Leksion

MA.Mentor Hajrizi: Këngët erotike shqiptare

Erotika popullore shqiptare, e krijuar me shije të hollë, zë një vend të denjë në kuadrin e lirikës popullore në përgjithësi, jo vetëm për nga sasia, por edhe për nga veçoritë e larta artistike. Studiuesit e erotikës popullore na sjellin të dhëna interesante.

Erotika është tërësia e krijimeve që synojnë të ngjallin dëshirën dashurore. 


Erotik e erotike është ai ose ajo që i këndon dashurisë; që është dhe i përkushtohet dashurisë. Pra, paraqet ndjenja erotike.


Erotika popullore shqiptare, e krijuar me shije të hollë, zë një vend të denjë në kuadrin e lirikës popullore në përgjithësi, jo vetëm për nga sasia, por edhe për nga veçoritë e larta artistike. Kjo është pasqyrim i mirëfilltë i synimeve, i dëshirave dhe i përpjekjeve të të rinjve për jetë më të mirë, më të lirë e më demokratike. 


Studiuesit e erotikës popullore na sjellin të dhëna interesante nga të cilat vërehet se kjo poezi popullore lindi që në kohët më të hershme të zhvillimit shoqëror, kur: “Ndarja natyrore e punës, kur elementi mashkull shkonte larg vendbanimit për gjueti, apo për të luftuar, moment që krijoi bazën për lindjen e këngëve të dashurisë”. 


Artisti i madh ekspresionist austriak, Egon Schiele, këmbëngulte, se: “Erotika është po aq heroike sa temat e luftës dhe ato të fesë”. 


Ai kombinonte artin e lartë me pornografinë në një mënyrë që ishte e mundshme vetëm në Vjenën radikale të viteve të para të Luftës së Parë Botërore. 


Në artin e Rilindjes në perceptimin ndaj femrës në raportin erotik, shkrimtari Sabri Hamiti thekson, se: “Te “Bukuria” e Naimit, ndeshim një rebelim finok, që rri mes mitizimit të atdheut dhe atij të heroit kombëtar. Pra, brenda vetë temës së dashurisë, përgjithësohet, duke “humbur” personalja. Kështu nisin të ndërtohen të gjitha diskurset në raportin Unë / Ti, dhe ç’është më e rëndësishme, këngën e dashurisë e kthen në shpërthim të erotikës. Subjekti i falet tërësisht ekstazës së vet deri në vetëshkatërrim, vetëflijim”.


Nga ana tjetër, ndër temat e parapëlqyera të Migjenit, të shkrimtarit dhe të poetit që njohu plagët shoqërore, ka qenë tema e femrës në botën shqiptare. Interesimi i poetit për femrën është i dyanshëm. Për të ajo është pjesë e pandarë e shoqërisë shqiptare dhe e letërsisë shqipe.


Në veprat e tij letrare, Migjeni flet qartë për femrën dhe shprehet se femra zë jo vetëm një vend të rëndësishëm, por spikat në të sidomos interpretimi i ri botëkuptimor përparimtar, tematika e gjerë që përfshin problematikën e “zonës së heshtjes”, domethënë të temave “të ndaluara” mbi jetën dhe pozitën sociale të femrës dikur. Sipas tij, gruaja është ajo që përfaqëson diçka më shumë se erotika, është për Migjenin po aq magjike dhe madhështore sa vetë natyra. Në prozat e tij, ai përshkruan fuqinë e instinktit seksual, por pa e denatyruar atë. Ai kupton se “Dashuria njerëzore kultivohet si virtyt. Jashtë virtytit, ajo humbet kuptimin”. 


Gjithashtu, për Migjenin, ajo që mbetet qenësore dhe që përcakton thelbin e jetës, ka qenë dhe mbetet puna.


Erotika popullore shqiptare, analogjikisht me anë të popujve të tjerë, duhet të jetë zhvilluar në të njëjtën kohë e rrethana. Si e tillë edhe kjo do të ketë evoluar nëpër shekuj. 


