INTERVISTË

Nysret Kryeziu, mësuesi që luftoi regjimin e egër serb duke kontribuar falas për 9 vite në arsimin kosovar

Nysret Kryeziu është mësuesi që i ka shërbyer arsimit kosovar, pavarësisht të gjitha pengesave që sistemi serb imponoi. Ju ftojmë të lexoni intervistën, për të kuptuar se dashuria për këtë profesion, shpeshherë, të pamundurën e bën të mundur.

“Një mësues për t’u dashur” është edhe Nysret Kryeziu, mësuesi nga Kosova. Ai është përballur me shumë vështirësi gjatë jetës së tij profesionale,  sidomos gjatë viteve ’90, kur financat për arsimin u ndërprenë nga shteti Serb. Megjithëse kohë e vështirë, mësuesia ishte një profesion i shenjtë për mësuesin. Nysreti tregon se nuk u ndal dhe nuk iu dorëzua fatalitetit, por e vijoi rrugën e tij me shumë këmbëngulje, duke u realizuar më së miri profesionalisht por edhe duke kontribuar për vendin e tij. Tashmë, sipas tij, arsimi po përballet me të tjera sfida dhe vështirësi, por jo të atyre përmasave. Ndaj, në këtë intervistë, mësuesi, jep mesazhin e tij, se asgjë nuk mund të mos realizohet në këtë profesion nëse ekziston dëshira e mirë dhe dashuria për dijen. 


Z.Nysret, Ju keni vite që jepni mësim në arsimin fillor. Pra mbi shpatulla keni një përvojë të gjatë pune. Dëshiroj që këtë intervistë me ju ta nisim duke u kthyer disa vite pas në kohë, për të arritur në ditët e sotme! Sa e vështirë ka qenë të filloje punë mësues, duke marrë parasysh edhe kushtet historike në të cilat gjendej Kosova? Pra si kanë qenë fillimet tuaja profesionale, çfarë mbani mend?


Unë Nysret Kryeziu i lindur më 02.10.1965 në Pagarushë kam filluar punën si mësues klase prej 01.9.1985 në  sh.f.m.u “Vesel Pagarusha” në Pagarushë komuna e Malishevës ende pa i mbushur të 20 –tat, që kuptohet ishte edhe sfidë që përcjell çdo fillestar në profesionin e tij. Por vullneti i madh për punë dhe për profesionin që kam zgjedhur me shumë dëshirë ishte edhe krenari të punosh si mësues duke shpërndarë dije për brezat e rinj, atëherë çdo sfidë ishte e përballueshme dhe e kalueshme. Ju jam mirënjohës mësuesve të mi dhe kolegëve për përkrahjen dhe bashkëpunimin në atë kohë duke më këshilluar dhe sugjeruar që puna ime me nxënës të jetë sa më e suksesshme.



Çdo të thoshte për ju të ishit një mësues i një vendi që nuk e kishte fituar ende pavarësinë e tij? Mund të specifikoni momentin më të vështirë? Çfarë ju është dashur të sakrifikoni? 


Në kohën kur kam filluar punën si mësues ishte edhe privilegj i madh dhe profesion i shenjtë, që është respektuar nga i gjithë komuniteti pa dallim moshe e gjinie.  

Ende pa i mbushur 6 vite punë, pikërisht në shkurt të vitit 1991 na ndërprenë financimin nga shteti i atëhershëm (Serbi) dhe jemi organizuar që të ushtrojmë profesionin tonë duke mos e ndërprerë mësimin dhe kemi funksionuar si pushtet paralel përballë një pushteti të egër serb.

Kemi sakrifikuar për 9 vite rresht duke mbajtur gjallë arsimin (shkollën shqipe) dhe duke mos u hamendur asnjëherë për ta lëshuar vendin edhe pse në kushte jo të mira ekonomike. 

Puna në arsim gjatë viteve të 90-ta ka qenë edhe një lloj patriotizmi që ta mbash arsimin gjallë dhe të qëndroshë për ballë atyre vështirësive dhe sfidave që ishin të përditshme dhe me plot rreziqe.

                                                                                                                                 


Po tani çfarë ka ndryshuar për ju si mësues?


Tani gjërat kanë ndryshuar për të mirë në teknologji të avancuar dhe infrastrukturë shkollore me standarde europiane, por ne si mësimdhënës jemi ende duke u transformuar për standarde të reja të mësimdhënies dhe mësimnxënies, që me vështirësi po lëvizin përpara. 

Ne ju kemi kemi ndjekur në punën tuaj dhe kemi parë që ju keni ditur të përshtateni me metodat e reja të mësimdhënies, pra me prurjet bashkëkohore, siç mund të jenë organizimi i aktiviteteve të ndryshme, po në kuadër të mësimdhënies. Ne duam të dimë, a keni ndonjë shprehje që ia thoni vetes, apo ndonjë ritual që bëni, përpara se të nisni një ditë në mësimdhënie?

