Mënyra për të mbështetur nxënësit introvertë gjatë orëve mësimore
Një e treta, deri gjysma, e nxënësve tuaj, ka të ngjarë të jenë introvertë.
Një e treta, deri gjysma, e nxënësve tuaj, ka të ngjarë të jenë introvertë.
Çdo klasë është e mbushur me nxënës introvertë dhe ekstrovertë. Ju mund të mendoni se është e lehtë të dallosh ndryshimin: ekstrovertët janë të etur për të marrë pjesë në aktivitete, ndërsa introvertët janë të qetë dhe të turpshëm. Megjithatë, kjo nuk është e gjitha. Shumë introvertë kënaqen kur kalojnë kohë me të tjerët, por atyre u duhet të rrinë vetë për të rikuperuar energjinë e nevojshme. Nëse dëshironi të mbështesni introvertët në klasë, duhet të dini më shumë rreth tyre.
Çfarë është një introvert?
Shpjegimi klasik është se ekstrovertët marrin energji duke kaluar kohë dhe duke ndërvepruar me të tjerët, ndërsa introvertët ndihen të lodhur nga të njëjtat ndërveprime. Kjo shpjegon pse introvertët e preferojnë më shumë vetminë dhe të zgjedhin detyra individuale në vend të projekteve grupore.
Një e treta, deri gjysma, e nxënësve tuaj ka të ngjarë të jenë introvertë. Disa është lehtë të identifikohen, ndërsa të tjerët mund t'ju habisin. Disa introvertë pëlqejnë të jenë në grupe dhe të ndërveprojnë me të tjerët. Por ka një limit kohor për ta bërë këtë përpara se të kenë nevojë dëshpërimisht për kohë vetëm me veten e tyre.
Introvertët e tjerë janë të qetë dhe ndonjëherë të turpshëm deri në atë pikë sa duken antisocialë. Kjo mund të shkaktojë probleme për nxënësit introvertë në klasë. Shumë prej nesh e lidhin të qenit i shoqërueshëm dhe miqësor me të qenit më të angazhuar në mësim. Por kjo mund të jetë një paragjykim i pavetëdijshëm kundër atyre që janë më të rezervuar ose që nuk dallohen në turmë.
Bota priret të çmojë më shumë ekstrovertët. Por introvertët kanë po aq gjasa të jenë të suksesshëm në jetë, në cilëndo karrierë dhe rol. Disa nga kontributet më të mëdha në shoqëri janë dhënë nga persona introvertë, si Rosa Parks, Albert Einstein, Mahatma Gandhi dhe Dr. Seuss. Mësimdhënësit mund të mbështesin introvertët në klasë duke rimenduar mënyrën se si u kërkojmë atyre të mësojnë.
10 mënyra për të mbështetur nxënësit introvertë në klasë
1. Mos u nxitoni
Mos e ngatërroni të qenit i turpshëm me të qenit introvert. Introvertët mund të preferojnë të tërhiqen nga disa veprime apo aktivitete, dhe kjo mund të keqkuptohet nga të tjerët si drojë. Ka dhe raste kur disa introvertë janë të turpshëm dhe ndihen të shqetësuar në shoqërinë e të tjerëve, por nuk është gjithmonë kështu. Introvertët tërhiqen sepse ndihen të ngarkuar nga njerëz të shumtë dhe u duhet kohë vetëm për të marrë energjinë e humbur.
Gjuha që përdorim kur flasim për fëmijët ka rëndësi. Kur fëmija im i parë filloi shkollën fillore, e kisha zakon t'ua përshkruaja mësuesve dhe trajnerëve si "i qetë" ose "i ndjeshëm", sepse këta dy terma ishin përshkrues të lehtë, si për t'u përdorur, ashtu edhe për t'u kuptuar. Gjithsesi, pa dashur, e etiketova atë në një lloj, dhe duke e bërë këtë, ndikoja në mënyrën se si të tjerët silleshin me të.
