Letërsia shqipe, 70% në toskërisht e 30% në gegnisht

“Letërsia shqipe dhe dialekti” ishte Konferenca Shkencore Ndërkombëtare që u mbajt më në Bibliotekën Kombëtare me fokus vështrime mbi gjuhën standarde shqipe dhe dialektet

Në konferencë morën pjesë akademikë, studiues dhe gjuhëtarë nga Shqipëria, Kosova dhe Italia, si Rexhep Ismaili, Sabri Hamiti, Kolec Topalli, prof. Kujtim Shala, prof. Ymer Çiraku, prof. Bashkim Kuçuku, prof. as. Nysret Krasniqi etj.

Drejtorja e Bibliotekës Kombëtare, Prof. Persida Asllani, tha në fjalën e hapjes se “akademikët dhe studiuesit nga Kosova vijnë në këtë konferencë në mënyrë të natyrshme dhe janë pjesë thelbësore e kësaj konference, në një temë të tillë, si letërsia shqipe dhe dialektet”. Mandej, duke prezantuar ekspozitën e çelur për këtë rast, Asllani tha se: “ndonëse e përmbledhur, ekspozita me arkivat e Bibliotekës Kombëtare propozon një nga perspektivat e shumta të trajtimit të dukurisë së dialektit në letërsinë shqipe, të cilën e sollëm si një ‘joshje’ për lexim dhe perspektivë të re. Ekspozita nis, jo vetëm me kontributin e Konicës, me arsyetimet e tij prej një filologu dhe gjuhëtari modern, por edhe me utopinë e tij provokuese rreth mënyrës se si duhej të ishte shkruar letërsia shqipe. Ajo vijon me një nga tiparet e debatit mbi gjuhën e njësuar ndër shqiptarë, përsiatjet, por edhe studimet e mirëfillta që janë propozuar nga shumë shkrimtarë të saj”.

Gjatë konferencës, prof. Dhurata Shehri, shefe e Departamentit të Letërsisë, njëkohësisht edhe promotore e bashkorganizatore e këtij aktiviteti, duke folur për “prerjet e shumta të letërsisë shqipe me dialektet e saj, e cila ndër vite ka kaluar nëpër prerje të ndryshme, duke u prekur e trajtuar në debate e diskutime të shumta në konferencat e vazhdueshme shkencore të organizuara nga Departamenti i Letërsisë”, përmendi një lidhje kuptimplotë të datës së zhvillimit të kësaj konference: “jo më kot është përzgjedhur kjo ditë e sotme, pikërisht për të diskutuar mbi letërsinë shqipe e dialektet, pasi kjo datë përkon edhe me 43-vjetorin e Kongresit të Drejtshkrimit dhe vendosjes së standardit të gjuhës letrare shqipe”, raporton GazetaShqiptare.

Kumtesat e mbajtura, prekën aspekte specifike të historisë së letërsisë shqipe, të dialekteve të shkruara përmes letërsisë, specifikat e periudhave të ndryshme të kësaj letërsie, veçantitë e dy dialekteve në marrëdhënie me letërsinë shqipe por edhe me gjinitë letrare, si dhe veçantitë e letërsisë shqipe të shkruar ndër shqiptarë pas vendosjes së standardit. Në kontekstin e rikthimit të një debati shkencor, dhe jo vetëm, mbi “paprekshmërinë” e standardit, kjo konferencë shkencore ofroi kënde të reja prej nga mund të këqyren rezultatet dhe pasojat e standardizimit gjuhësor në letërsinë shqipe.

Konferenca “Letërsia shqipe dhe dialekti” u mor me prerjen me bazë dialektin, çka nuk është e re në studimet shqiptare mbi letërsinë, sidomos në një letërsi si e jona, që dialektin e ka qendror për një periudhë shumë të gjatë (1555-1972), ajo përfshiu etapa të ndryshme në të cilën ka rrugëtuar letërsia shqipe. Ndër arsyetimet dhe debatet mbi shkrimin e letërsisë shqipe në raport me dialektet e saj bien në sy edhe ato të Konicës, Fishtës, Mjedës, Rizës, Çabejit, Resulit, Shuteriqit, Pipës, Camajt, Qosjes, Ismailit, Hamitit, Lloshit etj.

Studimi

Një prej kumtesave të konferencës solli rezultatet e një studimi të përbashkët të ndërmarrë nga dy studiueset e letërsisë, Prof. Dr. Persida Asllani dhe Prof. Dr. Dhurata Shehri, të cilat parashtruan për herë të parë në studimet letrare shqiptare të dhëna statistikore në lidhje me sasisë dhe tipin e botimeve në letërsinë shqipe shkruar në dy dialektet, gegë dhe toskë, deri në vitin 1972, vit i zyrtarizimit përfundimtar të gjuhës së njësuar në Shqipëri, por edhe përqafimit të saj në shumicë dërmuese në Kosovë.

Duke ndërmarrë një shqyrtim statistikor bibliografik, në parashtrimin e tyre, të artikuluar mes kronologjisë, gjuhës dhe dialektit, të dyja studiueset sollën një pamje përfundimtare të tërësisë së veprave letrare shqipe të botuara (duke shmangur ribotimet) nga zanafilla e tyre 1555 deri më 1972, e cila rezulton në raporte mesatare 70% vepra autoriale në toskërisht dhe 30% në gegnisht. Ky parashtrim nënkuptonte disa faza. Në atë nga zanafilla deri në krijimin e shtetit shqiptar, vërehet krijimi i një letërsie monumentale tradicionale.

