Menaxhimi i klasës

Mësimdhënia është art dhe të tillë e bën vetëm mësuesi

Përbërja e klasave është e ndryshme, numri i nxënësve në klasë është i madh dhe si rezultat disiplina në çdo klasë dhe rregullat e vendosura në të janë të ndryshme.

Menaxhimi i klasës dhe menaxhimi i sjelljes së nxënësve janë aftësi që mësuesit i fitojnë me kalimin e kohës dhe këto aftësi perfeksionohen pas një eksperience të caktuar.


Procesi i mësimdhënies kërkon aftësitë konsiderueshme për menaxhimin e një sërë detyrash e situatash që ndodhin në klasë çdo ditë. Këto aftësi, një mësues i fiton me praktikë dhe me dëshirën për të mësuar nga përvoja e mësuesve të tjerë. Po për fat të keq kjo është më e lehtë të thuhet, se sa të vihet në praktikë.


Tabu të llojit “kjo bëhet, kjo s’bëhet” nuk duhet të ekzistojnë, sepse tashmë i duhet lënë vend përpjekjeve për gjetjen e metodave efikase për një të mësuar aktiv.


Mësimdhënia është art dhe të tillë e bën vetëm mësuesi.

Ora e mësimit në të vërtetë fillon para se mësuesi të hyjë në klasë. Vetë mësuesi duhet të jetë i qartë se çfarë do të kërkojë nga nxënësit, t’u tregojë nxënësve se çfarë kërkon nga ata.

Kur mësuesi merr nga nxënësi atë që ai pret, e inkurajon me shprehje vlerësuese, ndërsa kur mësuesi nuk merr informacionin që klasa pret, ai e plotëson këtë informacion duke ftuar edhe nxënësit e tjerë në klasë të japin mendimin dhe argumentat e tyre.


Shpesh në klasë bëhen marrëveshje, të cilat jo gjithmonë janë garanci për një sjellje të mirë të nxënësve. Mësuesi duhet të jetë i aftë të vëzhgojë dhe të monitorojë punën dhe sjelljen e të gjithë nxënësve në klasë.


Përbërja e klasave është e ndryshme, numri i nxënësve në klasë është i madh dhe si rezultat disiplina në çdo klasë dhe rregullat e vendosura në të janë të ndryshme.

Në këto kushte, për të minimizuar problemet në klasë, mësuesi duhet të identifikojë pritshmëritë për sjelljen e nxënësve dhe të komunikojë vazhdimisht me ata për këtë sjellje.

Në klasë caktohen një sërë rregullash, po që jo gjithmonë zbatohen nga nxënësit. Ndaje dhe pajtueshmëria, apo jo me rregullat duhet të monitorohet vazhdimisht.


Në klasë duhet të vihen rregulla që nxënësit janë të gatshëm t’i zbatojnë, sepse ndonjëherë sjellja e nxënësve ndryshon për shkak të aktivitetit që zhvillohet në klasë, apo lënies së nxënësit jashtë vëmendjes, gjë që mund të sjellë edhe probleme në klasë. Në klasë ka një disiplinë të mirë kur aktivitetet janë të strukturuara për të përmirësuar sjelljen bashkëpunuese të nxënësve.


Përveç sjelljes, mësuesi në klasë duhet të menaxhojë edhe njohuritë e nxënësve. Nxënësi bëhet konfuz, ndjehet i pasigurt, kur mësuesi përdor terma të paqarta, merr shembuj të paqartë dhe e ndërpret nxënësin kur jep mendim.


Nxënësit duhet të jenë të përgjegjshëm për punën e tyre. E rëndësishme për mësuesin, gjatë orës së mësimit, është të kuptojë se sa informacion është përthithur nga nxënësi. Mësuesi duhet të jetë shumë i vëmendshëm se çfarë mund të bëjë ose të mos bëjë nxënësi i tij, si i përdor nxënësi mjetet didaktike dhe çfarë informacioni thith ai prej tyre, etj. Mësuesi udhëzon si duhet të punojë nxënësi në bankë, çfarë detyre ka ai në grup, sa i aftë është ai të punojë në projekte të vogla ose në grup.


Një nxënës nxë më shumë informacion, nëqoftë se aktivitetet në klasë janë interesante dhe kanë për qëllim që të nxitin punën e pavarur në grup.

Mësuesi mund të përdorë çdo mjet për të cilin ai është i sigurt se do të ndikojë pozitivisht në sjelljen e nxënësve. Duke vëzhguar klasën, mësuesi duhet të parashikojë sjelljet nga veprimet e nxënësve dhe t’i parandalojë ato, po jo duke ndërprerë momentet e mësimit. Ai mund të shkojë afër nxënësit duke i dhënë një shenjë jo vizive (duke e përkëdhelur lehtë në flokë, apo duke e prekur lehtë në sup), mund ta thërrasë nxënësin në emër duke i kërkuar të plotësojë informacionin për të cilin po flitet në klasë, p.sh. “shiko te tabela, lexojmë bashkë një rresht, tani dua që gjithë vëmendja juaj të përqëndrohet te shoku dhe bashkë të plotësojmë atë që shoku harron ta thotë”, ta thërrasë nxënësin me emër duke i bërë shenjë verbale, etj.


Shpesh herë mësuesit përdorin edhe mënyrën e dëninimit, por duhet patur parasysh se përdorimi i shpeshtë i dënimit është dukuri që ndodh në rastet e menaxhimit të dobët të klasës dhe, në përgjithësi, duhet shmangur.


Në rastet që jepet dënim, ky dënim patjetër duhet të lidhet me sjelljen e keqe. Dënimet më të buta janë shpesh më efektive dhe nuk sjellin emocione negative. Nxënësi do të bëjë më pak gabime nëse ai përfshihet në aktivitetet që i dëshiron.


Ndërsa për rastet më të rënda si: zëniet mes shokësh në klasë, ndërprerja e vazhdueshme e mësimit, vjedhjet, etj., kërkojnë masa disiplinore nga bordi i shkollës. Megjithatë, edhe këto raste një mësues i aftë di si t’i menaxhojë dhe t’i minimizojë. Në rastet e dënimit marrja parasysh e pasojave është faktor kyç në menaxhimin e klasës.


Rregullat disiplinore vendosen në shumë shkolla dhe janë një mënyrë efektive që çdo shkollë të menaxhojë sjelljen e nxënësve të saj. 


(Xhoziana Bebi, mësuese e ciklit të ulët; Portali Shkollor)

32,058 Lexime
7 vjet më parë