Intervistë

Intervistë me Alberie Rraci Sejdiu: Një mësimdhënës i mirë duhet të jetë hulumtues dhe nxënës i përjetshëm

Alberie Rraci Sejdiu ka filluar të punojë si mësimdhënëse pa mbushur 20 vjeç, fill pasi ka mbaruar shkollën e lartë Pedagogjike. Edhe pse ka kaluar dy dekada përvojë, ajo thotë se vazhdon ta ushtrojë misionin e saj me shumë entuziazëm dhe dashuri...dhe sipas saj ky është sekreti për të pasur sukses.

Në profilin e saj profesional spikat fillimisht mosha shumë e re në të cilën ajo është prezantuar para vogëlushëve të klasave fillore. Alberie Rraci Sejdiu për herë të parë ka filluar të punojë si mësimdhënëse pa mbushur 20 vjeç, fill pasi ka mbaruar shkollën e lartë Pedagogjike. “Ligjëratat dhe provimet i përfundova në qershor, në shtator fillova punën, në nëntor mbusha 20 vjeç. Me vonë kam mbaruar edhe fakultetin e edukimit (bachelor) si dhe master për pedagogji”, rrëfen Albëria, në intervistën e dhënë për Portalin Shkollor Albas. 


Entuziazmi dhe dëshira e punës nuk ka ndryshuar aspak te ajo edhe pse ka kaluar mbi dy dekada përvojë pune. Mund të them se me kalimin e kohës, ka ndryshuar ndoshta, forca e energjia, por jo dhe vullneti e dëshira për të punuar me fëmijët”, thotë Albëria. 


Para se të fillonim intervistën Albëria na ka rrëfyer gjithashtu edhe për një shkëputje që ajo ka bërë nga misioni i saj si mësimdhënëse në Kosovë, por për t’u pasuruar me eksperienca të vendeve jashtë. “Për një dekadë kam bërë një shkëputje, sepse bashkë me familjen time ika jashtë shtetit (në mision diplomatik me bashkëshortin). Por gjatë asaj periudhe, kam përcjellë shumë praktika mësimdhënieje, si dhe kam ndihmuar (punë vullnetare) në shumë shkolla në Turqi dhe Amerikë. Këto praktika në këto vende, duke vëzhguar drejtpërdrejtë procesin e mësimdhënies, më kanë ndihmuar shumë që të reflektojë më vonë në punën time me nxënësit kur u ktheva në atdhe”, thotë Albëria. 


Kohët e fundit Alberie Rraci Sejdiu ka bashkëpunuar me shtëpinë botuese Albas, si autore e teksteve shkollore “Njeriu dhe Natyra”, për klasën e dytë, të tretë dhe të pestë. “Kjo punë më ka tërhequr dhe më ka pëlqyer shumë. Besoj që do të vazhdojmë këtë bashkëpunim dhe në të ardhmen”, ka pohuar ajo.


 “Rumi thotë: Lëreni bukurinë e asaj që doni të jetë ajo që bëni. Mësimdhënia është ajo që unë kam dashur ta bëj gjithmonë, dhe diçka që e do ose e dashuron, përpiqesh ta shohësh më të bukur çdo ditë. Një punë që bëhet me pasion, çfarëdo pune qoftë ajo, mendoj që tregon rezultate të dukshme”.



Albërie, pas gjithë eksperiencës tuaj si mësuese e ciklit fillor në Kosovë, dëshirojmë të na afroni me informacione konkrete dhe pse jo me këshilla në lidhje me ushtrimin e këtij profesioni. Le ta nisim me sfidat. Cilat janë sfidat kryesore që ballafaqohen mësuesit në përditshmërinë e tyre në klasë?


