
Luan Stafasani: 456 shprehje frazeologjike që përdoren më shpesh në Mat
Ky shkrim sjell një pasuri të rrallë gjuhësore me 456 shprehje frazeologjike nga treva e Matit, të mbledhura nga përdorimi i përditshëm. Idiomat, si njësi të gatshme me kuptim figurativ, pasqyrojnë urtësinë popullore, pasurojnë ligjërimin dhe mbartin identitetin kulturor, ndonëse sot përdoren më pak.
Shprehjet frazeologjike janë përdorimet e ngurosura të fjalëve e shfaqen si tërësi e thënieve a shprehjeve të qëndrueshme të një gjuhe, riprodhohen në të folurën e përditshme si njësi të gatshme e i japin bukuri ligjërimit të folur e të shkruar. Janë "armë"të fuqishme oratorike për të dhënë ndjenja, gjykime, përmbajnë përvojën popullore dhe nuk gabojnë kurrë në mesazhin që kumtojnë, janë të ndërtuara si bashkime fjalësh me kuptim alegorik të cilat kuptohen si tërësi e jo fjalë për fjalë.
Kur lidhjet ndërmjet fjalëve "çimentohen" bëhen stabile e fitojnë një kuptim të ri, shpesh të figurshëm, atëherë kemi shprehje frazeologjike që ndryshe thirren idioma.
Përbëjnë pasuri gjuhësore, kanë qenë shumë të pranishme në të gjitha regjistrat e stilet e gjuhës por që tani sikur kanë ardhur duke u zbehur për shkak se brezin e pas 90-ës nuk para e dëgjojmë t'i përdorë në ligjërimin e folur ose të shkruar. Dikur në tekstet e Gjuhës shqipe kishte temë mësimore për shprehjet frazeologjike por me kalimin e kohës i kanë hequr ndoshta i kanë menduar si rudimente të së shkuarës.
Ka një fjalor të shprehjeve frazeologjike të hartuar nga Jani Thomai që përmban 25 000 shprehje të tilla. Duhet thënë se edhe këtu vepron rregulli "i motërzimit" d. m. th se një shprehje mund të përdoret në shumë treva e krahina dhe ndoshta është e vështirë të përcaktosh me saktësi origjinën e saj por bukuria dhe ajo që i dallon qëndron kur thuhen në të folmen e përditshme e dialektore.
Në Mat ka shumë shprehje frazeologjike po ato që do të listoj më poshtë janë më të përdorshmet në përditshmëri të cilat i kam ndeshur në veprimtarinë time si mësues e në jetën e përditshme.
1-Një mendje hiç mendje, dy bëjnë një gjysëm, tre mendje janë një mendje tamam. -kuptimi:sa më shumë mendime të marrësh aq më mirë është.
2-S'ke ku hedh kokrrën e mollës. (Është mbushur plot e përplot).
3-Po i the tjetrit 40 ditë budall, bahet i tillë. (Si ta trajtosh ashtu bëhet).
4-Ju banë veshët opengë nga vërejtjet. (E kritikuan aq , ja tërhoqën veshët, sa ju bënë si opinga).
5-Fshi buzët me një ferrë. (U mbaruan ç'ishin)
6-Më është ba si saldatriçe. (Më vret sytë kur e shoh).
7-I vjen doresh. (Ja thotë një pune të caktuar).
8-S'ke punë, luj derën. (Mos rri pa u marrë me një punë).
9-Nuk mban më ujë pilafi. (Është tepruar me diçka).
10-Vere dorën në zemër. (Mendo me mirësi).
11-Nuk e mëson voja pulën. (I vogli në eksperiencë nuk e mëson njeriun e ditur).
12-Hajde baba të tregoj arat. (E ngjashme me të mësipërmen).
13-Ja mbaj tefin mbarë. (Nuk ja prish terezinë).
14-Tiq e mos e këput. (Ji tolerant).
15-Mbaje një pe të kalbur me të. (Mos i ndërprit të gjitha marëdhëniet me dikë).
16-E tërheq morrin për bishti. (I shikon gjërat me imtësi).
17-Mos i ve gjilpërat majë më majë. (Mos i shiko vogëlsirat).
18-S'pritet lisi me një të rame. (Ca gjëra nuk kërkojnë vetëm një përpjekje).
19-Është si lisi para farke. (Kur me dikë teprohet me goditje).
20-Mos shtje petulla me ujë. (Mos bëj parashikime pa baza).
21-Petull qulle ngele përherë, su poqe asnjëherë. (Megjthëse vitet kalojnë dikush ka mbetur i parritur në mendje).
22-Hall me le e gjyq me vdek. (Në jetë do stërmundohesh e si të vdesësh do gjykohesh).
23-Halli-hallit nuk i ngja. (Tipologjia e halleve është e ndryshme).
24-Morri coft e bishti ngordht. (Edhe hallexhi edhe mendjemadh).
25-Shkon dy anët e në samar. (Dikush ngarkohet më shumë se sa i takon).
26-Hu hu jam me ju. (Dikush e mban mirë me të gjithë).
27-Mos shtjer gurë në tjegulla tuaja. (Mos puno kundër interesave të tua).
28-Mos shtjer kripë në groshë të huaja. (Shiko punët e tua).
29-Mos bëj ish kur s'ke pula. (E ngjashme me të mësipërmen).
29-Mos shtjer në pazar se nuk di kë kap plumbi. (Shiko rrethin ku flet).
