"Mësueset ndihmëse, profesionistet e padukshme në rrugëtimin e nxënësve me aftësi ndryshe"

Çdo fillim shkollor sjell shpresë e përgjegjësi të reja, veçanërisht për fëmijët me aftësi ndryshe. Ata janë pasuri që japin ngjyra e kuptim klasës. Siç shkruan punonjësja sociale Emanuela Dervishi, roli i mësueseve ndihmëse, prindërve dhe stafit është thelbësor për gjithëpërfshirje dhe barazi.

Nga Emanuela Dervishi

Punonjëse Sociale 

Shkolla 9-vjeçare “ Qamil Guranjaku” Elbasan 


“Të gjithë ne, mësues, prindër, profesionistë jemi thurësit e një rrjeti të përbashkët që i japin forcë fëmijëve të rriten, të zhvillohen dhe të ëndërrojnë.”


Çdo fillim viti shkollor mbart në vete shpresë, pritje dhe përgjegjësi të reja. Për fëmijët me aftësi ndryshe (AN), ky fillim është edhe më i veçantë. Ai nuk është thjesht hapja e një dere klase, por një hap drejt përfshirjes, drejt një shoqërie më të drejtë dhe më të barabartë. Në këtë rrugëtim, roli i mësueseve ndihmëse është i pazëvendësueshëm, ashtu si edhe bashkëpunimi i ngushtë mes tyre, prindërve, stafit pedagogjik dhe shërbimit psikosocial.


Fëmijët me AN një pasuri në klasë


Shpesh shoqëria i sheh fëmijët me aftësi ndryshe vetëm nga këndvështrimi i vështirësive. Por ata janë shumë më tepër: sjellin në klasë forma të reja të të menduarit, na mësojnë të gjithëve ne durimin, tolerancën dhe mbi të gjitha, na rikujtojnë se vlerat njerëzore nuk maten me shpejtësinë e leximit apo me notat në fletore. Secili prej tyre është një pasuri që i jep ngjyrë dhe kuptim procesit arsimor.


Mësueset ndihmëse urë midis ëndrrave dhe mundësive


Mësueset ndihmëse janë shpesh profesionistët e padukshëm të përditshmërisë shkollore. Ato qëndrojnë pranë fëmijëve, duke i mbështetur në çdo hap: nga shpjegimi i një ushtrimi deri tek nxitja për të marrë pjesë në lojë apo aktivitet. Roli i tyre shkon përtej mësimdhënies, është rol human, empatik, shërues. Ato bëhen ura që lidhin fëmijën me klasën, me mësuesit dhe me botën jashtë shkolle.


Këndvështrimi i punonjëses sociale


Nga pozicioni i punonjëses sociale, shoh çdo ditë sa i rëndësishëm është ky bashkëpunim zinxhir: prindi që beson, mësuesi që udhëzon, mësuesja ndihmëse që shoqëron, shoku i klasës që pranon dhe fëmija që guxon të ëndërrojë. Ky është rrjeti i përbashkët që ne thurim për të mos lejuar që asnjë fëmijë të mbetet pas. Ju mësuese ndihmëse jeni arkitektë të vërtetë të dijes, të aftë për të ndërtuar ura aty ku ndonjëherë duket se ka mure. Angazhimi, durimi dhe kreativiteti juaj janë themeli mbi të cilin bazohet gjithëpërfshirja.

Detyra jonë është jo vetëm të mbështesim fëmijën, por edhe të fuqizojmë mësuesit ndihmës, të sensibilizojmë prindërit dhe të krijojmë një klimë mirëkuptimi në klasë. Vetëm kështu gjithëpërfshirja kthehet nga ide në realitet.


Urimet më të mira për nxënësit me aftësi ndryshe dhe mësueset ndihmëse


Ju uroj një vit plot zbulime, miqësi dhe buzëqeshje. Ju jeni unikë dhe të veçantë, me talente dhe mënyra për ta parë botën që pasurojnë klasën tuaj dhe të gjithë shkollën. Mos kini frikë të kërkoni ndihmë dhe jini krenarë për atë që jeni. Shkolla është vendi juaj i sigurtë, një vend ku mund të rriteni, të mësoni dhe mbi të gjitha, të jeni të lumtur.

 Uroj që mësueset ndihmëse të gjejnë forcë e motivim për të vijuar punën e tyre të vyer dhe që mësuesit, prindërit e profesionistët të bashkohen si një trup i vetëm në këtë mision fisnik. 


Gëzuar fillimin e vitit shkollor të gjithëve!



© Portali Shkollor Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

151 Lexime
2 orë më parë