MATURA SHTETËRORE

I huaji (Në bankën e të akuzuarve) - Albert Kamy, test i mbështetur mbi komentet e çelësit të Letërsisë dhe Gjuhës shqipe

Ky është një model testi në lëndën e letërsisë i cili u vjen në ndihmë maturantëve për provimin në këtë lëndë. Ai është hartuar sipas modelit të testeve të Çelësit të Letërsisë dhe Gjuhës shqipe për Maturën Shtetërore, Albas. Në test trajtohet I huaji (Në bankën e të akuzuarve) nga Albert Kamy.

Test 

I huaji - Albert Kamy 

Në bankën e të akuzuarve - fragment 

Kapitulli IV, pjesa II


Edhe kur je në bankën e të akuzuarve është gjithmonë interesante të dëgjosh kur flasin për ty. Gjatë akuzës së prokurorit dhe mbrojtjes së avokatit tim, mund të them se u fol shumë për mua dhe ndoshta më shumë për mua sesa për krimin tim. Për më tepër, a ndryshonin nga njëra-tjetra akuza dhe mbrojtja?

Avokati ngrinte duart dhe më bënte fajtor, por me arsye. Prokurori zgjaste duart dhe nxirrte në shesh fajësinë, por pa arsye. Diçka më ngacmonte përbrenda. Me gjithë shqetësimet e mia, nganjëherë më vinte të ndërhyja dhe atëherë avokati më thoshte: “Pushoni, është më mirë për ju”. Dukej sikur në njëfarë mënyre, kjo çështje trajtohej e shkëputur nga unë. Çdo gjë zhvillohej pa ndërhyrjen time. Përcaktohej fati im pa marrë mendimin tim. Herë pas here më vinte t’ua prisja fjalën të gjithëve e t’u thosha: “Por, ta marrim vesh, kush është i akuzuari? Ka rëndësi të jesh i akuzuari. Edhe unë kam diçka për të thënë”. Por, pasi mendohesha, s’kisha asgjë për të thënë. Për më tepër, duhet të pranoj se dëshira që ke për t’u hapur punë njerëzve nuk zgjat shumë. Për shembull, akuza e prokurorit më lodhi shumë shpejt.

Vetëm disa pjesë, lëvizje apo disa fraza të shkëputura më tërhoqën vëmendjen apo më ngjallën interes. Thelbi i mendimit të tij, me sa kuptova unë, ishte që krimi im qe i paramenduar. Këtu u përpoq, të paktën, të provonte.

Siç thoshte ai vetë: “Unë do ta vërtetoj, zotërinj, do ta vërtetoj dyfish. Së pari nën dritën verbuese të fakteve dhe pastaj nën ndriçimin e dobët të psikologjisë së këtij shpirti kriminel”. Ai i përmblodhi faktet duke filluar me vdekjen e mamasë.

 Përmendi pandjeshmërinë time, padijen time në lidhje me moshën e mamasë, banjat e detit të nesërmen me një femër, kinemanë, Fernandelin dhe, së fundi, kthimin në shtëpi me Marinë. Në atë çast m’u desh kohë për ta kuptuar, sepse ai thoshte “dashnoren e tij” dhe për mua ajo ishte Maria. Më pas ai erdhi te historia e Rajmondit. M’u duk se mënyrës së tij për t’i parë gjërat i mungonte kthjelltësia.

Ato që thoshte ishin të besueshme. Unë kisha shkruar letrën në marrëveshje me Rajmondin për të bërë për vetë dashnoren e tij dhe për t’ia dorëzuar një njeriu me “moral të dyshimtë” që ta rrahë. Kisha provuar në plazh kundërshtarët e Rajmondit. Ky qe plagosur. Unë i kisha kërkuar revolverin. Isha kthyer vetëm për të qëlluar. Kisha vrarë arabin, siç e kisha menduar. Kisha pritur. Dhe “për t’u siguruar që puna ishte kryer mirë”, kisha shkrehur edhe katër plumba, qetë-qetë, i sigurt në mënyrë të studiuar pak a shumë.

“Dhe ja, zotërinj, - tha zëvendësprokurori, - përshkrova para jush fillin e ngjarjeve,  që e çoi këtë njeri në vrasje me vetëdije për atë që bënte. Ngul këmbë për këtë,  - tha ai. - Sepse nuk bëhet fjalë për një vrasje të zakonshme, për një veprim të pamenduar, që ju mund t’i quanit rrethanat lehtësuese. Ky njeri, zotërinj, ky njeri është i zgjuar. Ju e dëgjuat apo jo? Ai di të përgjigjet. Ai e di vlerën e fjalës. Dhe s’mund të thuhet se veproi pa kuptuar se ç’bënte”.


