Histori nga shkolla

Mësuesja dhe patatet... Një histori mësimore për urrejtjen

Një mësuese vendosi të luajë një lojë në klasën e saj. Kështu u thotë fëmijëve, një nga një, të sjellin një qese plastike, ku të fusin disa patate....(lexoni më poshtë historinë e plotë).

Një mësuese vendosi të luajë një lojë në klasën e saj.


Kështu u thotë fëmijëve, një nga një, të sjellin një qese plastike, ku të fusin disa patate. Do t'i japin çdo patateje një emër për çdo fytyrë që urrejnë. Pra, numri i patateve që secili fëmijë vendoste në qesen e tij do të varej nga numri i njerëzve që urrenin.


Të nesërmen, secili fëmijë solli një qese me patate, ku në secilën patate ishte shkruar emri i njerëzve që urrenin. Disa fëmijë kishin dy patate në qese, disa tre, disa pesë dhe disa më shumë.


Mësuesja më pas u thotë fëmijëve që të mbanin qesen plastike me patate me vete kudo që të shkonin (madje edhe në tualet) për disa ditë.


Pas disa ditësh, fëmijët filluan të ankohen, për shkak të erës së pakëndshme që lëshonin patatet, të cilat filluan të kalben. Ata që kishin më shumë patate në qese duhej të mbanin peshën e tyre më të madhe.


Pak ditë më vonë, loja mbaroi dhe fëmijët u lehtësuan duke u çliruar si nga barra ashtu edhe nga era e keqe e patateve të prishura.


Mësuesja i pyeti fëmijët: "Si u ndjetë gjatë lojës?" Fëmijët, si grup, filluan të ankoheshin për faktin se duhej të mbanin kudo një qese me patate të prishura me erë të keqe, në çdo çast.


Mësuesja më pas u zbuloi kuptimin e fshehur pas lojës. “Kështu ndodh kur në zemër keni urrejtje për dikë. Era e keqe e urrejtjes do të zërë fole në shpirtin tuaj dhe do ta mbani me vete kudo që të shkoni vazhdimisht.


Nëse nuk e duroni dot erën e patateve të kalbura vetëm për disa ditë, a mund ta imagjinoni se si do të ishte të kishit erën e urrejtjes në shpirt për një jetë?''



Përktheu: Shpendi Shakaj 

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,281 Lexime
1 vit më parë