Nuk mund të themi që sfidat janë të njëjta për të gjithë mësimdhënësit, të paktën dallojnë shkolla nga shkolla apo vendi nga një vend  tjetër. Shkolla ku unë punoj gjendet në qendër të Prishtinës dhe këto shkolla janë të mbingarkuara me nxënës për shkak të përqendrimit të shtuar dhe zhvendosjes së popullsisë nga vendet më të vogla në qytetet më të mëdha. Shkolla ku unë punoj (Hasan Prishtina) ka diku rreth mbi 2300 nxënës. Pra për momentin sfidë kryesore kemi numrin e madh të nxënësve në klasa. Do të ishte mirë qe të kishim mësuesve ndihmëse (asistente) në klasë, që ta kemi më të lehtë procesin menaxhues dhe të mësimdhënies në klasë. Mësimi me dy turne mendoj që na vështirëson deri diku punën, sepse orari i  shkurtër na “detyron” që të ngjeshim edhe plan-programin, e nuk kemi kohë për përsëritje të mjaftueshme, për aktivitete e punë praktike në shkolla. Sfida tjera janë edhe infrastruktura e vjetruar dhe jo digjitalizimi i klasave, që na pamundëson përdorimin e teknologjisë .



Po mungesë të burimeve dhe të materialeve të nevojshme për zhvillimin e mësimdhënies në shkollat e arsimit fillor në Kosovë, a ka?


Gjithmonë po flas për vetën time, unë nuk kam fare problem në gjetjen e burimeve dhe materialeve të nevojshme për nxënësit në shkollë. Në fakt kam qasje në shumë faqe ndërkombëtare edukative (shpeshherë edhe me pagesë), po mjafton që të kem materiale shtesë dhe të nevojshëm për nxënësit e mi. Këto materiale pastaj i konvertoj dhe i përshtas për nxënës. Shpeshherë edhe i postoj në faqe të ndryshme edukative që t’i shfrytëzojnë kush ka nevojë. Edhe për mësimdhënësit e rinj që janë përdorues të teknologjisë dhe njohin gjuhë të huaja, besoj që e kanë të lehtë qasjen në burime të ndryshme të materialeve për zhvillimin e mësimdhënies.



Si mund të adresohen problemet e mungesës së infrastrukturës në disa shkolla?


Problemet e mungesës së infrastrukturës adresimin e kanë të njohur, duke u nisur nga drejtoritë komunale, ministritë e qeveria. Nuk mund të themi që nuk është punuar në këtë drejtim, sepse siç e dimë gjatë luftës në Kosovë janë djegur e shkatërruar shumë shkolla dhe institucione të ndryshme edukativo-arsimore. Janë ndërtuar shkolla të reja, po nuk duhet të vetëkënaqemi me një shkollë të re, shkolla e re për mua nënkupton, jo vetëm objektin e ndërtuar po investime të vazhdueshme në kabinete e laboratorë, arena apo fusha sportive e lodra për fëmijë, kopshte botanike për punë praktike të nxënësve dhe hapësira  të  ndryshme të përshtatshme për ngritjen e cilësisë në arsim.



Çfarë mund të bëhet për të rritur motivimin dhe përkrahjen ndaj mësuesve në sistemin arsimor në Kosovë?


Motivimi te ne është i ulët me të thënë të vërtetën, mësimdhënësi nuk vlerësohet sa duhet në shoqërinë tonë, llogaridhënia është e lartë, qoftë nga ana e prindërve ashtu edhe nga menaxherit. Bashkëpunimi mes kolegëve dhe mësimdhënës-prindër le për të dëshiruar... 

Nuk duhet të harrojmë se kur këto hallka janë të lidhura mirë dhe fort mes tyre, vetëm  atëherë do të kemi një mësimdhënie cilësore. 



A ka diçka që do të dëshironit që të përmirësohej në punën tuaj të përditshme?


E thashë edhe më lartë, puna që bëhet me dashuri, ke dëshirë që ta shohësh çdo ditë mirë e më mirë. Ne përcjellim nxënësit nga klasa e parë në të pestën, e kur rifillojmë me gjeneratën, marr të shfletoj e të shohë materialet se çka kam punuar në klasat paraprake. Përherë nuk jam e kënaqur me veten, edhe përgatisë materiale të tjera duke u munduar t’ia përshtat moshës, strukturës së nxënësve, ambientit, e shumë e shumë faktorëve të tjerë që ndikojnë drejtpërdrejtë në mësimdhënie. Secila gjeneratë që na vjen, është e ndryshme dhe unike. Pra një mësimdhënës i mirë duhet të jetë hulumtues, apo nxënës i përjetshëm i jetës.



Intervistoi Xhoana Jaku 

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

859 Lexime
3 muaj më parë