Sipas studiueseve, tipikja e kësaj faze është kalimi nga dokumenti te monumenti gjuhësoro-letrar dialektor: 3 pamje dialektore, në tri areale, të cilat zhvillojnë dhe kulmojnë gjatë Romantizmit dhe përmes poetikës romantike me tri poetë kombëtarë, që të tre ndërtues dhe përfaqësues të autoritetit nacional: De Rada, Naimi dhe Fishta. Për Asllanin e Shehrin, në mënyrë të strukturuar, këtu dialekti është gjuhë kombëtare. Për pasojë, të tria sferat dialektore gëzojnë dhe zhvillojnë një ekzistencë të trefishtë e të barasvlershme edhe në shifra, dhe gjuha e letërsisë në veprat e shkruara synon kombëtaren, secila në arealin e saj (së paku) gjuhësor.

Në periudhën pasuese, që përmbyllet në vitin 1944, vërehet sërish një situatë relativisht e barabartë (me një përparësi të lehtë të gegnishtes). Ndërsa tiparet e kësaj faze janë krejt të ndryshme nga ato të pararendëses. Qysh me botimin e Albanisë (1897), realiteti i botimeve bëhet gjithëpërfshirës kulturalisht e sidomos edhe në pikëpamje gjuhësore-dialektore. Tashmë ekziston një letërsi e madhe kombëtare e përbërë nga prurjet e arealeve të veta gjeografiko-historiko-gjuhësore. Shehri e Asllani theksojnë se “së bashku ato përbëjnë Letërsinë Kombëtare. Por, nga ana tjetër, te shkrimtarët, ideologët, gjuhëtarët dhe njerëzit e kulturës lind e strukturohet një kërkim herë mitik e gjithnjë e më sistematik i një gjuhe të përbashkët. Paradoksalisht, sa më tepër thellohet çështja e ‘gjuhës së përbashkët’, aq më shumë shfaqet diversiteti shkrimor si kërkim unik i qenies në gjuhë. Nis e lulëzon ‘modernizmi’ e moderniteti. Poetikja versus Kodit (kodeve). Dialekti dhe ideolekti funksionojnë si larmi dhe asgjë nuk e pengon më receptivitetin e kësaj larmie”.

Ndikimi i diktaturës dhe braktisja e gegnishtes

Shehri e Asllani shënuan se menjëherë pas vendosjes së diktaturës komuniste ndodhi një ndryshim rrënjësor në vetë thelbin e shkrimit të letërsisë shqiptare. Për studiueset, kjo është faza më shfarosëse në aspektin e shkrimit të letërsisë gege por edhe në dëmtimin e letërsisë shqipe në përgjithësi. Tronditje e fortë e traditës dhe trashëgimisë moderne, prevalencë ideologjike e propaganduese, dhe strukturim i një politike gjuhësore agresive. Në thelb, viti 1972 përbën vetëm një kufi përmbyllës e madje deri edhe ligjor të optimit përfundimtar për një gjuhë të njësuar me bazë të fortë toskërishten letrare.

Nga një gegnishte e filtruar në nivel si gjuhësor-dialektor ashtu edhe në nivel figuracioni, duke shprehur vetëm tematika të tipit revolucionarizues të viteve 1945-1958, ecet me shpejtësi përmes autorësh që sprovohen vetë gjatë viteve ’60 në shkrimin e gjuhës së njësuar, herë me forma hibride e herë me kapërcime gjinore, ku mbizotëron tashmë proza e njësuar dhe më pak poezia (p.sh. Dh. Shuteriqi, K. Jakova, Filip Ndocaj etj.; po ashtu rasti Frederik Rreshpja në poezi: nga hibrid më 1968-ën në standard i pastër më 1973-shin), për të shkuar në fikjen e plotë të gegnishtes, braktisjes së saj prej autorëve që duan të botojnë ende dhe doemos. Përjashtimi i vetëm që njohim është Zef Zorba, shembulli se ku do të ishte letërsia shqipe e në gegnisht në kushtet e një zhvillimi të natyrshëm shoqëror e letrar. Për shembull, raportet në shifra nga vitet 1959 deri më 1972 tregojnë se në dialektin gegë është botuar vetëm 7% e teksteve letrare në tërësi. Më pas kjo shifër është zero!

Ndryshe ndodh në diasporën shqiptare – na kujtojnë dy kumtueset – e cila, e përfaqësuar nga veprat e Koliqit, Camajt, Pipës, Rexhë-Balajt etj., rreket jo vetëm të shpëtojë një trashëgimi thelbësore, por do të përcjellë rrezatimin e saj e do të bëhet edhe vetë e tillë, rrezatuese në nivel poetikash dhe gjuhe në lindjen e një letërsie të re shqipe të shkruar në gegnisht, letërsinë shqipe në Kosovë, si p.sh. vepra e Martin Camajt.

(Nga Fatmira Nikolli, GSH)

3,237 Lexime
8 vjet më parë