2. Nxirrni në pah cilësitë e tyre të vlefshme
Djali im mund të jetë i qetë dhe i ndjeshëm, por nuk mbaron me kaq. Ai është gjithashtu komik, i sjellshëm, vëzhgues, ka shumë imagjinatë dhe merr parasysh nevojat dhe ndjenjat e të tjerëve.
Nëse je një person introvert, ke edhe shumë përfitime. Introvertët janë dëgjues të mrekullueshëm që nuk nxjerrin shpejt përfundimet. Ata mendojnë para se të flasin, kështu duke dhënë kontribut në biseda. Ata janë tepër vëzhgues, qëndrojnë në prapavijë dhe mbajnë shënim gjithçka që shohin. Si përfundim, ata janë edhe udhëheqës të dhembshur që i drejtojnë ekipet e tyre drejt suksesit pa ndier nevojën për të marrë të gjitha meritat. Të gjitha këto janë pasuri të mahnitshme për t’i pasur në klasë.
3. Tregojuni introvertëve pikat e tyre të forta
Ndërsa i njihni pikat e tyre të forta, sigurohuni që edhe nxënësit introvertë t'i shohin ato. Nxënësit e sigurt dhe të artikuluar marrin komente dhe vlerësime të rregullta, sepse marrin pjesë rregullisht në aktivitete. Nxënësit më të qetë mund të rrinë një hap prapa, prandaj është e rëndësishme të gjesh mënyra për t'u lidhur me ta. Sigurohuni që t'u tregoni nxënëseve tuaj introvertë se dhuratat e tyre, megjithëse ndoshta tërheqin më pak vëmendje, nuk janë më pak të vlerësuara ose të rëndësishme.
Kini parasysh se nxënëseve introvertë mund të mos u pëlqejë të veçohen ose të gjithë të kenë sytë në ta. Komunikimi delikat shpesh funksionon mirë; kontakti me sy apo edhe një buzëqeshje e vogël do të mjaftojë për t'i bërë të ditur se i shihni dhe vlerësoni kontributet e tyre. Për vlerësim më konkret, përfshini letra të shkruara me dorë në shënimet e tyre ose në detyrat e shtëpisë. Dërgojuni email për të njohur arritjet, ose thjesht thojuni diçka qetë ndërsa largohen nga klasa për drekë ose për të shkuar në shtëpi për ditën.
4. Pajisini me hapësira private
Arkitektët e dinë se mënyra se si janë projektuar hapësirat ndikon në mënyrën se si njerëzit sillen në to. (Njihet si koncepti i "qarkullimit.") Mënyra se si njerëzit sillen në sheshe të hapura ndryshon nga mënyra se si njerëzit sillen në tarraca më intime e të mbyllura.
E njëjta gjë vlen edhe për klasën. Një klasë vetëm me zona të mëdha të përbashkëta do të gjenerojë shumë aktivitete të mëdha shoqërore. Krijimi i disa qosheve më të vogla inkurajon një atmosferë më të qetë, më të moderuar, të favorshme për të menduarit reflektues dhe të mësuarit. Për nxënësit më të vegjël, provoni të shtoni një kënd leximi në klasë ose një kënd qetësimi. Ndërsa, për studentët, jepuni mundësinë që të takohen në grupe më të vogla ose të bëjnë biseda të vogla në qoshe, ose mundësojini të lëvizin tavolinat e tyre sipas nevojës.
5. Shikoni pjesëmarrjen në mënyrë cilësore, jo sasiore
Vazhdimisht, notimi është pikë diskutimi në shkolla, me mësuesit që bien në të dyja anët e argumentit. Nëse vendosni ta përfshini notimin në vlerësimet tuaja formale, sigurohuni që të përqendroheni në cilësinë e komenteve të një studenti në klasë, në vend se sa shpesh zgjedhin të marrin pjesë.
