Orientimi për karrierën: T’u tregojmë fëmijëve rrugët, jo t’u zgjedhim të ardhmen
Si duhet t’i përgatisim fëmijët për zgjedhjet e së ardhmes? Mësuesja Alkida Mehmeti sjell një këndvështrim të bazuar në 23 vite përvojë në arsim, duke argumentuar pse orientimi për karrierën duhet të nisë që në klasën e pestë dhe t’i japë nxënësit mundësinë të njohë veten, profesionet dhe rrugët e së ardhmes.
ORIENTIMI PËR KARRIERËN
PJESA I
ORIENTIMI PËR KARRIERËN DUHET TË NISË QË NË KLASËN E PESTË
A po i përgatisim fëmijët për të zgjedhur?
Një këndvështrim nga 23 vite përvojë në arsim
A duhet të presim klasën e nëntë që t’i kërkojmë një fëmije të vendosë se çfarë rruge do të ndjekë?
Nga këndvështrimi im, jo.
Pas 23 vitesh në arsim, mendoj se orientimi për karrierën duhet të nisë shumë më herët, gradualisht, që në klasën e pestë.
Jo për t’i përcaktuar një fëmije profesionin që do të bëjë, por për ta ndihmuar të njohë veten: çfarë i pëlqen, ku ka aftësi, çfarë e tërheq dhe cilat janë mundësitë që i ofron bota e profesioneve.
Gjimnazi apo shkolla profesionale?
Këto duhet të jenë dy rrugë të ndryshme arsimimi, jo dy nivele vlere.
Gjimnazi i përgjithshëm ofron një formim më të gjerë akademik dhe krijon një bazë të mirë për vazhdimin e studimeve të larta.
Shkolla profesionale ndërthur arsimin me aftësitë praktike dhe e afron nxënësin më drejtpërdrejt me një profesion dhe me tregun e punës.
Problemi është perceptimi që ende ekziston:
“Të mirët shkojnë në gjimnaz, të dobëtit në profesionale.”
Ky është një paragjykim që duhet të ndryshojë.
Një elektricist, mekanik, saldator, teknik elektronik apo infermier i aftë nuk është më pak i vlefshëm sepse ka zgjedhur një shkollë profesionale.
Përkundrazi, profesionalja mund të jetë fillimi i një karriere, jo fundi i arsimit.
Një nxënës që zgjedh elektrikun mund të nisë si teknik, të punësohet, të punojë i pavarur, të krijojë një sipërmarrje dhe më vonë të vazhdojë drejt inxhinierisë elektrike.
Një mekanik mund të ndërtojë karrierë në industri ose të hapë biznesin e tij.
Një infermier mund të vazhdojë më tej në arsimin e lartë dhe të specializohet.
Pra, nxënësit duhet të dinë jo vetëm çfarë shkolle zgjedhin, por edhe ku mund t’i çojë ajo zgjedhje.
Orientimi duhet të nisë herët
Do të propozoja që edukimi për karrierën të jetë një proces që nis në klasën e pestë dhe zhvillohet gradualisht deri në klasën e nëntë.
Në fillim, nxënësi njeh veten.
Më pas njeh profesionet.
Më vonë lidh profesionin me arsimin, aftësitë, mundësitë e punësimit dhe vazhdimin e karrierës.
Një orë mësimore për edukimin në karrierë mund të shoqërohet me një fletë pune, ku nxënësi të reflektojë:
- Çfarë më pëlqen?
- Në çfarë jam i mirë?
- Preferoj punën praktike apo teorike?
- Më tërheq teknologjia, njerëzit, natyra, biznesi apo krijimtaria?
- Cilat profesione dua të njoh më shumë?
Por nuk duhet të mjaftohemi me pyetësorë.
Duhet t’i çojmë fëmijët te realiteti i profesionit.
Takime me profesionistë, vizita në kompani, institucione, punishte, hotele, spitale apo struktura të tjera ku ata mund të shohin se si punohet realisht.
Një fëmijë mund të mos e imagjinojë veten si elektricist derisa të shohë çfarë bën një elektricist.
Mund të mos mendojë për hotelerinë derisa të shohë se sa profesione dhe mundësi karriere fshihen pas një hoteli apo resorti.
Po klasa e nëntë?
Rezultatet e klasës së nëntë mund të jenë një element i rëndësishëm orientimi, por jo një etiketë.
Nuk duhet të kemi:
“Mesatare e lartë = gjimnaz.”
dhe
“Mesatare e ulët = profesionale.”
