
Orë model, lënda gjuhë shqipe, klasa e katërt
Kjo orë model është përgatitur nga mësuese Kristina Gega, e cila numëron 30 vite në arsim. Aktualisht punon në shkollën 9-vjeçare “1 Maj” në kryeqytet.
Lënda: Gjuhë shqipe
Klasa: IV
Tema mësimore: Peizazh dimri
Situata e të nxënit: Stina e dimrit
Rezultatete të nxënit sipas kompetencave kyçe
1. Kompetenca e komunikimit dhe e të shprehurit;
2. Kompetenca e të menduarit;
3. Kompetenca e të mësuarit për të nxënë;
4. Kompetenca për jetën, sipërmarrjen dhe mjedisin
5. Kompetenca personale
6. Kompetenca qytetare
Rezultatete të nxënit të kompetencave të fushës sipas temës mësimore:
· Realizon një peizazh dimri sipas njohurive dhe fantazisë së tij.
· Nxjerr në pah njohuritë dhe teknikat artistike të mësuara.
· Punon duke bashkëvepruar në grup për realizimin e punimit.
· Prezanton punimin e tij me poster dhe me fjalë.
· Përcjell mesazhe në lidhje me mjedisin dhe natyrën përmes punimeve të tij.
Fjalët kyçe: peizazh dimri.
Burimet: teksti i nxënësit, përvoja të nxënësve.
Lidhja me fushat e tjera ose me temat ndërkurrikulare:
· Shoqëria dhe mjedisi
· Vendimmarrja
· Të drejtat e njeriut
Metodologjia dhe veprimtaritë e nxënësve; punë në grup, diskutim, prezantim i punimit, stuhi truri.
Organizimi i orës së mësimit:
Lidhja e temës me njohuritë e mëparshme të nxënësve; stuhi truri
Nxënësit flasin shkurtimisht për tematikën e punimit që do të realizojnë duke dhënë karakteristikat e kësaj stine në klimë, mjedis, veshje të njerëzve etj.
Në tabelë bëhet një kllaster me mendimet e nxënësve.
Më pas nxënësit plotësojnë kllasterin me fjalën dimër.

Ndërtimi i njohurive të reja: punë në grupe
Nxënësit ndahen në grupe dhe përzgjedhin vetë një lider për grupin. Ndarja e grupeve bëhet e miksuar.
Çdo grup ka me vete një sërë materialesh dhe diskutojnë duke arritur në një konkluzion se si do të realizojnë punimin e tyre.
Pas ndarjes së detyrave mbi aplikacionet që do të realizojë secili u kërkohet nxënësve që të marrin pjesë të gjithë në realizimin e punimit.
Bëjmë vëzhgimin e punës së nxënësve dhe ndërhyjmë dhe me pyetje mbi aplikacionet, ngjyrat apo mënyrën e realizimit të tyre. Kujdesemi që çdo nxënës të jetë i përfshirë.
Nxënësit lihen të punojnë për afro 20- 25 minuta.
Prezantimi dhe demonstrimi i rezultateve të arritura. Diskutim
Çdo grup përzgjedh liderin ose një pjesëtar tjetër të grupit për të realizuar prezantimin e punimit duke argumentuar përzgjedhjen e ngjyrave dhe aplikacioneve.
Vlerësimi: vlerësimi do jetë motivues por më tepër do t’i mëshohet vetëvlerësimit nga nxënësit ku secili nxënës kur të gjykojë mbi punën e shokëve të argumentojë për zgjedhjen dhe vlerësimin e tij.

Kristina Gega është mësuese e arsimit fillor prej 30 vitesh dhe punon në shkollën 9-vjeçare “1 Maj” prej 19 vitesh. Në bisedat me të vihet re pasioni dhe përkushtimi që ka për punën dhe për nxënësit e saj. Megjithëse jep mësim në klasën e katër, kurrikulën e re e njeh shumë mirë dhe ka filluar ta zbatojë aty ku është e mundur. Më poshtë na dha disa refleksione për orën e mësimit që zhvilloi në lëndën e gjuhës shqipe të cilën e integroi edhe me lëndë të tjera.

Refleksione të orës së mësimit
Kjo orë mësimi u organizua duke pasur plotësisht në qendër të procesit vetë nxënësit. Ndonëse si bazë metodike shërbeu puna me grupe, kjo nuk pati asnjë problem lidhur me qetësinë dhe harmonizimin e punës duke i bërë nxënësit të ndiheshin më të lirshëm dhe më të pavarur në punën e tyre. U vu re që secili lider jo vetëm drejtoi dhe harmonizoi shumë mirë punën në grupe por bëri të mundur përfshirjen e secilit nxënës në të.
Gjatë punës u vu re se fantazia e nxënësve u la e lirë dhe krijimet e tyre përveç subjektit për dimrin jo vetëm nuk kishin shumë gjëra të përbashkëta, por dhe ishin me shumë kreativitet duke i bërë të mundur të shpalosin kështu një sërë aftësish.
Besoj se nxënësit arritën të shpalosnin nga të gjitha kompetencat si:
· Komunikimit dhe të shprehurit sidomos gjatë prezantimit të punës së tyre.
· Të menduarit duke argumentuar mënyrën e realizimit të punës.
· Të nxënit duke shfrytëzuar njohuritë mbi karakteristikat e stinës së dimrit.
· Qytetarë duke punuar e bashkëvepruar në grup.
· Personale duke dhënë mendimet ndjesitë dhe idetë e tyre në realizimin e punës.
· Sipërmarrjen dhe mjedisin jo vetëm në rolin e liderit, por dhe në mënyrën se si e konceptuan punën duke e lidhur me mjedisin.
Përveçse një orë mësimore për realizimin e programit në mënyrë sa më kreative dhe me në qendër nxënësit ajo ishte shumë frytdhënëse dhe argëtuese për ta.

(Portali Shkollor)
Modele Testesh për Arsimin Fillor për të tria periudhat, viti shkollor 2024-2025
Tremujori i dytë, vlerësim test për të gjitha lëndët, Klasa V
Modele testesh për klasat e Arsimit Fillor në Kosovë