Gjithmonë u thosha filloristëve dhe nxënësve të shkollës së mesme se nuk do të caktoj askënd të flasë për të paktën një minutë të plotë, ndonjëherë dy, pasi të bëja një pyetje. Pse? Sepse prisja që ata të mendonin përgjigjen e tyre përpara se ta ndanin atë. Kjo funksionoi mirë për introvertët, sepse ata mund të matnin mendimet e tyre pa presionin e menjëhershëm për të thënë diçka. Kjo metodë funksionoi edhe për ekstrovertët, sepse i pengoi ata të thonë gjënë e parë që u binte në mend.
6. Ofroni mënyra të shumta për të bashkëvepruar
Një nga përfitimet e mëdha të të qenit mësues në shekullin e 21-të është shumëllojshmëria e mënyrave për t'u angazhuar me nxënësit, nga blogjet e klasës te mediet sociale, te një copë letër dhe një laps i thjeshtë. Kjo do të thotë që ju mund të ofroni mënyra që introvertët të shkëlqejnë si kurrë më parë.
Shkrimi ka qenë gjithmonë një rrugëdalje për introvertët në klasë. Lërjuni nxënësve kohë të shkruajnë mendimet e tyre përpara se të filloni një diskutim në klasë. E njohur si "dialog i heshtur" ose "bisedë e heshtur", kjo teknikë i lejon nxënësit të ndihen më të përgatitur dhe të gatshëm për të marrë pjesë.
Web-faqet interaktive në internet mund të ofrojnë një hapësirë tjetër të sigurt. Parley ju mundëson të mblidhni përgjigjet pas një kërkese diskutimi, më pas t'i angazhoni nxënësit në vlerësime me shkrim dhe verbale. Flipgrid u mundëson nxënësve të dokumentojnë përgjigjet e tyre kur janë vetëm, pastaj t'i ndajnë me të tjerët. Gjeni më shumë mjete tërheqëse në internet për klasën këtu: https://www.weareteachers.com/student-collaboration-tech-tools/
7. Ofroni një dollap me aktivitete
Përbërësi kryesor për angazhim efektiv në të gjitha stilet e të mësuarit është shumëllojshmëria. Ndryshoni strategjitë tuaja të mësimdhënies gjatë ditës. Pas një aktiviteti në grup vazhdoni me një aktivitet që kërkon angazhim solo. Lërini nxënësit fillimisht të mendojnë për një problem në mënyrë të pavarur, më pas bashkojini me një shok klase për ta zbërthyer më tej përpara se të ndajnë idetë e tyre me të gjithë.
Kur bëhet fjalë për projekte më të mëdha, ofroni mënyra të ndryshme që studentët të ndajnë njohuritë e tyre. Disa mund të zgjedhin të punojnë në grupe, duke organizuar një debat ose duke interpretuar një skenë nga historia. Të tjerët mund të preferojnë të punojnë vetëm, duke zgjedhur të shkruajnë një ese tradicionale ose duke bërë një kolazh mësimor. Kjo ndërton kreativitetin në procesin e të mësuarit dhe i lejon çdo nxënësi të zgjedhë aktivitetin që i përshtatet natyrës të tij/saj.
Jini të kujdesshëm në mënyrën se si i shikoni projektet në grup. Ne të gjithë duhet të mësojmë të punojmë me të tjerët në njëfarë mase, por jo çdo përvojë mësimore duhet të jetë bashkëpunuese. Jepuni të gjithë nxënësve mjetet që u nevojiten për të pasur sukses kur punojnë në grup, duke i fuqizuar ata të kenë sukses vetëm ose me të tjerët.