30-E di luga se ç'ka vorba. (I zoti i punës e di situatën).
31-Ai që bën vorbën bën dhe verigën. (Si të mbarohet kryesorja edhe vogëlsirat zgjidhen).
32-Merre me lëng se mishi u mbaru. (Kryesorja iku).
33-Shok-shok po gjiza me pare. (Tregtia nuk njeh shoqëri).
34-Shoqëria shoqëri qesja të shkojë e të vijë. (E ngjashme me të mësipërmen).
35-Me tëndin ha e pi e pazar mos bëj. (Mos merr e jep me njerëz tu se ngatërrohesh).
36-Ku di dhia ç'është tagjia. (Nuk dallojnë si duhet vlerat e dikujt).
37-Edhe dhi e zgjebosur edhe bishtin përpjetë. (Edhe s'di po mbahet me të madh).
38-U bë si këmbët e dhisë. (U ngatërrua puna).
39-Kur të vijnë mendtë, kanë ikur dhentë. (Kujtohesh për diçka jo në kohën e duhur).
40-Haje keq e buzëkuq nuk ka. (Kur dikush tregohet si hekakeq).
40-Jep dy lek e hy në valle jep 300 e s'del dot. (Kur i futesh një pune pa krye, psh politikës).
41-Pyet shtatë vetë e bëj si di vetë. (Konsultohu por në fund vendos vetë).
42-Mat dy herë e prit një herë. (Mendohu para se të veprosh).
43-Kali i huj të le në ujë. (Malli i tjetrit nuk të bën punë ngaqë nuk ja di).
44-Kali i kuq e ka një huq. (Nuk ka njeri pa një të metë).
45-Kali e gruaja e huaj ta fusin kryet në ujë. (Mbështetu tek ajo që të ka rënë për pjesë).
46-Kali huaj ha pak e mban shumë. (Gjënë e tjetrit mundohen ta shfrytëzojnë në maksimum).
47-Njeriu pa fe si kali pa fre. (Ai që nuk njeh frikën e Zotit bën zullume).
48-Kush ka cucë e gru në shpi ta lidhë gojën me shami. (Kujdes i shtuar kur flasim me gra e vajza).
49-Ça ka barku e qet bardhaku. (Kur je i pirë i tregon të gjitha).
50-Shtati hava mendja tra la la. (Trupi i rritur më shumë se mendja).
51-Trupi pyll e mendja fyll. (E ngjashme me të mësipërmen).
52-Mos tu plaktë një dhi në shtëpi e jo më një njeri. (Pleqëria është e vështirë).
53-Pleqnia faqe e marrume. (E ngjashme me të mësipërmen).
54-Shtri kambët sa ke jorganin. (Sipas mundësive ekonomike jeto).
55-Sa zogj fluturojnë s'mund t'i kapim. (Të jetojmë me këmbë në tokë).
56-Me dorë të huaj vrafsh gjarprin. (Punët e rëndësishme bëji vetë).
57-Punën që nuk e sheh i zoti nuk e sheh as Zoti. (Shkon me të mësipërmen).
58-Cucës shihi nanën copës shihi anën. (Vajza e mirë duket nga nëna).
59-U rrit fëmija u bja shpija. (U rrit fëmija bëhet pis shtëpia).
60-Shpija me rregulla çatija me tjegulla. (Rregulli duhet të na ndjekë ngado).
61-Hutit e të demit lëshoj udhë. (Të dehurit e budallait hapi rrugën).
62-Çdo berr varet në kambët e veta. (Përgjegjësia është personale).
63-Ku ka za s'a pa gja. (Kur flitet shumë rreth diçkaje, diçka ka).
64-Kur të hash pulën e tjetrit lidh tanden për kame. (Ndera kërkon nderë).
65-Pastë nana, pastë baba, paça vetë. (Duhet të jesh i zoti në jetë).
66-Mos të lashtë e jotja. (E ngjashme me të sipërmen)
67-Parja e bardhë për ditë të zezë. (Duhet vënë diçka mënjanë për ditë të vështira).
68-Parja e kthen ujin përpjetë. (Me para arrin gjithçka).
69-Parja i ka prish menen kadiut. (E ngjashme me të mësipërmen).
70-Gruja e keqe e vegla e keqe të thinjin. (Të plasin shpirtin).
71-Të ço në ujë e ujë s'të jep. (Është shumë i zoti/e zonja).
72-Të jep ujë në shpinë të lugës. (E ngjashme me të mësipërmen).
73-Shpinë këputmi, punë hutmi. (Ai që rropatet shumë i humbet puna).
74-Kemi ra si plaka mes dy bukëve. (Kujt t'ia prishim e kujt t'ia ndreqim).
75-Miku -mikut i ba trastën. (Mikun duhet ta ndihësh).
76-Miku-mikut i ngjan 40 vjet para. (Miku zgjidhet si vetja).
77-Me ba një mik, mbyll një sy, me mbajt, mbylli të dy. (E vështirë të gjesh të ngjashmin e vetes).
78-Mendja e madhe, havale e të zot. (Mendja e madhe krijon probleme).
79-Uthulla e fortë plas enën e vet. (Kokëfortësia të dëmton).
80-Punë e natës, gazi i ditës. (Puna bëhet ditën).
81-S'ka çfarë i ha miu pas darke. (Është shumë i varfër).
82-Ndenjsja e përtume, faqe e marrume. (Dembelezmi të turpëron).
