: Zbuloni dy nga veçoritë sintaksore.... Pyetje me 2 pikë. Kjo pyetje ju drejton specifikisht te veçoritë e gjuhës së autorit në ndërtimin e fjalive.

  • Zbuloni në paragrafin e dytë një fjali që ka të paktën dy kuptime? Shkruani fjalinë dhe tregoni cilat janë dy kuptimet e saj. (Pyetje me 3 pikë – Kjo pyetje ju drejton te dallimi dhe kuptimi.
  • Në paragrafin e parë dhe të tretë autori krijon një kundërvënie, cila është ajo? Nxënësi lexon me kujdes dhe zbulon kundërvënien, ky është tregues i të kuptuarit.
  • Lexoni me kujdes poezinë dhe reflektoni në drejtim të mënyrës se si poeti krijon efekte të caktuara. (Në përgjigjen tuaj mund të merrni parasysh elemente që lidhen me imazhin, tonin dhe përzgjedhjen e detajeve). 


Eseja: Përgjigjja - të shkruarit është cilësi dhe meritë. Në ese gjithmonë ke një folje që të të qartësojë veprimet që duhet të bësh. 


TË KRIJUARIT: është proces ku ju nxënës jepni ide të reja duke përdorë ato që ka mësuar, grumbulloni, organizoni, përpiloni, ndërtoni, planifikoni, prodhoni, trilloni, propozoni, modeloni.

 

Nga Dr. Ermira Ymeraj

(mësuese në gjimnazin “Jordan Misja”, Shkodër)

Më, 23. 05. 2021



©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

5,905 Lexime
2 vjet më parë