Marrëdhënia mësues-drejtues

Novela “Butakët” e Çehov që duhet lexuar shpesh nga mësuesit dhe drejtuesit e institucioneve të arsimit

“Sa e lehtë është të jesh i dhunshëm në këtë botë!” thotë Çehov në novelën e tij “Butakët”. Në fakt ne dëshironim ta sillnim në vëmendje pikërisht tani këtë novelë, në prag të fillimit të vitit shkollor, pasi është me vend leximi i saj, lidhur me marrëdhënien që duhet ndërtuar mësues-drejtues...

"BUTAKET" nga  Anton Pavloviç Çehov


Para disa ditësh e thirra në kabinet, Julija Vasilevnën, guvernanten e fëmijëve te mi. Më duhej t’a paguaja.


– Uluni Julija Vasilevna! – i thashë – hajde të mbyllim llogaritë.


Ju sigurisht ju duhen paratë, ndërsa ju jeni kaq e mirë dhe e sjellshme sa nuk denjoni që t’i kërkoni vetë… Kemi rënë dakord për 30 rubla në muaj.


– Për 40…


– Jo, por për 30! E kam të shkruar. Gjithmonë për të gjitha guvernantet kam paguar nga 30 rubla në muaj. Tek ne keni shërbyer dy muaj.


– Dy muaj e pesë ditë saktësisht…


– Fiks dy muaj. Kështu është në shënimet e mia. Kjo do të thotë se ju detyrohem 60 rubla. Nga 10 javët, na duhet të zbresim javën në të cilën nuk i keni dhënë mësim Koljas, por vetëm keni shëtitur. Do shtojmë këtu 3 ditët e festave.


Julija Vasilevna u skuq e tëra, nisi të shkulte diçka prej thekëve të fustanit, veçse në heshtje, as zë e as fjalë.


– Tre ditë festash, që do të thotë 12 rubla më pak. Katër ditë Kolja ka qenë i sëmurë dhe nuk ka patur orë mësimi. Keni patur mësim vetëm me Bajran. Tri ditë keni patur dhimbje dhëmbi dhe gruaja ime ju ka lejuar t’i zhvilloni orët e mësimit vetëm pasdite. Dymbëdhjetë plus shtatë bëjnë 19. I zbresim. Ju mbeten fiks 41 rubla. E saktë?


Syri i majtë i Julija Vasilevnës u skuq dhe u lëngëzua. Buza e poshtme dhe mjekra u drodh lehtë. U kollit lehtë me nervozizëm, u tendos në fytyrë, po asnjë fjalë…!


– Në vigjilje të Vitit të ri keni thyer filxhanin e çajit së bashku me pjatën e vet. Zbresim edhe 2 rubla. Edhe pse filxhani me pjatën kushtojnë më shumë, por Zoti qoftë me ju. Sa të tjera kanë shkuar me të në pa kthim! Mandej, për shkak të pavëmendjes tuaj, Kolja është ngjitur në pemë dhe ka shqyer kapotën e vet. Dhjetë rubla më pak. Për shkak të mos vëmendjes tuaj, kujdestarja e dhomës ka vjedhur këpucët e Varias. Ju duhet të kujdeseni për gjithçka. Për këtë paguheni. Kësisoj, detyrohem të zbres edhe 5 rubla. Më 10 Janar më kërkove dhe keni marrë nga unë 10 rubla…


– Jo, nuk kam marrë – pëshpëriti lehtë Julija Vasiljevna.

– Por e kam të shkruar këtu.

– Mirë. Ashtu qoftë.

– Nëse nga 41 rublat do zbresim 27 rubla, na mbeten 14 rubla.


Të dy sytë e saj u mbushën me lot. Mbi hundëzën e saj të bukur u shfaqën pikla djerse. E shkreta vajzë!


– Vetëm një herë kam kërkuar dhe kam marrë – foli me zërin që i dridhej – Nga zonja juaj 3 rubla. Herë tjetër as kam kërkuar, as kam marrë.


– Ashtu!? Dhe shiko, të lutem, kjo që thua tek unë nuk është shënuar. Nga 14 zbresim 3 rubla, na mbeten 11. Ja edhe pagesën tuaj! Tre, tre dhe tre, plus një edhe një. Urdhëroni.


Kështu unë i dhashë 11 rubla. Ajo i mori me gishtërinjtë që i dridheshin dhe i zhyti në xhep.

− “Merci” (frg. mersi , shq. faleminderit) – pëshpëriti lehtë, por me theks të bukur.

Kërceva i marrosur dhe fillova të bërtas nëpër dhomë. Më pushtoi lajthitja.

– Për çfarë “Merci!”? – e pyeta.

– Për paratë.

– Por ju kam vjedhur, po për dreq, ju kam grabitur! Ama, kam vjedhur punën tuaj, kohën tuaj! Për çfarë më thoni “Merci”?

– Në vende të tjera as kanë denjuar të më paguajnë…


– Nuk ju kanë paguar!? Mos duhet vallë ta quajmë mençuri!? Unë vetëm bëra shaka, ju dhurova një mësim të ashpër. Do të merrni nga unë gjithë sa jemi marrë vesh, 80 rublat tuaja. Ja ku i keni në zarf, të përgatitura që më parë për ju. Por a mundet të ruhet dinjiteti me këtë lloj pekmezi? Përse nuk protestoni? Përse duhet të heshtni? A është e mundur të jetohet në këtë botë pa i treguar dhëmbët? A mundet vallë të jetohet kësisoj, ngaherë e nënshtruar si një farë lloj butaku?


Ajo buzëqeshi thartë dhe unë në fytyrën e saj lexova edhe përgjigjen e saj: “Mundet!”.


Ju luta të më falte për shkak të mësimit të ashpër që i rezervova, dhe për çudinë e madhe në sytë e saj, i dhashë 80 rublat e saj. Gati e trembur më falënderoi dhe doli.


Vëzhgova ikjen e saj të butë dhe mendova seriozisht: “Sa e lehtë është të jesh i dhunshëm në këtë botë!”.



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,083 Lexime
7 muaj më parë