83-Jemi nda me bar e me gjeth. (Jemi ndarë me gjithçka na bashkonte).
84-I kemi nda sahanat. (E ngjashme me të sipërmen).
85-Pa dhanë 5 nuk merr 6. (Po nuk dhe nuk merr).
86-Po s'pat budalla s'kanë ku hanë të mençmit. (Padituria objekt shfrytëzimi).
87-Njana dorë la tjetrën, të dyja fytyrën. (Bashkëpunimi të nxjerr faqebardhë).
88-Tregtia është më jep të jap rrap-tap. (Kërkove një shërbim, duhet paguar).
89-Kjo punë nuk do men e kalem. (Gjëja është e thjeshtë).
90-Kanë leh do qen në to. (Kur pyetja e dikujt për diçka na bezdis).
91-Lodra(daullja)bje për ata që kanë veshë. (Gjërat nuk thuhen troç ndonjëherë).
92-Udha vade s'ka. (Nuk mund të parashikohet ecuria e rrugës).
93-I bje samarit të dëgjojë gomari. (E ngjashme me 91).
94-Një ujë që ecën pihet. (Qarkullimi i gjithçkaje në jetë është pozitive).
95-Ke e vrave qenin lshoje në prru. (Kur e ke bërë më të madhen bëje edhe më të voglën).
96-Ke shkoj djathi të shkojë dhe harra. (Kur iku e vlerta të shkojë dhe e pavlera).
97-Ke shkoj spata të shkojë dhe lata. (E ngjashme me të sipërmen).
98-Tek shkoj e shumta të shkojë dhe e pakta. (Ngjason me 98, 99).
99-I lirë në krunde i shtrejtë në miell. (Koprac kur nuk duhet).
100-Mos me të majt menja bje shkamit. (Kur i bëjmë qejfin vetes).
101-Si ke lëshu kripë vendit. (I thuhet dikujt që qëndron në të njëjtin vend).
102-I doli boja kësaj pune. I doli kallaj. (Kur teprohet me diçka).
103-U ba bozë muhabeti. (E ngjashme me të sipërmen).
104-Shamata e mijve, qari i dacit. (Kur ziben dy e përfiton një i tretë).
105-Një herë bje daci në kos. (Kur ndodh diçka që s'pritej).
106-I ka djegë qulli, i fry kosit. (Kur tregohet kujdes i shtuar ndaj diçkaje të ndodhur më parë).
107-Kjo punë a me vu duart kresë. (Diçka nuk mund të justifikohet).
108-Si një e një bëjnë dy. (Është e sigurt).
109-Kur s'ke mend ke kambë. (Do ecësh pas diçkaje që e ke neglizhuar).
110-Mos e rrëmo më shumë gjizën se del kos. (Kur e tepron me diçka).
111-Ha bukë e lësho lopët. (I thuhet dikujt pa pretendime për jetën).
112-I vjetri ta le pushkën për syu. (Mosha e tretë është delikate).
113-E ka të shkrume në ballë. (Nuk ka nevojë të prezantohet).
114-E ka lëshu timonin pa duar. (Nuk tregon kujdes).
115-Ka dalë arës. (E ngjashme me të sipërmen).
116-Po i hape gropën shokut bje vetë brenda. (Mos bëj keq askujt).
117-Si urofsh gjetsh, si shtrofsh fletsh. (Sikur ke zemrën ta baftë Zoti).
118-Ishalla vdes baba t'i marr sahatin. (Thuhet për dikë që eshtë dembel e pret të bëhet zot shtëpie pa meritë).
119-O ba si lang groshe. (Njeri pa vlerë).
120-Të tjerët hanë kumbulla mua më mpihen dhëmbët. (Kur të thonë diçka me të cilën nuk ke lidhje).
121-Je te e kërku me tem(tym). (Po kërkon diçka që të dëmton).
122-Kërko qimen në tra. (Kapesh pas vogëlsirash).
123-Shkon skur ke frikë se thyen vezë. (I thuhet dikujt që është i ngathët).
124-Ja ban 8 me 2. (Je mbledh shumë rripin dikujt).
125-Ja ka fut dy kambët në një këpucë. (E ngjashme me të sipërmen).
126-Ma ba kaptina daulle. (Kur të lodhin me fjalë).
127-Mos i le gjërat si lopa bajgat. (I thuhet një rrëmujaxhiu).
128-Ja shpërt e dil. (Lodhje ekstreme).
129-Sa të rrosh do mësosh. (Çdo ditë mësojmë diçka të re).
130-Nuk çalon gomari nga veshët. (Vogëlsirat nuk kanë rëndësi).
131-I jep gishtin të merr dorën. (I thuhet dikujt që abuzon me mirësinë).
132-Është pemë pa koke. (Nuk ka vlerë dikush).
133-Ali Hoxhë e Hoxhë Ali. (Kur gjërat janë njëlloj).
134-Shih me sy e plas me zemër. (Kur gjërat nuk arrihen).
135-Je ku rafsha mos u vrafsha. (Nuk e vret mendjen).
136-E zunë me presh në dorë. (E kapën mat).
137-I dolën sytë vendit. (U tmerrua).
138-Havaja e lig tek miku i mirë. (Koha e keqe te miku i mirë).
139-Miku te miku rri si viç. (Tek miku rrihet urtë).
140-Kalamajtë ta bajnë kësulën me hi. (E vështirë të punosh me fëmijë).
141-I mësumi i papushumi. (Kush e ka një zakon , nuk e heq).