Përderisa në erotikën e disa popujve të Ballkanit vërejmë femrën e lirë, me mundësi reale për t’u takuar me mashkullin në shtëpi të njërit ose të tjetrit, mandej në fushë, në rrugë, në mal, në katund, me bagëti e në punë fizike, kur mund të merreshin vesh, jo vetëm për dashuri, por edhe për martesa të lira, të pasqyruar edhe në këngët e dashurisë që ofrojnë  nga këngët e dasmës, erotika popullore shqiptare, është diç më komplekse me llojshmëri më të madhe motivesh përmes së cilave u parafytyruan denjësisht rrethanat në të cilat u zhvillua dashuria e të rinjve shqiptarë. Kjo erotikë, e zhvilluar në përpjesëtime shumë të gjera, ngërthen në vete një pasuri të madhe të kulturës shpirtërore, përmes së cilës është pikturuar bukur jeta e të rinjve të dashuruar. 


Këngët e dashurisë u krijuan me një gjuhë të pasur për nga leksiku dhe të pastër për nga specifika karakteristike e natyrës së gjuhës sonë. Këto u krijuan, po kështu, me një stil të lehtë e të zhdërvjellët. Dhe, ndonëse vërehet përdorimi i monologut e herë-herë edhe i tablove e i situatave, madje nga ato më të ndjeshmet, dialogu përsëri dominon dhe ua shton bukurinë vargjeve. Vërtet, përmes dialogëve edhe janë skalitur fuqishëm marrëdhëniet e dashnorëve në të gjitha sferat e interesit të tyre. 


Këngët erotike shqiptare në Veri të Shqipërisë i quajnë këngë të buta, ndërsa në trevën e Kosovës këngë të gryta. Gjatë të kënduarit ato shoqërohen kryesisht me çifteli ose sharki, kurse barinjtë nëpër fusha e male i këndojnë edhe pa vegla muzikore. Zakonisht këndohen solo, por edhe prej dy, tre e më shumë ekzekutuesish, siç ngjet, bie fjala: në gjithë Kosovën dhe në Malësinë e Shqipërisë së Veriut. Ndërkaq, në Jugun e Shqipërisë këto ekzekutohen nga grupe këngëtarësh në formë koresh. Atje përcillen edhe me valle, e u shtohen edhe refrene të nevojshme.


Këto këngë zakonisht i dinë shumë njerëz, meshkuj e femra, pavarësisht, i këndojnë apo jo. Dëgjohen me ëndje të madhe nga njerëzit e të gjitha moshave dhe gjinive njerëzore, sepse ato: ...shprehin me ngrohtësi, emocion dhe elegancë të madhe, ndjenja të fuqishme të një dashurie të pastër, të sinqertë dhe krenare, duke zbuluar kështu virtytet e larta të popullit tonë... 


Tingujt e melodive erotike i përngjajnë herë rreptësisë burrërore, herë krenarisë, herë bukurisë së natyrës shqiptare, të qeshur e të gëzuar, herë këngëve të bukura të zogjve të pranverës që gërshetohen me tingujt e zileve të kopeve, me blerimin e shqerrave dhe bukurinë shpirtërore e fizike të shqiptares, që ka qëndruar kurdoherë afër burrit besnike në çastet e vështira për atdheun, në çastet e gëzuara të jetës. 


Tekstet e këngëve erotike popullore nga veriu në jug, kanë shërbyer si hipotekst për poezinë e kultivuar të dashurisë, duke ushtruar një ndikim jo të vogël si në formë e ashtu edhe në përmbajtje.


Këngët erotike, zakonisht kufizohen në paraqitjen e tensionit që mund të shpjerë në aktin fizik. Ato janë poezi të krijuara si rezultat i nevojës së menjëhershme për të shpërthyer, për të rrëfyer gjendjen e brendshme, ndjesitë e çastit. 


Në këto krijime, treguesit e jashtëm: emocioni i thellë dhe pasioni i fortë shpesh shoqërohen nga befasia e zbulimit të tyre. 


