INTERVISTË

Mësuesja model e artit në mësimdhënie, Teuta Lagja: Fëmijët janë vëzhgues të mirë dhe jo dëgjues

Në jetë udhëhiqemi edhe nga modele njerëzish të arrirë,që frymëzojnë apo që ngjallin pozitivitet dhe profesionalizëm me punën e tyre në komunitet. Sot sjellim profilin e një mësueseje e cila gati-gati duket e kompletuar profesionalisht dhe artistikisht.Ajo është Teuta Lagja.Po çfarë e bënë atë vërtetë unike?

Shpesh herë në Portalin Shkollor Albas sjellim profile të ndryshme mësuesish të cilëve fjala e veprimi u ka peshë! Ju jeni ndër to. Një zonjë nga Shkodra. Edhe pse me profesion jeni mësuese filloreje, tek ju nuk shteron energjia dhe pasioni për të pikturuar apo për të bërë punë të ndryshme artistike me dorë...

Në fakt këtë intervistë është e mira ta nisim nga fillimi, flas kur ju keni qenë ende e vogël në një botë të madhe! Nëse mund ta themi kështu…


Pikërisht !

Aty zë fill dashuria për artin dhe profesionin njëkohësisht. Teksa vizatoja me lapsa, shkumësa e shkopinj mbi dhé, njëkohësisht luanim me shoqërinë "Shkollash" ku unë isha gjithmonë në rolin e mësueses.



Çfarë të pëlqente të bëje atëherë dhe për çfarë ëndërroje? 


Mendoj se roli i mësueses më ka tërhequr gjithmonë në jetë.



Pra për mësuesinë nuk ka një fillesë, ka lindur bashkë me ty dëshira për të qenë e tillë. Po përsa i përket marrëdhënies me pikturën, kur ke filluar të pikturosh për herë të parë?


Punimet e para i kujtoj nga klasa e tretë, ku i ranë në sy edhe mësueses time të fillores, po mbase dhe pak më herët.



Nga çfarë u nxite të pikturoje, ishe diçka që kultivohej në familjen tënde apo ndikoi në përgjithësi jeta shoqërore artistike e qytetit?


Në familje nuk më pikturonte njeri, ose mbase e kishin talent të fshehur, por në Shkodër arti kultivohet në shoqëri. Ai ndihet kudo. Është natyra, mjedisi që ta kultivon atë. Ai është si uji dhe ushqimi për ne, pra jetësor.


A keni trashëguar ju humorin shkodran, si shumë shkodranë të tjerë, apo jeni një mësuese serioze?

Nuk e di, gjykojeni vete (Qesh)

(Mësuesja Teuta Lagja bashkë me nxënësit në klasë. Një foto që ka përgjigjen e pyetjes më lartë:))

Edhe pse kanë kaluar vite ju vazhdoni të jeni e pasionuar ende pas pikturës, jeni mes telajosh, ngjyrash, frymëzimi të pafund...e natyrshëm vjen pyetja klishe: pse zgjodhe të bëheshe mësuese, e doje më shumë se pikturën këtë profesion?


Pyetje drejtë, por e vështirë për t'u kuptuar përgjigja në ditët e sotme. Asokohe dega e artit bëhej në Tiranë dhe unë nuk e vazhdoja dot atje. Pastaj mes artit që nuk te sjell mundësi të mbash familjen dhe dashurisë për profesionin e mësuesisë, zgjodha këtë të dytin duke i  premtuar vetes qe do mbaja pranë vetes dhe dashurinë për artin.



A ka ndonjë lidhje mes Teutës që pikturon dhe Teutës që jep dije, domethënë si i shihni ju këto dy role që janë të rëndësishëm për jetën tuaj? Ku bashkohen dhe ndahen, nëse ndodh... 


Ju më pyesni lidhjen, po unë në fakt nuk di t'i ndaj. Unë përjetësisht kam përdorur artin në shërbim të mësimdhënies. Nuk e ke idenë sa argëtuese është për fëmijët. Ata kënaqen kur shohin pjesët e bimës të ngjashme me trupin e njeriut të vizatuar në tabelë, kur shohin pjesët e relievit të gjitha të vizatuara në dërrasën e zezë, apo kur shohin një trekëndor me buzëqeshje të vizatuar brenda, kur shohin muralen e klasës, muralet e shkollës, kur shohin si gurët, guaskat, fijet e leshta, drunjtë e pa vlerë kthehen në art apo thjesht kur shohin një kombinim ngjyrash në një mjedis. Ata janë shumë vëzhgues. I duan ngjyrat.

Me praktikën kam mësuar se pamja vizuale rri më qartë në memorie, sesa ajo teorike. Fëmijët i ndajnë këto kënaqësi të vogla me të tjerët gjithë emocion.



