Olimpiada e kimisë dhe biologjisë 2026, një përvojë që promovon cilësinë, bashkëpunimin dhe mendimin shkencor. Motoja: "Suksesi ndërtohet me punë!"

Për herë të parë në shkollën 9-vjeçare “Gjon Ndoci” Bushat u organizua Olimpiada e Kimisë dhe Biologjisë 2026. Përmes testimeve dhe projekteve ndërlëndore, nxënësit zhvilluan mendimin kritik, bashkëpunimin dhe aftësitë kërkimore. Materiali u përgatit nga mësuesja Pranvera Musta.


Përgatiti Pranvera Musta,

Mësuese e Kimisë dhe Biologjisë

Shkolla 9-vjeçare "Gjon Ndoci" Bushat.



Në shkollën 9-vjeçare "Gjon Ndoci" Bushat u organizua për herë të parë Olimpiada e Kimisë dhe Biologjisë, duke shënuar një hap të ri në zhvillimin e aktiviteteve shkencore të shkollës.


Prej vitesh në shkollë janë zhvilluar konkurse në lëndën e Kimisë. Këtë vit, kjo traditë u pasurua duke u shndërruar në olimpiadë, me synimin për të krijuar më shumë hapësira për mendim kritik, zgjidhje problemesh, kërkim, bashkëpunim dhe zbatim praktik të njohurive.


Tema e olimpiadës ishte: "Nga reaksioni kimik tek jeta"


Kjo temë synonte të evidentonte lidhjen e ngushtë ndërmjet proceseve kimike dhe biologjike, duke i ndihmuar nxënësit të kuptojnë shkencën si një sistem të integruar njohurish dhe jo si lëndë apo koncepte të ndara.


Olimpiada u konceptua dhe u organizua nga mësuesja e Kimisë dhe Biologjisë, Pranvera Musta, me mbështetjen dhe bashkëpunimin e drejtorisë së shkollës, e cila inkurajoi dhe mbështeti realizimin e kësaj nisme si pjesë e përpjekjeve për të nxitur aktivitete që rrisin cilësinë e mësimdhënies dhe të nxënit. Kjo mbështetje krijoi një klimë pozitive bashkëpunimi, duke dëshmuar rëndësinë e rolit të drejtuesve të shkollës në nxitjen e iniciativave të mësuesve dhe në zhvillimin e aktiviteteve që pasurojnë jetën shkollore.


Qëllimi i Olimpiadës


Përmes kësaj olimpiade synuam: 

• të nxisim te nxënësit interesin për shkencat natyrore; 

• të zhvillojmë mendimin kritik dhe analitik; 

• të lidhim teorinë me praktikën; 

• të promovojmë të nxënit aktiv; 

• të forcojmë bashkëpunimin ndërmjet nxënësve; 

• të krijojmë një kulturë pozitive të konkurrimit; 

• të identifikojmë dhe mbështesim nxënësit me prirje dhe interes për shkencën. 


Organizimi 


Olimpiada u zhvillua për nxënësit e klasave VIII dhe IX dhe u mbështet në dy komponentë kryesorë: testimin individual të njohurive teorike dhe realizimin dhe prezantimin në grupe të projekteve ndërlëndore.


1. Testimi individual


Nxënësit u përballën me pyetje teorike, situata problemore, interpretim të të dhënave, reaksione kimike, njehsime stekiometrike dhe ushtrime që kërkonin argumentim, analizë dhe arsyetim shkencor.

Qëllimi nuk ishte vetëm matja e njohurive, por edhe vlerësimi i aftësisë për të menduar në mënyrë kritike, për të argumentuar dhe për të lidhur teorinë me situata konkrete.


2. Projektet ndërlëndore


Përveç testimit, nxënësit realizuan dhe prezantuan projekte që integronin njohuri nga Kimia dhe Biologjia.

Kjo fazë u dha mundësi nxënësve të zhvillojnë:

• aftësi kërkimore; 

• aftësi komunikuese; 

• punën në grup; 

• përgjegjësinë individuale; 

• kreativitetin dhe iniciativën. 