8. Lërini kohë pushimi
Metoda e bashkëpunimit gjatë të mësuarit është e zakonshme në klasa këto ditë, me shumë aktivitete dhe punë në grup. Introvertët mund t'i frikësohen bashkëpunimit në grup, ose mund ta shijojnë atë. Sido që të jetë, ata patjetër do të kenë nevojë për kohë për t'u rikuperuar. Përndryshe, ata do të jenë të rraskapitur dhe të paaftë për t'i kushtuar vëmendjen e tyre të plotë mësimit apo aktivitetit tjetër.
Në çdo moshë, por veçanërisht për fëmijët më të vegjël, u jepni kohë për lexim, vizatim ose meditim çdo ditë të mësimit. Bëjeni gjithmonë në të njëjtën kohë, kështu që introvertët dhe ekstrovertët do ta njohin këtë kohë si pjesë të rutinës së tyre dhe do të përfitojnë nga ndryshimi i ritmit.
9. Bëni biseda ballë për ballë
Unë depërtova si një fëmijë introvert duke iu falënderuar mësueses sime të klasës së dytë, znj. Helbick, e cila më ftoi në një dhomë të ndarë nga klasa për të folur se si po kaloja dhe nëse kisha nevojë për ndihmë. Unë kisha qenë shumë në ankth deri në atë moment, duke mos ditur se si të komunikoja, sepse nuk mund të përqendrohesha dhe kisha nevojë për më shumë hapësirë nga një fëmijë tjetër në klasë, i cili ishte shakatar i përsosur që bëri shumë për të tërhequr vëmendjen e kujtdo.
Më kujtohet lehtësimi i jashtëzakonshëm që ndjeva pas asaj bisede. Por edhe më e qëndrueshme ishte rritja e besimit që ajo më dha duke vënë re gjendjen time të vështirë dhe duke respektuar personalitetin tim duke e trajtuar atë në një mënyrë që nuk do të më turpëronte apo rëndonte më tej.
Me fjalë të tjera, nëse doni të dini mënyrën më të mirë për të ndihmuar introvertët në klasën tuaj, thjesht pyesni ata! Bëjini të ditur se nuk janë në telashe. Më pas tregojuni se çfarë keni vënë re rreth tyre dhe pyesni se si ndihen. Së bashku, ju mund të bëni një plan për të mbështetur suksesin e tyre.
10. Mos e mbani nga dora pa qenë nevoja
Siç e dinë tashmë shumë mësues, nga dështimi mund të mësosh po aq sa edhe suksesi. Shkollat mund të ofrojnë një hapësirë të sigurt për të provuar gjëra të reja, pavarësisht nëse dështoni apo keni sukses. Të ndihesh vetëm pakëz parehatshëm nuk është një arsye e mirë për të mos bërë diçka të re. Pra, mos i mbroni shumë introvertët në klasë.
Introvertët ndihen se rrezikojnë shumë për të qenë në qendër të vëmendjes edhe për një moment. Çdo fëmijë, sot apo nesër, duhet të mësojë se si të artikulojë idetë e tij dhe gjithashtu të mësojë se si të përfitojë nga këndvështrimet e të tjerëve. Ndërsa ekspozimi ndaj kritikave të mundshme ose vëmendjes së tepërt mund të jetë frikësues për fëmijët introvertë, ata thjesht duhet të kuptojnë se përvoja nuk është aq e keqe sa prisnin të ishte.
Në fund të fundit, ne duam që nxënësit tanë të jenë të lumtur ashtu siç janë. Kjo fillon duke i lënë ata thjesht të jenë ata që janë, duke iu kushtuar vëmendje dhe duke përdorur mjetet e duhura për të hyrë në rezervuarin e pakufishëm të potencialit të secilit fëmijë.
Burimi: https://www.weareteachers.com/support-introverts-in-the-classroom/
Pershtati në shqip: Era Baliu, gazetare/korrespondente e Portalit Shkollor Albas për Kosovën
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Rregullorja e shkollës
Plan "PEI", për nxënësit me vështirësi në të nxënë
Plan projekte vjetore për klasat I-V, për çdo lëndë