142-E ka mizën nën kësulë. (Është fajtor)
143-Më mirë një zog në grusht se 100 në fluturim. (Pak e saktë).
144-Nuk jam tu i pre me tesk(sqepar). (Nuk fitoj e nuk kam sa mendon).
145-Ma mirë i pari në katund se i fundit në qytet. (Jeto aty ku ndjehesh më mirë dhe i rëndësishëm).
146-Halle-halle kjo dynja, halli halli nuk i ngja. (Hallet janë të pafundme).
147-Halli im e mban në shpinë hallin tand. (Pesha e halleveve varion).
148-Ku të ço mushka?(Përdoret për dikë të ç'orientuar).
149-Druni kthehet sa është i njomë. (Gjërat kanë kohën e tyre).
150-Ka hy si pyka në dru. (Është futur ku si takon.
151-Goja kapak, trupi rehat. (Mos fol pa qenë i detyruar).
152-Flet goja nga përvoja. (I ditur bëhesh nga eksperienca).
153-Goja llap e shpina dap. (Mos fol pa qenë i detyruar).
154-Shty pyka-pykën. (Marëdhëniet e gjakut ndryshojnë me kalimin e kohës).
153-Kur s'ke pula do hash sorrën. (Halli të detyron të dalësh kundër shijeve).
155-Jeta a si me hy në derë e me dalë në dollap. (Jeta është e shkurtër).
156-Kush vje pa ftu e gje pa shtru. (Te tjetri shkohet pasi ta njoftosh).
157-Pa pas dituri s'quhesh njeri. (Duhet të jesh i ditur).
158-Trutë nuk mbushen me garuzhde, trutë t'i jep Zoti. (Njeriu o lind i ditur o budalla).
159-Pritja drut shkurt. (Mos u zgjat me dikë).
160-Do lidh shkurt. (Nuk duhet t'i lësh hapësirë dikujt).
161-S'ka çfarë i bën gomarit, i bie samarit. (Kur gjen fajtorë që nuk janë).
162-Dorën e thatë se puth kush. (Nuk ka gjë pa gjë).
163-Nuk nxjerr qimen nga qulli. (I pazot).
164-Lëviz hu më hu. (I paqëndrueshëm).
165-Këmbët e shpejta, faqja e bardhë. (Kur dikush i largohet sherrit).
166-Mos e ngacmo grenzën me krane se gjen të zezën tane. (Ji i kujdesshëm).
167-Udhës së shtrume e gruas së krehme mos ju ndaj. (Gjërat e kuruara ndiqi).
168-Ke të dëftojnë pilafin e madh merr lugën e vogël. (Mos beso gjithçka dëgjon).
169-Peshku në det fterja në zarm. (Parashikim pa baza).
170-Bën qejf me hutra. (Kënaqet me pak).
171-Pa hangër hutra s'të vjen era. (Nëse bën një gabim dallihesh).
171-Ky stan këtë bulmet ka. (Disavantazhet e një pune).
172-S'bëhet stan me lepuj. (Parashikon pa baza).
173-Lepuri do ferrën e vet. (Gjithkush ndihet mirë në shtëpi të vet).
174-Nis me vu vetulla e nxjerr sytë. (Bën diçka që të kthehet në dëm).
175-Ta ve kufinin te thana. (Të tregoj vendin).
176-Prej atyre krojeve ku ti po pi jam kthyer me vakt. (Kur dikush i papërvojë nis të të mësojë).
177-Ditë e re nafakë e re. (Prit ditë më me fat).
178-E mira pret e keqja shkon vetë. (Mos u ngut).
179-Shpi e adet katund e marifet. (Vende e njerëz të ndryshëm nuk kanë tradita të njëjta).
189-Dashi një lëkur ka. (Për dikë a diçka një herë paguhet).
190-Dashi si o dash e duro lëkurën e vet. (Kur vishet xhaketë edhe në të nxehtë).
191-E ka për zanat jo për inat. (Ka lindur i atillë nuk ta bën me qëllim).
192-Ju kanë rrit veshët si shumë. (Është bërë mendjemadh).
193-Mi kishin mbathë patkojt kahera. (Nëse je korrekt të durojnë).
194-S'të kemi marrë me shti pushkë. (U thuhet nuseve të reja që të punojnë shumë).
195-Ja mblidhi ja dirdhi. (Gjërat duhet të fillojnë në kohën e caktuar).
196-Me atë ngatërrohesh tu hangër petulla. (Thuhet për dikë që ngatërrohet pa shkak).
197-Ujku çakallin e njeh. (Njerëzit me vese e njohin njëri -tjetrin).
198-S'ja hani qeni shkopin. (Është i zoti).
199-Përmend qenin bëj gati shkopin. (Kur përmendim dikë a diçka nuk vonon e shfaqet).
200-Nuk shti fall me koke groshe. (Nuk mund të parashikoj diçka).
201-Kce si zorra në prush. (I padurueshëm).
202-Nuk hy në punë as për bisht shati. (i pavlerë).
203-Nuk hy në punë as me trem sorrat. (E ngjashme me të sipërmen).
204-As ke hapa as ke hupa. (S'di ku është).
205-Iku nga shiu e ra në breshër. (Ndërroi vend a diçka po i doli më keq. ).
206-Hedh gurin e fsheh dorën. (Tinëzar).
207-Me një gurë vret dy zogj. (Një veprim me dy përfitime).
208-Një udhë e dy punë. (E ngjashme me të sipërmen).