Duhet të shohim edhe aftësitë, interesat, prirjet dhe synimet e nxënësit.
Një fëmijë mund të mos jetë i shkëlqyer në çdo lëndë, por të ketë aftësi të jashtëzakonshme praktike, teknike apo krijuese.
Aftësia praktike nuk është mungesë inteligjence.
Në fund të klasës së nëntë, nxënësi duhet të jetë në gjendje të bëjë një zgjedhje të informuar, jo një zgjedhje të diktuar.
Dhe këtu lind një pyetje tjetër:
Sa profesione u kemi treguar realisht fëmijëve tanë?
Sepse ndonjëherë problemi nuk është mungesa e ambicies.
Është mungesa e informacionit.
PJESA II
NUK MUND TË ZGJEDHËSH ATË QË NUK E NJEH
Çfarë nuk u tregojmë fëmijëve për të ardhmen?
Në pjesën e parë fola për nevojën që orientimi për karrierën të nisë që në klasën e pestë.
Por gjatë 23 viteve të mia në arsim, kam parë edhe diçka tjetër:
Fëmijët shpesh zgjedhin vetëm nga profesionet që njohin.
Në gjithë këto vite, nuk kam dëgjuar asnjëherë një gjimnazist të më thotë:
“Dua të bëhem kapiten anijeje.”
Apo:
“Dua të bëhem inxhinier naval.”
Dhe kjo më ka bërë të mendoj.
Jo sepse besoj se këto profesione janë për çdo nxënës, por sepse pyes veten:
A nuk i zgjedhin sepse nuk u përshtaten, apo sepse nuk i njohin?
Nëse askush nuk u flet për detarinë, navigimin, inxhinierinë navale, marinën apo profesionet e tjera që lidhen me detin, si mund të presim që një 15-vjeçar t’i konsiderojë ato si mundësi?
Nuk mund të zgjedhësh një mundësi që nuk e njeh.
Një tjetër fjali që dëgjoj shpesh është:
“Po mbaroj ekonomik.”
Dhe shpesh pas saj vjen pyetja:
“Po tani, çfarë të bëj?”
Vetëm para disa ditësh, disa të rinj që kishin përfunduar ekonomik më shtynë të mendoj sërish për këtë problem.
I pyeta se ku e shihnin veten më tej.
U sugjerova të mos e shihnin diplomën vetëm si një përfundim, por si një bazë për të ndërtuar mbi të.
Nëse ke formim ekonomik dhe të tërheq turizmi, pse të mos shohësh mundësitë që të ofron ky sektor?
Mund të synosh administrimin apo menaxhimin e një hoteli, resorti apo strukture turistike dhe të vazhdosh me specializime të mëtejshme që lidhin ekonominë me këtë sektor.
Pra:
Mos shikoni vetëm atë që keni mbaruar. Shikoni ku mund ta çoni atë që keni mbaruar.
Një diplomë nuk është domosdoshmërisht destinacioni.
Është një pikënisje.
Po Fieri?
Këtu mendoj se duhet të bëjmë edhe një hap tjetër.
Orientimi duhet të lidhet edhe me realitetin ekonomik të qytetit dhe rajonit ku jetojmë.
Në Fier kemi industri, energji, naftë, bujqësi dhe një lidhje të fortë me zhvillimin e turizmit në jug.
Atëherë pse, kur flasim për nxënësit me prirje në matematikë dhe shkenca, dëgjojmë kaq shpesh vetëm:
“Do të bëhem informaticienë?”
Pse të mos flasim edhe për:
inxhinierinë e naftës, inxhinierinë elektrike, mekanike, energjetikën, automatizimin dhe profesionet teknike?
Dhe në një vend me një vijë të gjatë bregdetare e potencial të madh turistik, pse të mos flasim më shumë për:
hotelerinë, menaxhimin turistik, detarinë, navigimin, inxhinierinë navale dhe profesionet e marinës?
Nuk po them që çdo nxënës duhet të zgjedhë këto profesione.
Po them se duhet t’i njohë si mundësi.
Prindërit duhet të jenë pjesë e procesit
Nuk mund të flasim për orientimin pa folur për familjen.
Shpesh fëmija nuk zgjedh i vetëm.
Prindi mund të thotë:
“Do të shkosh në gjimnaz.”
“Profesionalja nuk është për ty.”
“Duhet të bëhesh mjek.”
“Duhet të mbarosh universitetin.”