Çdo gjë është e arritshme me punë, vetëm duhet të kemi vullnet dhe ta bëjmë punën me dashuri sepse është profesion i shenjtë. Çdo angazhim që bëjmë për të arritur rezultate të kënaqshme dhe suksese me nxënës, do të ndihemi krenar me punën tonë.



Mendoni se "qëndron ende në këmbë" kulti i mësuesit?


Për fat jo të mirë kulti  i mësuesit nuk qëndron në stadin e duhur dhe çdo ditë e më shumë është duke u degraduar dhe u nënvlerësuar. Por që për këtë standard jo të mirë të arsimit në përgjithësi ka ndikuar politikëbërja në të gjitha nivelet.

Një mësues i mirë mund të "ndërrojë marrshin" duke u bërë më fleksibël, kur sheh se një orë mësimi nuk po i funksionon ashtu siç duhet! Cila është metoda që ju ndiqni në të tilla raste?

Një mësues profesionalisht mirë i përgatitur çdo herë është i gatshëm dhe fleksibil të përdorë strategji të ndryshme në çfarëdo situate që ndodhet ndërron marshin pa problem.

Në raste kur krijohet monotoni brenda orës mësimore përdori teknika të ndryshme me të cilat nxënësit do të relaksohen me aktivitetin që bëjnë duke mos iu shmangur RNK, RNF dhe RNL-së.



Veçse jepni mësim për klasat fillore ju jeni edhe trajner i kurrikulës për programin e ciklit fillor të arsimit në Kosovë. Si e shihni këtë fakt, e lidhni me përvojën e ngritjes tuaj nga ana profesionale, apo si një kontribut për shoqërinë ku jetoni? 


Përveçse punoj si mësimdhënës i programit fillor, jam edhe trajner i Kurrikulës së re të Kosovës për programin parafillor dhe fillor prej tri vitesh, ku dhe jam duke e zbatuar në praktikë me klasë të tretë. Duke e praktikuar këtë strategji të re të mësimdhënies dhe mësimnxënies më ka ndihmuar shumë edhe përvoja ime 35 vjeçare në procesin edukativo-arsimor dhe ana profesionale që asnjëherë nuk më ka munguar që për këto 20 vitet e pas luftës kam ndjekur një numër të konsiderueshëm të trajnimeve që më kanë përgatitur të jam në hap me kohën për zhvillimet dhe ndryshimet e strategjive bashkëkohore në procesin edukativo-arsimor.



Çfarë është nxënësi për ju? Çfarë përfaqëson ai?


Nxënësi është objekt (element) rreth të cilit duhet të organizohet i gjithë procesi mësimor.

Nxënësi përfaqëson rast(qenie) unikat me cilësi, aftësi për zhvillim të kompetencave individuale, dhe si i tillë atij duhet ofruar mundësi dhe kushte për të vë në veprim gjithë potencialin e tij.



A jeni ndjerë ndonjëherë i kërcënuar nga prindërit? Si ia keni dalë për të vendosur në vend një komunikim korrekt me ta? 


Me prindër kam pasur gjithmonë raporte të mira, por që brenda shkollës ku punoj ka pasur edhe raste ndonjëherë jo të dëshirueshme për mësuesin, por çdo herë kemi gjetur mirëkuptim dhe modalitete për t’i tejkaluar ato.



Të ndalemi pak te jeta familjare. Shpesh i kemi pyetur mësueset, gjatë intervistave që ne kemi zhvilluar me to, se sa të vështirë e kanë pasur të punonin por edhe të kujdeseshin për shtëpinë dhe për familjarët, si nëna dhe bashkëshorte. Po për ju, sa e vështirë ka qenë të jeni mësues, por edhe baba e bashkëshort? 


Çelësi kryesor i suksesit është familja. Përkrahja e vazhdueshme e saj ka qenë motiv shtesë që çdo vështirësi të tejkalohet sa më lehtë. Çdo herë ka mbizotëruar mirëkuptimi, harmonia dhe disponimi familjar. Së bashku me bashkëshorten jemi shumë të kënaqur dhe krenar me 4 fëmijët e tanë, që të gjithë kanë mbaruar shkollimin superior. Dy vajzat kanë zgjedhur profesionin e mësuesisë të cilat edhe e ushtrojnë me dashuri dhe krenari, dy djemtë njëri është master i ekonomisë dhe punon në Bankën Private për Biznes, ndërsa tjetri është Inxhinier për Kompjuterikë dhe punon si zyrtar i lartë i IT-Së, si dhe dy rejat(nuset e djemve) kanë të mbaruar fakultetin e edukimit. Kështu që ndihemi me fat që e kemi arritur synimin që kishim si familje.



E kemi traditë tashmë që në përfundim të intervistave për rubrikën “Një mësues për t’u dashur” ju lemë hapësirë të jepni mesazhin e rastit. Ndaj, çfarë përfaqëson mësimdhënia për ju me një fjalë ose shprehje?


Puna më me vlerë për njeriun është të shpërndajë dituri, e këtë më së miri e bën mësuesi me profesionin e tij për nxënësit.

 



(Intervistoi P.Shtini; Portali Shkollor)

4,684 Lexime
4 vjet më parë