209-Pa kalu taposht(për fyti)s'quhet e jotja. (Pa e marrë diçka vërtet nuk ke siguri).
210-I lëshon fjalët si lopa bajgat. (Flet pa u menduar).
211-Ça ba maca gjujn për mijn. (Origjina është e rëndësishme).
212-Nuk theve shatin. (I thuhet dikujt që ka përfituar pa u lodhur).
213-Ke gjet xhami ku me u fal. (I je drejtuar personit të gabuar).
214-I ka maru varrat(vijat)e veta. (E ka kaluar garancinë).
215-Do me dit sa varra ka ndenjësja. (I thuhet dikujt që pyet shumë).
216-Djeg jorganin për një plesht. (Kapet pas vogëlsirash).
217-E ka halë në sy. (Nuk e duron dikë).
218-A si me hek një qime në derr. (Nuk e dëgjon).
219-Fjalët e mira e gurët në trastë. (Po po e gjë jo).
220-Mua po më ndizet mjekra ti thu ndalu të ndez duhan. (Ça halli kam unë e ça kërko ti).
221-Merr cjap ndonjëherë. (Nxehet shpejt).
222-E ka grurë me të. (Shkon shumë mirë).
223-S'të jep një gurë të çash kryet. (Është koprac i madh).
224-S'të fal ethet e gushtit. (E ngjashme me të mësipërmen).
225-Nuk di nga lidhet magjari(gomari). (Nuk kupton).
226-Mirë magjari ngordhi po s'ne lenë mizat rehat. (Mirë halli që na ka zënë po dhe fjalët kemi mangët).
227-Dy gurë bashkë nuk i le. (I lëvizshëm si tip).
228-Kush ka lekët i bie kavallit. (Ai që paguan shërbehet).
229-Tu punu për dy lek u bëmë për dy lekë. (Puna është e vështirë).
230-Ti le petat ftull. (Dikush ka pranuar ftesën por nuk vjen).
231-Nuk i ka goja lesh. (Dikush që flet pa hezitim).
232-Lësho pe ndonjëherë. (Ji tolerant ndonjëherë).
233-Tamafi i madh të le pa gja. (Nuk duhet të jemi të pangopur).
234-Shamatën e sontshme leje për nesër. (Shmangju sherrit).
235-Edhe florini i vogël a , po punën e ba të madhe. (Mos paragjyko dikë nga gjatësia)
236-Kthehet lëkura pas kallëpit. (Kur i përshtatesh dikujt).
237-Burrë e gru mish e thu. (Lidhja e fortë burrë-grua).
238-Ka gjet tenxherja kapakun. (Janë përshtatur. )
239-Rreshti do rreshtin. (Zgjidh të ngjashmin).
240-Dhimjba e burrit si dhimbja e brrylit (E fortë por që kalon shpejt).
241-Sa lek ke në xhep aq burrë je. (Pasuria tregon shumë).
242-E di si tërhiqet-tha kau-po s'më le zgjedha. (E di si është e mira po nuk më le halli).
243-Kursen gozhdën, humb patkoin. (Kopraci e skajshme).
244-Na ka zanë rrasa bishtin. (Jemi të detyruar).
245-I thu derrit dajë. (Nga halli do i thuash të ligut je i mirë).
246-Më doli goja mbrapa. (E përsëris shumë herë diçka).
247-I leh qeni ratë(shtri). (I ka punët në rregull).
248-Ke shpia me shumë nuse ngel bulira e ujit pa mbush. (Kur punët nuk ndahen po lihen në dëshirë).
249-Sillet si kali në lamë. (Nuk bën punë, sillet kot).
250-Sha murra kazinë. (Shan i keqi të keqin).
251-E kam përgjigjen në majë gjuhës. (E di, nuk mendohem gjatë).
252-Nga një vesh i hyjnë e nga tjetri i dalin. (Nuk kupton asgjë).
253-E ka gjuhën brisk. (Flet ashpër).
254-I jep me dorë i kërkon me kambë. (Borxhin).
255-Mendja e ndame, punë e kryme. (Kur je i vendosur i arrin qëllimet).
256-Sa ta bajë mend i mençmi budalli ka kry punë(. Mos u vono në inisiativa)
257-Fjalën që se mbajnë 32 dhambë del në katër anë. (Nuk është fajtore era që shpërndan fjalët e tua).
258-Ishalla e tërhek kambën zvarrë. (Kur dikush fejohet ose largohet nga një vend pune).
260-Dita që vjen i lëshon rahmet asaj që shkoi. (Gjërat nuk duken mirë).
261-Sheh rrushi- rrushin e fiku-fikun e piqet. (Njerëzit shohin njëri-tjetrin si veprojnë).
262-Ç'të bësh mend në shtëpi s'del në pazar. (Punët nuk shkojnë sipas parashikimit).
263-Kërkon gjilpanën në kashtë. (Kapet pas vogëlsirash).
264-Kërkon qimen në tra. (E ngjashme me të mësipërmen).
265-E ban mizën buall. (E ekzagjeron).
266-Kërkon qiqra në hell. (Kërkon të pamundërën).
267-Të lag sot e të rruan mot. (I merr punët ngadalë).
268-Më mirë një vezë sot se një pulë mot. (Lidhet me pragmatizmin).
269-S'man mend ç'ka hangër mbramë. (Harron shpejt).
270-Është si Haxhi Pishmani. (Bëhet pishman shpejt).
