Intervistë

Mësuesja Erjona Gjokeja dhe Festa e Abetares që ajo organizoi në muajin e 9-të të shtatzënisë

Mësuesit janë misionarë të dijes, por edhe heronj të fëmijëve për t’i dhuruar atyre kujtime të paharrueshme. E tillë është dhe mësuesja Erjona Gjokeja. Edhe pse ishte në vështirësitë e muajit të 9-të të shtatzënisë, ajo nuk e tejkaloi organizimin e festës së Abetares për nxënësit e saj...


Edhe pse u bënë disa javë që kemi lën pas vitin shkollor 2022-2023, nuk mund të mos i kthehemi një rasti i cili është tejet i veçantë ndër festimet që u zhvilluan për festën e Abetares. Mes aktiviteteve që na kanë dërguar për këtë rast, për t’i publikuar në Portalin Shkollor, na tërhoqi vëmendjen mesazhi i mësueses Erjona Gjokeja. Entuziazmi i nxënësve të saj, që sapo kishin përfunduar klasën e parë në shkollën “Ramazan Jangozi” në Thumanë, ishte tepër i dukshëm. I kuptueshëm qe edhe fakti se mësuese Erjona kishte punuar shumë me këta fëmijë, që ata ta kujtonin përherë festën e tyre të Abetares, edhe pse ajo vet në atë kohë ishte në muajin e 9-të të shtatzënisë, në pritjen e vajzës. Organizimi i një ngjarje të tillë sigurisht që bëhet pak më i vështirë në këto kushte, por impenjimi dhe sakrifica e saj për t’i bërë mbi të gjitha nxënësit e lumtur na shtyu t’i merrnim një intervistë, për të mësuar diçka më tepër rreth misionin të saj të mësimdhënies. 




Mësuese Erjona, vitin shkollor që lam pas ju e përmbyllët me festën e Abetares. Si shumë klasa të para në mbarë vendin në fakt, por ndryshe nga shumë kolegë tuajt, ju ishit në muajin e 9-të të shtatzënisë. Sa e vështirë ishte për ju të realizonit këtë aktivitet dhe pse jo të mos dorëzoheshit për ta tejkaluar atë? Nxënësit dhe prindërit na janë shprehur tepër entuziastë pas festës :)....  


Duke marrë parasysh gjendjen time ishte e lodhshme, por duke qenë se që nga momenti i parë i nisjes nuk mungoi as një moment dëshira për të realizuar një festë të bukur e cila të mbahej mend, dhe fëmijët të kënaqeshin me festën e tyre të parë në kuadër të dijes, atëherë arrita ta realizoj me sukses. Nuk mund te lë pa përmendur dhe kontributin e mësueses së parë paralele (Anila Murati),e cila bashkëpunoi me mua për realizimin me sukses të festës.



Dimë gjithashtu se jo vetëm për këta vogëlushë, por edhe për ju ka qenë hera e parë që jeni përfshirë në një festë të ABC-së. Sa kohë ju mori realizimi i këtij aktiviteti? 


Është e vërtetë që ishte festa ime e pare, dhe punova fort dy muaj para për ta realizuar programin siç duhej.



Pasi përfundoi, cila qe ndjesia që mendon se do ta mbash mend gjithmonë nga kjo festë e parë? 

Ishte ndjesi e veçantë dhe shumë e bukur të shikoja që të gjitha përpjekjet dhe mundi im që kisha bërë për një kohë të gjatë, u vlerësuan, arrita të shihja krenarinë dhe shkëlqimin e fëmijëve të cilët janë lodhur po aq sa mua, dhe atë çka ato fëmijë kanë mësuar nga mua gjatë gjithë klasës së parë.



Ju keni 5 vite që jepni kontributin tuaj në Arsimin Fillor. Si kanë qenë deri më tani këto vite për ju? Çfarë do të thotë për ju të edukoni dhe të arsimoni filizat e shoqërisë?


Është shumë e rëndësishme dhe e bukur të punosh me pasion dhe të edukosh brezat që po rriten sot në shoqërinë tonë. Të bën të ndihesh krenarë të shikosh se si arrin të formosh dije tek këto fëmijë duke filluar nga copëza të vogla e duke arritur deri në gjëra të mëdha. Për mua është shumë e rëndesishme të shikoj se si pranë meje fëmijët arritën të mësojnë shkronjat e tyre të para dhe të shkruajnë fjalët e tyre të para e më të rëndësishme për ta siç janë: fjala nënë, baba, gjysh/gjyshe, motër apo vëlla si dhe shumë e shumë fjalë të tjera.


Nga ana tjetër, ju vet jeni nënë e dy fëmijëve, mund të na thoni se si do doje të ishin mësuesit e fëmijëve të tu, ndoshta disa karakteristika që do i konsideroje më primare te kjo figurë misionari të dijes? 


Siç e përmendet edhe ju, mësuesia është mision i dijes; mësuesi duhet të punojë me pasion me fëmijët, duhet t’i vlerësojë ato, të njohë nevojat e nxënësit që të mund ta ndihmojë atë. Gjithashtu mësuesi duhet të jetë gjithëpërfshirës, i dashur, i ngrohtë e mikpritës për nxënësit e tij, dhe të vendosë pritshmëri të larta për të gjithë nxënësit. Çdo nxënës mund të japë shumë dhe është njëlloj i rëndësishëm dhe i veçantë.



Po mesazhi që dëshiron t’i japësh të gjithë prindërve dhe kolegëve për edukimin e fëmijëve, cili është?


Të mësuarit është i gjatë dhe i vështirë, por ai bëhet më i lehtë kur pranë fëmijëve qëndron prindi në shtëpi dhe mësuesi në klasë, prandaj të gjithë prindër e mësues duhet të qëndrojnë sa më afër fëmijëve në rrugën e gjatë të edukimit.




Intervistoi Nanila Allkja Biçaku

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,825 Lexime
9 muaj më parë