“Ndërmjetësimi si zgjidhje” - Të rinjtë e Tiranës bëhen bashkë për të promovuar kulturën e Ndërmjetësimit

Konfliktet mes të rinjve mund të zgjidhen me dialog, jo me dhunë. Përmes projektit “Justice Through Mediation”, gjimnazistët e Tiranës u trajnuan dhe krijuan materiale sensibilizuese për të promovuar kulturën e ndërmjetësimit mes bashkëmoshatarëve, duke u bërë zë i paqes dhe ndryshimit pozitiv.

Vitet e fundit kemi qenë dëshmitarë të rasteve ekstreme kur konfliktet mes adoleshentëve e të rinjve, shumë syresh të lindura në rrjetet sociale, kanë përfunduar në dhunë ekstreme dhe jo rrallë, kanë rezultuar edhe në humbje jete. Në përgjigje të kësaj situatie, gjimnazistët e kryeqytetit u bënë bashkë për të treguar se konfliktet mund të zgjidhen me dialog dhe ndërmjetësim. I njohur si “ndërmjetësimi mes bashkëmoshatarëve” (peer mediation), kjo kulturë nuk ka qenë shumë e njohur dhe e përhapur në shkollat tona, edhe pse ka rezultuar mjaft efikase në vende të tjera të botës.


Fushata e promovimit dhe trajnimit të të rinjve në ndërmjetësim, e rikonceptuar dhe e zgjeruar për të pasur një shtrirje më të gjerë dhe një ndikim më të fortë parandalues dhe edukues në komunitet, mori jetë falë projektit “Justice Through Mediation” i financuar nga Bashkimi Evropian, të cilin po e zbaton CSSP– Berlin Center for Integrative Mediation dhe Qendra e Shërbimeve dhe Praktikave Ligjore të Integruara në bashkëpunim me Dhomën Kombëtare të Ndërmjetësve dhe Drejtorinë e Ndihmës Ligjore Falas dhe me kontributin e veçantë të Qendrës së Parandalimit të Krimeve të të Miturve dhe të Rinjve (QPKMR). 

Gjithçka nisi me përzgjedhjen e një grupi prej 24 pjesëmarrësish të rinj (ku 62% ishin vajza) nga zona të ndryshme të Tiranës, e veçanërisht nga shkollat e mesme të njohura “Sami Frashëri” dhe “Sevasti Qiriazi”. Të rinjtë morën pjesë në një trajnim njëditor, ku u diskutuan shtyllat kryesore të ndërmjetësimit: parimet e ndërmjetësimit midis bashkëmoshatarëve, transformimi i konflikteve, dëgjimi aktiv, aftësitë e komunikimit dhe strategjitë e parandalimit të udhëhequra nga vetë të rinjtë.


Për të përmbyllur me sukses trajnimin, u prodhuan edhe materiale ndërgjegjësuese nga vetë të rinjtë, duke kaluar kështu nga teoria në praktikë. Të ndarë në tre grupe e të mbështetur në çdo hap përmes mentorimit nga ekspertët e ndërmjetësimit dhe komunikimit, ata shndërruan idetë e tyre në produkte konkrete: një video sensibilizuese, postera dhe fletëpalosje apo broshura, duke siguruar që mesazhet t'i përshtateshin moshës së audiencës. 

Një nga pikat më të forta të projektit ishte fakti se materialet ndërgjegjësuese u krijuan nga vetë të rinjtë, duke i bërë mesazhet më autentike dhe më pranë bashkëmoshatarëve të tyre. Materialet kanë nisur të shpërndahen në shkollat e Tiranës nga nxënësit dhe mësuesit, ndërsa në muajt në vijim do të publikohen edhe në rrjetet sociale për të përfshirë familjet dhe komunitetin.


Projekti kontribuoi në rritjen e ndërgjegjësimit të të rinjve, forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe mbështetjen e politikave kombëtare për parandalimin e kriminalitetit rinor. Ai u përmbyll me një aktivitet prezantues të rezultateve, duke dëshmuar se të rinjtë mund të jenë promotorë të paqes, dialogut dhe ndryshimit pozitiv në shoqëri.


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

95 Lexime
5 orë më parë