Mësimdhënësit në botë

“Jam e pakënaqur si mësuese, paga ime është vetëm 78 mijë dollarë në vit”

Pse mësuesit nuk po duan të jenë më mësues edhe në botë? Në SHBA disa nga rrogat vjetore të tyre arrijnë deri në 80 mijë dollar por për mësimdhënësit janë të pamjaftueshme për punën që bëjnë dhe shpenzimet që kanë.

Bazuar në pyetësorët e realizuar nga We are the teachers dhe përgjigjet anonim nga mësimdhënësit, kemi sjellë disa informacione se pse edukimi në botë ka filluar të ketë rënie dhe pse mësuesit po duan të heqin dorë nga ky profesion.

 

Anketa e parë është realizuar me një mësuese nga Kansas, e cila ndau përvojën e saj në fushën e arsimit. Ajo tregoi që paga fillestare e saj ishte 40.000 $ në vit, ndërsa tashmë me një përvojë pune rreth dhjetë vjeçare ajo paguhet 55.000 $ brenda vitit.


Por, pa marë parasysh këtë, mësuesja nga Kansasi nuk është e kënaqur me pagën sepse sipas saj  ajo ende has sfida financiare, qofshin borxhet apo shpenzimet për mbijetesën e përditshme (qiraja, energjia, sigurimi, ushqimi etj).


“Nëse kemi probleme me makinën ose kemi një pajisje të prishur, ne përfundojmë duke përdorur një kartë krediti dhe krijojmë më shumë borxhe. Ne duhet të kemi mjaft kujdes në ruajtjen e parave edhe për t’u argëtuar.”, tha ajo.

 

Pra, për mësuesit në botë, qëndrimi në fushën e arsimit shpesh bëhet një sfidë financiare, duke kërkuar zgjedhje dhe strategji të vështira për të mbijetuar dhe për të siguruar nevojat e tyre dhe të familjes.

 

Anketa e dytë është realizuar me një profesionist të mësimdhënies, i cili për një periudhë prej 17 vjetësh, ka arritur nga 31.000 $ në vit të arrij pagën në 78.000 $. Për këtë mësues, që në dy javë paguhet rreth 1600 dollarë, duke pasur parasysh rritjen e  kostos së jetesës, një pagë e tillë nuk është e mjaftueshme.

 

Në pyetjen se a mendon të qëndrojë prapë në fushën e arsimit edhe pse ka pakënaqësi, ai përgjigjet me po, por jo më si mësues.

 

Kjo pasqyron shtrirjen e problemeve të mëdha sociale dhe ekonomike në arsim në mbarë botën dhe thekson nevojën për ndryshime në politikat e pagave të mësuesve për të siguruar një jetë të qëndrueshme financiare për ata që shërbejnë në fushën e arsimit.

 

Pakënaqësi financiare hasin edhe mësimdhënësit shqiptar. Në Kosovë dhe Shqipëri pagat variojnë nga 500-600 euro në muaj dhe mësuesit vazhdimisht shprehen se një pagë e tillë është e pamjaftueshme karshi rritjes së çmimeve dhe shtrenjtimit të jetës.



Përgatiti: Arlinda Hajdarajgazetare përgjegjëse e Portalit Shkollor Albas për Kosovën. 
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

343 Lexime
1 javë më parë