Zgjedhja e profesionit

Njohja me profesionet e preferuara, informacione dhe sugjerime për maturantët

“Çfarë dua të bëhem në jetë?”, kjo përbën pyetjen primare për të rinjtë. Për të gjithë maturantët, të kapur pas larmishmërisë së alternativave, e ndoshta të pasigurtë për mundësitë që kanë, informacionet e mëposhtme mund t’i ndihmojnë për të gjetur eurekën e tyre.

Zgjedhja e një profesioni padyshim shënon një etapë të rëndësishme dhe delikate, të mirëpritur jo pak herë me tension dhe ankth nga maturantët. “Çfarë dua të bëhem në jetë?” përbën pyetjen primare. Për të gjithë nxënësit e viteve të treta të gjimnazit, të kapur pas larmishmërisë së alternativave, e ndoshta të pasigurtë për opsionet e tyre, informacionet e mëposhtme mund t’i ndihmojnë për të gjetur eurekën e tyre.


Niseni kërkimin duke parë pikat tuaja më të forta. Çfarë dini të bëni më mirë? Cili është talenti juaj? Planifiko të ardhmen tënde. Qëndrojini besnik idesë se ju mund të punonin për t’u bërë versioni më i mirë i vetes nëse përqendroheni tek puna e ëndërruar. Shoqëria ndikon për të orientuar në profesione të cilat tregu i punës i kërkon, por për të mbajtur mirëqenien tuaj, studioni për një profesion i cili ju bën të ndiheni mirë, të jeni vetja, kështu i shërbeni vetes dhe komunitetit. 


Shqipëria shënon destabilitet sa i takon përkrahjes së disa profesioneve, nisur nga tregu i ngushtë i punës apo mungesa financiare. Ky faktor nuk duhet të jetë frenues apo frikësues për studentët, pasi realiteti është i ndryshueshëm. E thënë kjo, për artistët të cilët e dashurojnë të bukurën dhe artin, nuk duhet të ndrydhen nëse hasen me vështirësitë e tregut, pasi tregu është i pafiksuar. Kjo vlen për të gjitha profesionet.


Po në rastet kur studentët nuk janë njohës të mirë të vetes? Le t’iu njohim shkurtimisht me disa profesione dhe bukurinë e të studiuarit me besimin se mund të gjeni më mirë veten.

Mjekësia është kryefjalë e çdo profesioni të kërkuar nga studentët. Shpërblimi me një titull të lartë si i mjekut do të ishte karriera përfekte për çdo student. Shpërblimi monetarë gjithashtu. Kohët e vështira ku jetojmë bëjnë thirrje për numër nga xhaketat e bardha. Nevoja për mjek është koherente. Këshilla në këtë rast do të ishte: bëhu mjek, infermier, stomatolog/kirurg nëse në zemër ke dëshirën për të ndihmuar njerëz. Bëhu mjek për t’u ardhur në ndihmë të sëmurëve, për të mbajtur një betim si i Hipokratit, për t’i shërbyer vetes dhe shoqërisë duke bërë mirë.

Ekonomia dhe Financa përbëjnë ndër profesionet më të kërkuara. Tregu i punës kërkon ekspertë të këtyre dy fushave çdo herë. Puna e një ekonomisti/financieri gëzon disa atribute organizative sa i takon studimit të të dhënave statistike për kompani, organizata, institucione apo banka. Profilizimet premtojnë në shumë degë, duke rritur numrin e nevojave për të punësuar. Për maturantët të cilët e shikojnë veten me aftësi të mira në informacionet statistikore ekonomi/financa është një derë e mirë për ndërtimin e një karrierë të kënaqshme.

Inxhineria si profesion kërkon impenjim, kreativitet, fleksibilitet me oraret dhe punën. Studentët e apasionuar pas shkencave natyrore dhe të talentuar në shkencat ekzakte, inxhinierinë mund ta shikojnë si profesion të besueshëm në ndërtimin e një të ardhme për veten e tyre. Për maturantët me ëndrra për të ndryshuar botën, ky profesion ofron studime në projektime inovatore, hulumtime shkencore dhe mundësi për të kontribuar në shoqërinë tonë njerëzore. 

Marketingu i jep kohështrirje sferës së biznesit dhe aftësive sipërmarrëse për këto student i cili e shikon veten të projektuar në aktivitetet e tregut dhe reklamat të cilat gjenerojnë botën moderne. Çdo shoqëri, biznes, korporatë është e lidhur me shërbimet dobiprurëse nga marketingu dhe tregu i bursave. Ekonomia e një shteti lidhet ngushtë pas marketingut, i cili përfshinë oferta promovuese apo informuese, me reklama të llojeve të ndryshme. Për studentët të cilët e gjejnë veten të gatshëm në komunikimi dhe krijimin e reklamave të shit-blerjeve, marketingu është profesioni i duhur për të nisur studimet. 