Në vlerësimin përfundimtar u morën parasysh:

• 60% rezultati i testit individual; 

• 40% rezultati i projektit ndërlëndor, i realizuar në grupe. 

Ky kombinim mundësoi një vlerësim më të plotë të potencialit të nxënësve, duke mos u mbështetur vetëm në një test të vetëm.


Arritjet


Rezultati më i rëndësishëm nuk ishte vetëm identifikimi i fituesve. Arritja më e madhe ishte angazhimi i nxënësve gjatë gjithë procesit, entuziazmi në përgatitje, cilësia e projekteve të realizuara me mjete digjitale si Padlet dhe Canva, ndërtimi i modeleve tredimensionale (3D), si dhe gatishmëria e tyre për t'u përfshirë në sfida të ngjashme në të ardhmen.


Shumë nxënës shfaqën aftësi të rëndësishme si:

• organizim dhe përgjegjësi; 

• komunikim dhe prezantim; 

• bashkëpunim në grup; 

• udhëheqje dhe iniciativë;

• përdorimi i mjeteve dhe burimeve digjitale


Ceremonia e ndarjes së certifikatave shërbeu si një moment vlerësimi dhe motivimi, duke rritur vetëbesimin dhe angazhimin e nxënësve.


Mësimet e nxjerra dhe reflektime


Nga kjo përvojë dolën disa përfundime të rëndësishme:


• Kombinimi i testimit individual me projektet ndërlëndore në grupe, ofron një vlerësim më të plotë të aftësive të nxënësve. 

• Nxënës të ndryshëm shfaqin talente të ndryshme: disa në njohuri shkencore, të tjerë në kërkim, hulumtim, bashkëpunim dhe prezantim, përdorimin dhe zhvillimin e kompetencës digjitale.

• Projektet ndihmojnë në lidhjen e teorisë me praktikën dhe e bëjnë shkencën më konkrete. 

• Pjesëmarrja aktive rrit motivimin dhe interesin për lëndët shkencore. 

• Konkurimi pozitiv krijon një klimë të shëndetshme të të nxënit. 

• Aktivitete të tilla ndikojnë në zhvillimin e kompetencave dhe forcimin e vetëbesimit të nxënësve. 


Mesazh për kolegët


Përvoja tregon se olimpiadat dhe projektet ndërlëndore janë më shumë se forma vlerësimi.

Ato krijojnë mundësi që nxënësit:

• të sfidojnë veten; 

• të mësojnë përtej tekstit shkollor; 

• të zhvillojnë kompetenca të shekullit XXI; 

• të fitojnë besim në aftësitë e tyre. 


Në një kohë kur motivimi i nxënësve për të nxënë është një sfidë e rëndësishme, aktivitete të tilla shërbejnë si mjete efektive për të nxitur kureshtjen, kërkimin dhe të nxënit kuptimplotë.


Prandaj, organizimi i tyre duhet të zërë një vend të rëndësishëm në punën me nxënësit, si një mënyrë për të zhvilluar kulturën e dijes, përpjekjes dhe bashkëpunimit.



Përfundimi


Olimpiada e Kimisë dhe Biologjisë 2026 dëshmoi se kur nxënësve u krijohen mundësi për të kërkuar, për të menduar, për të bashkëpunuar dhe për të prezantuar punën e tyre, ata arrijnë të shfaqin potenciale që shpesh nuk evidentohen vetëm përmes orëve mësimore apo vlerësimit tradicional.


Kjo përvojë tregoi se shkenca mund të shërbejë jo vetëm si burim njohurish, por edhe si mjet për zhvillimin e mendimit kritik, kreativitetit, përgjegjësisë dhe bashkëpunimit. 


Entuziazmi, serioziteti dhe angazhimi i nxënësve gjatë gjithë procesit na bindën se aktivitete të tilla meritojnë të bëhen pjesë e qëndrueshme e jetës së shkollës.


Motoja "Suksesi ndërtohet me punë!" nuk mbeti thjesht një slogan i olimpiadës, por u pasqyrua në përpjekjet, përkushtimin dhe arritjet e çdo nxënësi që pranoi të sfidonte veten në këtë rrugëtim shkencor.

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

108 Lexime
5 orë më parë