Aftësitë komunikuese të mësuesit

E folura, aspekt i rëndësishëm në orën e mësimit

Shumë mësues përdorin një sërë pyetjesh provokuese, me anë të të cilave ata duan të mbajnë të përqendruar vëmendjen e nxënësve, të zhvillojnë replika edhe kur ta nuk janë në gjendje të përgjigjen

Mësuesit harxhojnë shumë kohë duke folur. Ata shpjegojnë, japin udhëzime, drejtojnë pyetje ose drejtojnë diskutimin e tërë klasës. Prandaj nuk është aspak e çuditshme që cilësia e bisedës së mësuesit të jetë një nga aspektet më të rëndësishme të efikasitetit të mësimdhënies. Madje, kjo është cilësia më e rëndësishme e efikasitetit të mësimdhënies.


Shumë nga të dhënat kërkimore mbështesin kërkesën se qartësia e shpjegimit (shpesh quhet edhe “qartësi e mësuesit”) jep një ndihmesë kryesore në arritjet e nxënësve. Qartësia e mësuesit, sigurisht, e shton veprimtarinë bisedore të mësuesit, ndihmon shumë nxënësin të përfshihet në detyrat mësimore”, shkruan Bardhyl Musai në Portali Germa.


Paraqitja nga mësuesi (informacioni, përshkrimi dhe shpjegimi) zakonisht ndodh në fillim të mësimit, ndonjëherë në fund, madje dhe gjatë mësimit, si dhe atëherë kur mësuesi ndjen se është e përshtatshme. Në shkolla, jo rrallë herë paraqitja merr formën e një leksioni, i cili kërkon kohë dhe nxënësit e kanë të vështirë t’i kushtojnë vëmendje. Ata përqendrohen vetëm për një interval të shkurtër kohor. Kjo vërtetohet nga të dhënat e psikologjisë, ku koha e përqendrimit pa ndërprerje varet nga mosha. Sa më e vogël të jetë mosha aq më e vogël është koha e përqendrimit të vazhdueshëm të vëmendjes. 


Për të shmangur këtë, shumë mësues përdorin një sërë pyetjesh provokuese, me anë të të cilave ata duan të mbajnë të përqendruar vëmendjen e nxënësve, të zhvillojnë replika edhe kur ta nuk janë në gjendje të përgjigjen. Në fakt, pyetjet duhen bërë, por të një karakteri tjetër.


(Portali Shkollor)

7,596 Lexime
8 vjet më parë