Arsimi në Itali

Një model: Manifesti për shkollën e re

“Manifesti për Shkollën e re” është dokument i hartuar nga një grup mësimdhënësish nga e gjithë Italia dhe i nënshkruar nga shumë profesorë dhe intelektualë universitarë të cilët i ka shqetësuar rrëshqitja drejt analfabetizmit e brezave të rinj për shkak të dështimit të sistemit aktual mësimor.

Në Itali, e cila ndodhet e përfshirë prej gati dy dhjetëvjetëshashnë një krizë të sistemit arsimor, mësimdhënësit, si edhe njerëz të dijes e të shkencës, janë organizuar duke nënshkruar peticionin “Manifesti për Shkollën e re”. 


“Manifesti për Shkollën e re” është dokument i hartuar nga një grup mësimdhënësish nga e gjithë Italia, të mbledhur në lëvizjen "Shkolla jonë", dhe i nënshkruar nga shumë profesorë dhe intelektualë universitarë; ndër nënshkruesit lexohen edhe dhjetëra emra të shquar të kulturës dhe shkencës italiane të cilët i ka shqetësuar rrëshqitja drejt analfabetizmit e brezave të rinj për shkak të dështimit të sistemit aktual mësimor. 


Propozimi i manifestit përqendrohet në disa ide themelore. Shkolla demokratike duhet të luftojë analfabetizmin, të japë mësim, të edukojë, të ndihmojë për rritjen e gjithë qytetarëve të ardhshëm. Për ta bërë këtë, ajo duhet t’i kthejë vlerën dijes dhe të propozojë përmbajtje kulturore të rëndësishme e apasionuese, të cilat të ripunohen dhe aktualizohen vijimisht nëpërmjet marrëdhënieve mes mësimdhënësish dhe studentësh. Mjetet dhe metodat që përdoren për të dhënë mësim nuk mund të standardizohen dhe as të burokratizohen; ato duhet të jenë adekuate dhe t’u përshtaten kohë më kohë studentëve dhe lëndëve, përmbajtjeve kulturore që synohet të propozohen, qëllimeve kulturore dhe arsimore që shkolla ka. Pos kësaj, e gjithë koha e shkollës duhet t'i kushtohet mësimdhënies dhe mësimnxënies, pa lëvizje burokratike, pa humbje kohe dhe pa totalitarizma metodologjikë që ngurtësojnë dhe asfiksojnë marrëdhëniet arsimore. Është e nevojshme, sipas peticionit, të vihet në qendër të shkollës ora e leksionit dhe veprimtaria konkrete didaktike, nëpërmjet një "dore-më-dorë" të vijueshme midis mësimdhënësish dhe studentësh, bazuar sidomos mbi fjalën dhe verifikimin e vijueshëm të punës së zhvilluar, për t’i vënë ledh përhapjes masive të analfabetizmit mes brezave të rinj, të theksuar tanimë prej njëzet vjet reformash rrënimtare dhe prej periudhës së gjatë të pezullimit të veprimtarisë didaktike në klasë. Së fundmi, mësimdhënësit duhet të kenë mundësitë të ballafaqohen me ekspertë të epokës evolutive për të zgjidhur problematika të veçanta dhe për të mundur të ndihmojnë më mirë studentët e tyre që të rriten. 

Etj.


Peticioni është hartuar duke i parashtruar çështjet si vijon: 

1) Shkolla si vend i marrëdhënieve njerëzore dhe i raportit ndërmjet brezave; 

2) Për një shkollë të dijes;

3) Për një raport të drejtë mes mjeteve dhe qëllimeve; 

4) Mungesa e përfshirjes së mësuesve në "reformat" e njëzet viteve të fundit; 

5) Punësimi dhe trajnimi i mësuesve; 

6) Të kthehet në qendër ora e leksionit; 

7) Të rishikohet i gjithë sistemi i dështuar i "autonomisë shkollore"; 

8 ) Për një raport të ndryshëm numerik mes studentëve dhe mësuesve.


Deri tani peticioni ka marrë 15,000 nënshkrime; pritet të marrë shumë më shumë nënshkrime për t’u regjistruar si njëri ndër peticionet më të nënshkruara në Itali. 



(Ky është linku i peticionit: https://www.change.org/p/manifesto-per-la-nuova-scuola?fbclid=IwAR1YH0DBV-ry4Qam0OECpdzbHpLNRYarkw1IkBNLGCdYZYJjAn7Z2bnET0E



Nga Aurel Plasari, 

profesor, studiues, shkrimtar, përkthyes, publicist. 


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

1,641 Lexime
2 vjet më parë