Reflektim

Irida Xhura: Edukimi dygjuhësor dhe raporti me identitetin kombëtar

Nëse mundeni ta mbani drejt peshoren e dygjuhësisë, kjo i shërben fëmijëve, nëse jo, jepuni atyre kohën të përvetësojnë mirë së pari gjuhën amë, e më pas çdo gjuhë tjetër të huaj. Rritini fëmijët me dashuri për atdheun, për gjuhën, për kulturën. Asnjë pemë nuk lulëzon nëse nuk e di ku i ka rrënjët e veta.

Nga Irida Xhura


Njohja e një gjuhe të re, përveç gjuhës amë, të hap horizontet drejt një kulture tjetër. Gjuhët e huaja jo vetëm përmirësojnë aftësitë gjuhësore, lehtësojnë komunikimin me të huajt, shtojnë mundësinë e punësimit etj., por edhe të ofrojnë mundësinë e të qenit qytetar i botës. Në këtë këndvështrim përvetësimi i një apo më shumë gjuhëve të huaja konsiderohet pasuri, por le të ndalemi pak te edukimi dygjuhësor që po marrin shumë fëmijë në shkollat tona. Sa po i kushton ai gjuhës shqipe?


Shqipëria është një vend i vogël, i begatë, por i konsideruar i pasigurt për të ardhmen nga të rinjtë, së paku në 20-vjeçarin e fundit. Për shkak të viteve të gjata në tranzicion, zhgënjimit nga mungesa e meritokracisë, pagat e ulëta etj., të rinjtë priren ta projektojnë jetën e tyre jashtë trojeve dhe duket se studimi në shkollat me kurrikul ndërkombëtare është mundësia e artë. Këto shkolla janë pasaporta për t’u larguar nga atdheu.


Numërohen rreth 14 shkolla ndërkombëtare në Tiranë, në të cilat aplikohet kurrikula në gjuhë të huaj. Kjo do të thotë se nxënësit i zhvillojnë lëndët shkencore ose të gjitha lëndët në gjuhën angleze. Ata studiojnë edhe lëndët Gjuhë shqipe dhe Letërsi, por këto zënë vetëm një hapësirë të vogël të arsimimit të tyre, përkatësisht 4 orë në javë nga kl.I-XII, ndërkohë që në shkollat me kurrikul shqiptare këto lëndë zhvillohen përkatësisht nga kl. I-II 8 orë në javë, klasa III 6 orë në javë, klasa IV-IX 5 orë në javë,dhe nga klasa X-XII4 orë në javë dhe çdo lëndë tjetër gjithashtu zhvillohet në gjuhën shqipe.


Duke konstatuar se në këto shkolla gjuha shqipe nuk studiohet thellësisht, lindin disa pyetje. A janë këta folës në gjendje t’i zotërojnë me të njëjtën kompetencë të dyja gjuhët? Cila gjuhë është prioriteti i tyre? A ka rrezik për t’u asimiluar kulturalisht? 


Mësuesit që punojnë me ta thonë se një pjesë e nxënësve e ka të qartë që e ardhmja e tyre është jashtë Shqipërisë, ndaj nuk mendojnë se gjuha shqipe u vlen. Gjithashtu prindërit e tyre kanë të njëjtin gjykim. Vetëm një pjesë e pakët e nxënësve angazhohen të përvetësojnë njësoj, të zotërojnë me të njëjtën kompetencë gjuhën shqipe dhe atë angleze. 


Ndërkohë që në vende si Suedia apo Zvicra shqiptarëve u ofrohet mundësia nga shteti të mësojnë gjuhën shqipe për të ruajtur identitetin e tyre kombëtar, në Shqipëri duket se askush nuk shqetësohet për këtë aspekt, madje prindërit krenohen kur dëgjojnë fëmijët e tyre që sapo kanë filluar të shqiptojnë fjalët e para, t’i thonë ato anglisht. Ata investojnë që fëmijët të shkollohen me kurrikulën dygjuhësore, por nuk angazhohen në edukimin mbi rëndësinë e shqipes. Mësimi në gjuhën angleze po dominon mbi mësimin në gjuhën shqipe dhe ka dëmtuar ndjeshëm aftësitë gjuhësore të shqipfolësve. Ekspozimi për një kohë të gjatë ndaj gjuhës së huaj bën që fjalori aktiv të përmbajë më shumë fjalë të asaj gjuhe që përdorim dhe të harrojmë gjuhën tonë.


Dendur dëgjojmë fraza, të cilat kanë strukturën sintaksore të anglishtes dhe fjalë, të cilat kanë gjegjëset e tyre në gjuhën shqipe (p.sh.: në mendimin tim, eksperiencoj, afektoj, është në dashuri, influencoj, limitohem, alertohem etj.). Sigurisht që për këtë problematikë përgjegjësia është mbi secilin folës që shtrembëron gjuhën, është përgjegjësia e familjes, e medies, e artistëve, e mësuesve, e gazetarëve, e politikanëve, e të gjithëve ne. Rreziku që i kanoset gjuhës nuk bën zhurmë, ai mësyn ngadalë si një armik dinak dhe depërton pa u ndjerë derisa të zërë vend mirë e mirë e të lëshojë rrënjë, ndaj reagimi, ndërgjegjësimi, informimi dhe kultivimi i dashurisë për gjuhën shqipe duhet trajtuar si prioritet. Nuk mjafton vetëm një projekt vjetor i Ministrisë së Arsimit, duhet ushqim i përditshëm!


Nga ana tjetër, nëse edukimi dygjuhësor aplikohet duke pasur të njëjtin kujdes për secilën gjuhë, fëmijët kanë një sërë përfitimesh si më poshtë:


  • Kujtesë më e mire: fëmijët që njohin dy gjuhë stërvitin trurin për të emërtuar objekte, sende, dukuri dhe mbajnë mend më shumë fjalë.
  • Zhvillim më i mirë konjitiv: aftësi shumë të mira për të zgjidhur probleme, zhvillim i mendimit kritik, shkathtësi në të menduar e në të vepruar.
  • Mundësi të shumëfishta punësimi në të ardhmen: një prej kritereve të punësimit lidhet me njohjen e gjuhëve të huaja, ofron mundësi për kontrata pune ndërkombëtare, pagë më të lartë etj..
  • Hapje ndaj kulturave të tjera: nëpërmjet përvetësimit të dy gjuhëve, fëmijët fitojnë një njohje më të thellë të kulturave, të traditave, të perspektivave të ndryshme. Ata zhvillojnë tolerancën dhe zbehin etnocentrizmin, stigmat apo barrierat kulturore.
  • Zhvillimi social më i lartë: fëmijët në mjedise dygjuhëshe priren të kenë më shumë vetëbesim, jo vetëm në përdorimin e aftësive të tyre gjuhësore, por edhe në ndërveprimet e tyre sociale. Ata përshtaten lehtësisht dhe janë më mendjehapur. 


Nëse mundeni ta mbani drejt peshoren e dygjuhësisë, kjo i shërben fëmijëve, nëse jo, jepuni atyre kohën të përvetësojnë mirë së pari gjuhën amë, e më pas çdo gjuhë tjetër të huaj. Rritini fëmijët me dashuri për atdheun, për gjuhën, për kulturën. Asnjë pemë nuk lulëzon nëse nuk e di ku i ka rrënjët e veta.



©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

494 Lexime
3 muaj më parë