Arkitektura duhet të vijë si thirrje për këdo student i cili ka vizionin për të projektuar mjedisin dhe të ardhmen e komunitetit. E përshkruar edhe si puna e ëndrrave, arkitektura nënkupton të përcaktosh raporte të sakta mes estetikës dhe funksionit, në shërbim të njeriut. Për studentët e pasionuar pas estetikës, formës, krijimit, ky profesion dhuron karrierë dhe të ardhme të ndritur, nëse investoni nga puna, talenti dhe dëshira juaj.

Drejtësia profilizohet noterët, policët, avokatët, prokurorët dhe gjyqtarët.


Shërbimi publik i noterisë ka si detyrë verifikimin, përpilimin, ruajtjen e dokumenteve në bazë të ligjeve dhe neneve të shtetit duke u shërbyer nevojave të gjithë qytetarëve. 


Të jesh polic dhe gardian i ruajtjes së qytetarëve padyshim tregon fisnikëri dhe një karrierë të bukur, ndonëse të vështirë. Detyrat e një polici nuk mbarojnë kurrë, duke përfshirë një listë të gjatë si: parandalimin e veprave penale, hetimin, mbikëqyrjen, mbrojtjen e drejtpërdrejtë të qytetarëve duke ofruar siguri dhe prosperitet. Studentët të cilët e gjejnë veten në këtë profesion mjafton të kryejnë konkursin e akademisë pranuese.


Të jesh avokat do të thotë të jesh rojtarë i mbrojtjes së lirive dhe të drejtave njerëzore. Në ndihmën juridike ligjore përfshihet: hartimi i dokumentacioneve të ndryshme si padi, ankesa, kërkesa, propozime apo lutje, duke përfaqësuar palët në seancat gjyqësore. Studentët me pasion në drejtësi dhe mbrojtjen e njerëzve mund të ndjekin universitetin e drejtësisë për të krijuar një karrierë të gjerë juridike. 


Çdo të thotë të jesh prokuror? Detyrat e një Prokurori nisin nga ushtrimi i pavarur dhe i paanshëm i trajtimit të të pandehurve në seancat gjyqësore, ngritjen e akuzave apo marrjen e vendimeve, si dhe mbrojtjen e të drejtave ligjore të dëshmitarëve, të akuzuarve, viktimave dhe të dënuarve. Roli i prokurorit në drejtësi është i pazëvendësueshëm dhe i domosdoshëm për një shoqëri të mirë-strukturuar nga ligjet dhe normat.


Të jesh gjyqtar i një vendi kryen rol të rëndësishëm në vendimmarrjen e jetesës së qytetarëve dhe mirëqenien kolektive. Nisur nga problematikat e ngjeshura të vendit tonë, studentët mund të jenë me të drejtë skeptike ndaj funksionit të pakorruptuar të gjyqtarëve dhe performuesve të ligjeve. Vështirësitë nuk duhet të jenë frenuese. Shoqëria ndryshon dhe reformohet nga vullneti i njerëzve dhe besimi i palëkundur për të sjellë frymë të re. Kriteret e një individi i cili mban fuqinë ekzekutuese në duar është të tregohet objektiv, i paanshëm, në shërbim të shoqërisë.

Psikologjia/ Sociologjia dhe Puna Sociale janë profesione të lidhura ngushtësisht me sferën e humanes dhe kurimin e problematikave. Të jesh psikolog nënkupton të punosh specifikisht me individë të ndryshëm përmes metodave terapeutike, dëgjimore, hulumtuese, ndihmuese, duke i kuruar gradualisht komplekset e pacientëve. Ndërkohë, të jesh sociolog apo punonjës social nënkupton të punosh në një shkallë më të gjerë, pra ndërveprimi me grupe sociale të mëdha, organizata apo target grupe të veçanta.

Filozofia shënon një nga ato degë të brishta në vendin tonë, sa i takon profilizimeve në tregun e punës. Ky faktor nuk duhet të jetë frikësues për studentët të cilët e dashurojnë dijen dhe dëshirën për të hulumtuar në lëmin e njohurive të thella. Filozofia është më shumë se të kesh njohuri  mbi politikën. Në filozofi, ti njeh veten në çdo dimension, për të njohur tjetrin, shoqërinë, ngërçet, fatalitet dhe bukuritë në moral, edukatë, politikë, fe,  gjuhësi, oratori, metodikë, hermenautikë… pra shumëçka, pasi filozofia është dega primare prej nga lindën të gjitha fushat e jetës. Të jesh studiues i filozofisë është një portë me shumë mundësi për të ardhmen tënde si individ.