Shpesh kjo vjen nga dashuria dhe dëshira për një të ardhme më të mirë, por mund të përfundojë në imponim.
Prandaj duhen takime serioze dhe të vazhdueshme me prindërit.
Duhet t’u shpjegohet se shkolla profesionale nuk është një zgjedhje e dorës së dytë.
Por edhe se gjimnazi nuk është automatikisht zgjedhja më e mirë për çdo fëmijë.
Zgjedhja duhet t’i përshtatet fëmijës.
Çfarë do të propozoja?
Do të propozoja një sistem orientimi që fillon në klasën e pestë dhe zhvillohet çdo vit.
Në klasën e nëntë, nxënësi duhet të ketë njohur:
veten, profesionet, shkollat, mundësitë e punësimit dhe rrugët që mund të ndjekë më tej.
Rezultatet shkollore të jenë pjesë e vlerësimit, së bashku me aftësitë dhe prirjet. Prindi të jetë pjesë e procesit, por jo të vendosë në vend të fëmijës.
Dhe shkolla të mos japë vetëm informacion, por të krijojë kontakt real me botën e punës.
Këndvështrimi im
Për mua, orientimi nuk është t’i themi një fëmije:
“Zgjidh këtë profesion sepse ka punë.”
Është t’i themi:
“Njih veten. Njih profesionet. Shiko mundësitë. Pastaj zgjidh.”
Fëmijët nuk kanë nevojë vetëm për këshilla.
Kanë nevojë për horizont.
Ne nuk duhet t’ua zgjedhim të ardhmen.
Duhet t’u japim mundësinë ta njohin, në mënyrë që të mund ta zgjedhin vetë.
Në klasën e pestë duhet të nisë orientimi.
Në klasën e nëntë duhet të vijë zgjedhja.
PJESA III
TË MOS ORIENTOJMË VETËM PËR NJË DIPLOMË, POR PËR NJË TË ARDHME
Nga profesionet që kërkohen sot, te profesionet që mund të krijojnë mundësi nesër
Në dy pjesët e para fola për një problem themelor: mënyrën se si i njohim dhe i prezantojmë profesionet te fëmijët.
Por do të doja ta çoja këtë diskutim edhe një hap më tej.
Nëse do të propozoja një strategji timen për orientimin profesional, nuk do të mjaftohesha vetëm me pyetjen:
“Çfarë i pëlqen nxënësit?”
Do të shtoja:
“Çfarë mundësish do t’i ofrojë ky profesion pas 5, 10 apo 15 vitesh?”
Sepse një nxënës që sot është në klasën e nëntë do të hyjë në tregun e punës pas disa vitesh.
Prandaj orientimi duhet të shohë përpara.
A po i orientojmë drejt diplomës apo drejt profesionit?
Sot kemi shumë të rinj që studiojnë për profesione si mësues, juristë, ekonomistë dhe fusha të tjera të kërkuara tradicionalisht. Por tregu i punës nuk mund t’i përthithë të gjithë.Disa do të jenë shumë të aftë dhe do të ndërtojnë karrierë. Të tjerë mund të përfundojnë duke punuar në profesione që nuk kanë lidhje me formimin e tyre.
Dhe këtu duhet të bëjmë një pyetje:
A i kemi orientuar drejt profesionit apo vetëm drejt diplomës?
Për mua, kjo është thelbësore.
Profesione që të japin edhe mundësinë të krijosh vetë
Strategjia ime do të ishte t'u prezantoja nxënësve më shumë profesione që mund të krijojnë hapësirë jo vetëm për punësim, por edhe për vetëpunësim dhe sipërmarrje.
Marrim një shembull të thjeshtë.
Një nxënës që zgjedh një shkollë profesionale për elektrik mund të hyjë relativisht shpejt në treg. Me eksperiencë mund të krijojë një ekip dhe të marrë punime për pallate, vila, hotele, resorte apo biznese.
Një hidraulik mund të nisë individualisht dhe më pas të krijojë një ekip që merret me instalimet e ndërtimeve të reja, vilave, hoteleve dhe strukturave turistike.
Një saldator mund të punësohet, të specializohet dhe më vonë të krijojë sipërmarrjen e tij.
Një mekanik mund të ndërtojë një servis, të punësojë të tjerë dhe ta zhvillojë aktivitetin e vet.
Këta profesionistë mund të mos presin domosdoshmërisht një vend vakant.
Mund të krijojnë vetë një vend pune.