Rrethoni alternativën e saktë.


1. Botimi i romanit I huaji i dha shtysë lindjes së letërsisë së:

a. Realizmit,

b. Absurdit,

c. Ekzistencializmit,

ç. Simbolizmit.


2. Romani I huaji është i ndarë në dy pjesë. Qëllimi i një strukture të tillë është:

a. të rrëfejë ngjarjen nga një këndvështrim; 

b. të rrëfejë ngjarjen nga disa këndvështrime; 

c. të rrëfejë ngjarjen nga dy këndvështrime.


3. E veçanta e rrëfimit në këtë roman është:

a. heroi rrëfen në mënyrë të sinqertë, pa bërë komente;

b. rrëfimi nuk e emocionon lexuesin, por ngacmon ndjeshmërinë e tij;

c. autori lë lexuesin të gjykojë vetë ngjarjen;

ç. të gjitha së bashku. 


4. Dielli dhe nxehtësia ndikojnë te Mërsoi dhe në rrjedhën e ngjarjeve, duke:

a. u bërë vektorë të vuajtjes dhe të vdekjes/theksojnë pikat kryesore të veprimit;

b. mos e orientuar vëmendjen e personazhit në drejtim të gabuar; 

c. nxitur linjat kryesore të veprimit drejt zgjidhjes së konfliktit. 


5. Përveç strukturës së jashtme të veprës, realizohet një strukturë e brendshme e ngjarjes nga:

a. marrëdhënia e Mërsoit me njerëzit;

b. tri vdekjet që ndjekin njëra-tjetrën në ngjarje;

c. ndikimi i kushteve atmosferike në të. 


6. Çfarë e bën të huaj Mërsoin?

a. Fakti që është i pandjeshëm;

b. fakti që nuk u kushton vëmendje rregullave të pashkruara të shoqërisë;

c. fakti që, nën efektin e diellit dhe nxehtësisë, i kushton vëmendje më të madhe aspektit fizik se atij emocional;

ç. akti i krimit që ai kryen;

d. të gjitha së bashku.


7. Kamyja është përfaqësues i filozofisë së absurdit. Bazuar në qëndrimin dhe sjelljet e Mërsoit në roman, përkufizimi i  "absurdit" është:

a. përpjekja për t’u përshtatur dhe për të jetuar sipas rregullave të shoqërisë;

b. disharmonia mes dëshirës për të gjetur kuptimin e jetës, për të vendosur rregulla dhe synime në jetë dhe dëshirës për të jetuar e shijuar gjerat e vogla pa e vrarë mendjen më tej;

c. indiferenca ndaj botës dhe gjithçkaje që ekziston rreth njeriut.


8. Absurdi përfaqëson: 

a. revoltën individualiste,

b. luftën për ekzistencë,

c. tjetërsimin e individit në shoqëri, 

ç. tëhuajësimin;

d. të gjitha së bashku.


9. Kamyja e realizon absurdin përmes një stili që karakterizohet nga:

a. zbërthimi i hollësishëm psikologjik, i dhënë përmes rrëfimit të detajuar, me figuracion të pasur artistik;

b. rrëfimi simbolik, fragmentarizmi dhe përpunimi i lartë i shprehjes artistike; 

c. stili asnjanës, mungesa e figuracionit abstragues, fjalitë e shkurtra, që fshehin tensionin e brendshëm.


10. Në fragmentin e dhënë absurdi përfaqësohet nga;

a. mënyra se si personazhi percepton së jashtmi ngjarjet;

b. mënyra se si satirizohet sistemi i drejtësisë;

c. mënyra paradoksale se si ndihet i përjashtuar nga gjyqi;

ç. mënyra se si personazhi qëndron indiferent ndaj asaj që ndodh në sallë; 

d. të gjitha së bashku.


11. Atmosfera në fragment është: 

a. e mbytur,

b. e mbushur me emocion,

c. e tensionuar,

ç. e qetë.


12. Në fragment paraqitet këndvështrimi i brendshëm i ngjarjeve përmes:

a. foljeve modale mund, duhet;

b. foljeve në vetën I  njëjës, që tregojnë perceptim të veprimeve;

c. foljeve në mënyrën urdhërore.