271-Me njanën dorë bjeri me tjetrën lëmoje. (Një fjalë të mirë, dy të këqija).
272-Sillet si kali në lamë. (Nuk bën asnjë punë).
273-Mos më fol sikur më ke pre kërthizën. (Ruaj kufijt e etikës).
274-Me e tërhek kambzën e pushkës duhen dy pen qe. (Nuk është kollaj të qëllosh mbi tjetrin).
275-I duruari, i fituari. (Lum kush duron).
276-Rri shtrembt e fol drejt. (Thuaj të vërtetën).
277-Kur gabon i mennçmi qesh budalli. (Të mençurit s'i falen gabimet).
278-Më mirë bilbil një herë se sorrë përherë. (Fol pak e saktë).
279-Hoj -Hoj janë njësoj. (Të gjithë përshtaten).
280-Je tu e kërku si gjemi për kambë. (Po kërkon telashe).
281-Të kesh kryet pa kësula gjen mjaft. (Kur nuk ecën një lidhje).
282-Frika ru vreshtin. (Frika nga ligji).
283-Këpuca e re vret përherë. (Kur vjen një drejtues i ri kërkon llogari).
284-Me rrit një fëmi a si me hap një pus me duar. (Mundim i madh rritja e fëmijës).
285-Si të martohesh me vëllan je shoq. (Marëdhënit vëllazërore ftohen).
286-Mos ik se na prishet gjiza. (I thuhet dikujt që s'ka asnjë ndikim).
287-E ka hangër arën në kambë. (Punon pa pushim).
288-Tha pela;"12 maza i bana samari s'mu hoq". (Mgjths bëra shumë fëmijë mundimi nuk mu hoq).
289-A rrit me gjaca planci. (Është rrit me halle).
290-A Elifi Matrak. (Nuk kupton asgjë).
291-Doli me këpucë të kuqe. (Doli i humbur).
291-Doli si rru qeth. (Ngjason me të mësipërmen).
292-Në cucë ka pjesë dhe qeni. (Kur grave iu bie për pjesë burri i keq).
293-Sheh syu e jo mendja. (Kur nuk e vëmë re dikë).
294-Dy kunguj nën një sqetull s'mahen. (Nuk mund të bësh dy punë njëherësh).
295-Nuk e ha sapunin për djathë. (Është i zgjuar).
296-Burri pa gru si soba pa dru. (Burri pa grua nuk ka vlerë).
297-Kufini-kufinin e ha. (Kur kufitarët marrin tokë njëri-tjetrit).
298-Prite tjetrin sipas veshjes e përcille sipas mendjes. (Prite sipas veshjes, dëgjoje, vlerësoje)
299-O merr lapsin e shkruj o merr shkopin e ruj. (O mëso o puno).
300-Hë mor hë nuk mbaron asnjëherë. (Nuk shtyhet me neglizhencë).
301-Shtyje ta shtyjmë. (Vrasim kohën kot).
302-Si t'më varësh kumonën ma le ta tund. (Nëse më ke dhënë përgjegjësi më lejo ta ushtroj).
303-O shtrëngu rripi ka shku në birë të fundit. (Situata ekonomike nuk është mirë).
304-Mos me të mbajtë mendja bie shkambit. (Shpresa vdes e fundit).
305-I bie fyllit në një vrimë. (Thotë të njëjtat gjëra).
306-Ha bukën e turkut , ba duanë e kaurrit. (Nuk vlerëson atë që ka).
307-I qan hallin kalorësit se i varen këmbët. (Merresh me gjëra që s'të takojnë).
308-Unë aga e ti aga po bukën e misrit kush e ha?. (Përgjegjësitë ndahen).
309-Unë bos, ti bos, po lopën kush do ta kullosë?(E ngjashme me të mësipërmen).
310-Të puth halla në të dy faqet. (S'ke gjë në vijë).
311-Një gjarpër që s'më nget, pastë jetën e gjatë. (I ligu që s'më sulmon i uroj të mirat).
312-I ka marrë koka erë. (Dikush nuk është në rregull).
313-Peshku qelbet nga koka. (Drejtimi nuk është i duhuri).
314-Kush o i zoti mos i shkoftë zi moti. (Të zotit i shkoftë mbarë).
315-Barku , vëlla i detit. (Kujdes me ushqimin).
316-Turpi i burrit lahet me një gjym ujë, i gruas nuk e lan as uji i detit. (Mëkatet e burrave falen më lehtë).
317-Nuk i shko shala gomarit. (Vishu në përshtatje me statusin social).
318-I mbyturi të mbyt. (Rri larg problematikëve).
319-I bie daulles pa dasmë. (Gëzon pa arsye).
320-Bo qejf me hutra. (E ngjashme me të mësipërmen).
321-Shkoi si cjapi te kasapi. (Shkoi vetë drejt rrezikut).
322-Fol si daulle e çame. (Flet pa kuptim).
323-E ze gjumi në kambë. (Është i lodhur).
324-I hedh një sy. (Vë re me kujdes).
325-I iku truri. (U tërbua).
326-E mban në pëllëmbë të dorës. (I plotëson të gjitha kushtet).
327-I nxorri ujë të zi. (E stërmundoi).
328-Digjet si flakë kashte. (Konsumohet shpejt).
329-I ra në qafë. (E ngacmoi).
330-Ma sa takohen toka e qiella takojmë unë e ti bashkë. (E pamundur të kuptohen dy njerëz).
