"Tri lëndë në gjashtë orë"

Orë model, matematika II

Kjo orë model në lëndën e matematikës, klasa e dytë, është përgatitur nga mësuesja e ciklit të ulët Suada Vokshi. Dy temat janë planifikuar sipas nismës së re të MASR “Tri lëndë në gjashtë orë”.

Janar 2018

Fusha: matematikë 

Lënda: matematikë 

Shkalla: I

Klasa: II

Mësuese: Suada Vokshi

Temat mësimore:  

- Trupat  gjeometrikë 

- Konet dhe cilindrat, faqet dhe kulmet 


Rezultatet e të nxënit:  

- emërton trupat gjeometrikë: kub, kuboid, cilindër, sferë, kon, piramidë.

- liston objekte nga mjedisi të cilët janë të  ngjashëm me trupat  gjeometrikë.

- përshkruan trupa gjeometrikë duke dalluar brinjët, kulmet, faqet.

- përdor imagjinatën për zgjidhjen e situatave gjeometrike.

- klasifikon trupat gjeometrikë sipas  llojit.

- shfaq vullnet në arritjen e rezultateve. 


Situata e të nxënit:   

Përzgjedhja e një objekti dhe krahasimi i tij me një trup gjeometrik duke evidentuar ngjashmëritë  ndërmjet  tyre.                       

Fjalët kyçe: Trup gjeometrik, kub, kuboid, cilindër, sferë, kon, piramidë, brinjë,  faqe, kulme.

Burimet materiale: Kompleti i nxënësve me trupa gjeometrik, një kuti kartoni me 25-30 objekte  (lapsa, shishe, kanaçe, kuti të formave dhe përmasave të ndryshme, ngjitës, kavanoza qelqi, gotë, safa ...) teksti dhe fleta e punës e nxënësit   

Metodologjia: Mendo – krijo dyshe – diskuto, Punë në grupe, Punë individuale, Lojë, Rishikim në dyshe.                         

Lidhja me fushat e tjera: Arte (art  pamor), Gjuhët dhe komunikimi, shoqëria dhe mjedisi.


Zhvillimi i orës mësimore:  

Situata e të nxënit

Kërkoj nga nxënësit që të zgjedhin nga një objekt nga kutia e mbushur me objekte të ndryshme ...

Secili nxënës bën përshkrimin e trupit që ka në dorë.

Mbi tavolinë ndodhen trupat  gjeometrikë ..

Mendo - krijo dyshe, diskuto

Nxënësit çiftohen në dyshe dhe krahasojnë objektin që kanë në dorë me trupin gjeometrik që ngjason.

Në dyshe, njëri nxënës evidenton një trup në klasë dhe nxënësi tjetër tregon se me cilin trup gjeometrik ngjan duke bërë përshkrimin e trupit.

Nxënësit nxiten të ndajnë idetë e tyre me gjithë klasën.


Punë në grupe

Ndaj nxënësit  në  6 grupe. U shpërndaj çdo grupi kompletin me trupa gjeometrikë: kub, kuboid, cilindër, sferë, kon, piramidë.

Secili nxënës do të përzgjedhë nga një trup dhe do ta përshkruaj.

Sipas përzgjedhjes së trupit nxënësit rigrupohen. (grupi i kubeve, grupi i piramidave...)

Diskutohet në grup për trupin e përbashkët.


Punë individuale

Nxënësit punojnë në mënyrë të pavarur për plotësimin e tekstit. Ndjek nxënësit dhe ofroj ndihmë për nxënësit që shfaqin vështirësi.


Rishikim në dyshe

Nxënësit këmbejnë librat me njëri - tjetrin dhe kontrollojnë punën e njëri-tjetrit. Ndihmojnë njëri – tjetrin për korrigjimin e gabimeve  (nëse kanë ).


LOJË, Luajmë  (me plastelinë) 

Modelojmë (sipas  dëshirës) trupa gjeometrikë me plastelinë. Secili nxënës do të përshkruaj trupin që ka modeluar dhe nxënësit e tjerë do të emërtojnë trupin që ka modeluar shoku.

(modelin e parë, shembullin për mënyrën e përshkrimit e bën mësuesja (unë) ) 

Përvetësojnë kuptimin e faqeve, brinjëve, kulmeve. Tregohen konkretisht në trupa të ndryshëm.

Vendos një kub në një vend të dukshëm nga të gjithë dhe nxit nxënësit të tregojnë sa faqe, kulme e brinjë ka trupi. Plotësojmë së bashku tabelën:


 

Trupi faqe brinjë kulme
Kubi      
Kuboidi      
Sfera      
Cilindri      
Koni      
Piramidë      


Punë individuale

Nxënësit punojnë në mënyrë të pavarur për plotësimin e fletores së punës fq.30-31.

Nxënësit këmbejnë librat me njëri – tjetrin dhe kontrollojnë punën e bërë. 


Detyrë shtëpie 

Vizato trupa gjeometrik sipas dëshirës.


Vlerësimi i nxënësve 

Vlerësohen nxënësit me fjalë dhe shprehje vlerësuese për:

- emërtimin e trupave gjeometrikë: kub, kuboid, cilindër, sferë, kon, piramidë.

- krahasimin e objekteve  nga mjedisi të cilët janë të ngjashëm me trupat gjeometrikë.

- përshkrimin e trupave gjeometrikë duke dalluar brinjët, kulmet, faqet.

- përdorimin e imagjinatës për të zgjidhur situatat me trupa gjeometrikë.

- klasifikimin e trupave gjeometrikë sipas llojit.

- vullnetin e shfaqur për arritjen e rezultateve. 

(Portali Shkollor)

20,226 Lexime
6 vjet më parë