Këtë mundësi duhet t’ua tregojmë të rinjve.
Kjo nuk do të thotë të zhvlerësojmë profesionet akademike
Nuk po them se një nxënës nuk duhet të bëhet jurist, mësues, ekonomist, mjek apo profesionist i një fushe akademike.
Nëse ka aftësi, pasion dhe përgatitje, duhet ta ndjekë atë rrugë.
Por nuk duhet të kemi një sistem ku të gjithë orientohen drejt të njëjtave profesione vetëm sepse janë më të dëgjuarat ose sepse dikush në familje u ka thënë:
“Bëj këtë se është profesion i mirë.”
Një profesion është zgjedhje e mirë kur i përshtatet aftësive të personit, ka hapësirë reale dhe i jep mundësi të zhvillohet.
Edhe ekonominë duhet ta shohim më gjerë
Pse një nxënës që ka interes për ekonominë duhet të mendojë vetëm për ekonomi-financë-bankë?
Pse të mos i tregojmë edhe për administrimin e turizmit, menaxhimin hotelier, ekonominë e turizmit dhe fusha të tjera ku mund të bashkojë formimin ekonomik me një sektor në zhvillim?
Një i ri që e sheh veten në turizëm mund të ndërtojë karrierë në administrimin e një hoteli, resorti, strukture turistike apo biznesi.
Pra, ndonjëherë problemi nuk është mungesa e mundësive.
Problemi është se ne nuk i kemi treguar të gjitha rrugët që mund të hapë një profesion.
Tregu i punës duhet të hyjë në klasë
Nxënësit duhet të dinë:
- Çfarë profesionesh kërkohen sot?
- Çfarë profesionesh mund të kërkohen nesër?
- Cilat ofrojnë mundësi për vetëpunësim?
- Cilat kërkojnë universitet?
- Cilat mund të nisin me arsim profesional dhe të çojnë më tej?
- Cilat lidhen me ekonominë e qytetit ku jetojnë?
- Çfarë mundësish krijon secili profesion?
Në këtë mënyrë, nxënësi nuk zgjedh vetëm një shkollë.
Zgjedh një rrugë.
Problemi është në themel
Për mua, këtu qëndron problemi kryesor.
Nuk fillon kur fëmija arrin në klasën e nëntë.
Fillon shumë më herët, kur ai nuk ka marrë informacionin e duhur, nuk ka provuar profesione të ndryshme, nuk ka takuar profesionistë dhe nuk ka parë se çfarë mundësish mund të krijohen prej tyre.
Prandaj orientimi duhet të ndryshojë.
Nuk duhet t’i themi fëmijës vetëm:
“Kjo është shkolla që mund të ndjekësh.”
Duhet t’i themi:
“Kjo është rruga që mund të ndjekësh. Këto janë aftësitë që do të fitosh. Këto janë profesionet ku mund të punosh. Këto janë mundësitë për të vazhduar më tej. Dhe këto janë mënyrat se si mund të krijosh edhe vetë një aktivitet.”
Atëherë zgjedhja bëhet konkrete.
Në fund, mendoj se orientimi profesional nuk duhet të jetë një formalitet në klasën e nëntë.
Duhet të jetë një strategji e menduar që në klasën e pestë.
Duhet të lidhë fëmijën me aftësitë e tij, shkollën me profesionin dhe profesionin me tregun e punës.
Dhe mbi të gjitha, duhet t’i tregojë të riut jo vetëm ku mund të punësohet, por edhe çfarë mund të krijojë vetë.
Sepse e ardhmja e një të riu nuk duhet të matet vetëm me pyetjen:
“Ku do të punësohesh?”
Duhet të kemi guximin t’i bëjmë edhe pyetjen:
“Çfarë mund të ndërtosh ti?”
Për mua, ky është ndryshimi mes orientimit për një diplomë dhe orientimit për një karrierë.
Nuk mjafton t’u tregojmë fëmijëve profesionet që njohim.
Duhet t’u tregojmë edhe profesionet që u hapin dyer.
Dhe mbi të gjitha:
Nuk mund të zgjedhësh atë që nuk e njeh. Por kur e njeh një mundësi, mund të fillosh ta shohësh veten brenda saj.
© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Teste të integruara për arsimin fillor dhe modele VANAF, viti shkollor 2024-2025
Modele Testesh për Arsimin Fillor për të tria periudhat
Planet mësimore të ALBAS për Arsimin Fillor sipas udhëzimeve të reja të MASR