INTERVISTË

Mesazhi i gjakovares, Ariana Rizvanolli: Të jesh mësues do të thotë të jesh dielli që ngroh zemrat e nxënësve!

“Që të jesh mësues i mirë duhet të jesh si dielli që me rrezet e tij ngroh zemrat e nxënësve!”, ky është një ndër mesazhet që ka dhënë mësuesja gjakovare Ariana Gala Rizvanolli, në një intervistë për Portalin Shkollor, të cilën më poshtë e gjeni të plotë.

Mësuesit janë shumë të rëndësishëm në jetën e gjithsecilit prej nesh. Ata që na edukojnë e na japin dije, janë edhe më shumë se kaq! Baza nis që në fillore. Ndaj, këtë herë pjesë të rubrikës “Një mësues për t’u dashur” kemi bërë një mësuese e cila prej tetë vitesh jep mësim në shkollën fillore “Gjergj Fishta” në Gjakovë. Ariana Gala Rizvanolli spikat për dashurinë ndaj nxënësve të saj. Ajo ka parim që çdo ditë mësimi ta bëjë sa më të pëlqyeshme për auditorin e saj të vogël. Shpeshherë bënë krijime, punë me dorë, për aktivitete të ndryshme dhe nëpërmjet tyre kërkon të frymëzojë nxënësit dhe t’i bëjë ata të ndihen të lumtur në shkollë. “Unë gjithmonë them që, sikur dhe njëqind herë të jetoja përsëri këtë  profesion  do të zgjidhja"- kështu është shprehur gjatë intervistës mësuese Ariana. Ju ftojmë të lexoni më poshtë mesazhet e veçanta që ajo ka dashur të japë për kolegët nëpërmjet Portalit Shkollor.



Zj.Ariana prej sa vitesh shërbeni në arsimin fillor në Kosovë, Gjakovë?


Jam mësuese që prej 8 vitesh në një fshat afër qytetit të Gjakovës. Fshati quhet Ujz. 



Pse zgjodhe të bëheshe mësuese?


Dëshira për t’u bërë mësuese më lindi që nga fëmijëria, kur unë fillova shkollën fillore. Gjithmonë kur vija në shtëpi nga shkolla, pasi bëja detyrat, menjëherë filloja lojën si mësuese, ku vëllai im ishte gjoja nxënësi. Kam shumë nostalgji për atë kohë, por më duhet të them se kisha një mësuese shumë të mirë e cila më bëri ta dua këtë profesion.



Cili është parimi juaj në mësimdhënie?


Që të edukosh të tjerët duhet vetë të jesh i edukuar, pra që të ndikosh drejtë te brezi i ri, duhet të jesh shembull i mirë. Mësuesi me punën dhe shembullin e sjelljes së tij ndikon drejtpërsëdrejti në trajtimin e personalitetit të brezit të ri, prandaj ai duhet të jetë i sinqertë dhe i drejtë. Mendoj që mësimdhënia është profesion që të ofron mundësinë që asnjë ditë pune të mos jetë e njëjtë. Puna e mësuesit e ndërthurur me aktivitete e bënë më të lehtë dhe më të kuptueshëm mësimin për nxënësit.



Në fakt shpesh herë ju kemi bërë pjesë të Portalit Shkollor me punët dhe aktivitetet që zhvilloni në klasën ku jepni mësim. Vihet re një origjinalitet i tyre. Çfarë ju frymëzon për të krijuar? 



Të gjithëve na pëlqejnë gjërat e bukura, gjerat që na tërheqin vëmendjen, ato që mbesin më gjatë në mendjen tonë e sidomos në mendjen e fëmijëve; janë ngjyrat të cilat na bëjnë të reflektojmë dhe të  bëhemi më krijues në punën tonë të përditshme. Këto aktivitete i zhvillojnë më së shumti aftësitë motorike te secili nxënës ku të gjithë në mënyrën e tyre mund të japin ide të cilat janë mjaft origjinale.



Si i keni marrëdhëniet me nxënësit? 


Marrëdhëniet me nxënësit i kam shumë të te mira, bashkë kemi shumë harmoni në klasë. Gjithmonë kam pasur një dashuri të veçantë për nxënësit e mi, por tani kjo dashuri është rritur pasi u bëra vetë nënë. Nxënësit më duken si fëmijët e mi!

Mësuese Ariana me nxënësit e saj gjatë një eskursioni në natyrë

Po me kolegët dhe prindërit?


Dhe me kolegët kam raporte të mira. Ndërsa me prindërit funksionon shumë mirë trekëndëshi Mësues-Prind-Nxënës. Më mbështesin në çdo aktivitet që bëjë. Ju jam mirënjohëse dhe prindërve.



Cila është këshilla juaj për kolegët për mësimdhënien?


Këshilla ime është që së pari, ta duan profesionin, ta bëjnë me vullnet çdo orë mësimore, sepse është profetësi që ta mbush shpirtin, sidomos për atë që e do me të vërtetë mësuesinë. Punoni me nxënësit sepse puna juaj një ditë do të dal në pah, është punë kur suksesi shihet pas një kohe dhe kjo gjë të lumturon.



Cili është kujtimi juaj më i bukur gjatë viteve të punës? 


Kujtimi im më i paharruar gjatë këtyre viteve është kur kam përcjellë gjeneratën e parë, e kam përjetuar me shumë emocion sepse nxënësit ishin bërë tashmë pjesë e jetës sime dhe ishte e dhimbshme ndarja nga ata. Është një ditë të cilën do ta mbaj gjatë në mendjen time.



Sa ndikon familja në përmirësimin tuaj personal dhe profesional? 


Shumë pyetje me vend, mendoj që familja është çelësi kryesor i suksesit. Harmonia në familje, mbështetja e bashkëshortit, Shpendit, dhe e djalit, Akilit, janë motivi i punës sime që e bëjë me plotë dashuri dhe vullnet. 



Mesazhi juaj për “Një mësues për t’u dashur”, çfarë duhet dhe nuk duhet të bëjë një mësues për të pasur vlerësimin dhe admirimin nga shoqëria e sidomos nga brezat që do të edukojë? 


Unë gjithmonë them"SIKUR DHE NJËQIND HERË TË JETOJA PËRSËRI KËTË  PROFESION  DO TË ZGJIDHJA". Më fal kënaqësi pafund puna me fëmijët, sepse çdo ditë që unë dal në punë është ditë e mbushur me dëshirë dhe lumturi. Që të jesh mësues i mirë duhet që çdo ditë te shfaqesh më të mirën tënde tek nxënësit. Të jesh si diell që me rrezet e tij ngroh zemrat e nxënësve! 




(Intervistoi Nanila Allkja Biçaku, Portali Shkollor) 

3,471 Lexime
4 vjet më parë