Përgjatë kalimit të viteve kush ju ka plotësuar më shumë si njeri, mësuesia apo piktura? Apo ka pasione të tjera që mund të na i rrëfesh?


Piktura dhe mësuesia nuk janë ndarë kurrë nga unë, prandaj nuk i shoh dot të ndara.

(Muralja te hyrja e shkollës e realizuar nga mësuesja Teuta Lagja dhe fëmijët e shkollës si pjesë e projektit "Fower/Power of my city)

Njerëzit  tërhiqen vizualisht tek unë nëpërmjet pikturës si fillim e  më pas ata njohin artin e mësuesisë...Shumë habiten kur gjejnë një mësuese të fillores që është edhe piktore. Kjo i habit sidomos të huajt. (https://instagram.com/art_studio_lingent_teuta_lagja?igshid=cqn945i6bc0t). Imagjino pastaj kur më gjejnë si autore e bashkautorë në botime të ndryshme... si të dashuruar pas fotografisë (https://instagram.com/teuta.lagja.photography?igshid=1ieo8l2m3jmos), apo si pjesë aktive e shoqatave joqeveritare dhe aktiviste e shoqërisë civile.

Si do ta përshkruanit veten si mësuese por edhe si një njeri i cili pëlqen pikturën, jetën aktive, humorin dhe të shkruarin? 


Unë jam një nga ata. Një nga ata "Të heshturit" që kërkon zë, por jo reklamë. Kërkoj zë për të drejtën, por jo për të shitur veten. Piktura dhe të shkruarit, faktikisht më qetësojnë, pas shijes së hidhur që më le fryma revolucionare ndaj padrejtësive.



I doni ju më shumë nxënësit apo ata ju? Çfarë mund të na thuash për këtë marrëdhënie, sa dallon ajo nga e prindit, ju jeni edhe nënë apo jo? 


Po, jam nënë e dy fëmijëve, njëra maturante e tjetri në klasë të 7-të. Të qënit prind më ka profesionalizuar më shumë dhe më ka dhënë modele mbi ndjenjat e fshehura të fëmijëve. Duke kuptuar emocionet e fëmijëve te mi, mësoja si te isha një mësuese më e mire. Qoftë fëmijët tanë, qoftë nxënësit, kërkojnë modele. Ata bëjnë çfarë shohin jo çfarë u thua të bëjnë. Ndërsa përsa i përket dashurisë me nxënësit gjatë periudhës që i mbaj fëmijët për 5 vite, më duan ata më shumë besoj. Ata ndonjëherë më futin në sherr me nënat që bëhen xheloze. (shaka-qesh). Pasi i dorëzoj,  i dua unë, se pastaj ata fillojnë të harrojnë, ndërsa mua më mungojnë shumë dhe ndihem krenare sa herë që  koleget më tregojnë arritjet e tyre. Ndihem si një "nënë krenare", jo më si mësuesja.



Sa mundësi ka një mësues që punon në fshat të zhvillohet profesionalisht dhe pse jo të ndikojë fort në komunitet? A janë ata fatlumë? Mund të na flisni për disa nga punët tuaja p.sh në këtë drejtim? 


Që një mësues fshati të zhvillohet profesionalisht në fshat, ka të njëjtat mundësi si një mësues në qytet dhe i qëndroj fort kësaj ideje si një mësuese që ka punuar 20 vite vetëm në fshat dhe plot rezultate. Ndikimi në komunitet ka raste që është shumë ndikues, ka raste që venitet në pak kohë. Kjo varet nga aftësia e mësuesit dhe shkollës në frymën e bashkëpunimit dhe punës së vazhduar. Nëse punohet vetëm me një turr, pa përsëritje, nuk arrihet asgjë. Personalisht ndihem e fituar, sepse kam korrur suksese me nxënësit e mi. Vjet fituam edhe çmimin e parë në projektet e platformës Etëinning për moshat 7-11 vjeç.

Jemi pjesë e disa projekteve në organizma joqeveritarë që bashkëpunojnë me arsimin si qendra World  Vision, Eden, "Në Dobi të Gruas Shqiptare" etj. Një mësues fshati mund te quhet "fatlum"në aspektin ku prindërit dhe komuniteti i respekton akoma. Fëmijët në  përgjithësi janë më të prirur të dëgjojnë mësuesit, por pjesa tjetër vjen e vështirë. Pas dëgjimit duhet të vijë pjesa e përvetësimit dhe e vënies në praktikë. Këtu çalon çdo gjë. Dëshira për emigracion të hershëm vjen herët në vëmendjen e tyre dhe kjo i largon tërësisht nga dijet. Ndërsa një pjesë tjetër humbasin, si pasojë e ngërçeve në hallkat e arsimit.





Intervistoi Nanila Allkja Biçaku 


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

4,479 Lexime
3 vjet më parë