331-Fol me ty e baj ferra lakuriq. (Komunikim i vështirë).
332-I ka ra në top. (E ngarkon dikë shumë financiarisht).
333-Ec për tehu të briskut e tehu të mos thyhet. (Bëj kujdes).
334-E ka pref lapsin. (S'lë gjë pa shënuar).
335-Të ha dheun nën kambë. (Ta punon pa kuptuar).
336-Nuk i dridhet qerpiku. (Është trim).
337-S'ja bën syu tërt. (Është trim).
338-Si e ke syun e pushkës?(Si e ke ndarë mendjen).
339-Ja ka kreh bishtin si tepër. (E ka llastuar shumë).
340-I ra zemra tek thembra. (U frikësua shumë).
341-Nuk o bo deti kos. (Parandalojmë situatë anarshie).
342-I hanë duart. (Do të punojë).
343-E ha bukën kot. (Dembel).
344-Burrin pa gru e ha maca. (Pa grua nuk rrihet).
345-Mbyte tjetrin me hallvë. (E keqja mundet me të mirë).
346-Vrite tjetrin me pambuk. (E ngjashme me të mësipërmen).
347-E mori më sysh. (E shtangu).
348-M'i bëri nervat ujë. (Më mërziti shumë).
349-Ma prishi gjakun. (E ngjashme me të mësipërmen).
350-E do me thupër të hollë. (Duhet t'i flasësh me kujdes).
351-Do një turrë drush me u nxeh. (Thuhet për dikë që është shumë i qetë).
352-Mos fol tek s'të dëgjojnë , mos shko tek s'të ftojnë. (Mbaj vendin që të takon).
353-I zoti e nxjerr gomarin nga balta. (Kush ka hallin duhet të lëvizë).
354-Secili për vete Zoti për të gjithë. (Mos prit ndihmë nga njerëzia).
355-Të. rreh e s'të le të qash. (Nuk ngopet së keqtrajtuari).
356-Jemi tu e kalu në gardh e përtej. (Po e shtym).
357-Ça sjell minuti se sjell sahati. (Dinamika e jetës është e fuqishme).
358-Vetëm guri i mullinit se ka blu. (Ka eksperiencë jetësore).
359-A rraf me vaj e uthull. (E ngjashme me të mësipërmem).
360-Flet shatra patra. (Nuk di çfarë thotë).
361-Më ka ardhë në majë të hundës. (Jam lodhur shumë).
362-Peshku i madh ha të voglin. (I forti e i pushtetshmi e mund të zakonshmin).
363-Gurë-gurë bahet murë. (Puna e vazhdueshme shihet).
364-Nga pak e përditë del diçka në dritë. (E ngjashme me të mësipërmen).
365-Qeni leh sa leh e pushon. (Duhet ti durojmë ca negativë).
366-I ka hy lepuri në bark. (Është frikësuar).
367-Ka lakra në kokë. (Është me fiksime).
368-Ju bënë sytë kopac. (U tmerrua).
369-I dolën sytë vendit. (E ngjashme me të mësipërmen).
370-Rri hundë e buzë. (I mërzitur).
371-Rri sikur i ka hangër magjari bukën. (I mërzitur).
372-Nuk ju drejtuan turinjt një herë. (I pakënaqur me jetën).
373-Fluturo me pras. (I lehtë në gjykime).
374-Është t'ia këpusësh kokën. (Shumë i/e bukur).
375-Është i hunit e i litarit. (S'le gjë pa bërë). E nxjerr të vdekmin nga varri. (E ngjashme me të mësipërmen).
376-Rre dhe gozhdët e Krishtit. (Mashtrues i madh).
377-U bë pulë. (U urtësua).
378-Si gjeli majë plehut. (Kapadai).
379-Pemë pa koke(kokrra). I pavlerë.
380-Kam flet me ujq. (Njeri me eksperiencë).
381-Është i vjetër në këto batanie. (E ngjashme me të mësipërmen).
382-Të ço goja lëng. (I hahet).
383-Ja ba ferra Brahim. (Paranojak).
384-Ishte me të plasë buza. (E dëshirueshme).
385-Qesh e ngjesh. (Kur i mëshojmë dikujt).
386-Shakaja, gjysa e së vërtetës. (Ngjason me të mësipërmen).
387-Lal Kros, Lal Kros, vetë shkru e vetë vulos. (I bën të gjitha vetë).
388-O ba kockë e lëkurë. (Është dobësuar).
389-E ka kokën në trastë. (I rrezikohet jeta).
390-E do me spatë. (Foli drejtpërdrejt).
391-Mos i bje ka Kina. (Fol troç).
392-Mos i bje akolle. (Bjeri shkurt).
393-E ka me qitje të largët. (I bje rrotull muhabetit).
394-E kam si pulën në tra. (E kam të sigurt).
395-Lakna në kopsht, prasi në tra. (Lidhje e largët gjaku a miqësie).
396-Kjo punë bo mu. (Duket qartë).
397-Vre (shikon)si kau që do me të vra. (Shikon me inat).
398-Le të jetë oxhaku shtrembt po tymi të shkojë drejt. (Është me rëndësi rezultati jo rruga që arrihet).
399-Në Mat të jesh edhe me leje të zakonshme s'të thotë kush njatjeta. (Natyra interesaxhie e njerëzve).
400-Mos e daç tjetrin me zemër duaje me gojë. (Edhe nqs nuk të pëlqen dikush bëj sikur të pëlqen).
