Shëndeti i lëkurës së fëmijëve

Fenomeni “Sephora Kids”, rreziku që po shkakton përdorimi i produkteve të lëkurës te fëmijët

Fëmijët e moshës 8-12 vjeç po përfshihen gjithnjë e më shumë në “trendin medial” për përdorimin e produkteve të kujdesit të lëkurës. Megjithatë, këto produkte po shkaktojnë dëme në shëndetin e lëkurës së tyre, duke sjellë pasoja të rënda për ta.

Kohëve të fundit produktet e “skin care” janë bërë aq të popullarizuara, saqë e kanë përfshirë pjesën më të madhe të rrjeteve sociale. Jo vetëm të rriturit, por tashmë edhe paraadoleshentët janë bërë të apasionuar pas këtyre produkteve, saqë shpesh ndodh t’i shkojnë ekstremit e t’i shkaktojnë dëm lëkurës së tyre.


Kremrat, xhelat, maskat e deri te produktet e tjera të fytyrës janë bërë fokusi kryesor i moshave 8-12 vjeç, e që tashmë po njihen edhe me termin “Sephora Kids”.


Ekspertët e  kujdesit të lëkurës po e shohin këtë dukuri si një problem madhor dhe kërcënues për fëmijët. Sipas tyre, konsumatorët e moshave të reja nuk po e trajtojnë në mënyrë të duhur as veten dhe as produktet, duke nisur që nga ai produkt që e vendosin në shportën e blerjes, e deri te vendi në të cilin e blejnë atë. 


Dermatologia dr. Stacey Tull tha për CNN se po ndihet mjaft e shqetësuar për adoleshentët për shkak të vendosjes së produkteve në lëkurën e tyre pa e ditur dobinë apo dëmin e tyre. 


Ajo tha se shumë fëmijë kanë filluar të përdorin produkte të njohura, siç është edhe Retinoli, i cili realisht duhet të përdoret për të përmirësuar pamjen e linjave të holla dhe parandalimin e rrudhave për moshat më të pjekura. Por, që ndërkohë, i njëjti produkt po përdoret edhe te moshat e reja.


 “Edhe nëse të rinjtë kanë akne, prapë duhet të konsultohen me mjekun ose dermatologun e tyre në mënyrë që ata t’u përshkruajnë barërat e duhura në vend që të përdorin serumin kundër plakjes”, tha Tull.


Ndërkohë referuar mediave të huaja, edhe Dr. Penzi ndau shqetësime të ngjashme duke thënë se tashmë ka filluar të shohë pasoja te pacientët e saj më të rinj. 


Ajo tha se kohëve të fundit është rritur dukshëm numri i pacientëve të rinj dhe se shumica nga ta, sidomos moshat 10-12 po vuajnë nga aknet. Si arsye kryesore që ajo theksoi në këtë aspekt, janë përdorimi i produkteve të cilat mbyllin poret e lëkurës dhe shkaktojnë akne.

Në vend të produkteve që shkaktojnë dëm, doktoresha si rekomandim për moshat 10 vjeç e sipër, ka dhënë tri produkte të tjera që ndihmojnë në mirëmbajtjen e lëkurës së tyre. Ajo përmendi pastruesin e butë, hidratuesin dhe kremin e diellit.


Në një kohë ku kujdesi për lëkurën është më i përhapur se kurrë më parë, nevoja për një qasje të përshtatshme dhe të informuar bëhet gjithnjë e më e rëndësishme për shëndetin e përgjithshëm të lëkurës. Kjo vlen sidomos për moshat e reja të cilat duhet të kenë edhe më shumë kujdes se çka duhet të përdorin për lëkurën e tyre. 




Përgatiti: Arlinda Hajdarajgazetare përgjegjëse e Portalit Shkollor Albas për Kosovën. 
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

454 Lexime
3 muaj më parë