Artet janë dega më kultivuese e talenteve të njerëzve të prirur nga e bukura. Për studentët e talentuar, të cilët janë të dyzuar nëse kjo fushë u sjell karrierë të stabilizuar në të ardhmen, i ftojmë të mos e ndrydhin veten dhe aftësitë për të ndryshuar realitetin me vepra artistike. Asnjë shoqëri nuk mund të jetojë pa muzikën, teatrin, pikturën, skulpturën...Në shoqërinë tonë gjejmë boshllëqe të panumërta, ku fare mirë mund të plotësohen me rrymën artdashëse të rinisë. Nevoja për art do jetë gjithnjë aktuale. Ftesa për artistët e rinj është të kryejnë pa frikën stigamtizuese të shoqërisë aplikimet në konkursin e universitetit për të kultivuar më tej talentet.

Gazetaria është një ndër profesionet më dinamike sa i takon thyerjes së barrierave të normave dhe të shpërfaqurit të vërtetave transparente tek masa e gjerë. Të qenit gazetar në vendin tonë është sfidë në hulumtimin e thellë të të vërtetës. Të jesh investigues nënkupton t’i qëndrosh strikt shfaqjes së fakteve herë të shtypura e herë të fshehura. Kriteret e gazetarisë ngulmojnë në të qenit një shkrues real, pa zbukurime të tepërta, një orator për masën, për të tejçuar mediativisht lajmet bujtëse nga aktualiteti.

Historia, Gjeografia dhe Arkeologjia janë padyshim degë të mrekullueshme e shpesh të neglizhuara pasi studentët druhen për tregun e punës. Për studentët me pasion ndaj fakteve historike apo arkeologjike, i ftojmë të mos druhen. Vijojeni ëndrrën tuaj, duke forcuar pikën e fortë të njohjes dhe memorizimit të fakteve. Ju mund të punoni si mësues, si arkivist, si hulumtues, arkeolog. Nevojat e shoqërisë janë të pambarimta. Nëse studioni për një degë të cilët ju e adhuroni, në të ardhmen rezulton të punoni për një profesion të cilin do e dashuroni, duke ulur ndjeshëm ankthin dhe tensionin.

Gjuhësia shënon një profesion shumë të kërkuar në përkthime apo mësuesi. Në ritmin e globalizimit dhe nevojave të shtuara për bashkëpunime ndërkombëtare, përkthyesit janë profesionistë të kërkuar, qoftë nw lwmin mediatik, kulturor, politikë dhe atw tw botimeve shkruese. Ekziston një gamë e gjerë shërbimesh dhe nevojash. Sa i takon studimit të gjuhës mëmë dhe bukurisë së letërsisë, ftesa e shkrimtarëve, poetëve, e të gjithë studentëve të cilët ngulmojnë ta studiojnë gjuhësinë shqipe. Për çdo degë ka mundësi punësimi. Nëse arti i shkrimit nuk promovohet atëherë çfarë e ardhme e pret një shoqëri si e jona?

Mësuesia është arti i bukur i transmetimit të dijes tek të gjitha moshat. Ky profesion është gjithnjë i kërkuar. Për studentët të cilët e shikojnë veten duke mësuar brezat e ardhshëm, këshilla do të ishte: mos u stoponi nëse tregu i punës është me profesionistë të arsimit. Mësuesit dhe edukatorët janë çdo herë të kërkuara për fëmijët, të rinjtë dhe studentët. Të qenit mësues dhe edukator nënkupton më shumë se të transmetosh disa dije teorike, por të krijosh ura besimi, afektim me bukurinë e të mësuarit, të udhëzosh, të formosh edukimin në breza të rinj me mendimeve produktive, duke ndërtuar kështu një karrierë fisnike.

Profesionet listohen të shumta, disa me kërkesë të lartë për tregun e punës, e disa më të ulëta, duke krijuar shpesh herë pasiguri tek zgjedhjet më të rëndësishme nga maturantët e gjimnazeve. Këshilla mbi të ardhmen është të studioni për fushën tek e cila tregoni prirjet më të larta, në këtë vazhdë ju i krijoni hapësirë ndërtimit të mirëqenies në kohë.



Përgatiti Xhoana Jaku  


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

4,638 Lexime
2 vjet më parë