INTERVISTË

Drejtoresha Hyrë Fazlija: Marrja e ditarit në duar dhe shënimet e orës së parë mësimore, ndjenjë e paharruar

Intervistë me Hyrë Fazlija, drejtoreshë në shkollën “Rilindja” në fshatin Dobrigjë të Gjakovës, e cila në një intervistë ka folur për shkollën që drejton, për vlerën e koeficientit, për testimin apo jo të mësimdhënësve, ndërsa ka dhënë edhe një mesazh për ministren Nagavci.

Nga viti 1991 është pjesë e sistemit arsimor në vend, ku e ka nisur si mësimdhënëse, dhe thotë se nuk e harron kurrë marrjen e ditarit në dorë për here të parë. Pas përvojës së krijuar, nga viti 2019 është drejtoreshë në shkollën “Rilindja” në fshatin Dobrigjë të Gjakovës. Fjala është për Hyrë Fazlija me të cilën Gazeta Online AlbanianEducation.net ka realizuar një intervistë, në të cilën ka folur për shkollën që drejton, për vlerën e koeficientit, për testimin apo jo të mësimdhënësve, dhe ka një mesazh edhe për ministren Nagavci.


Një CV e juaja që t’iu njohin lexuesit më shumë?


Jam Hyrë H. Fazlija, kam kryer studimet në SHLP “ Bajram Curri”- Gjakovë, Gjuhë shqipe dhe Letërsi. Pothuajse të gjithë titujt menaxhues kanë kaluar përmes përvojës në arsim. Fillimisht, në periudhën e viteve 1991-1994 kam punuar mësimdhënëse në (tani) SHFMU “ Fan Noli”, në fshatin tim të lindjes, Dujakë, KK Gjakovë. Ndjenja e marrjes së ditarit shkollor në duar, shënimit të orës së parë mësimore ( nën menaxhimin e Prof. Skënder Fetahaj, sot Dëshmor i Kombit), është e paharruar. Periudha 1994-2006 kam kaluar në SHFMU “ Rilindja”- Dobrigje, me një shkëputje për arsye personale për 5 vite. Jam rikthyer në vitin 2012, ku edhe kam vazhduar Programin e AKM-së, në Universitetin “ Hasan Prishtina”- Dega në Prizren, akredituar nga MASHT. Nga shkurti i vitit 2019 jam emëruar drejtoreshë në shkollën “ Rilindja”, ku në korrik të këtij viti (2023), pas Performancës, kam marr mandatin e dytë. Shkolla të cilën e menaxhoj është më e vjetra në rajon.


Sa nxënës dhe sa mësimdhënës ka shkolla juaj?


Nisur nga pyetja e juaj, kjo shkollë, nuk dua t’u mbes borxh, por ka nxjerr kuadro të suksesshëm deri edhe tek talentet kampion botëror. Numri i nxënësve është i mjaftueshëm, por jo kënaqshëm, duke mos pasur mekanizma për të ndaluar emigrimin e çdoditshëm të tyre. Jo e re si situate, por e dhimbshme, prandaj po mbijetojmë.

Stafi në Listën e Pagave numëron 11 sosh me bazë në shkollë, ndërsa në baza ditore, gjatë javës jemi 19.


Me çfarë probleme ballafaqohet shkolla që drejtoni?


Si çdo shkollë, edhe shkolla jonë, pavarësisht investimeve të shumta që janë bërë nga ana e komunës dhe DKA-së, është një shtëpi arsimore që i mungon diçka. Pra, për asnjë udhëheqës shkolle, nuk është i mjaftueshëm çfarëdo investimi. Vlen të përmendim buxhetin e pamjaftueshëm, i cili ndahet për kokë nxënësi, heqja e të drejtës së shfrytëzimit të parasë së gatshme në vlerë prej 100 Euro. Këtë vit kemi pasur edhe mungesë kuadri të lëndëve shkencore: Matematikë, Fizikë.


Ju ushtroni pozitën e drejtoreshës së shkollës, sa është e vështirë të menaxhohet, na flisni pak?


Nuk ka pozitë që nuk i ka vështirësitë në kryerjen e detyrës për të cilën është bërë një “betim”, qoftë edhe me heshtje.  Është përgjegjësi që të rri mbi supe edhe pas përfundimit të orarit zyrtar të ditës. Një mbarëvajtje e mirë e procesit mësimor dhe kryerjes së obligimeve ndaj punëdhënësit ( DKA-së), është një arritje që të ofron qetësi. Detyrë që kërkon angazhim të vazhdueshëm, duke i dhënë vëmendje secilit detaj ditor. Ju tashmë e dini, edhe me statistika, që një derë zyre e drejtorit të një shkolle, hapet deri në 70 herë në ditë për pyetje dhe kërkesa të ndryshme. Fatmirësisht, stafi i shkollës sonë përbëhet nga 98% e gjinisë femërore ku me angazhime të përbashkëta dhe me një gjuhë të shkëlqyeshme bashkëpunimi, arrijmë ta përmbyllim ditën.


Kryeministri ka thënë se nga janari vlera e koeficientit të pagave do të rritet 110 euro. A është e mjaftueshme apo duhet të jetë vlera më e madhe?


Jo nuk është e mjaftueshme. Jo të gjithë mësimdhënësit jetojnë dhe punojnë në qytet ose e kundërta. Në shkollën tonë, thuajse të gjithë mësimdhënësit, udhëtojnë deri në 26 km. ardhje- vajtje. Hiq daljet gjatë grevës, që janë përkrahur nga Sindikata e shkollës, në çdo fillim vit dhe zëvendësimet ditëve të shtuna.


Sa sipas jush?


Mendoj që rritje e dinjitetshme do të ishte, së paku, 140 Euro bazuar në ndryshimet e vazhdueshme të çmimeve të produkteve bazike dhe ajo që është me rëndësi ndryshimi i intonacionit, kur mësimdhënësi takohet në rrugë, shkollë.


Një çështje që diskutohet shumë është ajo e testimit apo jo e mësimdhënësve. Mendimi juaj cili është?


Të gjithë mësimdhënësit janë të diplomuar në fakultetet përkatëse të akredituara nga MASHT, që është institucioni më i lartë vlerësues, pra institucion mbi institucione. Tjetra, secili nga mësimdhënësit ( viteve të fundit) i nënshtrohet një testi tjetër për pranim në punë. A është e drejtë? Për çfarë duhet të testohet, derisa institucioni më i lartë jep vlerësim gjatë studimeve të tyre. Vëzhgim të punës profesionale me patjetër, por testim…


Një pyetje që dëshironi për ministren Nagavci?


Ministre, a keni pushtet të ndryshoni procedurat e konkurseve, të cilat marrin aq shumë kohë, duke përfshirë edhe periudhën e ankesave, madje edhe në rastet kur konkurrentët fitues nuk kanë kundërkandidat. Derisa konkurset kanë kritere për 240 kredi, si t’i bëhet me lëndët shkencore të akredituara nga Institucioni përkatës me 180 kredi? Dihet, që masteri i takon kërkesës për punësim në shkollat e mesme.


Mesazhi juaj për të?


Nëse, edhe jeta private na është shndërruar në politikë, edhe mendore, bazuar në të jetuarit, për një shkollim më me vlerë, luteni: Jo politikë në institucione arsimore!



Marrë nga AlbanianEducation.net

©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,233 Lexime
4 muaj më parë