Në një moment subjekti nuk e kupton se çfarë po ndodh, në momentin tjetër atë e trondit ndërgjegjësimi dhe gjithçka qartësohet. Befasia e madhe e zbulimit bëhet kështu një shenjë e fuqishme dalluese e pasionit dhe e forcës së tij.


Në zhanre të ndryshme të folklorit hasim plot krijime me shënjues të pasionit që ndërtojnë skema kodimi. 


P.sh.: në poezitë më të hershme të lirikës erotike kemi personazhet tradicionale të trimit dhe të vashës; vasha thuajse në shumicën e teksteve quhet “lule”, fjalë kjo që fillimisht funksionon si epitet e më tej shndërrohet në sinonim të “vashës”, ashtu sikurse trimi shndërrohet në sinonim të “djalit”. 


Si djali, ashtu dhe vajza janë të veshur bukur. Veshja gjithashtu ka elementë të ngjashëm nga teksti në tekst, element i kudogjendur është fustani i vajzës, shamia e saj e kokës, jeleku, xhamadani (këto dy të fundit si për vajzën, ashtu dhe për djalin) etj. 

Këta tregues të shprehjes së erotikës në folklorin tonë letrar, përbëjnë një sistem shenjash dhe pikërisht ndjesinë e pranisë së këtij sistemi. 


Dekodimi i përmbajtjes erotike në krijimtarinë popullore, ndihmon për të parë se si tipologjia, metafora, miti, gjuha në këto tekste, mund të çojnë në zbërthimin e kodeve erotike të një kulture të tërë. 


Përmes dekodimit të erosit, krijimet tona folklorike ridimensionohen e rifunksionalizohen në kontekstin e kulturës shqiptare dhe më gjerë. 


Nga këngët erotike, veçojmë këngën:

MORI E MIRA, PASHË TË MIRAT

(Prapashticë – Gallap, 1975)

Mori e mira, pashë të mirat,

Shka të bana soll se t'kqyra,

Soll se t'kqyra, soll se t'dashta

Fort e mirë sytë s'muj t'i dajsha!

Kceva gardhin t’dola para: 

- A po nalesh, a të vrava!

- Ti bre djalë, koke budall!

Mjedis udhe qysh me m’nalë? 

Po na shohin burrat tanë;

Me na pa neve na vrasin.

- Se ti vetë m’ke thirrë me qef.

N’dalshin trimat sy më sy,

Paguj vehten, paguj ty!


Dashuria si koncept është pjesë e pandashme e teksteve të ndryshme të autorëve që hartojnë tekste me këtë tematikë. 

Poetët shkruajnë për dashurinë, këngëtarët i këndojnë dashurisë. 


Madje, ka lëndë mësimore, të quajtur Dashuria, në njërin nga universitetet e ShBA-së. 


Shumë filma të prodhuar të kinematografisë shqiptare dhe botërore trajtojnë një tematikë të këtillë, e madje sot shumë televizione e radio realizojnë emisione që për qëllim kanë dashurinë. Artikuj të ndryshëm për dashurinë gjejmë në shtypin ditor të gazetave dhe në atë elektronik kudo në botë. Është krijuar po ashtu në botën virtuale, për dashurinë, edhe një numër i konsiderueshëm uebfaqesh të ndryshme. 


Botimi i parë me këngë popullore erotike, disavëllimësh, te ne, pretendohet të jetë bërë në vitin 1979. Në vitin 2019, është botuar libri më i ri me po të njëjtin motiv erotik me të botimeve të mëhershme. 

Këngë erotike janë shkruar dhe vazhdojnë të shkruhen edhe sot. 


Burimet: 

- Teksti mësimor “Leximi letrar 9”, 

- Punimi shkencor “Kodet erotike në krijimtarinë popullore”, 

- Libri shkencor “Letërsia popullore”,

- FGjSSh, 

- Interneti.



Përgatiti: MA. Mentor Hajrizi



Përgatiti për publikim N.Allkja Biçaku 

©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.


4,579 Lexime
3 vjet më parë