401-U derdh vaj e ra në lakra. (Kur shpenzojmë brenda familjes).
402-Sa gomarë buzëbardhë ka nuk ësbtë i joti. (Kur kërkojmë diçka që na duket se është e jona).
403-Gjuha shko ku dhemb dhambi. (Sillu nga sillu tek shqetësimi do dalim).
404-Njeriu a shakull(tollumbac)me frem(frym)bje në gjemb e plas. (Njeriu është delikat, për diçka të vogël vdes).
405-E kam si pulën në tra. (E kam diçka të sigurt).
406-Kur të kem me thasë , t'i jap me trastë(Ku e kthejmë borxhin ngadalë).
407-Mirë me kosin, mirë me qullin. (Nuk ja prish askujt).
408-Mos e merr derr në thes. (Kontrollo diçka para se ta marrësh).
409-Rrena i ka kambt e shkurtna. (Del shpejt e vërteta).
410-Na ka pjell mushka. (Na ka zënë halli).
411-Djali i mirë në Burgajet, ja mot-mot, ja dy vjet. (Njeriut të zot e të mirë ja bëjnë të vështirë).
412-Të ha si fik. (Të mund kollaj).
413-Fjalët e para nuk na prishin. (Përpara një marrëveshje).
414-Mos u bo pushkë e mbushme. (I thuhet dikujt që e kanë ndërsyer).
415-Kali i mirë e shton tagjinë. (I miri ka përfitime).
416-Lësho vrapin sa ke hapin. (Mos i kalo limitet e tua).
417-Fati i parë , yll në ballë. (Fatin e parë mos e refuzo).
418-Ma i randë bishti se sqepari. (Kur dikush kërkon të dalë para atij që i takon).
419-Më je ba si dac Shëndreu. (Na lodhe sytë).
420-Dashka kthy një gur përmbys. (Kur dikush vjen rrallë).
421-Më mirë vorr(varr)se horr. (Më mirë i heshtur si varr se i ashpër).
422-Gjithmonë më del kundëpedal. (Më frenon, më kundërshton, më pengon).
423-Gjuha e shkurt, jeta e gjatë. (Mos fol pa qenë i detyruar).
424-Mos shkel besën se të turret gjithë jetën. (Ji i fjalës).
425-Iku me bisht ndër shalë. (U turpërua).
426-Dardha bie nën dardhë. (I miri bën të mirin).
427-Rri si pulë e lagme. (I tulatur).
428-Mbytet si miza në qull. (Dorëzohet shpejt).
429-Mbytet me një pikë ujë. (E ngjashme me të mësipërmen).
430-Buka e thyme s'ngjitet ma. (Kur prishet një marëdhënie).
431-Ka hy si qeni në kopsht të huj. (Është fut ku si takon).
432-I fut hundët vend e pa vend. (Përzihet me se si takon).
433-Mba krët(kokën)si qeni në shenj. (IKryelartë).
434-Gjella me kripë e kripa me karar. (Çdo gjë ka masën e vet).
435-Ç'ka ban në shokë prite në kokë. (Si të bësh do gjesh).
436-Nuk të le rehati të bësh rehat. (E mira të mundon).
437-Gjashtë muaj para e gjashtë muaj mbrapa nuk flitet me të fejuarit. (Janë euforikë).
438-Zoti nuk është macë me të gërvisht. (Përdoret për dikë që jeta nuk ka qenë dashamirëse me të)
439-Trima mbas lufte e bujar mbasi a ngrejt sofra ka mjaft. (Njerëzit me vlera janë të paktë).
440-I ka hedh trutë e gomarit. (E ka urtësuar ose e ka budallepsur).
441-Mendtë e futme nuk zanë vend(I mençur lind nuk bëhesh).
442-Na rrofsh për verë se për dimër jemi vetë. (S'na hyn në punë tani).
443-Guri i poshtëm e rrotullon të epërmin. (Gruaja komandon burrin ose një vartës i zgjuar drejton shefin).
444-Nuk ka për të na ba të gjithëve një nanë. (Lidhja e gjakut është e fortë).
445-Daja ke nepi si nana ke djepi. (Lidhja e fortë dajë-nip).
446-Kemi bredh në tepsi. (Kemi qenë rehat).
447-Bredh në kandar. (I paqëndrueshëm).
447-Pret përmbi kalli. (Rreh lart).
448-Edhe zorrët e barkut ngatërrohen ndonjëherë e jo më njerëzit. (Debatet konstruktive janë të pashmangshme).
449-Kur të vijnë mendtë s'ti hanë as qentë. (Pendimi me vonesë).
450-Kur humb malli, humb shiprti. (Kur dyshojmë tek gjithkush pasi na ka humbur diçka).
451-I pret shpata në të dy krahët. (Është i fuqishëm).
452-Jemi tu hangër në kashtë të samarit. (Po mbahemi me rezervat).
453-S'frehet(nuk ngopet)shpija me të bleme. (Gjithmonë ka vend për blerje).
454-Ka gjet shesh e bo pshesh. (Kur dikë e tolerojnë pa masë).
455-Mendja e re në ndenjëse të vjetër. (Kur dikush bën gjëra që nuk përputhen me moshën e madhe).
456-Janë bark e thark. (Janë shumë të lidhur).
© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Forbes: "Nuk ka më mësues të rinj, kriza epike që po përballet e gjithë bota në vitin 2024"
Cilat janë përgjegjësitë e nxënësve?
Rëndësia e librave në jetën tonë