13. Pse Kamyja ka zgjedhur të ndryshojë këndvështrimet e rrëfimit të ngjarjes,  nga ai i brendshëm në atë të jashtëm?

a. I krijon mundësi lexuesit ta shohë ngjarjen nga disa këndvështrime e të gjykojë rreth saj;

b. përforcon hendekun mes asaj që thuhet për Mërsoin dhe asaj që ai mendon e ndien;

c. sjell një stil të ri rrëfimi, të ndryshëm nga eksperiencat e mëparshme; 

ç. të gjitha së bashku.


14. Përjashtimi i Mërsoit në fragment realizohet me anë të:

a. heqjes së të drejtës për të folur e për t’u mbrojtur;

b. toni i prerë i avokatit dhe përdorimi i foljes në mënyrën urdhërore;

c. ndërrimin e formave të foljes, kalimi nga forma veprore në joveprore; 

ç. të gjitha së bashku.


15. Nëse në fragment Mërsoin e dallon mungesa e veprimeve, e fjalëve dhe mospërshtatja me frymën e përgjithshme në roman, po prokurorin, çfarë e bën të dallueshëm prej tij dhe  të përshtatshëm për shoqërinë?

a. Mban duart lart dhe akuzon;

b. shfaqet si aktor, përshtat gjestet, qëndrimin dhe argumentet me mënyrën që shoqëria kërkon;

c. ka ndërtuar një aktpadi të mirëpërgatitur;

ç. përdor në mënyrë të shkëlqyer retorikën;

d. portretizon heroin me psikologjinë e supozuar të një vrasësi; 

dh. të gjitha së bashku. 


16. Prokurori dhe avokati kryejnë gati të njëjtat veprime (ngrenë duart lart), shprehen me fjali gati në  mënyrë identike. Ç’tregon kjo për sistemin e drejtësisë?

a. Është një sistem drejtësie i cili e gjykon individin në bazë të ligjeve dhe veprës penale të kryer;

b. është një sistem drejtësie i cili e gjykon individin pa e kuptuar, bazuar në formula klishe arbitrare; 

c. është një sistem drejtësie i cili gjykon mbështetur në ligje, por i gjithashtu e vlerëson rastin duke kuptuar rrethanat dhe psikologjinë njerëzore. 


17. Në rrëfimin e Mërsoit bie në sy përdorimi i ligjëratës së drejtë. Funksioni i përdorimit të saj është:

a. të tregojë mospërputhjen mes këndvështrimit të Mërsoit dhe të prokurorit;

b. ta bëjë më të besueshme ngjarjen;

c. të afrojë lexuesin me personazhin;

ç. të gjitha së bashku. 


18. Indiferentizmi i Mërsoit në gjyq është:

a. shkak i veprimit të anëtarëve të trupit gjykues;

b. pasojë e veprimit të prokurorit dhe trupit gjykues;

c. asnjëra nga të dyja.


19. Si rezultat i këtij veprimi, heshtjes dhe indiferentizmit të Mërsoit, rrëfimi në fragment është i mbushur me:

a. lirizëm e përjetim emocional,

b. dramaticitet e tragjizëm,

c. përshkallëzim të situatës,

ç. asnjëra nga alternativat. 


20. Konflikti kryesor në këtë fragment është:

a. mes vapës që e lodh Mërsoin dhe gjyqit që zhvillohet;

b. mes prokurorit dhe avokatit të çështjes;

c. mes me trupit gjykues që pandeh se i di të gjitha dhe jetës shqisore të Mërsoit që e merr jetën si t’i vijë;

ç. të gjitha së bashku.


21. Prokurori përmend në fragment frazën qartësi e verbër, e cila nuk është zgjedhur në mënyrë të rastësishme nga Kamyja. Përdorimi i saj është:

a. shprehje e formulave klishe të përdorura në sallën e gjyqit;

b. frazë kontekstuale e përdorur brenda fushës semantike të fjalës diell, që gjen kaq shumë përdorim në vepër;

c. evidentimi pa dashje i shkakut të vërtetë të krimit të Mërsoit.


22. Shprehja qartësi e verbër në aspektin gjuhësor është:

a. antonim,

b. antonimi kontekstuale,

c. sinonim,

ç. homonim. 


23. Ligjërimi i Mërsoit në fragment karakterizohet nga:

a. fjali të gjata të ngjeshura me figuracion artistik;

b. fjali të shkurtra e të thata;

c. përdorimi i theksuar i mbiemrave;

ç. asnjëra prej alternativave.



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

22,038 Lexime
4 vjet më parë