"Ju më mësuat të dua librin", rrëfimi prekës i mësueses Yllka Talo pas takimit me ish-nxënësin

Një takim pas 30 vitesh, një puthje duarsh dhe lot mirënjohjeje rikthyen në zemrën e mësueses Yllka Talo forcën e profesionit më të bukur: të jesh mësuese. Një rrëfim prekës që dëshmon se dashuria për librin dhe nxënësit lë gjurmë të përjetshme në shpirt.

Nga Yllka Talo 


Sot përjetova një nga ato çaste që nuk harrohen kurrë, sepse nuk mbahen në kujtesë, por në shpirt. Një moment që më preku thellë dhe më bëri të besoj, edhe një herë, se kam zgjedhur profesionin më të bukur në botë: të jem “MËSUESE”.


Teksa po largohesha nga shkolla për t’u kthyer në shtëpi, pranë oborrit më ndaloi një prind që po priste të merrte djalin e tij. Më vështroi për disa sekonda, sikur në fytyrën time kërkonte një kohë të largët që vetëm zemra e kujton.


— “Ju jeni mësuese Yllka?” — më pyeti me zë të dridhur.


— “Po…” — iu përgjigja.


Në atë çast më mori duart dhe m’i puthi me një mirënjohje që nuk ka fjalë ta përshkruajë. Ishte hera e parë në jetën time që duart e mia prekeshin nga një ndjenjë kaq e pastër, kaq njerëzore. Dhe për një çast, bota u bë e qetë… sikur koha vetë ndaloi për të dëgjuar atë heshtje të bukur.


Sytë iu mbushën me lot.


E hutuar dhe e prekur thellë, e pyeta:

— “Kush jeni?”

Ai buzëqeshi mes lotëve.

— “Kam qenë nxënësi juaj…”


Dhe aty, kujtimi u kthye si një dritë e largët që ndizet papritur në errësirë. E njoha menjëherë. Ishte ai djali i vogël, biond me kacurrela, me atë shikim të pastër fëmijëror që dikur mbushte bankat e klasës sime me jetë.


Në atë çast ndjeva se koha u përkul mbi ne. Nuk ishim më në të tashmen, por mes dy kohësh që u takuan papritur. Kaluan 30 vite… dhe megjithatë, për një moment, mu duk sikur nuk kishte kaluar asnjë ditë — sikur përballë meje qëndronte ende ai fëmija i vogël i dikurshëm.


U mata të largohesha, por ai më ndaloi sërish, më puthi duart edhe një herë dhe më tha:


— “Ju nuk keni qenë vetëm mësuese për mua… Ju më mësuat të dua librin. Dhe unë lexoj edhe sot.”


Dhe atëherë zemra ime u mbush aq shumë, sa lotët nuk i mbajta më. Ishin lot që nuk dhembin, por ngrohin; lot që nuk rëndojnë, por lehtësojnë shpirtin. Sepse ka lot që nuk lindin nga dhimbja, por nga mirënjohja që nuk di si të shprehet ndryshe.


Dhe mendova me vete se asgjë nuk ka më shumë peshë në këtë jetë sesa një zemër që të kujton pas kaq vitesh. Aty ku kupton se “MËSUESE” nuk është thjesht një fjalë, por një gjurmë e padukshme që jeton në jetën e dikujt përgjithmonë.


Ky është vlerësimi i vërtetë që merr një mësues. I vërtetë dhe thellësisht i ndjerë.


Sepse ka takime që nuk janë rastësi… janë kthime të shpirtit në vendin ku ka dashur të mbetet.


Sot u ndjeva njeriu më i lumtur në botë. 

Disa nxënës nuk largohen kurrë nga zemra e një “MËSUESEJE”.

Sot ma kujtoi O.V

380 Lexime
8 orë më parë