Si e justifikojmë sot dobësinë e moralit

Ku janë sot personazhet e këqij?

“Mbase, asnjëherë nuk ka patur një personazh të keq. Mbase, personazhi i keq është rezultat i fatkeqësive të tij dhe në vend që t’i ndëshkojë, ne duhet të na vijë keq e t’i ndihmojmë. Gjithkush prej nesh mund të bëhet i tillë”

“Mbase, asnjëherë nuk ka patur një personazh të keq. Mbase, personazhi i keq është rezultat i fatkeqësive të tij dhe në vend që t’i ndëshkojë, ne duhet të na vijë keq e t’i ndihmojmë. Sespe gjithkush prej nesh mund të bëhet, në rrethana të ndryshme, një i tillë”, – duket sikur thuhet sot më shumë se kurrë. Thuhet me veprime. Thuhet, sepse të qenurit i keq është të jesh më i lirë, të mos ndjesh faj dhe përgjegjësi, të mos vuash pasoja. Kjo është madje dhe nga temat kryesore që parashtrohet në “Krim dhe ndëshkim” të Dostojevskit. 


Tendenca e dukshme drejt njohjes dhe njehsimit vazhdon rrugën e saj pasi imponohet. Të qenurit i bashkuar është burim sigurie dhe dija presupozon pushtet. Prej kësaj, ne nxjerrim konkluzionin se ne kërkojmë civilizimin, kurse afrimi drejt tij është afrimi drejt paqes e qetësisë. 


Ne jetojmë për të përmbushur standardet e njeriut që njohim. Megjithatë ne vazhdojë të meditojmë rreth pyetjes “çfarë është njeriu”. Në fakt, gjërat janë gjithmonë në ndryshim. Unë mendoj se detyra jonë parësore si njerëz është të përshtatemi, që të mbijetojmë, për të jetuar. Formimi ynë nga fëmijëria e hershme e deri në moshën e mesme është më drastiku, pasi dhe aftësitë tona për ta kryer “funksionin” tonë janë më të mprehta. Sigurisht, baza e formimit arrihet duke u kapur po pas rrethanave, pas shtyllave e shembujve. Përzgjedhja e tyre është dhe nuk është në dorën tonë, për aq sa mundet diçka të jetë. Në rastin e sotëm, faktori “internet” dhe “globalizëm” i përshtaten po nocionit të civilizimit, pra bashkimit për unitet. 

Por çfarë ndodh kur barrierat thyhen dhe elementë komplet jashtë rrymës dalin dhe krijojnë  tërmet të mendjes dhe “paqes” sonë të çmuar? Për thjeshtësi, ne i emërojmë këta elementë si “të këqij”. 


Deri diku, mund të thuhet se lufta jonë e përbashkët është lufta drejt së keqes. Duke i vënë emrin shumë gjërave si të tilla, e bëjmë të thjeshte evidentimin dhe më pas luftimin e tyre. Sa më shumë përballje me to, aq më të arrira bëhen mjetet tona. Kështu ka funksionuar deri më përpara si parim.


Detyrimisht, si rrjedhojë edhe “armiku” mëson të përshtatet po ashtu. Ai rafinon aftësitë e tij maskuese, dhe gjen mënyra të reja për të arritur atë që do. Ai mund të fshihet si i mirë, mund  të mjeshtërojë aktrimin, mund të krijojë personalitete të ndryshme për të mbijetuar e fituar. Prandaj, edhe në librat e sotëm, vihet re një rrymë e huaj, që fillimet e saj përkojnë dhe e fillimet e pranimit të “teorisë së absurditetit”. 


Rryma ekzistencialiste e sjellë nga Sartri, Kamy e Heideger, i dha njerëzve disa pikëpamje tronditëse në lidhje me botën dhe thelbin e të qenurit. 


Duke mohuar kështu një zot, individi mund të mohojë e të justifikojë mirëqenien e të gjitha veprimeve e synimeve të tij. Zoti, ekuivalent me “të mirën” dhe “të drejtën” tashmë nuk ekziston në mendjen e shumë më shumë njerëzve, kështu që veprimet e tyre nuk i kanë më pasojat mbi ta. 


Pa kaluar në qëndrime të besimeve, fakti është që pasojat janë gjithmonë aty, por kësaj here ata që vuajnë si rrjedhojë neglizhencën e njërit për tu përballur më vetveten, janë të tjerët. 

Në libra apo filma klasikë, heroi lufton armikun. Ka raste, që armiku kthehet në aleat, dhe paqja arrihet për të gjithë. Lufta po ashtu për ta arritur këtë “marrëveshje”, del mjaft e zbutur. Njerëz vdesin përditë, të tjerë lindin. Asnjë nga këto nuk shoqërohet pa dhimbje. Prej dhimbjes ne mund të ndjejmë kënaqësinë e paqes. Ndryshe, paqja do të fillojë të ketë armiq të tjerë, që luftojnë jo me gjaknxehtësi dhe brutalitet të dukshëm, por me mjete të tjera të kamufluara mirë. Këto janë të reja për ne, fëmijët e paqes. Heronjtë e luftërave dhe superheronjtë e filmave janë shumë larg perceptimit tonë, saqë gjendja në të cilën shpesh biem mund të quhet vetëm dobësi, e vulnerabilitet. “Të këqijtë” e sotëm nuk mbajnë më brirë mbi kokë. Në zonat e luftës, asnjëra dhe të dyja palët nuk janë të tilla. Ata luftojnë për një të mirë, luftojnë për paqe dhe pamvarësi, luftojnë për interesin e tyre. Por në fund luftojnë duke derdhur gjak e humbur jetë. 

Po nëse papritur dikush të kërcënon me jetën në shkëmbim të pasurisë, a mund të thuhet se të vrasësh është cilësi e të keqit, nëse t’i lufton për veten tënde? 


Sa më shumë rritet volumi i njohurive tona, aq më shumë shtresa e nënndarje u shtohen të tjerave. Në duart e një elokuenti profesionist, të një avokati, gjithçka që dinim kthehet në të gënjeshtërt dhe ne sërish ri-evaluojmë definicionin tonë për atë që është “e drejtë”. A është “e mira” e drejtë po ashtu? 


Për të dalë dhe ne fitues mbi këtë rrymë ndryshimi, shpejtësia e të cilit rritet, mendoj se e nevojshme është të kemi disa pika referimi. Sado që njeriu i përshtatet ambientit, disa karakteristika janë gjithmonë të dukshme, dhe ndryshimi në to bëhet në proporcion, në vijë paralele, si një thyesë në rritje. Duke synuar drejt thyesës së thjeshtë, mund të pretendojmë të hedhim dritë mbi gjithë koklavitjet e parashtruara. 


Sido që të jetë, unë më shumë se kurrë dalloj kaos në paqen tonë, dhe njerëz që kërkojnë luftë për t’i bërë ballë. Shkrimtarët e kineastët duan të na ndihmojnë, duke i veshur me ngjyra të theksuara e pelerina personazhet, duke i dhënë aureola paqeruajtësve, duke u hedhur pluhur e vështrim të vëngër të tjerëve. Por jashtë ekranit e faqeve të shkruara, nuk ka më udhëzim për atë që sytë tanë shohin. Na mbetet ne në dorë, të lexojmë përtej rreshtave e dritave të semaforëve. Po ashtu, na mbetet ne në dorë, të ndërtojmë një të tashmë me më shumë përfitues, por mbi të gjitha, më një vijë të shtruar qartë drejtpeshimi të moralit. 


(Rea Shundi, Portali Shkollor)

3,035 Lexime
6 vjet më parë